OPINION

Një makth i pafund për Venezuelën…

07:45 - 17.11.19 Igli Tola
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Kur shihni ose përjetoni në vetë të parë pabarazi, padrejtësi apo keqqeverisje flisni, pasi ai është vendi juaj! Ajo është demokracia juaj. Bëjeni atë! Mbrojeni atë! Pasi askush tjetër s’do ta bëjë për ju”, thoshte amerikani Thurgood Marshall.




Mision ky që duket utopik, sidomos nga një pjesë e jona që mendojnë materialisht se vetëm ajo që ndodhet brenda katër mureve të shtëpisë është e tyre dhe duhet mbrojtur, duke qëndruar indiferent qoftë edhe për çfarë ndodh në rrugicën e lagjes, apo oborrin e fqinjit.

Ama, ajo që po bëjnë Armando Armas dhe Rafaela Martinez e shumë bashkëkombës të tyre është një sinjal se ka akoma shpresë për mos “shfarosjen” e demokracisë në shumë pjesë të globit. Armando me Rafaelën, këto dy miq të rinj të mitë, së bashku me mijëra e miliona venezuelianë të tjerë po “luftojnë” prej muajsh, ditë pas dite me një prej regjimeve më brutal të kohëve moderne.

Shumëkush edhe këtu në Shqipëri ka dëgjuar për Maduron, miliona protestuesit që përballeshin me dhunën e orkestruar nga “nomenklatura” e tij etj. Deri pak muaj më parë edhe mediat tona përcillnin (edhe pse sporadikisht) se çfarë po ndodhte në Karakas, por siç ndodh shpesh me lajme të tilla, shihen si kuriozitete çasti dhe nuk shkohet më tej, pasi perceptohet se vendet tona janë shumë larg gjeografikisht dhe kulturalisht. Dhjetëra orë fluturim, një oqean i tërë për t’u kaluar, për të mbërritur atje. Ndaj, nga një pjesë e jona gjykohet se çfarë ndodh atje është një fenomen i lokalizuar, që nuk ka si dhe pse të na interesojë. Kjo, edhe për shkak të njohjeve të kufizuara që kemi për kontinentin amerikano-latin, që e njohim më së shumti nga karnavalet shumëngjyrëshe, samba, plazhet tropikale dhe telenovelat.

Po t’u hyjmë pak më thellë fakteve dhe realitetit socio-politik atje, shohim se nuk dallon shumë nga ajo që ndodh në Shqipëri dhe vendet rrotull nesh. Një popull me pasuri të jashtëzakonshme natyrore (rezerva “ari të zi” të pafundme), por që si pasojë e politikave “diabolike” të Maduros që prej ardhjes në pushtet në 2013-ën dhe paraardhësit të tij Hugo Chavesit e kanë degraduar vendin ku mos më keq. Afro 4.3 milionë njerëz kanë braktisur vendin si pasojë e hiperinflacionit në shifra stratosferike, dhunës dhe përndjekjes shtetërore, mungesës së ushqimeve apo rishfaqjes së sëmundjeve epidemike të çrrënjosura me kohë, si kolera e malaria. Statistika të frikshme këto, gati 5000 njerëz çdo ditë braktisën vendin gjatë 2018-ës. Shifra jo të denja as për një vend në luftë ose në vorbullën e ndonjë epidemie vdekjeprurëse.

E pavarësisht dështimit të plotë, uzurpatori Maduro vijon të rezistojë dëshpërimisht, ngjashëm me një pjesë të liderëve komunistë të ish-Bllokut Lindor gjatë fundviteve ‘80. “Madhështia” e pushtetit i ka eklipsuar logjikën, verbon sytë dhe e shtyn mos të pranojnë dështimin (humbjen). Popullin që kërkon alternativa të reja qeverisëse për prosperitet, e ndrydh, burgos, vret, pasi populli është “armiku” i tij.

Kështu, lideri i opozitës Guaido, së bashku me shumë të rinj revolucionar si Armando e Rafaela që gëzojë mbështetjen dhe simpatinë e miliona venezuelianëve u pamundësohet marrja në duar e “fateve” të kombit, siç ndodhi me fqinjët e tyre bolivianë pak ditë më parë.  Atje, presidenti Evo Morales u dorëzua përballë vullnetit popullor, edhe pasi turmës iu bashkuan edhe forcat e armatosura boliviane.

Ndërkohë, në Venezuelë “statue-quo” e tmerrshme vazhdon. Ndërhyrja e agjenturave kubane, mbështetja publike e Rusisë dhe Kinës ndaj Nicola Maduros po ia zgjat pambarimisht vuajtjet popullatës. Njohja e Juan Guaido si president legjitim nga më shumë se 50 shtete, pas zgjedhjeve skandaloze të 2018-ës duket se nuk mjafton.

Në këto kushte, ku sprovat e panumërta të deritanishme kanë rezultuara të suksesshme, por jo të mjaftueshme sa për të sjellë ndryshimin e pritur, çdo përpjekje individuale si në rang personal, nacional ose institucional mund të ndryshojë balancën për të anuar nga kahu i demokracisë. Një shtet më shumë në “armatën” e demokracive, është një garant më shumë për funksionimin dhe evoluimin e këtij sistemi politik, që siç thoshte Churchill mbase është më i keqi, por më të mirë nuk ka.

“Rrëzimi” i Maduros, jo vetëm si individ, por edhe si fenomen dhe model qeverisjeje do të reflektohet në një hapësirë shumë më të madhe gjeografike, sesa territori venezuelian. Së pari, do të jetë disfata e parë e Rusisë moderne dhe “boshtit” aktual komunist: Kinë-Kubë and Co. Një leksion për to, për të stopuar ndërhyrjet në punët e brendshme të kombeve të tjera, si Siria dhe aq më shumë për të mos mbajtur më të “prangosur” në totalitarizëm dhe oligarkizëm popujt e tyre. Së dyti, lidershipet e demokracive “on paper”, shumë larg funksionalitetit mbas suksesit të kauzës venezueliane do të tregohen shumë më hezitues për të flirtuar me “socializmin”, “fashizmin”, apo çdo trajtë tjetër totalitare. “Një shuplakë” do të jetë kjo për Viktor Orban apo edhe minidiktatorët tanë në Ballkan, që “ëndërrojnë” të rievokojnë të shkuarën e para-shembje së Murit të Berlinit. E ky kthim 30 vite pas është kohë dhe investim i çuar dëm. Kthim që nuk na shërben për asgjë, veçse për të përmbushur dëshirat e tyre të ‘sëmura’ për pushtet absolut.

Ndaj në qoftë se nuk reagojmë sot duke u solidarizuar dhe suportuar në mënyrën tonë krizën humanitare në Venezuelë, mund të ndodhë që niveli i “alertit” të prekë të radhës ndonjërin prej shteteve tona. Nuk jemi shoqëri “imune” ndaj “sindromave”: komunizëm, varfëri ekstreme, persekutim etj. E çdo ditë që populli në Venezuelë jeton nën këtë diktat, në kushte çnjerëzore fajtor veç Maduros, jemi edhe ne. Ne, sepse “indiferenca” jonë vret. Ku mungon empatia, krijohet një mikroklimë e përshtatshme për të ekzekutuar në qetësi demokracinë, qoftë edhe që në embrion.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.