KULTURË

RIKARD LJARJA/ “Një kujtim nga Vau i Dejës në rrënojat e kishës, letërsia dhe piktura e artistit”

12:00 - 18.11.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Nga një riosh me portret të veçantë që magjepste publikun me pamjen e tij kur doli për herë të parë në ekranin e madh, te vepra e fundit letrare “9 të shkurtra”, udhëtimi artistik i Rikard Ljarjes vjen i rrëfyer nga një prej miqve të tij të hershëm, Zamir Mati. “9 të shkurtra” botuar nga Benet Koleka, shërbeu si shkas i nisjes së një takimi letrar në Paris, kur veprat në letër të Ljarjes u vunë përkundruall një ekrani, që tregoi rininë në film dhe vetë rrëfimet e tij ndër vite për filmat e skenarët në “Maison D’Albanie” nw njw takim të organizuar nga Zamir Mati e Gjergj Themeli(president i shoqatës). Role, regji, skenarë dhe magji ekrani sollën të plotë panoramën artistike të Ljarjes duke zbuluar mes të tjerash edhe pasionin e tij në pikturë. Gjithë rrëfimi, nis në ditë qershori të 1969-ës në Va të Dejës dhe ngërthen, kohë e qytete nga Shqipëria në Francë, për të rrëfyer një artist dhe veprën e tij. Më poshtë intervista e Zamir Matit për “GAZETA SHQIPTARE”.




– Si e mbani mend daljen në ekranin e madh të Rikard Ljarjes?
Fund vitet ’50 dhe fillim vitet ’60 filmi shqiptar ishte “Tana”, “Skënderbeu” dhe fill mbas tyre filmi “Fortuna” një bashkëpunim shqiptaro-sovjetik dhe patjetër që figura e Arbenit luftëtarit të lirisë, partizanit të luajtur nga aktori Mario Ashiku solli edhe “starin” e parë, i cili fatkeqësisht për të, por edhe për rininë e asaj kohe ngeli i vetëm pa partneren e tij në film, Zana, sepse ajo ishte një aktore sovjetike dhe në vitin 1961 Shqipëria preu të gjitha marrëdhëniet me BRSS. Edhe filmat e realizuar në bashkëpunim u ndërprenë të shfaqeshin. Filmi shqiptar filloi të realizoi filma artistik dhe ndërmjet tyre spikati loja mjeshtërore e Ndrekë Lucës në filmin “Detyra e posaçme”. Por i papritur në ekranet e kinemave ishte shfaqja e figurës së “Komisarit të dritës” luajtur nga aktori i ri Rikard Ljarja në rolin e mësuesit hero Ndrec Ndue Gjoka. ‘Artistin e Merituar’ Rikard Ljarja për herë të parë e njohëm me rolin e tij, të Dritan Shkabës në filmin “Komisari i dritës” një partizan mirditor që kthehet nga lufta në fshatin e tij për të hapur shkollën për vocërrakët e cucat. Për mua dhe bashkëkohësit e mi të viteve ’60 figura e Rikardit së bashku me partneren e tij Roza Xhuxha u kthye në idol. Jo vetëm loja e tyre e mrekullueshme por edhe me tiparet e një të riu të thjeshtë, tipare të spikatura dhe gjuhën e të folurën e bukur me thekse të veriut. Kaq tërheqëse ishte figura e Dritanit në personazhin e një mësuesi, “Komisarit të dritës”, sa emrin e tij prindërit e rinj të asaj periudhe i vinin djemve të lindur dhe kështu solli një përhapje të emrit Dritan.

– Si ka qenë ecuria e tij artistike parë si një shikues i atyre viteve?
Filmi “Komisari i dritës” u shfaq për herë të parë në vitin 1966 dhe fill pas këtij filmi aktori i ri Rikard Ljarja luan në filmin “Dueli i heshtur”, i cili doli në vitin 1967, përsëri një nga filmat më të arritur të kinematografisë shqiptare. Realizuar nga regjisori Dhimitër Anagnosti. Loja e Rikardit dhe aktorëve të tjerë në filmin kushtuar ‘Heroit të Popullit’ Spiro Kote, ngjarje e vërtetë e lidhur me historinë e incidentit të kanalit të Korfuzit është impresionuese dhe shtjellimi dramaturgjik me një rritje të interesit të spektatorit për ngjarjen. Kjo ishte rruga e nisur e aktorit të talentuar Rikard Ljarja me paraqitjen plot talent në filmin shqiptar. Rrugë e cila vazhdoi jo vetëm me role të tjerë si komandanti tek “Radiostacioni” sipas veprës së shkrimtarit Ismail Kadare, fillrojtësi Deda tek filmi “Rrugë të bardha” e në mjaft filma të tjerë, por edhe si skenarist e regjisor i tyre. Rikard Ljarja shënon në historinë e filmit shqiptar një emër të veçantë.

– Kur e keni njohur për herë të parë?
Unë për herë të parë e kam njohur dhe takuar Rikard Ljarjen në Vaun e Dejës në muajin qershor 1969 kur ndodhesha atje për praktikën shkollore si student i institutit të lartë të arteve.

– Si e kujtoni shembjen e kishës së njohur të Vaut të Dejës?
Një e papritur për mua kur në rrënojat e kishës së vogël të Vaut të Dejës, e cila gabimisht ishte shembur nga ekstremistë të kantierit gjigand, sepse ajo ishte monument kulture dhe datonte nga viti 1282 shënim i gjetur në afreskun e faqes kryesore dhe sipas studiueses Dhorka Dhamo, erdhi Rikard Ljarja së bashku me piktorin Ismail Lulani.

– Sa kohë e ruajtët afreskun?
Unë isha duke nxjerrë nga rrënojat një fragment të afreskut me figurën e kryqëzuar të Krishtit, një fragment 65×65 cm të cilin e kam ruajtur gati 30 vite në shtëpinë time dhe ia kam dorëzuar Muzeut Historik Kombëtar në vitin 1996, kur drejtor i tij ishte poeti dhe euriditi Moikom Zeqo.

– Ylli i kinemasë vinte atje ku ishin studentët. Në ç’rrethana?
Kurioziteti i ndodhisë, shembjes së kishës së vogël, të vjetër e shpallur monument kulture, kisha e re u shemb në vitin 1967 në sulmin e parë ndaj fesë dhe vendeve të kultit, dy vjet mbas saj në 30 maj 1969 u shemb edhe kisha e vogël një kishë e stilit romanik dhe pikërisht ky incident ishte dhe takimi me pedagogët tanë, ardhja e Rikadit në rrënojat atë ditë. Aty unë pashë e njoha për herë të parë Rikardin “yllin” e filmit shqiptar dhe kënaqësia ishte e jashtëzakonshme, aty mbi rrënojat e gjatë punës së nxjerrjes së afreskut kur së bashku me pedagogët tanë Sali Shijaku, Danish Jukniu, Thoma Thomai bisedonim me artistin. Në atë kohë Rikardi banonte dhe ishte aktor i teatrit të Shkodrës. Por Rikardi ka punuar gjithmonë edhe pikturë dhe së bashku me Kiço Blushin dhe gazetarin Albert Shala jemi ftuar të shohim punimet e tij në apartamentin në rrugën “Myslym Shyri, Hero i Popullit”.

– Në Akademi e pas saj, ju njohët shumë artistë. Mes të cilëve edhe Yllka Mujon. Si e kujtoni rininë?
Ne ishim studentë dhe miqësia midis studentëve të degëve të ndryshme të arteve ishte e zakonshme, përveç këtyre ne bënim edhe leksione së bashku. Po ashtu dega e artit dramatik kishte veçanti shfaqet teatrore aq më tepër kur në ato vite regjisori i talentuar Skënder Spahivogli krijoi “Teatrin e të rinjve”. Instituti u gjallërua. Ai mori në trupën e tij, e cila angazhonte studentë edhe aktorë të talentuar nga teatrot e rretheve, e midis tyre Robert Ndrenikën. Vangush Furxhi.
Pedagogë ishin edhe aktorët Mario Ashiku, Birçe Hasko, etj .
Dhe studentë të atyre viteve ishin aktorët e ardhshëm dhe shumë të talentuar si Bujar Lako, Kujtim Çashku, Sajmir Kumbaro, Englantina Kume, Mirush Kabashi, Agim Qiriaqi, Anastas Kristofori, Timo Floko, Yllka Mujo, etj. Ne ndiqnim krijimtarinë e njëri tjetrit dhe kështu ndonjëherë njohja na jepte mundësinë edhe të një bashkëpunimi. Studentët që drejtonte pedagogia Drita Agolli vendosën në skenë një pjesë të Shpëtim Ginës (student i talentuar i gazetarisë i cili u mbyt në lumin Drojë, Mamurras në një pellg të ndërtuar prej nesh në verën e vitit 1974 kur kryenim shërbimin ushtarak 5 mujor) dhe ishte Kujtim Çashku regjisori student i shfaqjes i cili më kërkoi skenografînë e pjesës.
Nga kjo njohje midis nesh është edhe bashkëpunimi me regjisorin dhe pedagogun Mihallaq Luarasi për kostumet e festivalit të 11-të në Radio televizion ku unë isha piktori i kostumeve.

– Ishte koha, kur merrnit libra në bibliotekë?
Përveç aktiviteteve të përbashkëta në institutin e arteve një rol të jashtëzakonshëm ka luajtur biblioteka e saj, ku ne studentët e institutit të arteve kalonim pasditet me librat e artit, aty vazhdonin të vinin revistat periodike të njohura të artit nga vendet e lindjes, por edhe nga Franca si “Jardin des artes”, “Les Arts”, etj. Përfitoj të kujtoj zonjat bibliotekare Shpresa Mysliu, Enrika Strazimiri dhe Valdete Aliaj për xhentilesën dhe marrëdhëniet dashamirëse të tyre ndaj ne studentëve. Gjithashtu vinin edhe libra të autorëve të njohur akademikë francezë për artin si Renne Hyge etj.
Por edhe biblioteka e universitetit me drejtor Mihal Hanxharin kishte një koleksion të pasur të librave të artit të cilat ne mund ti shihnim.

– Si ishte Mihal Hanxhari?
Mihali ishte një gjeograf që kishte mbaruar studimet në Hungari në vitet ’50. Ai shkruante poezi dhe ishte edhe një piktor i veçantë.
Aty në bibliotekën e universitetit unë kam njohur mjaft prej artistëve dhe intelektualëve të njohur si Maks Velo, Ali Oseku, prof. Alfred Uçi, Behar Shtylla, Ylli Vejsiu, prof. Zija Xholi,. të cilët ishin shfrytëzues të rregullt të fondit të bibliotekës. Nuk i harroj diskutimet për artin, kinematografinë , teatrin , letërsinë midis nesh ashtu si nuk harroj edhe urimet me shkrimin e Fan Nolit dërguar Mihalit dhe të cilat ai i ruante si kujtime me vlerë të veçantë.
Mihali kishte përkthyer edhe librin “Princi i vogël” të Antoine de Saint-Exupéry, të cilin unë e kisha kopjuar shqip dhe frëngjisht.
Pikërisht një ditë me këto fletore në dorë duke biseduar me shokun tim të shkollës Bujar Lako vjen Yllka Mujo, studente e vitit të parë, por ylli i ri ndritës që shkëlqeu me filmin “I teti në bronx”. Yllka me zërin e saj të ëmbël, e qeshur dhe tepër e çiltër duke parë fletoret dhe librin e “Princit të vogël” me kuriozitetin e një të papriture të bukur shfletonte fletët dhe pa tjetër e tërhiqnin edhe vizatimet e autorit.

– Cila ishte biseda me të?
I them mund t’i marrësh dhe t’i lexosh, por ki kujdes se princin e vogël duhet të mos e mërzitësh. Ishte kënaqësi për mua që aktorja e mrekullueshme Yllka Mujo nuk e kishte harruar Princin e vogël dhe përpara pak kohësh ajo vuri në skenë një spektakël të bukur me pjesë nga ky libër. Kjo ishte rinia e jonë, miqësi të sinqerta, dashuria për artin dhe artistët tanë dhe respekt për punën dhe talentin e secilit.
Unë kam bashkëpunuar në vitin 2011 për vënien në skenë të një pjese teatrale për Stefan Cvajg “Famme silencieuse” (Gruaja e heshtur) të autores Monique Esther Rotenberg në dy teatro të njohur të Parisit. Krahas pllakateve unë në hollet e teatrove kam bërë ekspozitën me vizatime “Skica në teatër”. Këtë eksperiencë dhe këtë pjesë kam dashur ta përcjell në gjuhën shqipe edhe për faktin se kur u luajt për herë të parë unë imagjinoja në skenë shokët e mi të shkollës, aktorët e mrekullueshëm Bujar Lako dhe Yllka Mujo. Së shpejti libri del nga shtëpia botuese “ShBLSh e Re” Tiranë, libër të cilin ia kushtoj këtyre talenteve të jashtëzakonshëm.

– Një prej miqve të hershëm ka qenë edhe Kiço Blushi. Çfarë do të veçonit nga raporti me të?
Pikërisht është shkrimtari Kiço Blushi që më ka afruar akoma më tepër me artistët dhe miqtë e tij. Ai ka një njohje qysh prej kohës studentore dhe më tej me kontributin e tij të madh në kinematografinë shqiptare si shkrimtar skenarist ku gjatë realizimeve të filmave ndërthuret puna krijuese. Kiço Blushi përveç shkrimtar, skenarist ishte një publicist që me guxim trajtonte ide e tema në shtypin e viteve ’80. Ai është i pari që më mbështeti dhe pasqyroi aktivitetin e balonave, është ai që në gazetën “Zërin i Popullit” shtronte problemin lejimit dhe ripërtëritjes së traditave të popullit, e midis tyre edhe ato të lidhura me karnavalet, ai me guxim trajtonte çështjen e ndalimit të fesë si një pengesë e jashtëzakonshme drejtë progresit dhe hapjes me perëndimin. Së bashku me Kiço Blushin, prof. Ylli Vejsiun, prof. Vladimir Misja, (Mati ka qënë deri në largimin nga Shqipëria në vitin 1992 sekretar i shoqatës sociologjike) ne krijuam shoqatën e parë sociologjike të pavarur nga shteti ku kryetar i saj u zgjodh shkrimtari Kiço Blushi. Sociologjia sipas PPSh ishte e pa nevojshme se këtë funksion e kryente vetë partia dhe u desh një përpjekje e jashtëzakonshme për lejimin dhe pranimin e saj. Këto për atë kohë ishin ngjarje jo të zakonta, megjithatë janë të pasqyruara në shtypin e kohës dhe shënojnë data në historinë e vendit përpara ndryshimeve demokratike. Është pikërisht miqësia me Kiço Blushin, këtij shkrimtari, publicisti dhe qytetari të guximshëm që më bën krenar për njohjen në kohën më të rëndësishme kur shkrimtari Kiço Blushi shkroi veprat e tij.

– Keni kaluar kohë me Blushin, me Ljarjen dhe Ndrenikën. Si është krijuar ky grup miqsh?
Për mua është fat i madh që kam njohur figura të jashtëzakonshme si gazetarin televiziv Agron Çobani, me të cilin për herë të parë kemi qenë së bashku në rrethin e Dibrës për ndjekjen e përgatitjeve të Festivalit folklorik të Gjirokastrës, Alfons Gurashi, shkrimtarin dhe poetin Betim Muço. Por në miqësinë e këtij grupi shkrimtarësh dhe artistësh ku unë kam patur fat të jem dhe të ruaj kujtime të mrekullueshme janë Artisti i Popullit Robert Ndrenika, gazetari Albert Shala, gazetari Enver Muça, regjisori Leka Bunga, inxhinieri i talentuar elektronik dhe i zërit Spiro Konduri, juristi Stefan Kokomino, mjeshtri i sportit, kampioni Kreshnik Tartari, kompozitori Limoz Dizdari dhe artisti i merituar Rikard Ljarja për të cilin asnjëherë nuk zbehet ndriçimi i një “ylli” i një stari të kinematografisë shqiptare, por edhe i një shkrimtari të veçantë.

– Ndërkaq, prej vitesh Ljarja ka sjellë para lexuesit vepra të ndryshme. Së fundmi një takim për letërsinë mblodhi miq e të njohur. Si lindi kjo mbrëmje letrare?
Në pranverën e këtij viti unë isha në Tiranë me ing. Gjergji Themelin presidentin e “La Maison de l’ Albanie” dhe si çdo herë do të pinim një kafe me miqtë e vjetër dhe artistët e shquar. Por kësaj here i mungonte tavolinës së miqve shkrimtari Kiço Blushi dhe ishte pikërisht mungesa e tij që së bashku me Rikardin, Robert Ndrenikën, regjisorin Leka Bungo, ing. Spiro Kondurin, gazetarin Enver Muça pimë një kafe e një gotë raki në kujtim të shkrimtarit, shokut e mikut tonë të paharruar Kiço Blushi. Pikërisht në këtë ditë si çdo herë Rikardi më dhuroi librin e fundit, romanin “Josifopedia” e kështu në bibliotekën time unë kam të vendosura me dedikasë librat e Rikard Ljarjes,
“Kohë qensh” tregime, “Në një humbëtirë këtej rrotull” përrallë,
“Tymi, kronikë bardhë e zi” dy tregime, “Josifopedia” roman, sot librave të Rikardit i shtohet në bibliotekat tona edhe libri “9 të shkurtra” tregime, prozë, të cilën Rikardi e paraqet për herë të parë në “La Maison de l’Albanie”, një privilegj për shtëpizën tonë të vogël në Paris. Duke lexuar librat e Rikardit të them të drejtën nuk u impresionova nga të qenit e tij si shkrimtar, pasi prej kohësh kemi parë artikuj e shkrime tepër origjinalë në shtyp, por edhe duke e ditur se Rikardi ka shkrojtur mjaft skenarë filmash për kinematografinë shqiptare.
Por kjo njohje e krijimtarisë letrare që unë kam pasur privilegjin prej njohjes së hershme nuk është për shumë të tjerë dhe kështu së bashku me Gjegji Themelin, Gjergji Lekën, Agron Haskun menduam të zhvillojmë një prezantim të librave të Rikard Ljarjes për miqtë dhe dashamirësit e “La Maison de l’ Albanie” këtu në Paris, Francë.

– Pse një mbrëmje letrare ne botën frankofone?
Në radhë të parë për njohjen e veprave letrare të autorëve bashkëkohorë si një detyrim moral ndaj letërsisë shqiptare. Për të njohur vlerat e veçanta dhe origjinalitetin e shkrimtarit Rikard Ljarja. Për stilin e tij dhe gjuhën e pasur të shqipes së veriut që përdor. Për pasurinë e ngjarjeve dhe personazheve që ndërthur dhe skalit me mjeshtëri. Për idetë dhe mendimin e veçantë që përcjell nëpërmjet tregimtarisë. Për të njohur edhe talentin e tij jo vetëm në kinematografinë shqiptare por edhe kontributin origjinal në letërsinë bashkëkohore. Për të shijuar një stil të veçantë të ndërthurjes së frazave letrare me përjetimin në imazhe pothuaj filmike. Por dëshiroj të theksoj se është edhe dëshira që veprat e mira të autorëve shqiptarë dhe letërsia e tyre të njihen edhe nga lexuesit francezë ashtu si tashmë vepra “Në një humbëtirë këtej rrotull” është përkthyer në gjuhën angleze.

– Sa ka ndryshuar të shkruarit e tij?
Nga muaji marsi që unë kam katër libra të Rikardit dhe tani që ne bëjmë një prezantim të thjeshtë të veprës së tij, unë jam munduar të njoh dhe të kuptoj vlerat e një artisti dhe një shkrimtari. Në të katër librat e tij ai me një stil tepër origjinal duke u shprehur thjesht dhe me fraza të shkurtra dhe të pasura nga një fjalor i kërkuar gjuhësorë të tërheq me forcën e mendimit e cila shprehet në një mënyrë sa të fuqishme por edhe të veçantë. Faqet e librave të Rikardit janë si skenarë imazhesh të filmave të pa realizuara por që të mbushin me dëshirën e të parit në celuloidin e filmave që do të realizohen.

– Çfarë gjen te veprat e Ljarjes?
Aty gjen peizazhe. Aty gjen histori ngjarjesh. Aty gjen një epokë. Aty gjen një histori. Aty gjen një përgjithësim. Aty gjen personazhe të skalitur. Aty gjen pjesë nga jeta të cilat simbolizojnë kohë të sistemeve të ndryshme. Dhe të gjitha këto si një metaforë të arritur ndaj së keqes në ndeshje të pakohshme dhe të përhershme ndaj të mirës, kulturës, arritjeve të saj që aq bukur shtjellohen sidomos në kronikën e qytetit të Shkodrës. “…duke 5 librat e shkrimtarit Rikard Ljarja vihet re pasuria e gjuhës së shkrojtur shqipe, në letërsi dhe në rastin e shkrimeve të Rikardit dallohet kultura gjuhësore e shkrimtarit. Ai shkruan në romanin ‘Josifipedia’ me gjuhën letrare të standardit, por në vepra të tjera për të pasuruar dhe realizuar personazhet e tij apo atmosferën e qytetit verior ai përdor me mjeshtëri gjuhën dialektore. Por veprat nuk cenojnë rregullat drejtshkrimorë të vendosura nga kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe sepse ai lejon të përdorësh të gjitha format e gjuhës kur ato i shërbejnë letërsisë dhe gjuhës së përdorur duke ngritur nivelin dhe vlerat artistike të veprave, duke skalitur personazhet e veprave sipas ideve që shtjellohen Rikardi tregohet mjeshtër i ndërthurjes së dialektit në gjuhën shqipe…”

– A synohet përkthimi në gjuhën frënge i veprës së shkruar të Ljarjes?
Patjetër që qëllimi ynë si “La Maison de l’Albanie” është një përpjekje për të arritur të përkthehen edhe në gjuhën frëngjisht, dhe për këtë së bashku me Gjergjat dhe Agron Haskun prof. i gjuhës frënge organizojmë këtë takim si një fillim të përpjekjes sonë. Patëm rastin dhe privilegjin të marrim librin “9 të shkurtra” të cilin Rikardi e paraqiti në panair në Tiranë. Besoj se çdo gjë do të ecë mirë e mbarë për Rikardin, por ndoshta edhe për “La maison de l’ Albanie”, e cila ka dëshirën e madhe që të botojë me një numër tregimesh, numrin e parë të revistës letrare në gjuhën franceze si një ripërtritje të revistës “Les letres Albanaise” të botuar vite më parë dhe të drejtuar prej shkrimtarit tonë të shquar Ismail Kadare. Duke përfunduar shpresoj që vepra letrare e Rikard Ljarjes të zërë një vend të nderuar në letërsinë tonë dhe veçanërisht lus shëndet e mbarësi edhe për artistin dhe shkrimtarin tonë të shquar, mikun e nderuar tashmë të “La Maison de l’Albanie”, Rikardin.

Një letër Rikard Ljarja: Ajo ditë në Va të Dejës dhe një falënderim

Nuk më shkonte mendja se do bëhej një ceremoni e tillë ku do të flitej për mua sikur të isha… Nuk gjej fjalë të të falënderoj. Vërtetë atë ditë në Va të Dêjës mbi atë grumbull rrënojash të një vlere të jashtëzakonshme historike, ku llaçi që kishte lidhë gurët kishte të përziemë lesh dhie dhe gjethe dushku për ta forcu e, sepse në atë kohë mungonte çimentoja, u takuam ballë për ballë. Ju të gjithë ia dinit vlerat asaj vepre që para pak minutash u hodh në erë. Pranë meje ishte ulur Saliu, kishte marr në dorë një copë suva ku kishte mbet një copë nga afresku. U largua disa hapa afër një pellgu me ujë dhe e lagu atë copë të afreskut. Ishte një mrekulli. Diçka foli po unë nuk e mora vesh sepse fjala iu ngatërrua nder mustakë. Po nga shprehja e fytyrës kuptova se ishte i mahnitur nga ngjyrat. Gjeti një qese dhe e mbështolli. Thomai, duke qenë skulptor vuri re një copë mermeri kristalor në formë paralelepipedi, e shikoj me lakmi dhe tha: Këtë do ta marr unë, mund të bëhet një portret shumë i bukur. Po duke e vërejt me vëmendje vuri re se në ballë të copës së mermerit ishte gdhendur një rozetë shumë re bukur dhe tha: Kush e di se ç’dorë skllavi e ka gdhendur. Ndërkohë t’i shkoje e vije, me siguri kërkoje diçka për të mbështjellë atë copë afresku që e ruajte me vite të tëra dhe në fund e dorëzove te Muzeu Kombëtar. Një gjest vërtetë prej qytetari të devotshëm. Kaluan ca vite dhe unë isha bërë me fëmijë. Ti erdhe disa herë në shtëpinë time dhe i vizatoje djalit tim me shkathtësi një gjel. Dhe vërtetë të gjeli shkove, aty ku jeton edhe sot. Edhe një herë të falënderoj ty për këtë qe bëre për mua. Falënderoj Gjergjin, që nuk ia kam shtërngu dorën asnjëherë, po e di fort mirë se kush është. Ka njerëz që e njohin dhe veç fjalë të mira flasin për té, një prej tyre është Pluton Vasi. Vërtetë e falënderoj, se mora vesh se ai është dashamirës dhe ka kontribuar realisht për këtë promovim. Gjithashtu falënderoj profesorin Agron Hasku që mori mundimin që të lexoj para auditorit pjesë nga libri i im. Dua të falënderoj gjithë pjesëmarrësit që morën mundimin të marrin pjesë. Ju faleminderit të gjithëve. Fort.
P.s
Dua të falënderoj edhe Bert Shalen për çfarë ka shkruar për mua.
Edhe këtë FORT. Gjithashtu dhe për kontributin që ka dhënë për të
na lidhë bashkë.
Me shumë konsideratë
Rikardi
16 nëntor 2019


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.