MILOSAO

Rrëzimi i Murit të Berlinit dhe një requiem për ish-RDGJ-në

18:00 - 18.11.19 Gazeta Shqiptare

Nga Armand Plaka* – Ndërsa Berlini e berlinezët do të festonin sërish me risi e modernizëm, sikurse i takon një qyteti aq dinamik e që mbart aq shumë tradita e simbolikë, 30 vjetori i Rrëzimit të Murit që ndante dikur paradoksalisht një popull, duke krijuar dhunshëm dy botë, dy ideologji, dy mentalitete, do të shënohej këtë radhë zyrtarisht me madhështi të përmbajtur e pa shumë pompozitet. Mesazhet politike që lidhen me të ishin mëse të qarta, çka mund të përkojnë me mesazhet e fundit të “Zonjës së Hekurt”, Angela Merkel në mbyllje të një epoke që vetë këtë lidere të suksesshme e lidh jo pak dhe me Murin, me ish-Lindjen Gjermane, duke u hequr kështu kritikëve të Ribashkimit edhe një argument jo të vogël rreth asaj çka mund të shihej prej tyre si “Dështim i Ribashkimit”. E siç ndodh rëndom në këto raste, ndërsa bëhen bilance dhe risillen në vëmendje kontribute e merita individësh e personalitetesh, komunitetesh e rrethanash historike, është koha për të kuptuar më mirë se si erdhëm deri në këtë hap, si u ngrit Muri, çfarë ishte nga ana tjetër ish-RDGJ-ja, sa të vërteta janë pretendimet e disa prej kritikëve e nostalgjikëve se ata humbën shumë për të fituar pak, kush e rrëzoi Murin, çfarë shkoi mirë e çfarë shkoi keq me Ribashkimin, çfarë e mban akoma më këmbë perceptimin Lindje-Perëndim në Gjermani dhe fundja çfarë paralelesh mund të gjejnë shqiptarët nën shembullin gjerman?
Protagonistët “e çastit” dhe liderët që rrëzuan Murin e Berlinit?
Nisur nga një premisë konkrete, por pak objektive e po aq pak politike, rrëzimi erdhi si pasojë e një vendimi të ish-Byrosë Politike të përcjellë në mënyrë naive, siç do të bëhej e ditur më vonë nga ana ish-anëtari i Byrosë Politike të partisë-shtet në ish-RDGJ, Gynter Shabovski, i cili në mbrëmjen e 9 nëntorit 1989 do të bënte që me përgjigjen e tij: “Mesa kam dijeni unë, tani, menjëherë!” të derdhte në pikat e kalimit kufitar me Berlinin Perëndimor mijëra qytetarë gjermanolindorë e të shënonte kështu zyrtarisht Rënien e Murit. Por përtej rolit madhor politik të aktorëve me peshë ndërkombëtare si ish-Presidenti Reagan, ish-Presidenti Bush ( i vjetri), ish-shefi i fundit i BRSS, Mihail Gorbaçov dhe ish-Kancelari Gjerman, Helmut Kohl, shumëçka lidhej në një sens më të ngushtë, edhe me veprimet e mosveprimet e mëparshme, për të cilat lidershipi gjermanolindor do të gjendej minimalisht i vonuar për t’u përballur, duke shpresuar vazhdimisht se heshtja e gjatë dhe fshehja e kokës si struci në rërë, do të bënte të harroheshin valët e refugjatëve që shkonin drejt Hungarisë, ambasadave të RFGJ-së në ish-Çekosllovaki, demonstratat e të hënave, të cilat bashkë me pakënaqësinë qytetare në rritje, kërkesat për më shumë liri e demokraci, do të bënin që me masivitetin e tyre të shkundej i gjithë vendi. Kësaj po i shtohej madje edhe konflikti i heshtur me Moskën.



Paradokset që shoqëruan Honekerin
Edhe vetë qytetarë gjermanolindorë me bindje të thella komuniste do të shihnin me habi se si në fundvitet ‘80 regjimi do të ndalonte edhe revistat sovjetike, pasi shiheshin si nxitëse të lëvizjeve anti-regjim me idetë e tyre për Perestrojkën dhe Glasnostin. Paradoksi është se në në biseda mes byroistëve, ish-shefi i gjithëpushtetshëm i Partisë së Socialistëve të Bashkuar Gjermanë (SED) dhe njëkohësisht Kryetar i Shtetit (i ish-RDGJ-së), Erih Honeker, thoshte se: ato që Gorbaçovi po kërkon të bëjë tani me Perëstrojkën, unë i kam bërë qysh në vitet ’70. Por ai tashmë e kishte humbur busullën, kishte ikur nga realiteti aq sa do të korrte edhe kritikën e ish-liderit karizmatik sovjetik, i cili të paktën kish kuptuar se sistemi kishte shumë probleme e nevojitej një reformë, pavarësisht se koha tregoi se edhe ky vizion kishte qenë i gabuar. Paradoksalisht Honeker, sikurse Mussolini në mbledhjen e Këshillit të Lartë Fashist në verën e 1943, do të rrëzohej në mbledhjen e Byrosë nga vetë ish-shokët dhe vartësit e tij besnikë, vetëm pak kohë pas paradës pompoze që do shënonte 40-vjetorin e themelimit të Republikës Demokratike Gjermane, veprim që do të korrte edhe protestën e ish-komandantëve të tri fuqive në pjesën perëndimore të qytetit, për të cilët akoma vlente marrëveshja për Berlinin si një qytet të çmilitarizuar e të hapur për të gjithë banorët e tij. Honeker, sipas pasardhësit jetëshkurtër të tij në postin e kreut të shtetit, Egon Krenz, paskësh thënë madje edhe se dorëheqja e tij nuk e zgjidhte situatën, çka paradoksalisht rezultoi tamam ashtu, por e kuptuar në një tjetër kahje, kur u pa se tashmë çdo gjë kishte marrë fund. Po ashtu, megjithëse disi e paqartë lihet të kuptohet se megjithë tentativat për përdorim dhune, duke u mbështetur në modelin e ndërhyrjes në Sheshin Tien An Men në Pekin, lidershipi komunist në Lindjen Gjermane dhe vetë Honeker, në fund edhe pse zyrtarisht i përshëndeti, sidoqoftë u kursye nga implementimi i këtyre masave. Sidoqoftë rrëzimin e Murit e solli padyshim rrënimi që solli me vete sistemi dhe burimi i tij nuk kishte qenë në Berlinin Lindor, por gjetkë.


Rënia e sistemit dhe vullneti i njerëzve të spikatur
Por sigurisht se do të duhej për këtë edhe vullneti i njerëzve të caktuar që të viheshin në lëvizje rrotat e historisë. Sidoqoftë, janë një amalgamë problemesh me karakter të brendshëm ekonomik e politik kryesisht, shtuar këtu edhe veprimin diplomatik e angazhimin direkt të SHBA-së, pikësëpari edhe kolapsin e BRSS-së, gjë e cila sipas ish-kancelarit Helmut Kohl, në librin e tij më të fundit me kujtime, e bënë Gorbaçovin t’i bënte mirë hesapet e t’i hapte rrugë ndryshimeve. Muri i Berlinit, vetë historia e tij, domethënia politike epokale që ai mbart me vete, e kanë bërë atë tashmë të vërtitet në limitet e një legjende dhe akti final që lidhet me rrëzimin e tij, janë vetë simbioza e përpjekjeve njerëzore, por edhe atyre patriotike-kombëtare të një populli për bashkim, paqe e liri, çka më së shumti duket se i kanë shërbyer e do i shërbejnë shqiptarëve edhe në vijim. Rënia e Murit të Berlinit është padyshim ngjarja më e madhe në historinë e Pasluftës së Dytë Botërore dhe njëra ndër tre pikat kulmore të historisë së shekullit të 20-të në botë. Për gjermanët pastaj, ajo e tejkalon këtë renditje, duke u katapultuar me siguri në vendin e parë, si ngjarja më e rëndësishme në historinë e tyre kombëtare. Shumë detaje mbi arsyet se pse u ndërtua, pavarësisht se mendohet se diheshin dekada më parë, pak a shumë u morën vesh realisht për publikun e gjerë, në të njejtën kohë me ato se pse u rrëzua. Kjo, pasi pavarësisht se u ndërtua dekada më herët, publikut i ishin fshehur qëllimisht planet, të dhënat e detajaura, fundja, arsyet e vërteta të ndërtimit të tij. Sot, akoma ka disa guva të errëta, për të cilat diskutojnë shpesh historianët, që lidhen më së shumti me atë nëse ideja e Murit ishte një këmbëngulje kokëshkretë e Byrosë politike të ish-partisë në pushtet në RDGJ, apo një plan i kahershëm i Moskës, që u vu në jetë thjesht në një moment që u vlerësua se ishte i duhuri prej saj. Kanë dalë në dritë dokumente se Moska kishte dashur qysh në 1952 ta vinte në jetë një plan të tillë, por çdo gjë ishte shtyrë pas vdekjes së Stalinit dhe ndryshimit të strategjive e prioriteteve nga kasta e re sovjetike që erdhi në pushtet. Në fakt, ai mbijetoi pak a shumë po aq gjatë sa dhe vetë RDGJ-ja e sistemi që e mbante atë më këmbë, në mbarë kontinentin. Pikërisht, pak pas rrëzimit të tij, në harkun kohor të dy vjetëve, tashmë komunizmi ishte shkërmoqur në mbarë ish-Lindjen komuniste, përfshirë këtu edhe vetë Bashkimin Sovjetik (madje dhe vetë Shqipërinë, e cila këmbëngulte se nuk ishte as Lindje e as Perëndim).
RDGJ-ja dhe “sukseset” që siguruan
ekzistencën e saj
Por çfarë ishte vetë RDGJ-ja? Si mundi ajo të mbijetonte për 40 vjet dhe t’i jepte udhë edhe një projekti thuajse utopik prej perdeje të vërtetë beton-armèje mu në mes të Europës? RDGJ-ja ishte një kreaturë sa e veçantë, aq edhe normale në realitetet që solli periudha pas Luftës së Dytë. Ishte një unikat, duke regjistruar në vetvete një sërë rekordesh. Ndryshe nga vendet e tjera që iu nënshtruan diktatit sovjetik, në të banonin vetëm një e katërta e popullit dhe e territorit gjerman, pasi pjesa tjetër mbetën në Perëndim dhe u desh kësisoj më shumë kohë “për ta sjellë në shina” nga Kremlini. Ajo ishte gjithashtu një pjesë që u trashëgua nga ish-Rajhu Gjerman e ku procesi i denazifikimit në fakt, do të aplikohej më me ashpërsi, e pse jo, edhe me urrejtje hakmarrëse. Ishte Zona Sovjetike e Pushtimit, siç njihej fillimisht e më pas u konstituua nën emrin Republika Demokratike Gjermane (RDGJ), si kundërpërgjigje ndaj themelimit të RFGJ-së po në vitin 1949. Dy dekadat e para të RDGJ-së ishin një përpjekje e madhe ndoshta e vetë popullit gjerman në Lindje, për të tejkaluar krizën ekonomike të Pasluftës, vështirësitë e panumërta të cilat rriteshin edhe më shumë, falë jo vetëm diktatit politik sovjetik, por edhe detyrimeve ( reparacioneve të luftës) ekonomike ndaj ish-BRSS, të cilat do t’i rëndonin thuajse gjatë gjithë ekzistencës së vet 40-vjeçare si shtet, si çekiç mbi kokë mbarë popullit gjerman në Lindje. Duke ruajtur në vetvete tiparet e një populli shumë dinjitoz, kreativ e që mbart plot forca ripërtëritëse, ata u bënë më pas vërtetë një lokomotivë e zhvillimit ekonomik në mbarë ish-Bllokun Lindor, një pasqyrë e arritjeve të tyre, duke arritur kulmin në vitet ‘70. Ndërkaq, vitet ‘80 ishin vitet e krizës së pashpallur, ishin vitet e mungesave të mëdha në mallra e artikuj bazë për popullsinë, vitet kur regjimi po përpiqej me të gjitha mjetet të tejkalonte vështirësitë, qoftë edhe duke bërë lëshime ideologjike. RDGJ-ja ishte një ndërtesë komplekse politiko-idologjiko-ushtarake. Një shtet i sofistikuar policor. Në disa raporte, në vitet ’80, RDGJ-ja figuronte si fuqia e 20-të ekonomike në botë, ndërsa në sport, në fund të viteve ‘80, RDGJ-ja tashmë ia kishte kaluar jo vetëm rivalit të saj direkt, RFGJ-së, por kish lënë prapa edhe SHBA, duke u renditur e dyta në Olimpiadën e Seulit në 1988, pas Bashkimit Sovjetik. Kjo shihej e reklamohej prej saj si një dëshmi e qartë e përparësisë së sistemit socialist mbi atë kapitalist dhe e vërteta është se ajo është shembulli më i mirë i shfrytëzimit të sportit nga politika, çka e vërtetojnë investimet e mëdha që ajo bënte në këtë drejtim. Por gjithçka dukej se ishte vetëm një farsë, e siç u pa në fakt, s’ishte veçse fillimi i fundit të RDGJ-së. Ishin pikërisht vitet 1987-1988, kur ajo tashmë kishte arritur ta shiste veten në sytë e opinonit publik ndërkombëtar si një entitet shtetëror me pjekuri, peshë e plot prezencë, duke zënë ndoshta edhe vend nderi në konstelacionet botërore. Sot, nostaligjikët e RDGJ-së, të cilët nuk janë të paktë, vijojnë të kujtonë si pika të forta të saj punësimin, edukimin e fëmijëve e sistemin arsimor në përgjithësi, kujdesin shëndetësor, të gjitha këto plotësisht falas, por edhe strehimin, apo dhe vetë sigurinë e individit, dmth rendin publik. Sidoqoftë, çdo gjë zbehet kur sheh rekordet e tjera që regjistronte ai shtet; mungesat ekonomike, shtypjen, përndjekjen, lirinë e kufizuar të lëvizjes e jo vetëm, manipulimin masiv, heshtjen ndaj problemeve të ditës, apo represionin e ushtruar nga STASI famëkeq.


Të vërtetat e mëdha
që kishte fshehur
realiteti në ish-RDGJ
Pas rënies së Murit, u mësuan edhe shumë tabu që ekzistonin për RDGJ-në e për të cilat në popull flitej nën zë, siç ishte legjenda se në atë vend, në 25-30 vitet e fundit të ekzistencës së vet, nuk ishin aplikuar dënime me vdekje, apo se nuk kishte ekzistuar një urdhër zyrtar për të shtënë në kufi, se nuk ka pasur në kufi e në Murin e Berlinit, pajisje shkrepëse automatike. Nisi të flitej tashmë edhe për përdhunimet masive që Ushtria e Kuqe kishte kryer mbi popullatën e Berlinit gjatë ditëve të pushtimit të tij, të flitej edhe për valët e mëdha e tragjike të të zhvendosurve plot vuajtje e viktima nga rajonet e ish-Prusisë Lindore në Balltik, Poloni etj.
Për shumëkënd RDGJ-ja ishte dhe vendi i lirive, apo i emancipimit masiv e përparimtar, gjë të cilën Perëndimi (dmth RFGJ-ja) e realizoi gjithmonë një hap me vonesë, çka mund të ishte në fakt në një farë kuptimi, edhe e vërtetë, por e kushtëzuar nga kushtet e rrethanat, siç ishte për shembull, angazhimi i grave masivisht në punë njësoj si burrat, çka në RFGJ merret me mend se nuk u aplikua kurrë në atë masë si në Lindje. Pilulat e para kundër shtatzanisë, u futën së pari në RDGJ e më pas në RFGJ. Në RDGJ, kishte klube të mirëfillta nudistësh nëpër plazhe buzë Balltikut (quheshin FKK, ose në shqip klubet e “Kulturës së Trupit të Lirë”), që fillimisht nuk lejoheshin, më pas toleroheshin e në fund shërbenin madje si reklamë lirie e “emancipimi” për vetë regjimin në sytë e botës. Regjimi aplikoi në vitet ‘80, nisur shumë edhe nga nevoja për valutë të huaj, dmth Markën perëndimore, “shitjen” e të burgosurve politikë kundrejt parave, që Boni zyrtar i hidhte lumë për të sjellë sadopak buzëqeshje në turinjtë e varur të regjimit të RDGJ-së e mbajtur kësisoj hapur, një derë komunikimi për çdo rast, me përfaqësuesit politikë të pjesës së mbetur të popullit të vet në Lindje.
RDGJ-ja, një vend ku jetohej “pavarësisht sistemit”
Të gjitha këto dhe plot detaje të tjera nga jeta e përditshme në RDGJ-së, e bënin atë “një vend ku jetohej”, siç do të thoshte një ish-disident që prej kohësh tashmë drejton Zyrën Federale të Dosjeve të STASIT, “jo për shkak të sistemit e regjimit, por megjithë sistemin e regjimin”. Në RDGJ jetohej, punohej, festohej, këndohej e kërcehej, përqafoheshin të gjitha risitë shkencore e nxiteshin arritjet, por popullit i thuhej ditë e natë se ata duhej të ishin të lumtur dhe se duhej të kontribonin që punëtorët në vendet kapitaliste e popujt e shtypur, të mund të përjetonin qoftë edhe gjysmën e lumturisë që ata po përjetonin. Por nuk u thuhej se vëllezërit e tyre në Perëndim, kishin një nivel jetese minimumi sa trefishin e tyre, se solidariteti social edhe në RFGJ, njihte nivele për t’u respektuar të paktën, se ekonomia që ata kishin ngritur në Gjermaninë Lindore, po shkonte në prag të rrënimit, se konflikti që mbanin ndezur, një ditë do t’i përballte madje edhe me vëllezërit e tyre në Perëndim. Heshtja për problemet ekonomike, nuk mund të mbulohej dot me arritje fiktive e propagandë. Për ato vite tashmë dëgjohen edhe shumë anekdota e barcaleta që revokojnë sidomos mungesat nëpër dyqane e radhët e gjata, po edhe kotësinë e veprimeve të regjimit të vjetër e udhëheqësve të tij. Megjithëse një satelite e bindur e Moskës, udhëheqja e RDGJ-së në fund rezultoi shumë amorfe e kokëfortë, duke shpërfillur këshillat e Gorbaçovit e dokumentat tregojnë se ajo po përgatitej tashmë të niste një rrugëtim ekzemplar, duke u kapur pas idesë së ndërtimit të socializimit sipas modelit të vet, gjë që në fakt paradoksalisht e kishin provuar më parë Tito dhe Enver Hoxha. Por ishte shumë vonë. Koha s’po punonte për ta dhe RDGJ-ja, si një kreaturë plotësisht ideologjike, ishte e destinuar të vdiste.
Sfidat e Ribashkimit 3 dekada pas Rënies së Murit
Sot në retrospektivë – sipas statistikave gjermane e atyre të institucioneve të rëndësishme ekonomike ndërkombëtare – rezulton se në ditën që RDGJ-ja pushoi së ekzistuari, GDP-ja e saj kontribonte vetëm me 8% në ekonominë e Gjermanisë së Bashkuar e kështu që shumëçka duhej kuruar me kujdes. Sot nga nostaligjikët flitet për presion, arrogancë nga ana e RFGJ-së, ndërsa nga ekspertët flitet për gabime në terma relativë, politika të gabuara në lidhje me privatizimet, me shpalljen e falimentit dhe mosefiçeçës ekonomike të shumë ndërmarrjeve në ish-Lindjen gjermane, për abuzime e manipulime, ndërsa tre dekada pas Rrëzimit të Murit, punonjësit në ish-Lindje të vendit fitojnë rreth 20% më pak se homologët e tyre në Perëndim, se vetëm 37 nga 500 ndërmarrjet më të mëdha që operojnë në Gjermaninë e Bashkuar, i takojnë Lindjes, se shumë rajone në Lindje po zbrazen nga të rinjtë që kërkojnë akoma të ardhmen e tyre ( jo vetëm profesionale) në Perëndim, se raportet demografike kanë pësuar zhvendosje të mëdha, se popullsia në lindje po ndjen në masë plakjen, se gjermanët në Lindje të vendit që kanë një punë e pozitë kyçe në punë të shumëlakuara përbëjnë vetëm 1.7 % të totalit të gjithë gjermanëve, megjithëse “landet e reja” përbëjnë 17% të popullsisë së përgjithshme të Gjermanisë. Por mos harrojmë se 2. 2 triliardë dollarë nga 3.7 triliardë dollarë që regjistron GDP-ja e përgjithshme e Gjermanisë së Bashkuar, janë derdhur ndërkaq në të ashtuquajturat “landet e reja”, se vetëm në dekadën e parë të Ribashkimit u shënuan hapja e 2.5 milionë vendeve të reja të punës, se qysh në periudhën mes Rrëzimit të Murit dhe Ribashkimit Gjerman, u arrit bashkimi monetar, një hap shumë i suksesshëm që i ktheu dinjitetin bashkëkombasve të tyre në lindje duke shënuar automatikisht edhe rritje të rrogave e pensioneve, për të mos folur për përfitimet ( përtej atyre me sens të pastër ekonomik) e shumëanshme e të menjëhershme që solli padyshim Ribashkimi, pasojë e pazgjidhshme e Rrëzimit të Murit të Berlinit. Një sukses më vete në ish-Lindjen gjermane është edhe trajtimi i shpejtë, shkencor e i drejtë i së shkuarës diktatoriale, çka e ktheu atë në një shembull për t’u admiruar nga gjithë ish-vendet e Lindjes e posaçërisht i shumëlakuar për rastin e Shqipërisë.
*Autori është ish-bursant i Fondacionit “Konrad Adenauer” në Berlin

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.