OPINION

Libri shqip, a është sot përball arkivolit?

07:21 - 19.11.19 Ndriçim Kulla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Është proverbial skeç i estradës së Fierit, i viteve të fundit të diktaturës komuniste, i kohës kur ishte liruar pak morsa e censurës. Në këtë skeç vihet në loja prioriteti që i jepej atëherë realizimit të planeve ekonomike në tërësi, duke prodhuar gjëra të mëdha, që zinin shumë vend në realizimin e planit. Kjo sillte që të lihej pas dore prodhimi i gjërave të vogla, por që ishin të domosdoshme. Kështu ndodhte që në treg të mungonin edhe filxhanët e kafesë. Në skeç tregohet se si njerëzit në një gëzim familjar, kur janë duke e pirë kafenë me disa tasa të mëdhenj, bisedojnë mes tyre se si quhej ai sendi i vogël dhe aq i volitshëm me të cilin pihej kafeja dikur. Pasi përmendin shumë fjalë që nuk ka lidhje me sendin, në fund dikush kujtohet dhe thotë: “Filxhan, more filxhan!” Dhe të gjithë shpërthejnë në brohoritje. E kishin harruar fjalën “filxhan”.




Sikur të ishin mbyllur të gjithë liderët e partive politike shqiptare por edhe analistët e dhjetëra emisioneve politike  të mbrëmjes në një sallë, dhe t’ u thuhej se nuk do të dilnin pa gjetur se çfarë gjëje të rëndësishme kishin harruar të përmendnin në fushatë, ata mund të rrinin atje përgjithmonë dhe nuk do t’ u shkonte mendja te libri. Askush prej tyre nuk flet për librin sot. Politikanët bëjnë premtime se si do të përmirësojnë ushqimin e njerëzve, shëndetësinë, mjedisin, infrastrukturën por asnjë prej tyre nuk  ka ndjeshmëri për të folur për një produkt që është njëherësh ushqim dhe ilaç shpirtëror për njeriun, librin. Po si mund të harrosh, se çdo gjë e re, çdo krijim i ri, çdo etapë e re shoqërore dhe administrative fillon nga libri. Libri është ai instrumenti magjik që të emancipon, që të kthjellon dhe të jep arsye, të bën racional, të zhvillon idetë dhe të plotëson me vizione të reja për ta shpurë shoqërinë përpara. A i njohin realisht politikanë problemet e librit shqip? Nuk jam i sigurt në se i njohin apo jo, por me siguri i kanë dëgjuar. Dhe nuk ua kanë vënë veshin se nuk i  ndjejnë, se politikën e kanë projekt për vete, fakt ky që provon se për ata është problem i ndjeshëm pushteti dhe vetëm pushteti. Pushteti që ka tenderë, pushteti që ka koncesione, pushteti që ka projekte të mëdha për familjarët e tyre, për stafin e tyre, për miqtë e tyre, por nuk do ta teproja të them dhe për dashnoret e tyre. E çfarë  do tu ofronte libri kërkesave dhe shijeve të tyre  hedoniste përveç dijeve që nuk ju interesojnë. Prandaj sot jo vetëm që libri si pjesa më kryesore e kulturës shqiptare është në krizë, por edhe vet ideja për librin është në krizë të thellë.

Dikush mund të thotë se shumica e elektoratit nuk duan të dëgjojnë premtime për libra. Shumica e shqiptarëve nuk duan të lexojnë, thonë disa të tjerë. Se ja p.sh në panairin e librit në Tiranë njerëzit  i anashkaluan madje pa i pare fare librat artistik  dhe filozofik dhe u “shqyen” duke shtyrë njeri-tjetrin në radhë për të blerë recetat e gatimit të Arbana Osmanit shoqëruar me pak ushqim, sikur panairi librit ishte panair i kulinarisë. Diçka tragjike dhe komike, por jo e pa kuptueshme, sepse kjo mund të ndodh edhe në Francë në raste se një  panair  libri nuk respekton  rregullat  që ka. Por ky fakt tregon edhe më qartë  efektin çorientues të industrisë së kulturës që ka pushtuar Shqipërinë dhe sa i pa mbështetur që është orientimi i  leximit të librit në këtë vend që realisht lexohet fare pak.

Dhe nuk  është e vërtetë se  njerëzit nuk  kanë interes për librin. Hyni nëpër librari dhe do ta vini re këtë gjë, shikoni se sa shumë vizitorë ka në stendat e panaireve të librit. Dhe do ta kuptoni se atyre iu qan zemra për të pasur librat që marrin në dorë. Por këta njerëz janë lexues dhe  në ndryshim nga blerësit e recetave të gatimit kanë një problem.

“Kur njerëzit nuk kanë para, gjëja e parë nga e cila heqin dorë është blerja e librave”, ka thënë shkrimtari i njohur amerikan Xhon Steinbek. Çmimet e librave shqip janë të papërballueshëm për pjesën më të madhe të lexuesve dhe kjo e ka burimin tek tirazhet e ulëta që botohen në shqip të cilat rrjedhimisht botohen me kosto të lartë. Dhe kjo jo për faj të botuesve, të cilët nuk po kërkojnë ndonjë fitim të madh, por aq sa të mund të jetojnë. Çmimet e librave janë artificialisht të lartë për shkak të politikave të këqija shtetërore me librin. Me librin është bërë një kasaphanë e vërtet, si në politika ndaj tij , ashtu edhe në legjislacionin aspak funksional që është aprovuar. Do të mjaftonte një politikë stimuluese për librin, me disa shpenzime nga shteti dhe shitja e librave do të shumëfishohej. Vetë shteti, në vendet e qytetëruara është një blerës i madh i librave për entet publike, si ato arsimore, ashtu edhe të tjerat, deri ato ushtarake dhe policore. Përfytyro  pak neve , me një gjuhë unikale që flitet nga një kategori e kufizuar njerëzish, që ka vetëm 100 vjet që e shkruajmë, me një treg të vogël dhe të përçarë  dhe nuk bëhet asgjë nga shteti. Shumë vite më parë kur isha njëri prej atyre që u munduan të krijonin ura komunikimi me pushtetin  pata mundësinë të takohesha me ish kryeministrin Berisha për ti shprehur vizionin tim për të korrigjuar diçka mbi politikat e librit. Pati mençurinë dhe përgjegjësinë i vetmi  që mbaj mënd në këtë tranzicion të vështirë, që si një lexues i “çmendur “ që  ishte  arriti të futej në problemet e librit dhe akordoi fonde me projekte të veçanta për librin, ku ndihmoi (sigurisht jo aq sa duhej) si botuesit shqiptarë, ashtu edhe lexuesit shqiptarë.

Unë edhe sot  kam dëshiruar që  të shfrytëzoj përvojën time personale  për të krijuar ura të tilla komunikimi. Por  nuk kam mundur,  sepse sot, nuk të dëgjon askush, mbasi  prioritetin e librit nuk e ka  përcaktuar askush  si një kategori të tillë.

Sigurisht , që edhe komuniteti i botuesve nuk ka qenë i organizuar  mirë, sa që të krijoj kulturën e prioriteteve që ka veprimtaria botuese në përgjithësi, ku në vend të përballen me shtetin në mënyrë të organizuar, secili ka parë “pragun e shtëpisë së tij” dhe aspak më tej, duke mos  u arritur të krijohen sensibilitetet dhe presionet e domosdoshme përball qeverisë.

Politikanët e mirë e dinë se njerëzit kanë nevojë për libra të mirë. Kjo për arsye se një shoqëri nuk mund të ndërtojë asnjë strukturë të qëndrueshme, nëse nuk ndërton kulturën e saj. Këtë të vërtet e konfirmon më së miri gjendja e politikës konfliktuale dhe raporti aspak miqësor i individit shqiptarë me shtetin. Këtë të vërtetë të thjeshtë e shohim ndryshe në shoqëritë e Bashkimit Europian ku duam të integrohemi, e shohim në shoqërinë amerikane, e shohim në vendet më të zhvilluara të botës. Rilindasit tanë na e kanë lënë porosi këtë gjë. Pasuesit e tyre të mëdhenj, të periudhës pas shpalljes së Pavarësisë, si Branko Merxhani Mithat Frashëri dhe të tjerë, na e kanë thënë këtë  me një program të qartë se  çfarë mund të bëj libri dhe kultura e leximit për  shoqërinë .

Ne sot 100 e ca vjet pas krijimit të shtetit jemi një shoqëri që vuan për kulturë, dhe këtu është edhe një nga problemet e mëdha të politikës sonë konfliktuale. Ne jemi vendi  veçantë në Europë dhe për këtë ka statistika, ku shteti investon më pak për librin në gjuhën e vet, si për libra të autorëve vendas ashtu dhe për përkthime. Dhe këtu krahasimin nuk dua ta bëj me vendet e pasur të BE, por me vendet fqinje. Kur është fjala për të marrë grante nga BE, qeveritarët tanë e kanë librin të fundit në radhën e kërkesave dhe projekteve që paraqitin atje.

Asnjë nga palët politike deri  në këtë moment që jemi në një krizë të thellë  nuk ka një alternativë për politikën që duhet bërë me librin shqip në Tiranë, asnjë lider nuk interesohet vërtet të dijë për gjendjen e librit shqip. Këtë panoramë e ilustron më së miri edhe fakti i thjesht  që asnjë politikan dhe shtetar i lartë i këtij vendi nuk u pa që ta vizitonte panairin e librit këtë vit. Qeveria e sotme me dashje apo pa dashje po shohim te gjithë , se po e çon librin për ballë arkivolit. Mos vallë shprehem  emocionalisht? Ne duke besuar tek zëri i arsyes prisnim të përmirësoheshin sadopak politikat e librit me lehtësira fiskale, qeveria symbyllurazi i përkeqësoi ato. A nuk është shprehje e këtij përfundimi fakti që ajo në vend ta shpinte zero t.v.sh e librit e shpuri 26%.Ne prisnim që të bisedonte me komunitetin e botuesve për  legjislacionin problematik të librit ajo  bëri  ligje të dëmshme pa u konsultuar me komunitetin e botuesve, duke ua shtuar edhe më tej kleçkat dhe ngecjet në veprimtarinë e përditshme botuese. Këtë vit panairi i librit në Tiranë e tregoi fare qartë se shitja e librave  provoi një rënia drastike prej 60%, ndërsa statistikat  të tjera na flasin për një ulje të pa përfytyrueshme për lexuesit shqiptarë, ku në një milion banorë nuk është lexuar asnjë libër.

A nuk jemi përballë një gjendje të rëndë dhe perspektive shumtë të zymtë të librit shqip ?! Mësojeni sa është fondi vjetor në buxhetin e shtetit për librin për ta kuptuar mirë këtë krizë.

Nuk duhen shumë para që të kishte një perspektivë problematika e librit shqip për një periudhë afatgjatë. Shteti mund të kombinojë politikën fiskale me financimet e drejtpërdrejt të projekteve për  botimin, blerjen por edhe promovimin e librit  duke marrë së paku aktualisht shembullin modest të Kosovës. Dhe këtu e kam fjalën për librin që të krijon ndërgjegjen dhe jo për kulturën e xhamit. Në tërësinë e tij ky do të jetë një investim afatgjatë dhe fitimprurës për të gjithë shqiptarët, sepse do të ndriçojë mendjen e një pjese sa më të madhe të shqiptarëve.

Çdo libër i mirë që shkon në duart e qytetarëve është një antidot, një kundërhelm, që e frenon atë që të mos merret me punë të këqija, e bën që të mos e shesë votën, pasi e vetëdijëson për vlerën e saj. Një i ri që lexon është një i ri që nuk shkon në kazino ose në klubet e natës ,ku mund të përzihet në çfarëdolloj sherresh e punësh të këqija. Një libër i ri e bën fëmijën ,nxënësin dhe studentin, që të qëndroj në internet ,aq sa e ka të nevojshëm për të marr informacionin që i duhet dhe e largon nga lundrimi me orë të tëra, duke jetuar me shpirtrat binjak

Libri i mirë është një kurë e mirë edhe për vetë politikanët si lexues, të cilët duket se nuk kanë kohë për të.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.