KULTURË

Roderick Bailey: Si dhe nga nisi operacioni britanik për Shqipërinë e pushtuar nga fashizmi

12:00 - 19.11.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në dhjetor 1940 ishte “siguruar në mënyrë jo të drejtpërdrejtë” nga një zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Beograd se Gani Kryeziu kishte marrë “një subvencion prej 10.000 dinarësh në muaj nga fondet sekrete të Ministrisë.” U bë e ditur, gjithashtu, “se ai konsiderohej nga jugosllavët si një kandidat më i preferuar se Zogu për kurorën e Shqipërisë, i cili nuk parapëlqehej për shkak të qëndrimit të tij jomiqësor me jugosllavët gjatë periudhës së fundit të mbretërisë”. Ky është vetëm një ndër detajet që del nga libri i botuar së fundmi nga “Naimi” me titull Lufta e fshehtë në Shqipëri” me autor Roderick Bailey-n, profesori i Oksfordit për luftën e Dytë Botërore në Shqipëri. I mbështetur në dokumente, ai u mori nga Akademia e Shkencave “Çmimin për studiuesin e huaj” në konkursin për veprën shkencore më cilësore kushtuar antifashizmit të popullit shqiptar, botuar ndërmjet viteve 1991-2019 me rastin e 75 vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë. Motivacioni i Akademisë, e cilësoi “Studim i thelluar në burime të rezervuara dhe në interpretime shkencore, në të cilin zbulohen anë të panjohura të rezistencës antifashiste të shqiptarëve; që u rreshtuan në kahjen më përparimtare të historisë gjatë Luftës së Dytë Botërore; përkrah kauzës së madhe botërore të aleancës fitimtare; mbështetur në fonde arkivore që paraqiten për herë të parë; me rëndësi themelore për vendosjen e një standardi të ri të rrëfimit historik; ekspertizë verifikuese prej studiuesi të specializuar për këtë fushë; vepër e shkruar me respekt për popullin shqiptar, për njerëzit që luftuan së bashku për kauzën antifashiste, pavarësisht orientimeve të tyre”. Ndërsa, sipas prof. Pëllumb Xhufit, “në kaosin e botimeve dhe interpretimeve thellësisht të politizuara që i bëhen në Shqipëri ngjarjeve të Luftës II Botërore, ky libër, me mbështetjen dokumentare të jashtëzakonshme të tij dhe me qëndrimin e distancuar dhe objektiv të autorit, vendos një rregull e një standard në rrëfimin historik, që për fat të keq ende nuk konstatohet në historiografinë shqiptare. Si i tillë, ky botim, që përkon edhe me 75-vjetorin e Çlirimit të Atdheut dhe, njëkohësisht, të fitores së aleancës botërore kundër fashizmit përbën një kontribut të vyer për shkencën historike dhe për kulturën shqiptare”. fa.ni.




Nga Roderick Bailey*

Sapo filluan të marrin rrugë planet për Shqipërinë, megjithëse ato u përgatitën jo aq shumë nga MI(R) se sa nga Section D (Sektori D), një departament i vogël sekret i MI6, Shërbimit Sekret të Inteligjencës (Secret Intelligence Service), të cilit MI(R) iu ofrua ta ndihmonte në hapat e parë të punës mbi Shqipërinë. Misioni i Section D ishte që të shqyrtonte metoda jokonvencionale me forcat e parregullta për të krijuar shqetësime tek armiqtë e mundshëm. Në prill, në Londër, Joe Holland, kreu i MI(R) dhe George Taylor, kreu i Section D për Ballkanin, përpiluan një plan bashkëpunimi për inkurajimin e shqiptarëve brenda dhe jashtë Shqipërisë, për t’i bërë qëndresë pushtimit italian. Dhe pas kësaj, qendra e planeve për Shqipërinë u zhvendos nga Londra në Beograd, kryeqyteti i Jugosllavisë, vend neutral, ku Tejlor, një biznesmen australian, besonte se kishte një komunitet të shqiptarëve të mërguar dhe emigrantë. Ai kishte, gjithashtu, besim në aftësitë e përfaqësuesit kryesor të Section D në Beograd, Julius Hanau, një tregtar armësh nga Afrika e Jugut, i cili kishte jetuar në Ballkan që nga fundi i Luftës së Parë Botërore.

Nga fundi i prillit, me anë të një letre që shërbeu si direktivë për Hanaun, Tejlor përvijoi qëndrimin e ri ndaj Italisë dhe theksoi nevojën “më urgjente” për veprim “të menjëhershëm” “përpara se të dalin probleme.” Section D, shpjegonte ai, do të shërbente “si një lloj pararoje” për MI(R), duke mbajtur dhe shfrytëzuar kontaktet anti-italiane, me qëllim që të fillonin luftën guerile në Shqipëri. Do të kërkonte shqiptarë të gatshëm për të bashkëpunuar, do të dërgonte furnizime lufte përtej kufirit me Greqinë dhe Jugosllavinë, do të mblidhte informacione dhe të përgatiste terrenin në përgjithësi “që të ishte i përshtatshëm për veprime ushtarake”, nëse Italia hidhej në luftë. Detajet u lanë në dorën e Hanaut.

Megjithëse e njihte mirë botën e errët të çështjeve dhe politikës së Ballkanit, Hanau dinte pak për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe kishte më pak kontakte dhe burime se sa mendonte Tejlor. Ai ishte tepër i angazhuar dhe mjaft i famshëm në Beograd, gjë që nuk e lejonte të merrte pjesë me kohë të plotë në këtë sipërmarrje. Si rezultat, disa punonjës të ulët të Ambasadës Britanike në Beograd u ngarkuan me përgatitjen e revoltës në një vend, për të cilin ata, gjithashtu, nuk dinin pothuajse asgjë.

I pari qe ndihmës atasheu i marinës së ambasadës, nënkapiteni Sandy Glen. Ishte rreth të tridhjetave, pothuajse tullac dhe kishte kaluar dyfishin e kohës si pjesëtar i Section D. Hanau i kërkoi atij që të përgatiste një raport për Shqipërinë. “Unë nuk di asgjë për këtë vend të vrazhdë dhe e pyes veten nëse ju mund të më ndihmoni”, tha Glen, duke ia shkarkuar punën ndihmës-atasheut për shtypin, 21-vjeçarit Julian Amery.

Brun, i hollë dhe me tipare të mprehta, ai ishte djali i Leo-s, Sekretarit të Shtetit për Indinë gjatë kohës së luftës. Ai ishte dhe më i ri se vëllai i tij, John Amery, që nuk gëzonte reputacion të mirë, një adhurues i fashizmit, i cili e mbuloi me turp familjen dhe u dënua më vonë me varje për tradhti. Xhulian ishte energjik dhe ambicioz, luftarak dhe me shumë lidhje në atë ambient, por me një pamje plot vetëbesim që nuk i vlente dhe i krijonte atij armiqësi. Kur u nis me pushime nga Oksfordi, më 1938, ai vizitoi pjesën nacionaliste në Spanjë dhe shkroi disa artikuj për gazetat vendase. Pushtimi gjerman i Polonisë e gjeti atë duke vizituar bregdetin dalmat. Ai braktisi studimet dhe ishte nisur me nxitim drejt Beogradit me një letër në dorë nga i ati, me anë të të cilës pati sukses kur i kërkoi punë ambasadorit britanik. Deri në atë moment merrej më shumë me çështjet e shtypit. Prandaj, e priti me entuziazëm lajmin e Glenit dhe i telefonoi menjëherë Ralph Parker, korrespondent i The Times në Beograd, për ta pyetur nëse njihte ndonjë shqiptar. Parker i tha se njihte një ose dy. Atë mbrëmje i caktoi një takim me ta.

Në orën gjashtë Emeri shkoi tek apartamenti i Parkerit, i cili i prezantoi Gani Kryeziun dhe vëllain e tij, Seitin. Ganiu ishte rreth të dyzetave, shulak dhe i shkurtër, “me një pamje të çiltër dhe sjellje të qartë ushtarake”, do të kujtonte Emeri. “Ishte një njeri fjalëpakë.” Seiti ishte më i ri, më i hollë dhe më i gjatë, “dhe nëse Ganiu ishte si ushtar, Seiti ishte si diplomat.” Ai kishte studiuar në Francë dhe “në zemër ishte një njeri që besonte tek socialdemokracia.”[1] Të dy folën me Emerin për një orë e gjysmë. Më pas, Emeri i shkroi me kënaqësi Hanaut se “një luftë çlirimtare” mund të ishte e mundur në Shqipëri dhe se këtu, tek Ganiu, shihte një kandidat për ta drejtuar.[2] Këta ishin shqiptarët e parë, që Emeri takoi. Megjithatë, papritmas britanikët u vunë në kontakt me një familje të shquar shqiptare që, me sa duket, zinte vendin e duhur për t’i krijuar shqetësime italianëve. Familja e Kryezinjve ishte nga Gjakova, një qytezë tregtare me shtëpi me çati të kuqe, në Kosovë, provincën në jug të Jugosllavisë, që kufizohej me malet e Shqipërisë së Veriut, dhe kishte një ndikim dhe interes të konsiderueshëm përtej kufirit: çka iu duk ideale Section D për të realizuar kalimin e armëve dhe agjentëve. Ganiu, që ishte kreu i familjes, kishte qenë, gjithashtu, një ish-oficer i ushtrisë jugosllave dhe gëzonte respekt si lider. Britanikët dëgjuan më vonë se Ministria e Jashtme Jugosllave, që nuk e kishte shumë për zemër Zogun, e kishin shenjuar atë si mbret të ardhshëm të Shqipërisë.

(Në dhjetor 1940 ishte “siguruar në mënyrë jo të drejtpërdrejtë” nga një zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Beograd se Gani Kryeziu kishte marrë “një subvencion prej 10.000 dinarësh në muaj nga fondet sekrete të Ministrisë.” U bë e ditur, gjithashtu, “se ai konsiderohej nga jugosllavët si një kandidat më i preferuar se Zogu për kurorën e Shqipërisë, i cili nuk parapëlqehej për shkak të qëndrimit të tij jomiqësor me jugosllavët gjatë periudhës së fundit të mbretërisë”. Foreign Office drejtuar War Office, telegram, 28 janar 1941)

Në fakt, vlerësimi i rrallë që treguan autoritetet jugosllave për të do të thoshte mbështetje nga Beogradi, pikërisht për atë që Section D po përpiqej të bënte. Shpejt, britanikët, të cilëve u la mbresa Ganiu nga gatishmëria e tij për të ndihmuar dhe qëndrimi i tij “i theksuar anti-italian,” e vunë familjen Kryeziu në qendër të planeve të tyre.

Javët në vijim, sipas dokumenteve të Section D, i kaluan më tepër “duke përzgjedhur emra të disa të mërguarve me qëllim që të gjenin drejtues të mundshëm dhe vatra të rezistencës.”[3] Hanau i shkroi Londrës dhe i kërkoi që “informacioni në dispozicion përsa i përket Shqipërisë mund të nxirrej nga dokumentet e Foreign Office dhe War Office dhe të na dërgohet sa më parë që të jetë e mundur.” Ai donte, gjithashtu, lira, ar dhe disa harta të sakta dhe, nëse gjendej, një ekspert për Shqipërinë.[4] Disa britanikë të tjerë erdhën në Beograd, ndër të cilët dhe Glen Parker, i cili kishte hequr dorë nga The Times për t’u bashkuar me Section D, John Bennett, një avokat i ri i ambasadës, dhe Fred Laërence, një kapiten i Royal Tank Regiment. Lorëns, sipas Emeri, kishte qenë vetëm njëherë në Shqipëri për pushime.

Megjithatë, u bënë hapa përpara. Një listë e “drejtuesve potencialë”, e hartuar nga mesi i majit, përmbante disa emra të tjerë, përveç atyre të familjes Kryeziu. Një nga njerëzit e përfolur ishte Mustafa Gjinishi, një i ri komunist, anglishtfolës, që jetonte si i mërguar në Jugosllavi, i cili u angazhua me rekomandimin e Seit Kryeziut. Një emër tjetër ishte Abaz Kupi, që flitej se ishte në Stamboll dhe mendohej se ishte besnik i mbretit Zog. “Jemi informuar se ai do të bëjë shumë nëse do t’i jepen municione.” Kupi ishte nga Kruja, një zonë malore e afërt me krahinën e Matit, prej nga vinte Zogu. Pas disa vitesh në arrati si i jashtëligjshëm dhe në disa raste dhe kundërshtar i mbretit, reputacioni i tij në vend ishte rritur aq shumë sa Zogu e bëri major në xhandarmëri. Duke patur këtë rol, Kupi, me sa duket, kishte drejtuar mbrojtjen e Durrësit në prill 1939. Edhe ai shpejt do të punonte me britanikët. Emeri do ta kujtonte si një njeri trupshkurtër, rreth të pesëdhjetave, të këndshëm, miqësor dhe analfabet, që i ngjante pak Napoleonit: “një ngjashmëri e theksuar nga një tufë flokësh të krehura mbi ballë për të fshehur vragën e thellë të shkaktuar nga një plumb.”

Në verë u financuan tre grupe, ku përfshiheshin dhe njerëzit e Ganiut, që të punonin në Shqipëri prej Jugosllavisë. Futja e armëve mund të fillonte kurdo që ta shihnin të arsyeshme. Dhe nga korriku, Beogradi kishte besim se “një revoltë në disa zona kufitare të Shqipërisë mund të ishte e mundur.” Ganiu kërkonte 3.000 sterlina të arta që t’ia shpërndante krerëve të Veriut dhe 40.000 të tjera sapo të fillonte “revolucioni.” Ishte ofruar, gjithashtu, nga “autoritetet e larta ushtarake jugosllave” furnizimi me pesë mijë pushkë “të pajisura me rripa dhe bajoneta,” dhjetë milionë fishekë dhe njëzet e pesë automatikë të lehtë. Furnizuesi do të paguhej kur ngarkesa të kalonte përtej kufirit.

Duke marrë parasysh rrjedhën e ngjarjeve gjetkë, u duk se kishte ardhur koha e duhur për të goditur. Lufta nuk po shkonte mbarë për britanikët. Në maj, pasi sulmuan Danimarkën dhe Norvegjinë, gjermanët u futën në Francë dhe në Vendet e Ulëta, si dhe filloi tërheqja dhe sprapsja e forcave të ekspeditës britanike nga kontinenti. Më 10 qershor, Italia më në fund hyri në luftë në anën e Gjermanisë. Dy javë më pas, Franca firmosi një armëpushim, duke e lënë Britaninë që të vazhdonte e vetme luftën. Por, megjithëse Italia ishte tashmë një kundërshtar, strategjia britanike në Mesdhe mbeti e fokusuar për momentin në mbajtjen e luftës larg nga Ballkani, për aq kohë sa të ishte e mundur. Kështu, kur lajmi për planin e një revolte në Shqipëri arriti në Kajro, gjenerali Sir Archibald Wavell (Uovell), Komandant i Përgjithshëm i Komandës Aleate në Lindjen e Mesme, nën përgjegjësitë e të cilit përfshiheshin operacionet në Ballkan, mori menjëherë vendim që të ndalej. Doli udhëzimi që “të mos ndërmerrej asnjë veprim që nxiste revoltë për momentin.”

(*Autori është historian, Universiteti i Oksfordit, Britani e Madhe. Pjesa është marrë nga libri “Lufta e fshehtë në Shqipëri”, i Roderick Bailey, botimet “Naimi”, Tiranë 2019)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.