Intervista

Beskida Aliaj: Procedura e plotë për bashkim familjar në Itali, kriteret

14:00 - 20.11.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Bashkimi familjar në Itali vazhdon të mbetet një çështje e mprehtë dhe në shumë raste personat e interesuar nuk kanë informacionin e nevojshëm për procedurat që duhet të ndjekin. Në një intervistë për ‘Gazeta Shqiptare’, kreu i patronatit INAS Albania, Beskida Aliaj tregon në mënyrë të detajuar hapat që duhet të ndjekin qytetarët shqiptarë për tu bashkuar me familjarët e tyre që jetojnë në Itali.




Si vlerësohet nga ju e drejta për bashkim familjar për emigrantët shqiptarë që jetojnë në Itali?
E drejta për bashkim familjar është rregulluar gjerësisht nga Teksti Unik i Emigracionit përmes institucionit të Bashkimit familjar dhe i nënshtrohet respektimit të disa kërkesave që kërkuesi dhe anëtarët e familjes të ribashkohen me qëllim që të merret Autorizimi (Nulla Osta).

Cilat janë kategoritë e familjarëve që mund të kërkojnë bashkim familjar me qytetarë shqiptarë me qëndrim të rregullt në Itali?
Janë 6 kategoritë e familjarëve që mund të kërkojnë bashkim familjar me qytetarë shqiptarë me qëndrim të rregullt në Itali. Përkatësisht bëhet fjalë për: bashkëshortë me moshë jo më pak se 18 vjeç; fëmijë të mitur, (më pak se 18 vjeç në momentin e paraqitjes së kërkesës për marrjen e Autorizimit (NullaOsta)); fëmijë në moshë madhore në ngarkim, në rast se nuk janë në gjendje të kujdesen për nevojat e tyre të jetesës për shkak të gjendjes shëndetësore që përbën invaliditet të plotë; si dhe prindër në ngarkim, në rast se nuk kanë fëmijë të tjerë në vendin e origjinës apo prejardhjes. Gjithashtu bashkimin familjar mund ta kërkojnë edhe ata prindër mbi 65 vjeç që nuk kanë fëmijë të tjerë në vendin e origjinës apo prejardhjes (ose kur fëmijët e tjerë eventualisht të pranishëm në vendin e origjinës apo prejardhjes nuk kanë mundësi të kujdesen për ta për arsye të rënda shëndetësore e të dokumentuara). Ndërkohë edhe prindi natyror i një të mituri që tashmë banon rregullisht në Itali me prindin tjetër mund të kërkojë bashkim familjar.

Mund të na shpjegoni se cilat janë kushtet që duhet të plotësojnë të interesuarit për të aplikuar?
Kriteret që duhet të plotësojnë të interesuarit janë: zotërimi i akomodimit të përshtatshëm(pronësi, qira, hua, mikpritje); zotërimi i të ardhurave minimale; zotërimi I të ardhurave minimale që rrjedhin nga një burim i sigurt ku të ketë të ardhura vjetore jo më të ulëta se vetë çeku social (5954euro) dhe rritet me gjysmën e shumës së ndihmës sociale për secilin anëtar të familjes që do të bashkohet

Si bëhet kërkesa për vizë dhe si merret autorizimi?
Viza është autorizimi administrativ që i lejon anëtarët e familjes të hyjnë në territorin e Shtetit. Anëtarët e familjes e kërkojnë atë në Përfaqësinë Konsullore Italiane duke paraqitur dokumente të përkthyera në gjuhën italiane, të legalizuara dhe të apostiluara nga Ministria e Jashtme Shqiptare, duke provuar lidhjen familjare, lidhjen në martesë ose situatave të tjera të kërkuara me ligj. Listat e nevojshme të dokumentacionit mund të gjenden në faqet WEB të autoriteteve diplomatike italiane!

Cila është procedura që duhet të ndjekin familjarët pas mbërritjes në Itali?
Pasi të jetë marrë viza, anëtarët e familjes hyjnë në Itali dhe brenda 8 ditësh nga hyrja në territorin e shtetit italian duhet të kryejnë këtë procedurë. Së pari, duhet t’i drejtohen sportelit unik për Emigracionin pranë prefekturës, që ka lëshuar Autorizimin (Nulla Osta). Këtu e tërheq formularin e parapërgatitur për kërkesën për lejen e qëndrimit dhe do të nënshkruajnë marrëveshjen e interimit. Pas kësaj ata duhet të shkojnë në Zyrën Postare (Sporteli Mik) për të dërguar me zarf të hapur KIT-in që përbëhet nga: formulari i lëshuar nga SUI (Sporteli Unik i Emigracionit); fotokopje e pashaportës e familjarit që do bashkohet; vula e pullës prej 16 euro; faturën e pagesës prej 30,46 euro për lëshimin e lejes së qëndrimit; si dhe faturën e bërjes së pagesës (40 euro ose 50 euro për çdo anëtar të familjes, përjashtuar fëmijët nën 18 vjeç). Dërgimi i KIT kushton 30 euro. Zyra e Postës do të caktojë një takim me policinë (kuesturën) e zonës ku do të jetojë dhe do të dorëzojë faturën postare dhe duhet ta ruajë me kujdes atë gjatë pritjes deri në lëshimin e lejes së qëndrimit. Në Kuesturë (polici) kryhet fotodaktiloskopike ( fotokopje dhe marrje e shenjave të gishtave) për të gjithë anëtarët e familjes mbi 6 vjeç. Kuestura (policia), do t’i kontaktojë palët e interesuara për tërheqjen e lejes së qëndrimit.

Sa është kohëzgjatja e lejes së qëndrimit italiane?
Leja e qëndrimit është një dokument që ju lejon të qëndroni në territorin italian. Çdo familjar, duke përfshirë edhe të miturit, duhet të kenë lejen e vet të qëndrimit. Leja e qëndrimit për familjen ka të njëjtën kohëzgjatje me lejen e qëndrimit të familjarit që e kërkon bashkimin (1 ose 2 vjet, leje qëndrimi BE dhe qëndrim për kohë të gjatë vetëm në rastin e të miturve).

Cilat janë aktivitetet që mund të kryhen nëse personi disponon leje qëndrimi?
Me lejen e qëndrimit mund të kryeni ndonjë aktivitet pune ose trajnimi; mund të regjistroheni në Shërbimin Kombëtar të Shëndetit (SSN); mund të regjistroheni në zyrën e gjendjes civile në bashkinë ku keni vendbanimin; ose mund të regjistroheni në Zyrën e Punës. Vetëm në rastin e prindërve mbi 65 vjeç, regjistrimi në SSN nuk është falas, por është e mundur të derdhësh një tarifë për regjistrim vullnetar.

Çfarë duhet të bëjnë qytetarët për të rinovuar lejen e qëndrimit?
Kërkesa duhet të paraqitet të paktën 60 ditë para afatit të skadencës në policinë (Questurën) të zonës ku i huaji banon ose nëpërmjet patronatove tona që ofrojnë ndihmë falas për kontrollin e kritereve dhe në plotësimin online të kërkesës. Kriteret që duhet të plotësohen janë: Vazhdimësia e qëndrimit, përveç nëse ka arsye serioze të dokumentuara si akomodimi dhe të ardhurat. Në rast se ndryshimi i mëposhtëm ndodh gjatë periudhës së vlefshmërisë së lejes së qëndrimit, është e detyrueshme të kërkoni përditësim në rast se: Ka ndryshim të adresës; Përditësim të të dhënave të pasaportës; Ndryshimet e regjistrit (e pasaktë emri, mbiemri, data dhe vendi i lindjes dhe shtetësia); Përditësimi i fotografive. Kriteret janë: 5 vite të vazhdueshme të qëndrimit të rregullt në Itali (maksimum 6 muaj rresht për maksimum 10 muaj në 5 vjet); të ardhura minimale (për veten dhe anëtarët e familjes në ngarkim); akomodim i përshtatshëm; si dhe njohuri të italishtes në nivelin A2.

Përfituesit dhe kushtet

Kategoritë që mund të kërkojnë bashkim familjar në Itali:
Bashkëshortë me moshë jo më pak se 18 vjeç;
Fëmijë të mitur, (më pak se 18 vjeç në momentin e paraqitjes së kërkesës për marrjen e Autorizimit (Nulla Osta)
Fëmijë në moshë madhore në ngarkim, në rast se nuk janë në gjendje të kujdesen për nevojat e tyre të jetesës për shkak të gjendjes shëndetësore që përbën invaliditet të plotë;
Prindër në ngarkim, në rast se nuk kanë fëmijë të tjerë në vendin e origjinës apo prejardhjes;
Prindër mbi 65 vjeç që nuk kanë fëmijë të tjerë në vendin e origjinës apo prejardhjes (ose kur fëmijët e tjerë eventualisht të pranishëm në vendin e origjinës apo prejardhjes nuk kanë mundësi të kujdesen për ta për arsye të rënda shëndetësor e të dokumentuara).
Prindi natyror i një të mituri që tashmë banon rregullisht në Itali me prindin tjetër.
Kriteret që duhen plotësuar:
Zotërimi i akomodimit të përshtatshëm (pronësi, qira, hua, mikpritje)
Zotërimii të ardhurave minimale
Zotërimi të ardhurave minimale që rrjedhin nga një burim i sigurt ku të ketë të ardhura vjetore jo më të ulëta se vetë çeku social (5.954 €) dhe rritet me gjysmën e shumës së ndihmës sociale për secilin anëtar të familjes që do të bashkohet


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.