Gazetari i emisionit Real Story, Sokol Balla ka kujtuar me një foto arkive ish deputetin e PD-së, Sokol Olldashi në 6-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Është një foto që Balla e ka postuar në Instagram ku të dy shfaqen në studio televizive dhe janë pamje nga intervista e fundit e Olldashit, e zhvilluar në korrik të vitit 2013, vetëm dy ditë para garës për postin e kryetarit të PD-së. Në atë kohë Olldashi kandidonte përballë Lulzim Bashës, pasi Berisha kishte dhënë dorëheqjen nga posti pas humbjes në zgjedhje.




Në dy rreshta poshtë fotos Sokol Balla zbulon dialogun me të ftuarin në studio i cili thotë se “e morëm në qafë” Olldashin, pasi ai në atë intervistë shkëlqeu. Por pavarësisht se shkëlqeu Olldashi nuk ia doli të fitonte garën përballë Bashës për kreun e PD-së, pasi ky i fundit kishte “bekimin” e Berishës.

“Hera e fundit me të. Korrik 2013, dy ditë para garës për Kryetar të PD. Pas intervistës një nga të ftuarit që ishte kritike me të, më tha: E morëm në qafë. E pyeta përse. “Sepse doli shkëlqyer”.”, shkruan gazetari Sokol Balla.