Intervista

Paolo Rago: “Paqja e nevojshme”, marrëdhëniet e Italisë me Shqipërinë komuniste

12:00 - 20.11.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Merret në shqyrtim gjendja e të burgosurve italianë në Shqipëri, rivendosja e marrëdhënieve tregtare, marrëdhënia mes dy partive komuniste, çështja – e pa sqaruar deri në fund – e arit shqiptar dhe së fundi politika e Uashingtonit kundrejt Tiranës, e realizuar përmes zyrave të Romës”. Studiuesi italian Paolo Rago flet për librin e tij më të fundit “Paqja e nevojshme” (Toena) ku trajtohen marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë gjatë Luftës së Ftohtë.
Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” ai tregon anën tjetër të asaj që ndodhi.




– A mendoni se përmes këtij libri marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë komuniste do të mund të shihen përmes një drite të re?
Vëllimi “Një paqe e nevojshme” është realizuar me qëllimin për të nxjerrë në pah, në një këndvështrim të ri, marrëdhëniet e ndërlikuara mes Shqipërisë komuniste dhe Italisë, në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore. Për të qenë i saktë, kishte pak njohuri mbi këto marrëdhënie, në të dyja anët e Adriatikut. Në fakt, në një këndvështrim historiografik e gjithë periudha nga viti 1944 deri në vitin 1991 është parë nga studiuesit e të dyja vendeve si një fushë e braktisur, me shumë gjasa sepse nuk është quajtur e rëndësishme për thellimin e njohjes mes dy vendeve. Në të vërtetë, studimi i historisë së atyre viteve do të jetë një hap i parë për të mundësuar analizimin e marrëdhënieve reciproke, nga perspektiva e veçantë e viteve të gjata të quajtura “Lufta e Ftohtë”, vite të ndërlikuara, apo si do të thosha të pazakonta për të dyja vendet, ndërkohë që të dy popujt ishin mësuar të kishin marrëdhënie të vazhdueshme dhe shkëmbime të çdolloji, prej disa shekujsh. Ndarja e botës në dy blloqe të kundërta vendosur në një bosht ideologjik, të kryesuara përkatësisht nga Roma dhe Tirana, i kishte caktuar dy kryeqyteteve një sjellje të mirëpërcaktuar kundrejt njëri-tjetrit, që deri asokohe nuk kishte ekzistuar, që për pothuaj njëzet vjet kushtëzoi qëndrimet e tyre përkatëse.

– Në libër janë kumtesat e një konference mbi marrëdhëniet e Italisë dhe Shqipërisë në kohën e “Luftës së Ftohtë”. Si nisi puna për një konferencë dhe më tej botimi?
Libri lindi si konkluzion i një pune kërkimore që është realizuar në arkivat italiane, shqiptare, angleze dhe ato amerikane. Pra, dua të nënvijëzoj faktin se nuk është e saktë të thuash që libri është thjesht botimi i akteve të një konference, pasi një pohim i tillë do të ishte shumë i cekët dhe nuk do t’i jepte peshën e duhur kërkimit, analizimit dhe interpretimit të dokumentacionit që është ndërmarrë nga pjesëmarrësit. Ata kanë qenë pjesë aktive e një projekti kërkimor historik, i lindur nga një reflektim i përpunuar së bashku me ambasadorin italian në Tiranë, Alberto Cutillo-n. Gjatë disa bashkëbisedimeve, lindte pyetja se për çfarë arsyeje vitet e “Luftës së Ftohtë” nuk kishin qenë kurrë objekt i vëmendjes së historianëve të të dyja vendeve, thuajse sikur të ishin konsideruar si një periudhë kohore e parëndësishme për t’u kujtuar. Nga ky reflektim, që mund të duket edhe si banal, lindi ideja për të përfshirë studiues nga të dyja vendet, të cilët i zgjodhën vetë, temat e tyre pa asnjë lloj detyrimi dhe sipas interesave të tyre vetjake. Secili prej pjesëmarrësve i dha kështu fillesën punës kërkimore duke u nisur nga burimet, duke mbledhur materialet e duhura, të cilat gjatë konferencës, të cilës ju iu referuat, i prezantuan për një publik të gjerë. Pak muaj më vonë, mbi bazën e dokumentacionit të mbledhur, studiuesit kanë prodhuar artikujt që janë përmbledhur në tekstin për të cilin po flasim.

– Çfarë do të përfitojë lexuesi përmes leximit të këtij libri? Do të ketë detaje e informacione të reja apo të ndryshme prej atyre çka na ka ofruar historia deri më sot?
E gjithë periudha historike që fillon nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri në rënien e regjimit komunist, deri më tani, nuk është studiuar as nga historianët italianë e as nga studiuesit shqiptarë. Mund të themi që sidomos nga pala shqiptare ka zotëruar një pikëpamje ideologjike që ka mbuluar me një vello të padukshme, ngjarje që duhet të kujtohen dhe të kuptohen si në fushën e marrëdhënieve të dyanshme, ashtu edhe në atë më të gjerën, të marrëdhënieve ndërkombëtare, në të cilën Italia dhe Shqipëria kishin për shumë arsye një rol dytësor, por sidoqoftë domethënës. Ndërkohë që për anën italiane mund të themi se kemi të bëjmë me një lloj dembelizmi – apo një lloj indiference – kundrejt trajtimit të kësaj periudhe historike, me shumë gjasa pasi mendohej që një studim, do të ndihmonte vetëm në thellimin e atyre njohurive të besuara si mëse të ditura. Fillimi i këtij kërkimi zbuloi se, që të dyja këto hipoteza nuk përkonin me realitetin e vërtetë: në fakt u nxorën në pah aspekte befasuese, të cilat shpeshherë nuk ishin shqyrtuar kurrë nga ekspertët e fushës.

– Cilat janë argumentet?
Argumentet e trajtuara janë të shumëfishta: pikësëpari, është studimi i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, vështirësitë për të krijuar marrëdhënie të reja me ish-pushtuesin (mbi pushtimin e Shqipërisë ka një trajtesë mjaft interesante nga prof. Roberto Morozzo della Rocca), mosbesimi reciprok në qëllimet e partnerit, një rrjedhojë kjo e natyrshme e konfliktit që sapo ishte mbyllur.

– A do ketë vazhdimësi ky libër,duke u ndalur në periudha të mëpasshme historike, sa u taon marrëdhënieve mes dy shteteve?
Ky libër është fryt i pjesës së parë të një projekti më të gjerë historik që merret me të gjithë harkun kohor 1944-1991, pra, vitet e regjimit komunist. Metoda e punës ka shpënë në shtypin e këtij teksti dhe është përdorur edhe për dy fazat në vijim, ku kanë marrë pjesë si disa studiues të përfshirë në fazën e parë ashtu edhe specialistë të rinj. Puna kërkimore ka shpënë në realizimin e dy konferencave të tjera prezantuese, të përqendruara në vite të ndryshme të “Luftës së Ftohtë”, dhe në publikimin e dy teksteve të tjera, deri më tani të botuara vetëm në gjuhën italiane: i dyti ka dalë majin e shkuar dhe ka si titull “Gli anni della distensione” (vitet e zgjerimit), ndërsa vëllimi i tretë do të jetë në duart e lexuesit në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.

– Keni vite që jetoni në Shqipëri dhe keni ndërtuar jetën këtu. Pse kjo zgjedhje?
Prej 28 vitesh jetoj në Shqipëri dhe nuk hezitoj që ta quaj këtë vendim timin, të marrë në vitin e largët 1991, një zgjedhje jetësore. Gjatë këtyre viteve kam mundur të njoh Shqipërinë falë angazhimit të komunitetit të Sant’Egidio-s, ku jam edhe anëtar dhe me të cilin kam zhvilluar projekte ndihmuese dhe zhvilluese në mjaft sektorë, si në atë shëndetësor, social, politik, arsimor dhe në përhapjen e gjuhës italiane. Të gjitha këto angazhime në shumë fusha të ndryshme më kanë afruar gjithnjë e më shumë me realitetin, jo gjithnjë të lehtë të Shqipërisë, dhe kam pasur mundësinë të njoh shumë tipare që zakonisht mbeten të panjohura për të huajt, që i afrohen këtij vendi me një qëllim të vetëm e specifik. Kam qenë përherë i bindur se Shqipëria, ashtu si edhe vendet e tjera të rajonit, mund të ngjallë te ata që e frekuentojnë dy reagime të kundërta: atë të arratisjes prej saj dhe atë të pranimit pa kushte. Personalisht besoj se i përkas llojit të dytë të reagimit.

– Cila ishte vështirësia më e madhe në mësimin e gjuhës shqipe?
Sigurisht që përjashtimet e vazhdueshme nga rregullat gramatikore, leksiku shumë herë aq i ndryshëm nga ai me të cilin jemi mësuar. Por mbi të gjitha, vështirësia më e madhe ka qenë ajo mes gjuhës së studiuar dhe asaj të folur në të përditshmen nga njerëzit, në rrugë, në treg. Gjuha standarde, përdoret përgjithësisht shumë pak, pasi njerëzit preferojnë të flasin në gjuhën mëmë, e cila përmban shumë forma dialektizmash. Fillimisht besova se nuk do të mund ta mësoja kurrë gjuhën shqipe, meqë nuk arrija t’i kuptoja njerëzit kur më flisnin: duke iu referuar veçanërisht atyre që kam njohur në vitet e para dhe që jetonin në veri të vendit. Në këtë mënyrë mu desh të “studioja” edhe dialektet, por edhe këtë sfidë e kam fituar.

– Ju merreni me libra e traktate historike. Cilat janë marrëdhëniet tuaja me letërsinë, shkrimtarët?
– Ju keni të drejtë kur pohoni se merrem më shumë me histori se me letërsi: në fund të fundit, është lënda dhe interesi im. Por kjo nuk do të thotë se ndërkohë nuk kam pasur rast të afrohem me letërsinë. Kryesisht kam admiruar veprat e atyre autorëve që kanë shkruar gjatë dy luftërave botërore, por edhe të atyre që i përkasin periudhës së mëvonshme dhe që kanë punuar në një periudhë kur edhe letërsia, së bashku me çdo gjë tjetër, drejtohej nga ideologjia. Me shumë gjasa disa vepra të Dritëro Agollit do të meritonin të përktheheshin në gjuhën italiane. Por nuk kam qenë aspak indiferent as ndaj shkrimtarëve dhe poetëve bashkëkohorë, disa prej të cilëve, jam i bindur se duhet të përpiqen më shumë, që t’i tregojnë botës krijimtarinë e tyre. Një zbulim befasues ka qenë vepra e Bashkim Shehut, të cilin nuk e njihja si shkrimtar. Së fundmi kam pasur mundësinë që të përkthej një roman të tij (Loja, Shembja e qiellit) për shtëpinë botuese Rubbettino: tekst me një strukturë mëse komplekse, ku përshkruhet historia dhe psikologjia e protagonistit, i shtypur nga peshat e padurueshme që i janë caktuar nga tradita, nga familja, nga regjimi komunist ashtu si edhe nga një shoqëri post-komuniste ku përpiqet të integrohet me vështirësi. Pa dyshim që është një shembull i një letërsie të mirë bashkëkohore që dëshmon talentin për të treguar histori që, edhe pse fillesën e marrin në realitetin e përcaktuar shqiptar, kthehen në histori interesante për një publik më të gjerë, ndërkombëtar, që ndihet i përfshirë në to.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.