OPINION

«SOS» i social-demokracisë europiane?

07:20 - 20.11.19 Dr. Jorgji KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 Viti 2019 ishte plot me fushata zgjedhore kudo në Europë që mbyllen më 12 dhjetor  në Britaninë e Madhe. Krahasuar me periudhat e mëparshme,  në përgjithësi, social-demokratët evropianë kanë rënë «nga shiu në breshër» me disfata dhe katastrofa të vërteta zgjedhore. Jo pak prej tyre, ashtu si anijet në rrezik mbytjeje kanë lëshuar sinjalin «SOS»; të tjerë janë fundosur ose po  lundrojnë në  ujra te turbullta. Kurse lajmet e mira mund të përmblidhen në pak rreshta. Dallojnë socialistët spanjollë të Pedro Sanchez me fitoren e tyre të trefishtë  në zgjedhjet parlamentare në prill dhe më 10 nëntor dhe në ato europiane më 25 maj me mbi 26 për qind. Por, duke mos siguruar dot  shumicën absolute, ata janë të detyruar të qeverisin me të Majtët e Podemos. Po në Gadishullin Iberik,  socialistët e Antonio Costa siguruan në zgjedhjet e tetorit 36 për qind të votave, duke vazhduar qeverisjen e vendit veçse sërish në koalicion Ndërsa në Skandinavi, në zgjedhjet kombëtare dhe evropiane në Maj, social-demokratët danezë të Mette Frederiksen dolën të parët me 27 për qind si dhe ata në Belgjikë në qendër e në jug të vendit. Gjithsesi, qeverisja me aleatë të tjerë «tekanjozë» ngre pikpyetje të mëdha për të ardhmen e tyre.




Në Gjermani, pas rezultatit minimal historik me 20,5 për qind në zgjedhjet parlamentare 2017, në zgjedhjet rajonale në tre shtete ish-lindore të zhvilluara këtë  shtator dhe nëntor, sidomos në Tyringen, SPD-ja u poshtërua me vetëm 8,2 për qind, më i ulti i  160 viteve të saj!  Në Austrinë fqinje, megjithë aferat që tronditën koalicionin e  të djathtës së qendrës dhe ekstreme, social – demokratët nuk përfituan dot në zgjedhjet e muajit tetor, duke siguruar 21 ose 12 për qind më pak se një vit më parë.

Në Itali, social-demokratët e PD-së të Matteo Renzit që arritën rezultat plebishitar në zgjedhjet evropiane dhe italiane më 2014 me 40 për qind, më 2018 ranë në 18 për qind të votave, duke kaluar në opozitë; por, për fatin e tyre të mirë u kthyen sërish në pushtet para një muaji,  pas largimit të « Lega  Nord » të Salvinit ; ky i fundit,   nuk u kënaq me dyfishimin e rezultatit brenda  një viti, sepse e donte të gjithë «tepsinë» e pushtetit për vehte dhe hë për hë  «ka mbetur me gisht në gojë » megjithatë, sinoptika politike aty është e ngarkuar me re dhe stuhi; social-demokratët po grinden «mes vedi» dhe vetë  Renzi ka krijuar një parti të re.

Vërtet që në disa vende  social – demokratët vërtet mbajnë vendin  e dytë e të tretë, por me «firo» të mëdha, madje diku me pakicë të papërfillshme, si në Lituani me 2,5 për qind dhe në Estoni me Zero PSD. Edhe laburistët izraelitë nuk fituan dot më shumë se  5 për qind në zgjedhjet e muajit Tetor, duke u katandisur «kokoshi një thelë» përballë Netianahut, me gjithë  autoritarizmin dhe  aferat e  korrupsionit.

Veç Rusisë ku nuk ekziston as si emër, fatin më tragjik e ka patur PS-ja franceze, e cila në zgjedhjet parlamentare 2017 dhe ato evropiane më 25 Maj 2019 pësoi një “Waterlo” zgjedhore me vetëm 6 për qind të votive; tani është pothuajse inekzistente, duke rinovuar dhe emrin. Ajo shiti dhe selinë e famshme për të shmangur falimentin financiar!!! Bëhet fjalë për  një parti që i ka dhënë Francës Presidentin e madh, François Mitterand dhe Kryeministër Lionel Jospin, Komisionit Europian emblematikun Jacques Delors dhe Internacionales Socialiste Pierre Mauroi.

Diçka më mirë paraqiten  “vëllezërit” holandezë që  luhaten në 5,7 për qind, edhe pse në zgjedhjet europiane shënuan një rritje të ndjeshme. E njëja gjë mund të thuhet për social –  demokratët  norvegjezë, suedezë,  finlandezë dhe slovenë me tradita në social- demokracinë evropiane.

Përjashtim nga kjo tabllo e zymtë bëjnë laburistët britanikë të Jeremy Corbyn që brenda 5 viteve të fundit u ngritën nga 30 në 40 për qind, me shpresë se mund të rikthehen në qeverisje në zgjedhjet e parakohshme më 12 dhjetor. Edhe pse kjo duket disi e dyshueshme për shkak të problemeve të brendshme, ndarjes përsa i përket Brexit, deklarimeve anti-semitiste të liderit të saj, etj.

Në vendet e ish Evropës Qëndrore dhe Lindore, me përjashtim të Bullgarisë dhe Kroacisë, partitë  social-demokrate e kanë lëshuar me kohë sinjalin “SOS” dhe konkretisht: PS hungareze ka rënë 10 për qind, ajo çeke me 7 nga 40 për qind 20 vite më parë dhe 3 për qind në ato evropiane; ajo e  Sllovakisë në zgjedhjet presidenciale fitoi 16 nga 28 për qind katër vite më parë; kjo bën mjaft përshtypje se në këto vende, social-demokratët kanë qenë pararojë historike e anti-komunizmit dhe demokracisë. Ca më keq paraqitet gjendja në Poloni, ku qendra e majtë që 15 vite më parë kishte presidentin e shquar Kvasnievski dhe udhëhiqte me 40 për qind, tani gjithë koalicioni tripartiak ku ajo bën pjesë fitoi në zgjedhjet e sivjetme vetëm  8 për qind, por PSD nuk ka asnjë deputet!

E nëse në këto vende kanë qenë  pengesë edhe rregjimet autoritariste dhe joliberale, po në Rumani, ku social-demokratët zhgënjyes kanë qenë vazhdimisht në pushtet këto 20 vitet e fundit, ndërsa më  2016 fituan 35 për qind të votave, përse ranë para një muaji ende pa shkuar në zgjedhje?  Kjo ndodhi sepse duke mos nxjerrë asnjë mësim nga e kaluara dhe “simotrat” e tyre, lidershipi social-demokrat rumun u përfshi në  “luftë bërrylash” brenda parties si dhe me Prokuroren e Përgjithshme dhe Presidentin Johannis. Për pasojë, në një votëbesim më 10 Tetor, qeveria e lideres së saj, Viorica Dancila humbi dhe ia la vendin një koalicioni të ri qeveritar liberal. Më tej, vetë Dancila pësoi disfatë në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale më 10 Nëntor me 24 për qind përballë Presidentit  Klaus Johannis të mbështetur nga liberalët me 39 për qind që shkon i sigurt në turin e dytë.

Në Ballkan, socialistët e PASOK legjendar që udhëhoqi Greqinë për dekada dhe e antarësoi në BE pas juntës së ushtarakëve përfaqëson  rastin më të trishtueshëm të dështimit spektakolar. Dy vjet më parë e hoqi dhe emrin e tani quhet KINAL ( Lëvizja për Ndryshim) si pjesë e formacionit të ri tre partiak KIDIS i cili në zgjedhjet e Korrikut mori gjithsejt 8 për qind të votave.  Ndërsa në Turqi, më në fund, duket se social-demokratët  po zgjohen nga letargjia e gjatë, duke u bashkuar me pjesën tjetër të opozitës, pasi fitoi në zgjedhjet bashkiake gjatë verës si koalicion 22 për qind. Gjithsesi, janë larg nivelit të viteve 2000 me Bulent Eçevit.    

Për pasojë, edhe Grupi Socialist/Social-Demokrat (S&D) në Parlamentin Evropian pas zgjedhjeve të 25 majit, ndonëse e mbaji vendin e dytë, u reduktua në 152 ose  40 eurodeputetë më pak se më 2014, dhe 50 më pak se më 2009.  Kjo «pikiatë» duket më qartë kur krahason zgjedhjet evropiane 2019 me ato të 20 viteve më parë. Ndonëse atëhere BE kishte vetëm 15 vende antare, ky  Grupim fitoi 180 vende ose 27 më shumë se tani, kur BE ka 28 antarë!!! Për shkak dhe të humbjeve të ndjeshme dhe në Grupimin e djathtë (EPP), këtij «binomi» që ka «bërë ligjin» 40 vitet e fundit, tani i duhet konsensusi i Liberalëve dhe të Gjelbërve për çdo veprim dhe vendim. Kësisoj, dypartizmi tradicional «nuk pin më ujë » as në Europarlament.

Në mënyrë të përmbledhur, shkaqet kryesore të kësaj gjendje alarmante janë së pari,  paaftësia e social-demokratëve në përballimin/menazhimin e krizave të njohura serioze-financiare, të azilit, emigracionit, sigurisë, terrorizmit ndërkombëtar, etj.

Së dyti, gjatë gati 20 viteve të fundit ata kanë humbur  shumë  terren dhe «kështjella» në betejat politike. Gjithashtu, ndryshe nga konservatorët që kanë më shumë hapësira manovrimi për aleanca nga e djathta me liberalët, madje dhe ekstremin e djathtë, social – demokratë e kanë pothuajse të pamundur të hapen më majtas, për shkak  të trashëgimisë ideologjike të së majtës radikale.

Nga kjo situatë kanë përfituar forcat populiste dhe të ekstremit të majtë/djathtë të cilat kanë bërë pothuajse tërësisht “ pronë“ të tyre edhe tematikën e fushatave zgjedhore, duke e kufizuar atë te azili, siguria, varfëria, papunësia, frika dhe urrejtja ndaj të huajve, emigracioni dhe terrorizmi, ku social-demokratët jane treguar të lëkundur e të pavendosur.

Së treti, social-demokratët janë detyruar të veprojnë në një klimë, mjedis dhe sfond politik e social shumë të papërshtatshëm për natyrën e tyre të moderuar dhe racionale. Kështu, në Austri, Itali dhe gjetkë, në vend të alternativave, fushatat zgjedhore  ishin plot llume, baltë, shpifje dhe fabrikime të shumta ku socialistët nuk orientohen dot.

Faktor tjetër specifik negativ për qendrën e majtë ka qenë koninktura ekonomike dhe sociale tejet e pafavorshme e viteve të fundit me vazhdimin e mbylljes së uzinave e fabrikave, e shoqëruar me dobësimin e sindikatave, shtylla dhe baza solide e social-demokracisë.

Por dhe kur kanë ardhur në pushtet, ndryshe nga premtimet, ata kanë vazhduar me tepërim e pa kritere refrenin mbi shkurtimin e fondeve, prekjen e sigurisë sociale, etj duke zhgënjyer në masë dhe elektoratin më besnik.

Së pesti, kooptimi dhe katapultimi në masë i kuadrove të lartë partiakë dhe parlamentarë, vetëm ose kryesisht mbi bazën e gradave dhe titujve shkencorë ose nga jashtë, por pa kurfarë lidhje dhe përvoje me elektoratin. Në vend që t’i nënshtrohen fillimisht dhe pas stazhit të nevojshëm promovimit dhe karrierës në parti e pastaj në poste zyrtare, ka ndodhur e kundërta, duke venitur kësisoj  pjesën më të madhe të frymës dhe frymëzimit të nevojshëm për elektoratin; të cilat nuk i kompenson dot asnjë formë apo sofistikim, përfshirë  votimin elektronik, etj.

Së gjashti, si pasojë dhe e faktorit të mësipërm, mungesa kronike e liderëve karizmatike, me vizion dhe guximtarë social-demokratë ; që të paktën t’u afrohen emblemave si Mitterand, Blair, Gonzales, Peres, Stoltenberg, Peres, Vranitzky, etj.

Këtë mungesë dhe krizë lidershipi e tregon më qartë SPD-ja gjermane, e cila 15 vitet e fundit ka ndryshuar 8 kryetarë, rekord më vehte  dhe shpresohet  të zgjedhë më në fund në dhjetor kryetarin e ri mes 17 kandidaturash; gjithsesi shumë larg emblemave të saj, Brandt dhe Schmidt që i njihte bota, kurse këta të sotmit  vështirë «t’i njohë dhe lagjja». Fitorja e social-demokratëve në Spanjë, Portugali, Danimarkë i atribuohet kryesisht liderëve të tyre karizmatikë.

Këtë mungesë lidershipi e ndjen më shumë dhe Internacionalja Socialiste, ku kryetar vazhdon të jetë Jorgos Papandreu, ish lideri i dështuar i ish – PASOK; ndërsa sekretar i Përgjithshëm Louis Ayala, i «ngujuar» aty prej  mbi 30 vitesh! Edhe bordin e  Partisë së Socialistëve Europianë ( PES) të BE-së ka kohë që e drejtojnë liderë të partive humbëse.

Së fundi, pothuajse të gjitha këto parti dhe grupime kanë qenë dhe janë aleate të PS-së sonë, e vetmja prej tyre që qeveris e vetme; ato i janë gjindur asaj pranë gati 30 viteve të fundit në të gjitha format dhe formatet. Ndaj, dhe PS-ja nuk është e imunizuar nga këto dukuri negative, përkundrazi; ndaj janë të domosdoshme, madje të ngutshme  analizat përkatëse dhe nxjerrja e mësimeve të duhura.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.