Sociale

Avokati gjerman leksion te ‘Luarasi’: Rregullat e reja si mund të jetoni në Gjermani

12:00 - 21.11.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Mosinformimi mbi ligjin e emigracionit gjerman, ka sjellë jo pak probleme për shqiptarët që tentojnë të largohen drejt këtij shteti. Në kuadrin e informimit të të rinjve, Uniteti Global Shqiptar dhe Gjerman ka mbajtur leksionin e hapur “Emigracioni dhe Ligji” për studentët e Drejtësisë në universitetin Luarasi. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe negociatorët e bashkëpunimit shqiptaro-gjerman, avokatja për të drejtat e njeriut, Kadrije Gurmani dhe profesor Nuhi Krasniqi. I ftuari special, avokati gjerman i emigracionit Lars Dippel, gjatë bashkëbisedimit me juristët e ardhshëm, dha detaje të rëndësishme mbi ligjin gjerman.




Ndryshimet në ligj
Por cilat do të jenë ndryshimet e ligjit të emigracionit gjerman prej 1 mars-it të 2020-ës? Avokati gjerman thekson se fillimisht duhet të sigurohet një kontratë pune dhe më pas të aplikohet për vizë në ambasadë. “Ndryshimet interesante që kanë ndodhur në ligjin për emigracionin në Gjermani kanë të bëjnë me faktin se kualifikimi i punonjësve nuk është kusht për të gjetur një punë në këtë vend. Pra, edhe një punonjës që nuk ka kualifikimin e duhur sipas standardit gjerman, mund të vijë në Gjermani dhe të kërkojë punë, pa qenë e nevojshme të jetë i mirëkualifikuar sipas standardeve tona. Fillimisht duhet të mësoni se si të aplikoni për një punë në Gjermani pasi ju nevojitet një kontratë pune. Më pas duhet të aplikoni për vizë në ambasadë. Në të ardhmen lehtësohen procedurat e mund të vini në Gjermani pa pasur një kontratë pune. Gjithashtu, ju nevojiten të ardhura të mjaftueshme, sepse askush nuk do t’u financojë aty, mund të merrni me qira një apartament e të kërkoni punë”, tha avokati Dippel.

luaras 1(1) luaras 2(2) luaras 3(2) luaras 4(1)
<
>

Punët më të kërkuara
Vitet e fundit, punonjësit e shëndetësisë në vendin tonë i janë drejtuar kurseve të gjuhës gjermane dhe mijëra prej tyre kanë arritur të sigurojnë kontrata pune në Gjermani. Avokati Lars Dippel tregon se cilat janë profesionet më të kërkuara të momentit nga shteti gjerman.
“Profesionet më të kërkuara në Gjermani kanë të bëjnë me sistemin shëndetësor, si për shembull infermierë, punonjës të specializuar për të dhënë ndihmën e parë në ambulancë, punonjës të kujdesit intensiv; të cilët duhet të kenë një trajnim në vendin e tyre të origjinës. Gjithashtu, Gjermania kërkon punonjës ndërtimi dhe shumë profesionistë të tjerë”,-tha Dippel. Më tej ky i fundit dha sqarime edhe mbi nivelin e gjuhës që duhet mbrojtur për të fituar punën. “Nëse keni një nivel të kënaqshëm të gjuhës dhe përfshiheni në shoqërinë gjermane aq më lehtë do ta keni integrimin. Mos qëndroni shumë kohë me njerëz nga vendi juaj, sepse nuk ka të bëjë vetëm me gjuhën gjermane por ka të bëjë edhe me kulturën gjermane, sepse kush do t’u ndihmojë kur ata miq nuk do të jenë më? Integrimi nuk do të thotë asimilim, integrim do të thotë përshtatje dhe ju, shqiptarët keni shumë për të na treguar ne gjermanëve mbi historinë e vendit tuaj”, tregoi ai.

Azilkërkimi
Për të gjithë ata që mendojnë ende azilin si opsion për të shkuar në Gjermani, avokati i emigracionit thotë se kjo mënyrë nuk është zgjidhje. “Azili vazhdon ende. Do të ishte naive të mendojmë se njerëzit nuk po vijnë ende duke kërkuar azil në Gjermani. Ata vijnë ilegalisht dhe kjo nuk është e mirë për ta, sepse nuk kanë një status ligjor. Kjo do të thotë se nuk paguajnë taksa dhe për pasojë nuk gëzojnë sigurim shëndetësor”,-deklaroi Dippel. Presidenti i Uniteti Global Shqiptar dhe Gjerman, Nuha Krasniqi shprehet i surprizuar mbi motivimin dhe interaktivitetin e studentëve të “Luarasi”. “Në universitetin “Luarasi” pashë studentë që kanë motiv për të ardhmen dhe janë shumë të interesuar dhe interaktivë. Dhe universitetet janë ato institucione që kontribojnë për të ardhmen e të rinjve, që ndërtojnë jetën e tyre, dhe në këtë mënyrë ndërtojnë gjithë shoqërinë dhe mesa duket universiteti “Luarasi” kujdeset më së miri për këtë pjesë”,-tha Krasniqi. Më tej ky i fundit, për sa i përket emigracionit drejt Gjermanisë, tha se në shumë raste njerëzit janë të painformuar dhe gabojnë shpesh, por shtoi se edhe pse mund ta bëjnë pa vetëdije, penalizohen. “Për sa i përket ligjit të emigracionit gjerman, në shumë raste njerëzit nuk janë të informuar dhe shumë herë ndeshen me ligjin duke mos i ditur rregullat dhe duke mos marrë informacionin e saktë. Shpeshherë edhe pa vetëdije njerëzit bëjnë gabime, por ligji nuk fal edhe pse personi mund të përpiqet të justifikohet me faktin që s’ka informacionin e duhur. Prandaj ne kemi ndërmarrë këtë fushatë informuese mbi një ccështje kaq sensitive sa emigracioni drejt Gjermanisë”,-tha presidenti i Unionit Global Shqiptaro- gjerman.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.