SPORT

Dorëhiqet “timonieri” i Tiranës/ Julian Ahmataj fajëson lojtarët: Këtu mendojnë të heqin trajnerin

19:36 - 23.11.19 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Julian Ahmataj ka dhënë dorëheqjen nga Tirana! Elbasanasi që pasoi në detyrë Ardian Memën vetëm një muaj më parë, nuk e ka kapërdirë humbjen në Korçë, por mbi të gjitha nuk ka kapërdirë ambientin që rrethon skuadrën kryeqytetase. I hidhëruar pa masë për situatën, Ahmataj ka deklaruar vendimin ekstrem, duke i paraqitur dorëheqjen presidentit Refik Halili.




Situata në kapin bardheblu është e nderë dhe Ahmataj ka përsëritur fjalët e trajnerit që zëvendësoi, Ardian Memës, që njëjtë si elbasanasi akuzonte mosangazhimin e elementëve të ndryshëm në fushë, shprehu habinë për mënyrën sesi shpërdoroheshin aksione sulmuese dhe çështë më e rënda, akuzoi se te Tirana ka persona që punojnë për të hequr trajnerët!

“Zhgënjim i madh ky rezultat. Erdhi nga dy tranzicione të shpejta, kur ne jemi në superioritet numerik në ato situata. Është për të ardhur keq që vijnë këto gola, dhe prishin psikologjinë e skuadrës. Shkojmë edhe deri te porta e kundërshtarit, dhe nuk godasin. Gjëra që duhen rregulluar, por çdo gjë vjen graduale. Këtu, sa vendosin një trajner, mendojnë ta heqin. Kështu nuk punohet. I kam paraqitur dorëheqjen presidentit dhe drejtorit të klubit. Nëse jam unë e keqja, mirë. Nuk ka lidhje gjendja emocionale. Të humbësh ndaj një skuadre që shkon 3 herë në portë, duke shkuar edhe më pak lojtarë ekipi tjetër, kjo është e habitshme. Më ka prerë hovin kjo gjë. Unë marr përgjegjësitë e lojës. Ne nuk duhet ta mbajmë me zor vendin e punës. Nuk mbahet kështu. Lojtarët japin maksimumin. Më mirë të marr unë nismën, të largohem, që gjërat të largohen. Ju thashë, që sapo vihet një trajner, mendohet si ta heqin,” tha ndër të tjera Ahmataj për “Supersport”.

Akuza vërtet të rënda këto për të cilat nuk dihet ende se çfarë qëndrimi do të mbajnë zyrtarisht drejtuesit e 24 herë kampionëve, që në pak javë e shohin veten në të njëjtën situatë si edhe me Memën. 5 pikë në 4 javë janë vërtet pak për një ekip që pretendon titullin kampion, por më të rënda sesa pikët e lëna janë akuzat për mosangazhim. Ahmataj menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, ka takuar lojtarët e tij dhe i ka njoftuar me vendimin duke i lënë të habitur këta të fundit. Për të parë sesi do shkojë kjo çështje duhet pritur e diela ku pritet një takim mes presidentit Halili dhe Julian Ahmatajt.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.