KULTURË

“Letër e hapur Mazhar beut”, ose kur luftohej për gjuhën shqipe

12:03 - 23.11.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Teksa u shpjegon lexuesve të vet qysh në numrat e parë të gazetës se “Ç’është lirija”, Mid’hat Frashëri në gazetën e botuar në vitet 1908-1910 shkruan: “Lirija është që mos të të trazojë njeri ty e ti të mos trazosh të tjerë”. Krahas asaj se ç’qe liria, ai shpjegon ç’qe (e ç’është) robëria, çka sipas tij përmblidhet në këto fraza: “Kur s’ke siguri nga shpirti, kur s’të lënë të roç, kur s’të lënë të fitoç, kur s’të lënë të mësoç dhe të hapëç mendjenë. Kur na ish ndaluar ushqimi i mendjes, kur s’të lënë të flasëç.(…)S’na lininë të këndojmë shqip, s’nalininë të shkruajmë shqip, s’na lininë shkolla shqip. Ky ndalim i gjuhës ish një robëri, një robëri e zezë, që s’është parë kurrë gjetkë”.




Nga themelimi i “një shoqërie literate” në Stamboll, gazeta që ai botonte më shumë se 100 vite më parë, nënvizonte se, “kjo gjuhë është shenj’ e gjallërisë dhe e rojtjes sënë”. Në faqet e gazetës “Lirija” historianët e arsimit shqip gjejnë të dhënat e para për promovimin e shkollës së Elbasanit, dyert e së cilës u hapën 24 tetor në 6 klasa paralele dhe për çeljen e shkollave në gjuhën shqipe në fshatra malore të Shpatit të Elbasanit.

Pak ditë më parë është promovuar në Tiranë botimi anastatik i gazetës “Lirija” (1908-1910), themeluar e botuar nga Mid’hat Frashëri.
Në një kohë kur vetëdijësimi i idesë së kombit, gjuhës, etnisë, përkatësive rrezikohej dhe mjegullohej për shkak të sundimit 500-vjeçar nga Perandoria Osmane, ende pa u shpallur mëvetësia prej saj, një grup intelektualësh e patriotësh botojnë për 2 vite një gazetë kur artikujt merren me gjuhën, alfabetin, etninë, politikat,’guvernën xhonturke’. Përçarja ishte rreziku vetëshkatërrues mes politikave të mëdha me interesa që shkonin kundër shqiptarëve, ndaj botimi i një organi të tillë shtypi, rrekej që t’i bashkont shqiptarët përreth gjuhës, si elementi e tipari më përbashkues mes individëve të një kombi që në shekuj ishte ndarë mes ndikimesh e interesash të shumtë rajonal e perandorak. Duke e folur për shqipen si “ëmbëlsirën dhe bukurinë e shumtë që ka gjuha jonë”, “Lirija” e Midthat Frashërit botonte edhe artikuj si “Provimet e shkollave shqipe në Korçë”, “Mitingu në Elbasan kundër shkronjave të huaja”, “Mitingu në Korçë kundra shkronjave arabisht”.

Roli i saj në shoqërinë e kohës, që përkundej mes Lindjes dhe Perëndimit, mes frikës për t’u shkëputur nga administrata osmane dhe denoncimi i politikave të Perëndimit, që po ashtu rrezikonin trojet, ishte tejet i rëndësishëm. Studiuesit e kësaj gazete ka vënë në dukje se komentet dhe analizat kishin strukturën e një vështrimi ndaj një çështjeje a problemi qoftë edhe të një ideje të shkëputur nga realiteti siç qenë shkrimet: “Një vështrimës kohës së shkuarë ene ardhja” i botuar në numrin 50 (27 qershor 1909); “Ç’fituan nga Kongresi i Manastirit” i botuar në Nr., 17 (22 nëntor 1908) apo “Ç’u bë për shkrimet shqip” i botuar në Nr. 76 (20 shkurt 1910). Një sërë artikujsh të gazetës kishin strukturën edhe stilin e pamfletit. “Lirija” vijoi pa ndërprerje me 108 numra deri në vitin 1910.

BOTIMI ANASTATIK
Prezantimi i bë nga Biblioteka Kombëtare dhe Fondacioni Kulturor ALSAR të cilat gjykuan të vlefshme të pasuronin bibliotekat e sotme me një botim të ri anastatik, atë të gazetës që Frashëri themeloi më 1908 dhe e botoi deri në vitin 1910, me titullin simbolik “Lirija”. Vetë gazeta cilësohet si njohje e studim më i thelluar të veprimtarisë publicistike e politike të Lumo Skëndos duke hedhur dritë më shumë mbi kontekstin politik e kulturor në të cilin u botua.
Sipas BK-së, titulli “Lirija” bazohet mbi konceptin e lirisë që buronte nga parimet universale të të drejtave njerëzore, mbi të cilat Lumo Skëndo ngre vizionin e tij civil e politik. “Ai e konceptoi të lidhur fort me të drejtën e fjalës së lirë, të shprehur prej njerëzish të lirë e sidomos, në kushtet e specifikës shqiptare, edhe të shqiptuar e të shkruar në gjuhën amtare, si shprehje parësore e një lirie të mohuar prej një kohe të gjatë. Studimet shqiptare, së bashku me botimet shkencore, kulturore, publicistike e dokumentare, kanë si tipar të tyre gjatë dekadës së fundit edhe rikthimin gjithnjë e më sistematik te vepra madhore e Mid’hat Frashërit. Falë këtij rikthimi, bota jonë kulturore jo vetëm po pasurohet me një personalitet qendror e themelor, por rimerr në duar edhe një kontribut marramendës kulturor e shkencor, shqyrtimi i të cilit po ridimensionon shumë aspekte të trashëgimisë sonë diturore e kulturore”, thuhet në njoftimin për mediat.

DEBATET PËR ALFABETIN
Në parathënien e botimit anatstatik, shkruar nga Persida Asllani përmenden mes të tjerash, artikuj mbi gjuhën. “Ç’duanë të thonë” i kushtohet një telegrami të disa shkodranëve që pranojnë turqishten si gjuhë zyrtare; ‘Në Shkodrë’- mbi përpjekjet e fanatikëve për mbylljen e Klubit “Gjuha shqipe”; “Në Tiranë” – në mbrojtje të klubit të gjuhës shqipe në Tiranë; “Shkollatë shqip” – ku thuhet se edhe pas konstitucionit, gjendja e arsimit shqip mbetet e mjeruar dhe se shqiptarët duhet në ngrenë me forcë problemin e arsimit në gjuhën amtare; “Turqit e rinj dhe shqiptarët”, – shkrim mbi pengesat e administratës osmane për mësimin e shqipe, por qorton edhe shqiptarët që nuk përpiqen sa duhet për mësimin e gjuhës shqipe; “Shkrim i shqipesë” – rreth përpjekjeve të një deputeti turk që shqipja të shkruhet me alfabetin turk; “Ata që të nxjerrin sy tek të vënë vetulla” – kundër përkrahësve të alfabetit të shqipes me shkronja turke; “Ç’u bë me shkronjatë shqip” – kundër urdhëresës së qeverisë turke që mësimi i gjuhës shqipe në shkollat e vilajetit të Kosovës të zhvillohet me shkronja turke; “Gjuha shqip dhe fetë” – mbrojtja e alfabetit shqip me shkronja latine; “Letër e hapur: Mazhar beut, vali në Shkup” – në të cilën dënon qëndrimin e valiut kundër mësimit në gjuhën shqipe dhe drejtorit të shkollës “Edeb”; “Prapë shkronjatë shqip” – mbrojtje e shkronjave shqip me alfabetin latin dhe luftë kundër intrigave që duan të ngatërrojnë shkronjat me fenë, etj. Ka disa artikuj që i kushtohen përplasjeve për shkronjat shqipe me alfabet latin, ndalimit të mësimit të shqipes në shkolla edhe kur e dha lejen Ministria e Arsimit të Turqisë, deri te artikujt mbi gjuhën dhe deputetët- ku flitet për deputetë shqiptarë në parlamentin turk, që kanë dalë hapur kundër përdorimit të shkronjave shqipe dhe një letër deputetësh të tjerë që kundërshtojnë këta të parët. Lufta për alfabetin e shqipen del të ketë qenë e ashpër dhe gjatë si brenda sojit, ashtu edhe jashtë tij.

GAZETA “LIRIJA”
E përjavshmja “Lirija”, një gazetë politike, shoqërore, kulturore, letrare, historike me katër faqe, doli për herë të parë më 14 korrik 1908 në Selanik të Greqisë. Gazeta shtypej në shtypshkronjën “Mbrothësia” të Kristo Luarasit me shkronjat e alfabetit të Stambollit. Nga numri 10 (më 2 tetor 1908) drejtor i saj qe Lumo Skëndo (Mit’hat Frashëri). Ajo promovoi një program të përshkuar nga ideja e kritikës së pandërprerë ndaj qeverisë së vjetër, tiranike e despotike, e cila i nëpërkëmbte shqiptarët, ua mohonte të gjithë liritë qytetare dhe të drejtat kombëtare. Gjithashtu “Lirija” propagandoi mirëkuptimin me “Guvernën e re” dhe Parlamentin Osman. Ajo përdorte disa prej formave të pasqyrimit publicistik si: korrespondenca e letra, skica dhe shënime publicistike, artikullin-analizë dhe komentin e shkurtër, reportazhin informativ dhe reportazhin shënime udhëtimi. Për sa i përket reportazhit informativ, ai konceptohej dhe realizohej thjesht me ngarkesa informative si etj. Këto lloj shkrimesh jepnin të dhëna të tilla që me kalimin e kokës, kanë marrë vlera dokumentuese historike.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.