OPINION

“Rekordi” i Dvoranit, 14 vite e gjysmë anëtar i Gjykatës së Lartë

07:35 - 24.11.19 Oerd Bylykbashi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dvorani është gjyqtari i Gjykatës së Lartë me mandatin më të gjatë, rekord. Ai ka 14 vite e gjysmë anëtar i Gjykatës së Lartë, edhe pse Kushtetuta e 1998-ës si dhe ajo e rrëmujëformuara e 2016-ës përcaktojnë se mandati është vetëm 9 vite.




Besnik Muçi është anëtari me mandatin më të shkurtër në Gjykatën Kushtetuese. Vetëm 36 ditë, edhe pse mandatin me Kushtetutë duhej ta kishte plot 9 vite.‎

Pra, Kushtetuta nuk vlen për Dvoranin. Madje, për Dvoranin nuk vlen as vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Më 27 korrik 2016, kur ai kishte më shumë se 11 vite në detyrë, Gjykata Kushtetuese vendosi që ta shkarkojë Dvoranin nga anëtar të Gjykatës së Lartë, sepse kishte më shumë se dy vjet që i kishte kaluar afati 9-vjeçar i mandatit. ‎Edhe pse ky vendim është suprem, ai u hodh në kosh që Dvorani të shërbejë në majat e Drejtësisë.

Por prisni, ka më shumë se kaq. Para Dvoranit bien jo vetëm nenet e ligjit, të Kushtetutës, parimet e saj, por edhe maksima themelore e Drejtësisë: “Ligji është i barabartë për të gjithë”. Për Dvoranin, ligji është më i barabartë se për të tjerët.

Edhe Dvorani, edhe Muçi e kaluan me sukses shkallën e parë të vetingut. Dvoranit seç i dolën 100 milionë lekë të vjetra të padeklaruara‎ dhe vetingu i shkallës së parë ia quajti harresë dhe ia fali. Dvorani duhej për më tej. Muçi kishte deklaruar 19 milionë lekë të vjetra si borxh nga familjarët dhe vetingu në shkallë të parë ia quajti të rregullt. Muçi ende nuk ishte gjyqtar kushtetues.

‎Po për Muçin që i doli Ramës nga skema sepse e emëroi presidenti gjyqtar kushtetues, vetingu funksionoi. Ndërsa për Dvoranin që i duhet Ramës, sepse është gjyqtar i lartë dhe kryetar i KED nuk ka veting, por veting.

Besnik Muçit ia ankimuan vendimin e shkallës së parë të vetingut dhe shkalla e dytë e vetingut e shkarkoi sepse nuk ia quajtën të ligjshme huan e familjarëve për 19 milionë lekë të vjetër.

Dvoranit nuk ia ankimoi ‎askush vendimin që i fali “harresën” e 100 milionë lekëve. Nuk ia ankimoi as Komisioneri Publik, që i ankimoi Muçit 19 milionët, por nuk ia akimuan as gardianët e huaj të ONM, që si rregull duhet të mbikëqyrin si shqiponja se mos rrëshqet ndonjë i korruptuar.

Dhe ja, kur i duhet partisë, vetingu është si ato getat elastike, që hapen sipas masës së trupit, sado shëmtuar të duket.

Porsi Skënderbeu me sulmet e turqve, Dvorani ka kapërcyer në mënyrë epike çdo sulm që i ka bërë Kushtetuta, ligji apo Gjykata Kushtetuese‎. Ndaj e kam thënë herë tjetër, duhet që ta përfshijmë me nen të veçante në Kushtetutë dhe mundësisht, Banka e Shqipërisë të nxjerrë një kartëmonedhë me profilin e tij, si Skënderbeu.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.