SHËNDET

Gentian Stroni: Kujdes nga gripi, forma më e rëndë e virozave të stinës

12:30 - 25.11.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Me ardhjen e stinës së dimrit, uljen e temperaturave e ndryshimin e klimës, pacientët paraqesin probleme të traktit respirator drejtohen për ndihmë pranë mjekut të lagjes apo në QSUT. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, mjeku infeksionit Gentian Stroni tregon se deri më tani situata është e qëndrueshme, por thekson se fëmijët, të moshuarit dhe personat me imunitet të dobët janë më të predispozuar për t’u prekur nga virozat. Sipas mjekut, gripi është një nga format më të rënda të virozave të stinës. Statistikat tregojnë se në Europë ka pasur rreth 170 mijë vdekje çdo vit nga gripi, 22 milionë raste të rënda dhe rreth 3.5 milionë hospitalizime. Infeksionisti Stroni i bën thirrje popullatës që të vaksinohet sa më shpejt për të parandaluar prekjen nga viruset e gripit. Viruset e gripit janë në ndryshim të vazhdueshëm, prandaj vaksinimi rekomandohet çdo vit. Nevojiten rreth 2 javë pas marrjes së vaksinës derisa të zhvillohet mbrojtja, e cila zgjat rreth 1 vit.




Cilat janë virozat më të shpeshta që hasni aktualisht në punën tuaj të përditshme?
Në këtë moment, me ndryshimin e klimës e ftohjen e kohës, kemi një lëvizje të virozave nga trakti gastro-intensinal, drejt traktit respirator në vjeshtë e në dimër. Pra, shikojmë më së shumti probleme që dalin në pjesën e sipërme të traktit respirator ku më së shumti janë tonsilitet. Kjo bën që pacientët të vijnë dhe të kërkojnë ndihmë te mjekët e lagjes apo në QSUT. Më së shumti shfaqin shqetësime me temperaturën e lartë, dhimbjet e fytit, apo dobësi të ndryshme trupore. Pra, kemi një përzierje të situatës gastro-intensinale me atë respiratore. Më së shumti janë infeksione që lidhen me traktin e sipërm respirator.

Mund të na tregoni se cilat janë grupmoshat më të predispozuara për t’u prekur nga virozat?
Infeksionet shfaqen atëherë kur imuniteti i trupit bie, që do të thotë se kur një organizëm nuk arrin dot t’i bëjë ballë një infeksioni, ky i fundit do të fillojë të zhvillohet. Kjo na bën të mendojmë se kemi një numër të shtuar virozash te moshat e treta, por edhe te fëmijët. Megjithatë, kjo nuk përjashton pjesën e adultëve. Kur diskutojmë për situata problematike të viruseve deri diku të veçanta mund të prekin këdo nga të rriturit. Më të riskuar janë ata që kanë një sëmundje primare, që kanë një problematikë paraprake dhe ata që kanë imunitet të rënë.

Mund të na shpjegoni se çfarë masash parandaluese duhet marrë në mënyrë që të mos prekemi nga viruset?
Jemi në kohën më të mirë për të marrë masat parandaluese, kështu që në vjeshtë duhet të marrim masat për stinën e dimrit. Në këtë të fundit, më problematike janë infeksionet e traktit respirator, ku më problematiku ngelet gripi. Në të gjithë botën, në muajin shtator dhe tetor duhet të kryhet vaksinimi, pra është koha kur ne duhet të përgatisim trupin tonë për të bërë të mundur ruajtjen dhe mbrojtjen nga ky lloj virusi. Dhe që të bëhet kjo, duhet të përdoret vaksinimi. Të gjithë ata që ende nuk e kanë bërë vaksinën ndaj gripit, i bëj thirrje që të shkojnë pranë qendrave shëndetësore dhe të vaksinohen sa janë në kohë.

Cilat janë llojet e vaksinave kundër gripit që mund të përdorim për parandalim?
Fatmirësisht tashmë janë në dispozicion vaksina të ndryshme për gripin dhe veçanërisht kur flasim për vaksinat katër valente. Kjo do të thotë se nëse deri vitin e kaluar kemi pasur vaksina të cilat mbronin nga gripi H1N1, H3N2 dhe një grip i tipit B; këtë vit është rritur mundësia për të marrë vaksinën katër valente që kemi dy të gripit A dhe dy të gripit B. Në këtë lloj mënyre, ne bëjmë një mbrojtje akoma më efektive nga gripi që do të vijë. Vaksina e gripit mund të gjendet në farmaci.

Cilat janë pasojat që mund të shkaktojë gripi?
Problematikat nga gripi mund të jenë shumë të mëdha. Sipas statistikave, ka rreth 170 mijë vdekje nga gripi vetëm në Europë, 22 milionë raste të rënda dhe rreth 3.5 milionë hospitalizime. Gripi nuk të fal kur flasim për persona që kanë një imunitet të rënë dhe kjo është arsyeja kryesore që duhet t’i japim rëndësinë e duhur vaksinimit. Është koha e duhur për nisjen e fushatës së ndërgjegjësimit për të bërë të mundur parandalimin e këtyre pasojave që mund të jenë edhe fatale.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.