OPINION

Po asgjësohet shtresa e mesme pabarazia që vret rritjen ekonomike

07:19 - 26.11.19 Klodian Muço
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Përgjatë dekadave të fundit në Shqipëri, të ishe pjesë e shtresës së mesme, kishe garancinë e jetesës në shtëpi konforte, të bëje një jetë komode dhe të ndiheshe i plotësuar, falë një pune që të garantonte stabilitet dhe oportunitete karriere.




Shtresa e mesme në Shqipëri ashtu si në gjithë botën konsiderohet si forca shtytëse e zhvillimit ekonomik dhe social të një vendi.

Në shumë vende, zgjerimi i shtresës së mesme ka pas të njëjtin trend me rritjen e produktivitetit, sipërmarrjes dhe inovacionit.

Shtresa e mesme është ajo që stimulon konsumin, prodhimin dhe investimet në një vend. Sot kjo shtresë e mesme në Shqipëri po shkon drejt “greminës”.

Sipas përkufizimit të OSBE-së, shtresa e mesme përfshin individët që marrin një rrogë nga 75% deri në 200% të rrogës mesatare të një vendi.

Në Shqipëri në këtë shtresë përfshihen edhe ata 35 000 të dy-punësuar që për të ruajtur një standard jetese të caktuar për familjet e tyre, një pjesë të kohës së lirë e shfrytëzojnë për të bërë një punë të dytë. 11000 prej tyre kanë të ardhura vjetore mbi 2 milionë lekë dhe në vitin e kaluar filluan të deklaronin të ardhurat. Ndërsa 24000 të tjerët kanë paguar ndër vite sigurime shoqërore dhe shëndetësore për të dyja punët por që të ardhurat e tyre nuk i kalonin 2 milionë lekë dhe rroga e tyre nuk taksohej si një e vetme për sa i përkiste të ardhurave personale.

Pjesa dërmuese e këtyre të dy-punësuarve janë mjekë, inxhinierë, arkitektë, pedagogë, juristë, etj. Kjo nismë  për të “rritur” barrën fiskale për këtë shtresë perceptohet disi si një përpjekje për të taksuar edhe më tepër intelektualët, njerëzit punëtorë dhe ata me produktivitet të lartë.

Duhet kujtuar këtu që kjo shtresë paguan nga 13-23% tatim mbi të ardhurat personale dhe së bashku me sigurimet shoqërore dhe shëndetësore shkojnë deri në 27% të pagës bruto.

Sot në shumicën e vendeve të Evropës qendrore një person me një pagë 1000 euro taksohet vetëm 15% taksa përfshirë këtu edhe sigurimet.

Një familje në Tiranë e përbërë nga 4 anëtarë që jeton me qira apo kredi shpenzon minimalisht 1000 euro në muaj për të jetuar. Pasi Tirana është edhe një ndër kryeqytetet me koston më të lartë të jetesës në raport me nivelin e të ardhurave. Kjo do të thotë se një individ i dy-punësuar me të ardhura më pak se 2 milionë lekë nuk është një person i pasur. Është një person që kalon mesatarisht 12 orë në ditë jashtë shtëpisë për të garantuar një jetë sado pak dinjitoze për familjen e tij.

Koha ka treguar se në vende si Shqipëria rritja e presionit fiskal dhe komplikimit të tij redukton të ardhurat fiskale.

Kjo lëvizje e qeverisë për të rishikuar tatimin mbi të ardhurat personale për të dy-punësuarit perceptohet si një lëvizje që e bën sistemin fiskal më agresiv por jo domosdosmërisht më efiçient. Për më tepër perceptimi i njerëzve në tërësi është se qeveria po i shpërdoron taksat duke paguar koncesione për shërbime që në disa raste qytetari nuk i merr fare apo financon me anë të PPP-ve investime jo rentabël për ekonominë. Pra taksat e paguara nga qytetarët nuk rishpërndahen në mënyrë efiçiente nga qeveria.

Nuk duhet harruar po ashtu se kosto e jetës për klasën e mesme është rritur ndjeshëm vitet e fundit, ndërkohë që pagat e kësaj shtrese nuk indeksohen as sa inflacioni. Ndërkohë që edhe në projekt-buxhetin e 2020 nuk është parashikuar indeksimi i pagave.

Kosto e banimit në qytetet e mëdha si Tirana (ku jeton pjesa dërmuese e të dy-punësuarve) është shumëfishuar duke mos ndjekur të njëjtin trend që kanë pasur të ardhurat për pjesën dërmuese të qytetarëve.

Sot në Shqipëri, 30% e një page mesatare ikën vetëm për konsum (pa pasur dhe garanci për sigurinë ushqimore. Ne jemi ndër vendet që paguajmë çmimet më të larta të ushqimeve në raport me të ardhurat por nga ana tjetër cilësia e këtyre ushqimeve dhe siguria ushqimore e tyre lënë për të dëshiruar).

Pra lëvizja e qeverisë për të rritur edhe më tepër barrën fiskale për të dy-punësuarit perceptohet si veprim i gabuar. Aq më tepër në një vend si Shqipëria që profesionistët po ikin çdo ditë e më tepër në emigracion. Ne në vend që të gjejmë një zgjidhje për të frenuar këto ikje, vazhdojmë e rritim taksat mbi punën duke reduktuar ato mbi kapitalin. Ky veprim rrit pabarazinë, kjo e fundit sipas nobelistit të ekonomisë Stiglitz vret rritjen ekonomike.

Për Stiglitz vrasësi i vërtetë i PBB-së është pikërisht pabarazia, ku të pasurit bëhen edhe më të pasur, ndërsa të varfrit bëhen edhe më të varfër duke zhdukur kështu shtresën e mesme që njihet ndryshe edhe si shtresa e prosperitetit ekonomik. Nëse dëshirojmë zhvillim nevojitet zgjerimi i shtresës së mesme, më tepër para për arsimin, për shëndetësinë dhe për cilësinë e jetës. Investimet në rrugë të shtrenjta me PPP pa rentabilitet ekonomik apo koncesionet për shërbime që shumë mirë i ofronte shteti me një kosto shumë më të ulët konsiderohen si frenues të rritjes ekonomike afatgjatë.

 Dr. Klodian Muço

[1] Profesor ekonomie i Universitetit “Aleksandër Moisiu” dhe “Zoja e Këshillit të Mirë”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.