OPINION

Fort pas solidaritetit njerëzor!

07:27 - 27.11.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Tërmeti i orës 4 të mëngjesit të ditës së djeshme, datë 25 nëntor ishte pa dyshim ndër më të fuqishmit e këtyre 60 viteve të fundit. Edhe pse lëkundjet e vitit 1979 në Shkodër kishin tregues më të lartë të forcës së një tërmeti (7.1 gradë Richter ose 9 ballë të shkallës Merkali, në krahasim me 6.4 shkallë Richter ose 8.2 ballë të shkallës Merkali të këtij të djeshmit), për fat të keq, në numër të viktimave të shkaktuara dhe të shkatërrimeve janë deri diku të përafërt. Solidariteti ynë u duk i fortë me qytetarë të Durrësit, Tiranës, Lezhës, që pa qenë familjarë me viktimat, u turrën për të ndihmuar dhe ende janë në zonat e veprimeve të shpëtimit. Brenda pak orëve të mëngjesit, ushtria ishte në gjendje të ngrinte tendat e para për t’u dhënë strehë me qindra e qindra të pastrehëve nga shembjet e pallateve në Thumanë e Durrës dhe nga shumë ndërtesa të tjera të kthyera në të pabanueshme në Durrës, Tiranë, Lezhë, Krujë e më tej. Sigurisht, në rast se do të duan të strehohen përkohësisht aty, dhe jo në familjarët e tyre në ndërtesa të tjera në Durrës, Tiranë apo qytete të tjera. Ndihma mjekësore u dha në kohë dhe shpëtoi jetë. Veprimet e shpëtimit provuan të mundurën, por masa e gërmadhave rezultoi fatale për të bllokuarit nën rrënoja. Është koha të ngrihemi fort dhe të japim kontribut. Jo të gjithë kudo ku jemi në Shqipërinë tonë dhe jashtë saj mund të heqim copa betoni dhe hekuri për të ndihmuar, por mund të dhurojmë. Mund të bëjmë shumë. Çdo gjë që mund të dhurojmë në rroba, ushqime e mjete të tjera ka rëndësi. Vlen.




Vëllezërit tanë në Kosovë sollën ekipe shpëtimi dhe ndihma materiale. Vendet e tjera të rajonit po sjellin ndihma. Ndihmat po vijnë edhe nga Italia. Është koha të tregojmë se dimë të jemi njerëzorë dhe solidarë. Por duhet të na mundësojë qeveria një rrugë. Ministria e Financave dhe Ekonomisë, si dhe Bashkitë e Durrësit dhe Tiranës duhet pa humbur kohë, në bashkëpunim me bankat tregtare të vendit, të vendosin në dispozicion të qytetarëve, numra llogarish bankare, ku qytetarët të mund të kontribuojnë. Do të donim të gjithë të jepnim një dorë dhe kjo duhet të na mundësohet. Me vendosjen pa ndalesë të numrave bankarë në ekranet e televizioneve tona kryesore, me apele të qarta për kontribut, të përgatitura po prej këtyre televizioneve. Numra të llogarive bankare pranë bankave në Greqi dhe Itali mund të vihen në dispozicion po ashtu, ndoshta me ndihmën e ambasadave tona atje dhe të Ministrisë sonë për Evropën. Mund të mbledhim qindra-mijëra, në mos miliona euro në këtë mënyrë. Këto fonde duhen pikërisht tani, më shumë se kurrë! Ia vlen për vlerat e solidaritetit njerëzor, pavarësisht fondeve që mund dhe do të ngrejë qeveria. Qeveria jonë qendrore duhet në bashkëpunim me Bashkitë e Durrësit dhe Tiranës, krahas veprimeve të shpëtimit dhe ndihmave, të përgatisë dhe ketë gati një plan për riaftësimin e pallateve dhe ndërtesave të dëmtuara, si dhe ndërtimin nga e para, me fonde të shtetit, të pallateve të kthyera në gërmadhë në Thumanë dhe Durrës. Reagimi i parë ishte dinjitoz, si nga strukturat e shtetit dhe nga solidariteti njerëzor. Por duhet të vazhdojë fort dhe madje të shtohet, me kalimin e kohës. Jo vetëm pse na sheh e gjithë Evropa dhe bota për mënyrën se si reagojmë pas kësaj fatkeqësie. Qytetarët vendit tonë të vuajtur e të varfër, që strehuan njëzet vite më parë (kriza e vitit 1999) 1 milion vëllezër kosovarë, me bujarinë, natyrshmërinë dhe lehtësinë sikur po strehonin një karvan pelegrinësh prej vetëm disa mijëra vetash, kanë mundësi t’i tregojnë politikës së tyre të prapë e të pacipë, Evropës dhe botës mbarë se dinë të japin e të falin, më pastër dhe më mirë se çdo filantrop (dhurues) i botës. Koha për solidaritetin e pashoq shqiptar.

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.