KULTURË

Një shënim i Petro Markos për një tërmet në fshat

11:00 - 30.11.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ndërsa media raporton abuzime me ndihmat për të prekurit nga tërmeti, Sait Sait sjell një shkrim të Petro Markos për një tërmet në fshatin e tij. Petro Marko te “Intervistë me vetveten: Retë dhe gurët”, fq. 90-91 tregon mbi natyrën njerëzore, edhe në raste fatkeqësie.
Teksti:
(…) Me këtë rast dua të bëj një parantezë për karakterin e fshatarëve të mi: para një viti kishte rënë tërmet. Shkaktoi dëme të mëdha, madje edhe të vdekur. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe shtetet fqinje dërguan ndihma të mëdha. Vodhi qeveria, vodhën autoritetet e fshatit, por mbeti edhe për fshatarët. U nda miell e sheqer, makarona e kuti mishi, voza me sardele, tesha, mbulesa dhe para. Neve, për një të çarë të murit, na dhanë dyzet napolona. Kështu që fshati i madh, pasi ra në bollëk, harroi të vdekurit dhe me atë bollëk kërciste vera e rakia, byrekët, shqerrat e kecërit e pjekur! Hanin, pinin e këndonin si në dasma. Mirëpo për pak muaj i mbaruan dhe nisën të qanin të vdekurit… Dhe ngjau shakaja më e madhe e atyre viteve: Prifti Parthemo, që ishte dhe shakaxhi, pasi bënte meshën një të diel në kishën e madhe të Shën Spiridonit, doli me kryqin e madh aty në mes të dyerve të ajodhimës dhe bërtiti:
– Gjunjëzohuni!
Të gjithë u llahtarisën dhe u gjunjëzuan.
– Tani, – thirri ai, – lutuni të na vijë tërmeti tjetër, se i mbaruam!
Po tërmeti tjetër nuk erdhi. Erdhi përsëri lufta për bukën e gojës.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.