Opinion-Komente

Fajtorët e drejtpërdrejtë që krijuan pasojat rrënimtare të këtij tërmeti

07:20 - 02.12.19 Ndricim Kulla

Në agimin e datës 26 nëntor 2019, në orë e mallkuar, në orën 3.54 minuta tri prefektura, Durrësi, Tirana, Lezha, që janë zemra e Shqipërisë  sonë, u goditën për vdekje nga një mallkim i vjetër i njerëzimit të përbotshëm. Një tërmet i shkallës 6.4 Rihter, por që zgjati plot tridhjetë sekonda, ka sjellë fatkeqësinë më të madhe njerëzore, materiale dhe psikologjike në historinë njëshekullore të dokumentuar të ngjarjeve të kësaj natyre në vend. Në mënyrë figurative, një infarkt kardiak i shkallës më të rrezikshme goditi brutalisht zemrën e shtetit tonë nga më të rinjtë në kontinent, pikërisht qendrat më të mëdha administrativo– territoriale të këtij shteti.



Fatkeqësisht, duke qenë një komb me një kujtesë shumë të shkurtër mendore, jemi mësuar që t’i harrojmë tërmetet e ndodhura në kohë të ndryshme në territorin tonë, por që janë konstatuar edhe në historinë tonë të re, ku më tragjik ka qenë ai i 15 prillit të vitit 1979 me 35 viktima dhe sikur ishin ambientuar me idenë e paprekshmërisë së natyrës sonë, që tërmetet kurrë nuk kishin për ta qëlluar gjeneratën tonë të sotme, e cila vetëm para pak ditësh kujtoi 30-vjetorin e Murit të Berlinit, që shënoi edhe fillimin e realizimit të ëndrrës shqiptare për liri dhe begati.

Qysh prej nisjes së pluralizmit partiak e startimit të ekonomisë së tregut, populli ynë ka përjetuar një zhvillim të panjohur si asnjëherë më parë në atë fushë ku ai kishte qenë nevojtari më i madh, në strehim. Me dhjetëra-mijëra shtëpi, pallate dhe vila banimi janë ndërtuar në këto dekada në të gjitha hapësirat e qyteteve dhe fshatrave tona. Por, pamja më e pabesueshme pushtoi shpejt metropolet e Shqipërisë, Tiranën, Durrësin, Shkodrën, Vlorën etj., që u “përmbytën” nga  një pamje e madhe godinash, të cilat mbuluan qoftë qendrat tyre, por sidomos periferitë e tyre, duke i kthyer ato në një fjetore gjigante, që e dhjetëfishuan popullsinë dhe i transformuan ato në krijesa të përçunduara.

Po të kemi parasysh përvojën më të mirë ndërkombëtare të tyre, tërmetet me po të njëjtin intensitet goditjesh në rajon, në realitet kanë rezultuar me pasoja shumë më të pakta se ky yni, sepse janë zbatuar me rreptësi rregullat më të mira të mbrojtjes sizmike. Pikërisht në këtë aspekt, natyra u hakmor më shumë  ndaj shqiptarëve  më 26 nëntor. Ajo e shkundi tokën dhe shoqërinë tonë nga ideja e mbarëvajtjes së përditshme për ta ulur dhe gjunjëzuar në baltën e pendimit për atë që ndodhi.

Janë mbi 1200 banesa, që për ekspertët do të ndërtohen nga e para, duke e çuar dëm mundin dhe pasurinë e brezave të tërë njerëzorë. Janë mbi dhjetëmijë apartamente të pabanueshme, që edhe ato duhet t’i nënshtrohen një rikonstruksioni, që do riparojë çdo shembje të mundshme. Janë shkatërrimet kolosale të rrënojave që kanë zaptuar mbarë perazhin e rrugëve dhe të rrugicave të dhjetëra zonave tona.

Analiza për këtë tërmet duhet të mbahet mend si një reflektim i gjithanshëm, që duhet të përfshijë aspektet më të gjëra të funksionimit të aparatit shtetëror. Ajo do të ngërthej për një kohë shumë të gjatë pjesën tonë më të mirë të shoqërisë, që befas zbuloi se jeta jonë qenka kaq e brishtë dhe e rrezikshme, sa duhet medituar seriozisht për gjithçka që ne gëzojmë në këtë botë. Ne punojmë, shijojmë, përfitojmë në kushtet e një moderniteti bashkëkohor, por që ende po aplikon standarde primitive në disa drejtime jetësore të rëndësishme, siç janë edhe ato për respektimin e rregullave të zhvillimit urban. Moderniteti ka arritur te ne pa u shoqëruar me veshjen e shtetit ligjor, që vendos sanksione të pakundërshtueshme penale për subjektet e tij. Ishte ky aspekt i qytetërimit perëndimor, që u la mënjanë, ose u nëpërkëmb me vetëdije për t’iu dorëzuar lakmisë së pasurimit të parakohshëm të fajtorëve, që sollën këto rrjedhoja kaq të rënda për shpirtrat dhe krijesa njerëzore. Prandaj ishte i pashmangshëm një ndëshkim i këtyre përmasave për ato hapa të nxituat, që ndërmorën në këta dhjetëvjeçarë për të përqafuar mirëqenien e pamerituar duke e udhëhequr nga lakmia.

Në këtë periudhë të mëvonshme që do të pasojë” stuhinë” është me siguri e padiskutueshme që do të shpërthejnë pyetje të tilla: Cilët ishin fajtorët e drejtpërdrejtë që kontribuuan me ndihmën e tyre në rëndimin katastrofal të pasojave rrënimtare të këtij tërmeti? Pa dyshim që fajtorët e parë të tij mbi të cilët bie ndëshkimi i opinionit publik janë drejtpërdrejt politikanët tanë lakmitarë, që e përqafuan politikën  në fillim duke e dëshiruar si profesion biznesi dhe i hapën rrugë një shthurjeje të tillë; organet e pushtetit lokal bashkë me pronarët, kolaudatorët dhe arkitektët që mbyllën sytë përballë aferave korruptive së bashku me një cikël kriminal. Janë këto hallka dhe autorët konkretë të industrisë së ndërtimit në vendin tonë, që mbajnë mbi kurriz peshën e rëndë të malit të mëkateve për këtë gjëmë të rëndë. Gjatë një epoke të stërzgjatur, këto mekanizma njerëzish pa mish e pa gjak nuk patën ndjeshmërinë më të vogël për vlerën supreme të njeriut: jetën. Banorët që na dhanë lamtumirën, të lënduarit dhe ata që po transferohen për strehim mund të ishin më të shpëtuar, më pak të prekur e pa nevojë për strehë, në qoftë se do ishte e pranishme fryma rigoroze e legjislacionit të adaptuar perëndimor.

Ky mort i dimensioneve kombëtare ka shpërthyer një “qelb” shumë të madh. Televizionet kombëtare së bashku me gazetat më të njohura shqiptare kanë denoncuar vetëm në 5 ditët që vijuan me dhjetëra skandale në fushën e ndërtimeve. Dje u njoftua se Prokuroria e Durrësit ka nisur një hetim për to. Nuk e di nëse është shou i radhës apo ka ndryshuar vërtet diçka në udhën e shpresës sonë?

Është e dhimbshme të shikosh si Shqipëria po lëngon nga veprimet e papërgjegjshme të disave të quajturve “Mafia e Ndërtimit” dhe ende nuk kemi kurajë të vëmë gishtin tregues mbi ta. Lipset që nga këto momente të hyjë në fuqi një ligj i jashtëzakonshëm për të kryer operacionin  më shpëtimtarë të heqjes së një gangrene, që si një shushunjë i ka pirë gjakun hallit më jetik  të ekzistencës, strehimit.

Në këtë sipërmarrje të pastrimit të ndërgjegjes sonë të drobitur mbështes shpresën se do fitojë drejtësia dhe arsyeja e progresit.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *