Intervista

Intervista e Ditës/ Bota nuk pret Evropën

08:00 - 02.12.19 Gazeta Shqiptare

Ursula von der Leyen-  Intervistë ekskluzive e “Deutsche Welle”-s me kryetaren e re të Komisionit, ish-ministren gjermane, Ursula von der Leyen, mbi rolin e BE-së në botë dhe marrëdhëniet mes vendeve anëtare.



‘Deutsche Welle’: Si duhet ta shikojë bota Evropën që dëshironi të bëni ju me Komisionin e ri?

Ursula von der Leyen: Unë mendoj se është koha që Evropa të bëjë më shumë përpjekje për të qenë më efektive dhe e besueshme. Kemi shumë për t’i dhënë botës. Po të shohim “marrëveshjen” e gjelbër për Evropën ose digjitalizimin, del në pah se sa i nevojshëm është zëri i Evropës. Është koha për t’u pozicionuar në një mënyrë të re.

Le të marrim një shembull konkret: SHBA-të janë konkurrente apo partnere këto ditë?

Miqtë tanë në SHBA janë partnerë. Ne kemi një bazament të fortë për dekada. Të gjithë ata njerëz që janë miqësuar ose kanë kontakte biznesi me miqtë nga SHBA-të përbëjnë thelbin e miqësisë transatlantike. Sigurisht që ka konflikte, por si partnerë të mirë, ne duhet t’i zgjidhim këto konflikte.

Po Kina?

Kina është në një kapitull tjetër. Kina po lëviz më shumë në një drejtim të caktuar, për të cilin na duhet të kuptojmë se si t’i trajtojmë çështjet e vështira. Për shembull, vlerësimi shoqëror i popullsisë lë shumë pikëpyetje. Mënyra se si është strukturuar “Nisma për Rrugën e Mëndafshit” ngre shumë pyetje. Këto janë tema që duhet t’i diskutojmë, çka do ta bëjmë.

Duket se ju keni synime shumë ambicioze me “Marrëveshjen e gjelbër”. Deri në vitin 2050 Evropa duhet të bëjë një jetë pa dëme mbi klimën. E keni vënë stekën enkas kaq lartë, që së paku të arrini pak më poshtë saj?

Unë mendoj se duhet të jesh ambicioz. Pesë vjet janë një kohë e gjatë dhe ndryshimet klimatike nuk mund të presin. Ato nuk presin derisa të ndryshojë politika. Ose ne bëjmë tani disa përparime, ose ne dhe planeti ynë do t’i kemi punët keq. E njëjta vlen edhe për digjitalizimin. Bota nuk do të presë Evropën, prandaj bëjmë mirë që të shkojmë më përpara. Vendosja e qëllimeve ambicioze është e mirë, sepse përvoja ime shumëvjeçare në politikë më thotë që sa më ambicioze të jenë qëllimet, aq më shumë lufton për t’i arritur ato.

Pyetja e vërtetë atëherë është se si do ta realizoni këtë qëllim? Evropa është e përçarë, Parlamenti Evropian është i përçarë. Edhe Franca e Gjermania në të vërtetë nuk po shkojnë mirë. Si do të veproni ju?

Ishte shumë e rëndësishme që u arrit një shumicë në parlament dhe kjo ishte një shumicë vërtetë e gjerë, thuajse dy të tretat. Kjo tregon se ky Parlament ka një shumicë konstruktive, kur ofrohet një program pozitiv. Ne këtu duam vërtet t’i çojmë gjërat përpara. Ky është një fillim i mbarë.

Po krerët e vendeve anëtare? Franca dhe Gjermania nuk shkojnë shumë mirë me njëra-tjetrën. Si do të arrini t’i merrni të gjithë me vete në “anijen” tuaj?

Unë e shoh ndryshe. Për shembull, mua më miratuan njëzëri të gjithë krerët e shteteve dhe qeveritë. Unë mendoj se është normale të kemi pikëpamje të ndryshme për disa çështje. Kjo është demokracia. Duhet të diskutojmë dhe në fund të gjejmë një zgjidhje dhe të bëjmë përpara. Po ta shohim Evropën në vija të trasha, ka shumë gjëra që na bëjnë krenarë. Sigurisht që ka sfida. Po ta kemi gjithmonë në mendje se Evropa është një model i suksesshëm me gjithë diversitetin që ka përbrenda, atëherë duhet të vazhdojmë.

* Ursula von der Leyen (61) do të jetë prej 1 dhjetorit 2019 presidente e Komisionit të BE-së. Ish-ministrja federale e Gjermanisë është kështu gruaja e parë në krye të Komisionit. Politikania kristiandemokrate u emërua njëzëri për këtë post në korrik të këtij viti nga krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të BE-së.

 

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *