SHËNDET

Lorela Garuli: Si të ndihmojmë fëmijët psikologjikisht dhe emocionalisht pas tërmetit

11:00 - 02.12.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Tërmetet janë ngjarje tragjike dhe trauma
tike, forca shkatërruese e të cilave mund të shkaktojë humbje të shtëpive, të familjarëve; fëmijë që mund të mbeten jetimë, ta pastrehë, të braktisur, të aksidentuar, të gjymtuar, të dëmtuar, të traumatizuar.
Duket e pashpresë të ndihmohen ata që janë më vulnerabël, pra fëmijët, të kalojnë këto humbje të mëdha. Megjithatë, me suportin e duhur nga të rriturit, procesi i shërimit prej kësaj katastrofe natyrore ka zgjidhje.




Për të mundësuar ardhjen në ndihmë, të rriturit fillimisht duhet të jenë në dijeni të reagimeve tipike dhe normale të grupmoshave të ndryshme pas një tërmeti.

PARASHKOLLORËT
Të qara të pakontrolluara.
Frikë e madhe e të mbeturit vetëm.
Shfaqje e frikërave të reja.
Ndjeshmëri e lartë ndaj zhurmave, zërave të lartë, rrëmujës.
Sjellje regresive (të një moshe më të hershme).
Shpërthime emocionale.
Irritim, nervozitet.
Probleme me gjumin dhe me të ngrënit.

FËMIJËT
7-12 VJEÇ
Trishtim i tejzgjatur.
Probleme me gjumin dhe me të ngrënit.
Sjellje agresive dhe kundërshtuese.
Rebelim.
Makthe nate.
Tërheqje nga bashkëmoshatarët.
Refuzim i aktiviteteve të zakonshme.
Shmangie e bisedave me karakter emocional (mungesë e të shprehurit të emocioneve e ndjenjave).
Humbje interesi, shpërqendrim, demotivim.

ADOLESHENTËT
Ndjenja pashpresshmërie dhe pesimizëm ekstrem.
Shfaqje e frikërave të reja.
Ankesa për dhimbje të ndryshme fizike.
Irritim dhe nervozizëm.
Tërheqje dhe izolim.
Probleme me gjumin dhe me të ngrënit.
Ndërmarrja e sjelljeve të rrezikshme.

PËRJETIMI I TRAUMËS
Është e natyrshme që pas një katastrofe të tillë natyrore që preku vendin tonë, fëmijët që kanë pësuar dëme, do të vuajnë humbjet njerëzore ose materiale.
Koha e kalimit të kësaj dhimbjeje është në varësi të sesa e fortë ka qenë humbja. Përgjithësisht, fëmijëve u duhen disa javë për t’u rikuperuar plotësisht nga trauma, me përjashtim të rasteve kur ka humbur jetën njëri prej të afërmve, apo kur fëmija “ka ngecur” psikologjikisht në njërën prej fazave.

SI TË NDIHMOJMË?
Krijojuni fëmijëve një ndjenjë sigurie dhe mbrojtje.
Sigurojini që do të jeni aty me të.
Lejojini të bëjë pyetje dhe përgjigjuni me sinqeritet (pasi të jenë ezauruar pyetjet e fëmijëve, flisni dhe bëni gjëra të tjera).
Respektoni ndjenjat e tyre.
Nëse shfaqin sjellje regresive, lejojini dhe tolerojini (nëse duan të flenë me ju, nëse kanë frikëra të tjera.
Kufizoni ekspozimin e fëmijëve ndaj mediave.
Mos lejoni të rishikojnë pafund imazhe nga tërmeti (fëmijët mund të mendojnë që po ndodh prapë).
Ripërkufizoni dhe rishpjegoni atë që fëmija di për tërmetin (fëmijët marrin informacione dhe nga burime të tjera, që mund t’ju shkaktojnë ankth dhe keqkuptime).
Shpjegoni me fjalë të thjeshta e të kuptueshme si funksionon fenomeni i tërmetit (sa më pak të dinë, aq më shumë frikë kanë).
Nxitini të shprehen përmes artit dhe lojës; shumë fëmijë nuk flasin për emocionet e veta në këto situata, por mund të shkruajnë, vizatojnë apo të shprehen përmes lojës (një teknike shumë e mirë është që t’i kërkohet fëmijës të vizatojë apo përfytyrojë një vend të sigurt e të rehatshëm për të).

KUR TË KONTAKTONI
ME NJË PROFESIONIST
TË SHËNDETIT
MENDOR
Reagimet pas tërmetit sipas moshave janë të pranueshme disa javë, deri kur fëmija qetësohet dhe vazhdon rutinën normalisht. Në rastet kur fëmija vazhdon ta përjetojë dhimbjen, stresin, ngjarjet, imazhet apo kur përgjigjja e tij emocionale ndaj situatës zgjat me shqetësime më shumë se 6 javë, atëherë është nevoja të kontaktoni me një profesionist të shëndetit mendor për fëmijë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.