OPINION

Letra e ditës/ Mungesa e “Urdhrit të inxhinierit e arkitektit”, problem kardinal

18:00 - 04.12.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gaqo Apostoli  – Zoti kryeredaktor, Ndoqa me shume kujdes takimin e kryeministrit me disa personalitete inxhinierike në fushën e ndërtimit dhe pronarë të rëndësishëm në këtë fushë dhe më bëri përshtypje kërkesa sensibilizuese e njërit prej tyre, ark. Armando Vokshi, kryetar i Shoqatës së Arkitekteve/Urbanisteve të Shqipërisë, i cili bëri një ekspoze modeste mbi Urdhrin Profesional të Arkitektëve dhe Inxhinierëve, duke kërkuar njëkohësisht nga kryeministri mbështetje për ta finalizuar këtë proces të stërzgjatur deri në pambarim.




Përgjigjja e kryeministrit ishte e barasvlefshme me asgjë, duke e anashkaluar problemin nëpër labirintet e çështjeve të ditës, që sigurisht janë jetike për shqiptarët dhe duke iu fshehur këtij problemi kardinal në ndërtimin e një institucioni të rëndësishëm teknik dhe shkencor, që ka një rëndësi të veçantë në mbrojtjen e interesit publik, të sigurisë publike dhe të shëndetit të njerëzve, si dhe për të cilët kërkohet një rregullim i veçantë, duke respektuar njëkohësisht edhe parimin e pavarësisë dhe autonomisë profesionale. Zvarritja e qëllimshme e këtij procesi me vite të tëra, duket qartë edhe në këto dokumente që tregojnë për përpjekjet e bëra për krijimin e Urdhrit Profesional të Inxhinierit dhe Arkitektit (UPIA), ku përmes një letre drejtuar në muajin shtator të vitit 2016 znj. ministre Eglantina Gjermeni, i dërguam bashkëngjitur edhe projektligjin mbi “Krijimi i Urdhrit Profesional të Inxhinierit dhe Arkitektit”, si edhe relacionin shpjegues të tij, së bashku me organigramën përkatëse. Gjithçka ra në vesh të shurdhër, ndonëse krijimi i këtij urdhri ishte detyrë e drejtpërdrejtë e saj, e dhënë nga kryeministri, por që me kalimin e kohës u zbeh dhe u fol se kjo kishte lidhje me zhvillimet në sheshin “Taksim” të Stambollit, ku Presidenti Erdogan duke dashur të bënte ndërtime të mëdha në këtë shesh, iu kundërvu protestuesve, ku në një masë të rëndësishme ishin edhe inxhinierët dhe arkitektët… U fol edhe për ndërhyrje të tjera nga sistemi i arsimit privat, që synonte të shmangte procesin e rritjes dhe kontrollit të formimit dhe të kualifikimit të inxhinierëve dhe arkitektëve, si profesione të rregulluara, nëpërmjet filtrit të provimit të shtetit për aftësim profesional, si edhe nëpërmjet Urdhrit Profesional përkatës, do të hapë rrugën e njohjes së kualifikimeve profesionale, duke përmbushur plotësisht kërkesat e direktivës 2005/36/CE etj.

LETRA DREJTUAR QEVERISË “RAMA” PËR “URDHRIN E INXHINIERIT”

RELACION SHPJEGUES
PËR KRIJIMIN E URDHRIT PROFESIONAL TË INXHINIERIT DHE ARKITEKTIT

1. Projektligji “Për krijimin e Urdhrit Profesional të Inxhinierit dhe Arkitektit” (UPIA), vjen si një domosdoshmëri në realitetin shqiptar dhe është i pari akt ligjor, që synon rregullimin dhe përcaktimin e dispozitave të qarta ligjore për organizimin dhe funksionimin e Urdhrit Profesional të Inxhinierit dhe Arkitektit në Republikën e Shqipërisë. Në përputhje me ligjin nr. 10171, datë 22.102009 “ Për Profesionet e Rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
2. Projektligji ka si objekt të veprimtarisë së tij përcaktimin e parimeve themelore për organizimin dhe funksionimin e UPIA-s në përputhje me standardet evropiane, që lidhen me funksionimin e një mekanizmi efikas për vlerësimin dhe certifikimin e aftësive profesionale të inxhinierëve dhe arkitektëve të diplomuar dhe në veçanti, me direktivën për profesionet e rregulluara 2005/36/EC. Për arritjen e këtij objektivi, projektligji parashikon kryerjen e detyrueshme të provimit të shtetit për formim profesional dhe të praktikës profesionale.
3. Qëllimi i projektligjit është përcaktimi i disa kritereve themelore, për ushtrimin e profesioneve të inxhinierit dhe arkitektit, që kanë një rëndësi të veçantë në mbrojtjen e interesit publik, të sigurisë publike dhe të shëndetit të njerëzve, si dhe për të cilët kërkohet një rregullim i veçantë, duke respektuar parimin e pavarësisë dhe autonominë profesionale. Përcaktimi i rregullave për organizimin dhe funksionimin e inxhinierëve dhe arkitektëve, vendosja dhe zbatimi i standardeve teknike të formimit dhe ushtrimit të profesionit përbëjnë bazën e kritereve themelore në ushtrimin e profesioneve të tyre.

4. Një nga objektivat kryesore të projektligjit është hapja e rrugës për njohjen profesionale, në përputhje me kërkesat e BE-së. Ngritja e nivelit të formimit dhe të kualifikimit të inxhinierëve dhe arkitektëve, si profesione të rregulluara, nëpërmjet filtrit të provimit të shtetit për aftësim profesional, si dhe nëpërmjet Urdhrit Profesional përkatës, do të hapë rrugën e njohjes së kualifikimeve profesionale, duke përmbushur plotësisht kërkesat e direktivës 2005/36/CE, sipas termave të së cilës, njohja e kualifikimeve profesionale midis shteteve anëtare të BE-së, bëhet në përputhje me nenin 3 të Traktatit të BE-së, me qëllim heqjen e pengesave midis shteteve për të lejuar lëvizjen e lirë të profesionistëve dhe shërbimeve brenda hapësirës europiane. Objektivi përfundimtar është ushtrimi i një profesioni të lirë në një shtet anëtar të BE-së, të ndryshëm nga ai në të cilin profesionisti është formuar dhe ka fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit.

5. Njohja profesionale, edhe në kuptimin e direktivës 2005/36/CE, mund të bëhet vetëm ndërmjet shteteve që kanë një nivel formimi profesional të përafërt dhe që respektojnë kërkesat minimale për ushtrimin e disa profesioneve, mbi bazën e ligjit “Për njohjen e Kualifikimeve Profesionale”, i cili është një hap i dytë i mëtejshëm. Në këtë kuptim, edhe njohja profesionale për inxhinierët dhe arkitektët, kërkon krijimin e Urdhrit Profesional të Inxhinierit dhe Arkitektit (UPIA), pjesëmarrjen e tyre në këtë ent publik, si dhe zbatimin e Statutit dhe Kodit të Etikës e Deontologjisë Profesionale, si dhe të një tërësie rregullash e standardesh teknike, organizative, administrative dhe ligjore.

6. Fillesat e hartimit të një projektligji “Për krijimin e Urdhrit Profesional të Inxhinierit dhe Arkitektit” (UPIA) janë që në nëntor të vitit 2008 në konferencat shkencore të disa shoqatave dhe fakulteteve inxhinierike dhe më pas, në përpilimin e drafteve të para në ministritë përkatëse të kohës, duke u përafruar në variante të ndryshme dhe duke iu nënshtruar edhe proceseve studimore të tipit analizë sintezë, por të pafinalizuara deri më sot. Projektligji që paraqitet sot është rrjedhojë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet disa shoqatave inxhinierike dhe i një debati të shtrirë në kohë mes tyre. Ai bazohet në konsultimin me legjislacionin e vendeve të tjera të Bashkimit Europian, duke filluar nga normativa i Dhomës Europiane të Inxhinierëve (ECEC), Dhoma Federale e Inxhinierëve Gjermanë, Dhoma Teknike e Greqisë, Urdhri i Inxhinierëve dhe i Arkitektëve të Italisë, Bashkimi i Dhomave të Inxhinierëve dhe Arkitektëve të Turqisë,

7. Projektligji i shtrin efektet e tij mbi të gjithë inxhinierët dhe arkitektët, shtetas shqiptarë dhe të huaj, që duan të ushtrojnë profesionin e tyre, si person fizik dhe juridik, duke u punësuar apo vetëpunësuar, mbi bazën e një diplome përkatëse në nivel të caktuar.
8. Projektligji përjashton nga detyrimi për të kryer provimin e shtetit të gjithë ata profesionistë, shqiptarë apo të huaj, të cilët kanë fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit të inxhinierit dhe arkitektit, para hyrjes në fuqi të këtij ligji, brenda ose jashtë vendit, apo e fitojnë këtë të drejtë, jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë, pas hyrjes në fuqi të ligjit, në përputhje me përcaktimet e bëra nga Këshilli i Ministrave. Kjo dispozitë është parashikuar në projektligj për të tërhequr profesionistët, shqiptarë apo të huaj, të formuar jashtë kufijve të Shqipërisë, veçanërisht në vendet të cilat konsiderohen si ofruese të një niveli të lartë të formimit profesional, siç janë vendet e BE-së etj., me qëllim ngritjen e nivelit të shërbimeve të ofruara dhe krijimin e një tregu pune të hapur dhe konkurrues.
9. Projektligji përjashton nga detyrimi për të kryer praktikën profesionale inxhinierin/arkitektin, i cili provon se për një periudhë të caktuar, ka qenë i angazhuar në një veprimtari profesionale në të cilën ka fituar një përvojë të mjaftueshme. Autoriteti kompetent vendos në bashkëpunim me UPIA-n, nëse përvoja profesionale e kandidatit është e mjaftueshme për ta përjashtuar nga detyrimi për të kryer praktikën profesionale.
10. Projektligji parashikon gjithashtu një pagesë ose shpërblim vlerësues për praktikantin, në përputhje me kohëzgjatjen e praktikës, në mënyrë që praktikanti të vendoset para përgjegjësive të tij, por edhe për të krijuar një frymë bashkëpunimi konkret midis tij dhe profesionistit, i cili do ta mbikëqyrë.

11. Projektligji është i organizuar në pesë Krerë, si: Kreu I: Dispozita të Përgjithshme (neni 1-6); Kreu II: Funksionimi i UPIA-s (neni 7- 10); Kreu III: Organizimi i UPIA-s (neni 11-22); Kreu IV: Kodi i Etikës dhe Deontologjisë Profesionale dhe Masat Disiplinore ( neni 23-27); Kreu V: Dispozita Kalimtare dhe të Fundit (neni 28-32).
12. Projektligji prezantohet si një ndërthurje e të drejtave dhe detyrimeve që kanë inxhinierët dhe arkitektët, të cilët kërkojnë të ushtrojnë profesionin e tyre.

13. Ky projektligj përcakton se Urdhri Profesional i Inxhinierit dhe Arkitektit – UPIA, është një ent publik kombëtar, i pavarur, jobuxhetor dhe me karakter jofitimprurës, i cili përfaqëson interesat e përbashkëta të inxhinierëve dhe arkitektëve dhe rregullon marrëdhëniet ndërmjet tyre, në funksion të publikut. UPIA ka mision ruajtjen e standardeve të larta në formimin, sjelljen profesionale dhe ushtrimin e profesionit të Inxhinierit dhe Arkitektit, duke garantuar mbrojtjen e interesave të publikut nga kequshtrimi i profesionit dhe cenimet e etikës profesionale.

14. Projektligji përcakton edhe rolin e Autoritetit Kompetent (AK), i cili përfaqësohet në organet e UPIA-s, bashkëpunon me të përmes informacioneve të ndërsjella miraton akte nënligjore të saj, si dhe miraton tarifën e regjistrimit në UPIA, tarifën e lejes së ushtrimit të profesionit dhe kontributin vjetor të anëtarëve, mbi bazën e propozimeve që UPIA propozon, duke u kufizuar vetëm në verifikimin e përputhshmërisë me dispozitat e këtij ligji të ligjit “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë” dhe të ligjeve të tjera të fushës përkatëse.

15. Në funksion të qëllimit dhe misionit të tij, UPIA ushtron sipas projektligjit këto kompetenca kryesore: a) jep, pezullon dhe heq licencën individuale të ushtrimit të profesionit; b) vendos standarde etike dhe deontologjike, të detyrueshme për çdo inxhinier dhe arkitekt dhe monitoron zbatimin e tyre; c) rivlerëson kompetencën dhe performancën profesionale të anëtarit të UPIA-s përballë standardeve të vendosura; ç) nxit arritjen e standardeve të larta në edukimin dhe formimin profesional dhe etik të anëtarëve të UPIA-s, duke bashkëpunuar me institucione shkencore dhe arsimore; dh) mban, menaxhon dhe përditëson Regjistrin Themeltar të UPIA-s: e) mbron të drejtat e anëtarëve të UPIA-s, integritetin moral e profesional të tyre dhe të inxhinierit dhe arkitektit.

16. Projektligji i jep UPIA-s statusin e një organi këshillimor zyrtar të ministrisë në fushën përkatëse/MZHU-së, si dhe të drejtën e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare të profesioneve që ajo përfshin.

17. Projektligji përcakton kriteret bazë të anëtarësisë në UPIA, ku: i) asnjë individ nuk mund të ushtrojë profesionin e inxhinierit dhe arkitektit në Republikën e Shqipërisë, pa qenë anëtar i UPIA-s dhe pa qenë i pajisur me licencën për ushtrimin individual të profesionit, të lëshuar nga ky organizëm; ii) të gjithë individët që ushtrojnë profesionin e inxhinierit dhe arkitektit në Republikën e Shqipërisë të jenë shtetas shqiptarë; iii) të kenë diplomën e inxhinierit dhe arkitektit, të lëshuar nga institucioni i arsimit të lartë brenda apo jashtë shtetit, të njohura nga ministria përgjegjëse për arsimin; iv) të mos jenë të dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje, në momentin e kërkesës për anëtarësim; v) të njohin dhe të zotohen se do të zbatojnë kërkesat e legjislacionit në fuqi, Statutit të UPIA-s dhe Kodin e Etikës dhe Deontologjisë të hartuar nga UPIA.

18. Çdo shtetas i huaj, inxhinier dhe arkitekt, që të ushtrojë profesionin si rezident në Shqipëri, apo i atashuar në një studio ku vjen periodikisht, duhet të ketë: a) lejen e qëndrimit dhe të punës në Republikën e Shqipërisë; b) certifikatën e mirësjelljes (Good Standing Certificate) nga Urdhri/Dhoma apo shoqata e inxhinierëve dhe/ose arkitektëve të vendit të vet, ku vërtetohet se është i regjistruar, ushtron profesionin dhe se nuk ka marrë masa ndëshkimore; c) njësimin (konvalidimin) e diplomës dhe certifikatave të specializimeve të kryera; d) dëshmi të njohjes së gjuhës shqipe, të vërtetuar nga një autoritet i licencuar nga shteti. Projektligji përcakton gjithashtu se çdo inxhinier dhe arkitekt jorezident detyrimisht punojnë me përkthyes.

19. Në përmbushjen e detyrave të përcaktuara nga ky ligj, si edhe nga ligji “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, UPIA vetërregullohet me anë të Statutit të tij, Kodit të Etikës dhe Deontologjisë, si dhe akteve nënligjore të tjera, të hartuara dhe miratuara pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.

20. Në Statutin e UPIA-s, si pjesë e qenësishme e vetërregullimit të tij, përcaktohen: i) struktura organizative, administrative dhe financiare e UPIA-s; ii) mekanizmat zgjedhorë, që garantojnë të drejtën e votës së lirë të të gjithë anëtarëve, përmes një procesi votimi të fshehtë me procedura të qarta, të detajuara e transparente; iii) modalitetet e kriteret për zgjedhjen e organeve qendrore dhe rajonale të UPIA-s dhe drejtuesve të tyre, si dhe identifikohen rastet e papajtueshmërisë për t’u zgjedhur, konfliktit të interesit dhe rastet e lirimit apo shkarkimit të tyre nga detyra; iv) përgatitjen e listës së pjesëmarrësve në provimin e shtetit dhe të regjistrimit në UPIA; v) rregullat e zhvillimit dhe vlerësimit të praktikës profesionale; vi) rregullat dhe kriteret për propozimin e personaliteteve shkencore që do të përfaqësojnë UPIA-n në komisionet e provimit të shtetit; vii) rregullat dhe kriteret e përzgjedhjes së profesionistëve që do të drejtojnë praktikën profesionale; viii) përmbajtjen e certifikatës së anëtarësimit, të licencimit e të certifikatave të tjera; ix) tarifën e regjistrimit të lejes për ushtrimin e profesionit dhe kontributin vjetor të anëtarëve; x) organizimin e regjistrave të anëtarësisë dhe përditësimin e tyre; xi) modalitetet e llogaridhënies publike për realizimin e treguesve të veprimtarisë së UPIA-s, lidhur me shkallën e përmbushjes së rolit, misionit dhe detyrave të tij kundrejt konsumatorëve dhe publikut; xii) ushtrimin e së drejtës për organizim, koordinim dhe mbikëqyrje, nga ana e organeve qendrore të UPIA-s ndaj funksioneve të organeve rajonale, si dhe miratimin e akteve zëvendësuese, në rastin e vonesave të këtyre organeve, kur preket një interes i rëndësishëm publik; xiii) kushtet e kontratës së sigurimit të profesionistëve, për mbulimin e dëmeve të shkaktuara ndaj klientit në ushtrimin e veprimtarisë profesionale.

21. Projektligji përcakton mënyrën e vetadministrimit të buxhetit të UPIA-s dhe burimet financiare të saj, që konsistojnë në: a) tarifa e regjistrimit të anëtarëve të tij; b) kontributi vjetor i anëtarëve; c) tarifa e lejes së ushtrimit të profesionit; ç) pagesat për studimet, projektet, buletinet, informacionet e porositura nga institucionet shtetërore, institucionet dhe autoritetet e tjera publike si dhe nga organizata të ndryshme; d) të ardhura nga shitja e botimeve periodike dhe botimeve të tjera të përgatitura dhe të financuara nga vetë UPIA; e) donacione të ndryshme dhe të ardhura të tjera të ligjshme.

22. Në projektligj shprehet qartë se tarifat e përcaktuara caktohen në bazë të parimit të mbulimit të kostove të shërbimeve të ofruara nga UPIA. Gjithashtu, përcaktohet se të ardhurat që realizon UPIA gjatë ushtrimit të veprimtarisë, i përdor për të përmbushur misionin e saj.

23. Krijimi, organizimi, përbërja, kompetencat dhe funksionimi i organeve qendrore dhe rajonale të UPIA-s, përbën një pjesë të rëndësishme të këtij projektligji. Kështu, organet qendrore të UPIA-s janë: i) Asambleja e Përgjithshme (AP); ii) Këshilli Kombëtar (KK) i UPIA-s, që është edhe organi kombëtar ekzekutues i tij; Presidenti i UPIA-s. Për këto organe përcaktohen modalitetet e zgjedhjes së tyre, si edhe kompetencat e tyre përkatëse. Organet rajonale të UPIA-s, që ndërtohen mbi bazën e organizimit dhe ndarjes territoriale të Republikës së Shqipërisë, në ngjashmëri me organet qendrore janë: i) Asambleja Rajonale (AR); Këshilli Rajonal (KR) i UPIA-s; kryetari rajonal i UPIA-s. Numri i organeve rajonale përcaktohet sipas statutit përmes kritereve optimale që garantojnë funksionimin e rregullt të tyre, si dhe duke realizuar, sipas rastit, edhe bashkimin në një rajon të vetëm të anëtarëve të dy apo më shumë qarqeve në varësi të numrit të anëtarëve, pozicionit gjeografik të qarqeve përkatëse etj., duke garantuar pjesëmarrjen funksionale të tërësisë së anëtarësisë së UPIA-as në rajonin që krijohet.

24. Përgjegjës për të gjithë veprimtarinë financiare të UPIA-s është kryetari i degës ekonomiko-financiare, i atashuar pranë Këshillit Kombëtar dhe i miratuar nga Asambleja e Përgjithshme. Auditimi i financave të UPIA-s bëhet nëpërmjet ekspertëve kontabël të regjistruar, të cilët duhet të kontrollojnë në mënyrë të pavarur financat vjetore të UPIA-s. Raportimi i tyre duhet të paraqitet për miratim në Asamblenë e Përgjithshme.

25. Pranë Këshillit Kombëtar dhe këshillave rajonalë të UPIA-s funksionojnë komisionet disiplinore, ku për shkallën e parë të gjykimit disiplinor profesional është Komisioni Disiplinor Rajonal (KDR) dhe për shkallën e dytë të gjykimit disiplinor profesional është Komisioni Disiplinor Kombëtar.

26. UPIA ngre pranë Këshillit Kombëtar dhe këshillave rajonalë komisione të përhershme, të përkohshme dhe të jashtëzakonshme, të cilat ngrihen mbi bazë specialiteti, sektori, fushe, për çështje të veçanta dhe emergjenca. Modalitetet për organizimin dhe funksionimin e tyre përcaktohen në Statut. Organet qendrore të UPIA-s e kanë selinë e veprimtarisë së tyre në Tiranë, ndërsa organet rajonale, që krijohen sipas ndarjes administrative-territoriale në bazë qarku, e kanë selinë në qytetin qendër të qarkut më të madh.

27. Në ushtrimin e veprimtarisë së saj, UPIA bazohet në Kodin e Etikës dhe Deontologjisë Profesionale, i cili udhëhiqet nga parimi i mbrojtjes së interesave publike nga ushtrimi jokorrekt i profesionit, i mbrojtjes së besimit dhe zgjedhjes së lirë të klientit, i sigurimit të cilësisë së shërbimeve profesionale dhe informimit për këto shërbime. Kriteret dhe procedurat e hartimit të Kodit përcaktohen në këtë ligj dhe në Statutin e hartuar nga UPIA mbi bazë të këtij ligji.

28. Ky projektligj përcakton që inxhinierët dhe arkitektët e regjistruar në UPIA dhe që ushtrojnë veprimtari të mirëfillta profesionale, janë të detyruar të nënshkruajnë një kontratë sigurimi të Përgjegjësisë Profesionale, të vlefshme për mbulimin e dëmeve që mund t’i shkaktohen klientit.

29. Në projektligj përfshihen në mënyrë të detajuar procedurat për dhënien e masave të ndryshme disiplinore në shkallë të parë nga komisionet disiplinore rajonale, procedurat dhe afatet kohore të ankimimit, të shqyrtimit e të shpalljes së vendimit në shkallë të dytë nga komisioni disiplinor kombëtar, si dhe procedurat dhe afatet kohore të paraqitjes së ankimimit në gjykatën e shkallës së parë, pas komunikimit të vendimit, sipas legjislacionit përkatës.

30. Përbërja e komisioneve disiplinore të UPIA-s, procedurat e gjykimit disiplinor dhe modalitetet e tjera parashikohen në Rregulloren për Gjykimin Disiplinor Profesional, e cila hartohet nga Këshilli Kombëtar dhe miratohet nga Asambleja e Përgjithshme e UPIA-s konform këtij ligji, si dhe mbi bazë të Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Profesionale dhe dispozitave të tjera ligjore mbi procedurat e gjykimit.

31. Në dispozitat kalimtare dhe të fundit, projektligji përcakton ngritjen e Urdhrit Profesional të Inxhinierëve dhe Arkitektëve brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, periudhë kohe, gjatë së cilës përpilohen, miratohen dhe hyjnë në fuqi Statuti i UPIA-s, Kodi i Etikës dhe Deontologjisë Profesionale, Rregullorja për Gjykimin Disiplinor Profesional, rregullorja për regjistrimin, anëtarësimin dhe licencimin në UPIA, rregullorja për organizimin e praktikës profesionale dhe rregullore të tjera. Në këto dispozita ngarkohet gjithashtu Këshillit i Ministrave që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore përkatëse.

32. Zgjedhjet e para të organeve drejtuese të UPIA-s, organizohen brenda 6 muajve nga një komision teknik të përkohshëm i krijuar nga Autoriteti Kompetent, me një përfaqësues: i) të çdo shoqate ekzistuese të inxhinierëve dhe arkitektëve; ii) të institucioneve të larta arsimore përkatëse; iii) të AK dhe çdo ministrie tjetër të fushës në të cilën operon UPIA. Me zgjedhjen e Presidentit dhe Këshillit Kombëtar të UPIA-s, komisioni i përkohshëm shkrihet.

33. Komisioni teknik i përkohshëm drejtohet nga Zyra e Koordinatorit Kombëtar të UPIA-s, funksionimi, përbërja, kohëzgjatja dhe modalitetet e tjera të së cilës përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Zyra e Koordinatorit Kombëtar të UPIA-s, e cila ushtron veprimtarinë e saj pranë MZHU-së, koordinon veprimtarinë e profesionistëve dhe shoqatave apo organizatave të tyre respektive, si edhe të përfaqësuesve të AK-së e të institucioneve të tjera, të cilat përfshihen në organizimin dhe funksionimin e UPIA-s. UPIA financohet nga Buxheti i Shtetit për periudhën njëvjeçare të fillimit të ngritjes së tij dhe procedura dhe mënyra e këtij financimi përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Ministër
Eglantina Gjermeni

Përgatitën:
Gaqo Apostoli – Ekspert
Oliana Gjergjefi – Juriste


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.