Show-Bizz

Solidarizohen të gjithë! VIP-at e njohur ndërkombëtarë vijnë në Shqipëri për tërmetin

11:00 - 04.12.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pamela Aliaj – Pas tërmetit të fortë të 26 nëntorit mjaft personazhe të njohur u angazhuan për të ndihmuar personat që u prekën më shumë prej tij. Edhe këngëtaret shqiptare me famë botërore reaguan ndaj këtij lajmi dhe jo vetëm. Rita Ora, Bebe Rexha e disa të tjerë pas tyre vendosën të shihnin nga afër tragjedinë e të kontribuonin në rindërtimin e shtëpisë të të pastrehëve. Kush personalisht me ndihma e fonde e kush duke hapur llogari online për të prekurit nga tërmeti, të gjithë u solidarizuan për një kauzë të vetme: të jenë sa më pranë atyre që kanë nevojë pas kësaj tronditjeje!




 Bebe Rexha

Bebe Rexha, artistja e njohur ndërkombëtarisht, arriti dje në Shqipëri me një mision humanitar. Artistja e madhe e skenës po u del në ndihmë familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Këngëtarja e famshme deklaroi para mediave shqiptare se do të ndihmojë dy familje me ndërtimin e shtëpive. Po ashtu, po planifikon të ndërtojë edhe një shkollë, që do t’u shërbejë brezit të ri. Fillimisht qëndroi pranë familjes së Musa Dacit në Bubq. Ndërsa tani ndodhet në familjen Bushi, shtëpia e së cilës është shkatërruar tërësisht, e kjo shihet nga storiet që i publikoi artistja e njohur. Kjo është familja e dytë që ajo do ta ndihmojë. Shqiptaro-amerikania u shpreh se nuk ka rëndësi se e famshme është, ajo asnjëherë nuk do ta harrojë prejardhjen e saj. “Nuk ka rëndësi sa famë do të arrijë, nuk do ta harrojë asnjëherë nga vij, do të kem gjithmonë gjak shqiptari dhe do jem gjithnjë aty për Shqipërinë. Ne jemi kombi i Nënë Terezës. E kemi mirësinë brenda në shpirt. Jam e bekuar që jam pjesë e një kultura. E dua vendin tim. Të dua Shqipëri”,-tha ajo më tej. Më tej u shpreh se është e rëndësishme secili t’u dalë në ndihmë të prekurve nga tërmeti. “E gjitha që dua të them tani më e mira është çdokush të japë donacionin e tij. Në qoftë se ju nuk ndihmoni askush tjetër nuk do t’ju ndihmoj. Doja ta shihja me sytë e mi. Doja ta ndjeja dheun nën këmbët e mia dhe të kuptoja çfarë po ndodh”,-u shpreh ajo. Në fondin e krijuar nga Bebe deri më tani janë grumbulluar mbi 86 mijë dollarë.

Ardian Bujupi

Ditën e djeshme Ardian Bujupi ka udhëtuar drejt Shqipërisë për të vizituar familjet e prekura nga tërmeti në Bubq. Artisti me origjinë shqiptare ka lënë pas angazhimet e tij profesionale, për t’ju gjendur pranë personave që kanë më shumë nevojë për ndihmë. Bes Kallaku, që ka qëndruar në këto ditë të vështira në vendin e tij, ka publikuar foto nga takimi i Ardianit me disa familje të ndryshme. Aktori i humorit ka treguar se edhe Ardiani ka ndihmuar financiarisht dhe se ata po kujdesen që gjithçka të shkojë në vendin e duhur. “Ardian Bujupi në Bubq. Zoti të ruajt. Faleminderit shokëve dhe miqve. Ndihmat monetare po i shpërndajmë nëpër shtëpia. Nuk kemi marrë asgjë përsipër përveç shoqërimit vetë, nëpër banorët e prekur, të secilit që ka dëshirë për donacion monetar. Zoti ju ruajt të gjithëve. Lavdia e Zotit”, ka shkruar Besi në postimin e tij. Edhe Ardiani ka publikuar disa video nga shtëpitë e pabanueshme në Bubq, duke treguar se gjendja është tepër e vështirë. Kujtojmë se ditën e hënë edhe Bebe Rexha vizitoi këtë fshat dhe premtoi se do të ndërtonte 2 shtëpi nga e para.

adrian 1 bebe 2 emina 1 emina 2
<
>

Dua Lipa

Dua Lipa u kritikua nga të gjithë pasi nuk i kushtoi vëmendjen e duhur tragjedisë së 26 nëntorit. Të gjithë fansat e akuzuan se ajo nuk ofroi asnjë lloj ndihme, por së fundmi këngëtarja ka zbuluar se ka nisur të mbledhë fonde përmes shitjes së disa bluzave. Dua ka bashkëpunuar së bashku me “Bond” për të stiluar disa bluza, që do të shiten për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti. Këngëtarja ka publikuar disa imazheve të bluzave, të cilat në pjesën mbrapa lexojnë “Pray for Albania” (Lutu për Shqipërinë). Dua iu ka bërë thirrje të gjithëve që të blinin sa më shumë bluza, për të ndihmuar në ndërtimin e një shtëpie. “Për vëmendjen tuaj, ndihma juaj është e nevojshme, ‘Pray for Albania’ variant i limituar në bashkëpunim me ‘Bond’. 100% të të gjitha blerjeve do të shkojnë tek familjet dhe viktimat e prekura nga tërmeti shkatërrimtar në Shqipëri që ndodhi në 26 nëntor. Blini një bluzë dhe ndihmoni në ndërtimin e një shtëpie dhe komuniteti”, ka shkruar Dua Lipa në një postim në ‘Instagram’.

Emina Çunmulaj

Ashtu sikurse shumë të tjerë, edhe Emina Çunmulaj po dhuron një shumë goxha të madhe parash për Shqipërinë pas tërmetit shkatërrues që la të vdekur 51 persona dhe qindra të plagosur. Modelja e famshme shqiptare, njihet për shumë bamirësi dhe kësaj radhe, në një lidhje live me Skype në emisionin special të NIN-it për mbledhje fondesh për Shqipërinë, ajo njoftoi se dhuron 10 mijë dollarë për popullin shqiptar. Gjatë lidhjes direkte, Çunmulaj nuk mbajti dot lotët por premtoi se do të vijë së shpejti në Shqipëri për të bërë atë që ia do zemra. Në NIN, aktualisht po bëhen telefonata për të ndihmuar Shqipërinë bashkë me fondacionin Fundjavë Ndryshe në studio me Arbër Hajdarin dhe Mozzik.

Rita Ora

Iniciativa e Rita Orës për të ndërtuar nga një shtëpi për shumë familje të prekura nga tërmeti në Shqipëri, ka filluar me ndërtimin e shtëpisë për familjen Sala. Këngëtarja shqiptare me famë botërore Rita Ora, premtoi se do të rindërtonte shtëpinë e një prej familjeve të prekura nga tërmeti. Familja Sala është familja, e cila jeton në fshatin Pinar të Tiranës dhe banesa e saj u shemb nga lëkundja e fortë. “Gëzuar ditën e flamurit, Shqipëri. Gjatë ditëlindjes sime dhe në ditët e fundit, jam menduar se cila do të ishte gjëja e duhur për të bërë.” Rita bënte thirrje për këdo që ka mundësinë, të gjejë një familje ose një shoqatë bamirësie, një mënyrë për të ndihmuar me rindërtimin e shtëpive të viktimave të kësaj katastrofe. E para që zgjodha është familja Sala. Do ta ndjekim ecurinë e kësaj pune që të ketë dhe familje të tjera që të marrin të njëjtën ndihmë. Ju lutem, klikoni në blogun tim për të bërë të njëjtën gjë dhe ju. Lutjet e mia dhe dashuria ime shkojnë drejt atyre që janë prekur. Me dashuri, Rita””, shkruante Ora në postimin e saj. Ajo ka bërë me dije se kjo nuk është familja e vetme të cilëve do iu ndihmojë, ndërsa ka bërë thirrje për të gjithë ata që kanë mundësi që të veprojnë njëjtë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.