OPINION

Shqipëria, Kosova dhe “PISA”

10:00 - 06.12.19 Pëllumb Karameta
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

PISA” është shkurtesa për “Programin Ndërkombëtar të Vlerësimit të Nxënësve”. Vlerësohet si studimi më i madh ndërkombëtar për arsim dhe organizohet nga OECD, çdo tri vite. Ka në fokus performancat e nxënësve 15- vjeçarë, në prag të mbarimit të arsimit të detyrueshëm, në fushat kyçe lexim, matematikë, shkencë. Në çdo edicion të PISA-s, njëra nga fushat merr vëmendje më të madhe: herë leximi (sa/si kuptohet e përdoret fjala e shkruar nga nxënësi), herë matematika apo shkenca (sa/si zbatohen nga nxënësi njohuritë matematikore/shkencore në situata të panjohura më parë). Edicioni i vitit 2018 pati në fokus formimin letrar (reading literacy).
Programi u konceptua në vitin 1999, kur u përgatit dhe baza teorike e studimit. Ekspertët ndërtuan dhe zbatuan testin dhe pyetësorët që plotësonin vlerësimin, fillimisht, në vitin 2000. Përmes PISA-s, studiuesit përpiqen të vlerësojnë zbatimin praktik të njohurive të ndërtuara nga nxënësit (performancat apo kompetencat). Programi nuk tregon se cili nga sistemet arsimore apo kurrikulat është më e mirë apo më e dobishme, por vlerëson performancat e nxënësve dhe sfondin kulturor nga ku ata vijnë. Testet përkthehen dhe përshtaten në gjuhën e vendit pjesëmarrës. Administruar çdo tre vjet, rezultatet e PISA-s priten me padurim nga qeveritë, ministrat e arsimit dhe media dhe citohen në raporte të panumërta të politikave. Rezultatet në PISA ndikojnë praktikat arsimore në shumë vende.
Shqipëria iu bashkua programit në vitin 2000, me mbështetjen e fondacionit Soros, që pagoi kuotën e pjesëmarrjes. Pasi mungoi në dy edicione, ajo mori pjesë sërish në edicionet 2009, 2012, 2015, 2018. Kosova ka marrë pjesë në edicionet 2015 dhe 2018. Mostra e nxënësve që testohen në çdo edicion për të dy vendet tona është rreth 5000 subjekte. Vlerësimi mund të shprehet me pikë ose me nivele performimi (nivelet 1-2 performancë e ulët, 3-4 mesatare dhe 5-6 e lartë). Tabela paraqet arritjet e nxënësve (pikët mesatare të mostrave), në dy edicionet e fundit. Për krahasim, mesataret e OECD luhaten aty te 490–500 pikët.




Në PISA 2018, ndër 79 shtete pjesëmarrëse, Shqipëria u rendit e 61-ta, ndërsa Kosovën e 76-ta, çka nuk duket aspak mirë. Përse nxënësit tanë (në Shqipëri dhe Kosovë) kanë arritje të tilla? Faktorët që ndikojnë janë të ndryshëm. Ata lidhen me kurrikulën dhe me atë që zbatohet në shkolla, me kompetencat profesionale të mësuesve dhe drejtuesve, me burimet që u vëmë në dispozicion shkollave etj.

1. Pjesa më e madhe e aktorëve arsimorë (qendror e vendor) nuk po ia dalin të kuptojnë si duhet parimet dhe pohimet (kuptimet e reja) që orientojnë reformat kurrikulare në dy vendet tona. Kuptime të cilat përbëjnë bazë konceptuese edhe për pyetjet/kërkesat që përmbajnë testet e PISA-s. Këta të fundit hartohen që të matin nivelin e zbatimit të njohurive të ndërtuara nga nxënësit në situata sa më jetësore (pra, masën e zotërimit të kompetencës së komunikimit apo matematikore etj.), jo masën dhe cilësinë e riprodhimit të përmbajtjeve të tekstit shkollor. Çka në klasat dhe shkollat tona vijojnë të jenë fokusi i mësimit. Këtë kundërshti drithëruese e nxjerrin në pah renditjet e nxënësve tanë në PISA. Ndaj, për të parë dhe gjykuar tablonë do na duhen lente të reja, të dallueshme nga ato të dekadave që lamë pas. Qasjet e reja kurrikulare, që përdoren në vendet në krye të klasifikimit të PISA-s, i aftësojnë nxënësit të dinë, të dinë të bëjnë si duhet dhe të shpjegojnë përse e bëjnë ashtu. Pasi atje konsiderohet e tejkaluar qasja kurrikulare që konsideron si qëllim të nxënies përvetësimin e përmbajtjeve lëndore “pa jetë”. Vendin e saj e ka zënë kurrikula që bazohet në situatat e kuptueshme të nxënies, të cilat i ndihmojnë nxënësit të ndërtojnë njohuritë e reja dhe të zhvillojnë kompetencat për jetën dhe punën. Arsimi, tashmë nuk është më çështje e mësimit të përmbajtjeve lëndore formale (forma gjeometrike, zgjidhje e ekuacioneve, rregulla morfologjike apo të sintaksës etj.), por identifikimi dhe trajtimi i situatave ku nxënësit mund të ndërtojnë, të transformojnë ose të hedhin poshtë idetë apo njohuritë që lidhen me këto përmbajtje. Në vend që të përpiqemi t’i dendim nxënësit me dije tekstesh shkollore, për të cilat nuk do të kenë ndonjëherë nevojë, ne duhet t’i ndihmojmë ata të ndërtojnë kompetencën për të punuar me të tjerët për prodhimin e njohurive të reja me të cilat të zgjidhin probleme jetësore. Në vend që t’i bëjmë të gjithë njëlloj, ne kemi nevojë për një sistem që i ndihmon nxënësit të lëvizin lirisht në mjedisin e diskutimeve, të krijojnë dhe të shfaqin identitete të dallueshme (disa prej të cilëve mund të jenë identitete që askush s’i ka menduar më parë).

2. Procesi mësimor nuk po arrin të zhdukë kufijtë tradicionalë ndërmjet disiplinave shkencore, deri tani të izoluara si “ishuj të vegjël” dhe të formalizuara nëpër lëndë, programe dhe vite akademike. Dëmi që sjell ky veçim bën që pjesa më e madhe e nxënësve tanë 15-vjeçarë të mbeten në nivelin e analfabetit funksional. Nuk ia dalin të kuptojnë atë që lexojnë, pra, të përdorin praktikisht gjithë sa nxënë në shkollë. Për ta konkretizuar vlerën e atij që quhet “integrim kurrikular”, le t’i referohemi kuptimit që i jep PISA termit “reading literacy” – fokusi i edicionit 2018.
“Reading literacy” është kuptimi, përdorimi, reflektimi dhe angazhimi me tekstet e shkruara, që personi të arrijë qëllimet, të zhvillojë njohuritë dhe potencialin e tij dhe të marrë pjesë në shoqëri. Ai përfshin një rreth të gjerë të kompetencave njohëse, që nga deshifrimi deri te njohja e fjalëve, gramatika, strukturat tekstuale dhe gjuhësore më të gjera, veçoritë dhe njohuritë rreth botës. Ai përfshin, gjithashtu, kompetencat metakognitive: vetëdijen dhe aftësinë për të përdorur strategjitë e përshtatshme kur përdoren tekstet”. Është ky kuptim, ai që orienton hartimin e testeve PISA që synojnë të matin nivelin e formimit letrar të nxënësve. Për koherencë, edhe kurrikuli gjuhësor (programet, tekstet, mjetet mësimore, ato vlerësuese etj.), por dhe vetë procesi i nxënies duhet të krijojnë kushtet që nxënësit të zhvillojnë dhe demonstrojnë këto karakteristika. Në anën tjetër, formimi letrar i nxënësit nuk është detyrë vetëm e kësaj fushe të nxëni. Ndërtimi i kompetencës së komunikimit nga nxënësit – si proces – bashkëvepron me veprimtaritë që ai realizon edhe në fushat e tjera: matematike, shkencore, sociale etj. Nuk duhet fajësuar kurrikuli gjuhësor si shkaku i analfabetizmit funksional, por paaftësia jonë për të kuptuar idetë dhe kuptimet e reja në fushat e njohjes, atë kurrikulare dhe të nxënies; shtoji këtyre politikat për trajnimin e specialistëve dhe të mësuesve. Këtu do ta kërkonte burimin e ndryshimit çdo studiues serioz; pse jo, edhe universitetet një nga objektet e kërkimit shkencor apo ministritë e arsimit ekspertizën për të përmirësuar zbatimin e kurrikulës së re. Të tjerat janë fjalë boshe që, nëse do vijojmë t’u besojmë, do ta bëjnë edhe më blegtoral konceptin për arsimin.
3. Në vend që të vazhdojmë të mendojmë për shkollimin e së nesërmes përmes lëndëve dhe orëve që u duhen kushtuar atyre, tani është koha për lëvizje të guximshme rreth organizimit të procesit të nxënies. Kjo do të thotë që mund të zvogëlojmë pak kohën e lëndëve tradicionale si gjuha amtare, matematika apo shkencat dhe t’u japim më shumë kohë temave të integruara, projekteve dhe veprimtarive ku nxënësve u kërkohet të komunikojnë mirë shqip, të arsyetojnë/ gjykojnë/marrin vendime bazuar në struktura matematikore/shkencore etj. Natyrisht, në klasat e shkollës fillore duhet t’i kushtojmë më shumë kohë nxënies së organizuar dhe të udhëhequr nga mësuesi; pastaj edhe gradualisht, ajo zvogëlohet, varësisht niveleve të nxënësve për të menaxhuar veprimet dhe nxëniet e tyre. Kjo do të thotë gjithashtu, zhvendosje nga nxënia sipas kurrikulës së përbashkët, drejt nxënies së personalizuar me plane individuale. Çka do të bëjë që nxënësit të përfshihen më shumë në veprimtari, projekte dhe veprimtari artistike vetjake që kanë domethënie për ta etj., etj.
Sigurisht, nuk është e lehtë të përcaktosh çfarë duhet të nxënë fëmijët dhe të rinjtë, çfarë do të nxënë ata dhe çfarë mund të nxënë disa prej tyre, varësisht interesave dhe rrethanave. E vështirë është dhe përpjekja për të harmonizuar traditat pedagogjike dhe nevojat e sistemeve tona me risitë e zhvillimit. Sidoqoftë, zgjedhja e mënyrave të organizimit të ri të procesit të nxënies është sfida që duhet përballur.

Tiranë, më 05.12.2019


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Bahri Beci

    DUHET NJE QASJE ME KONKRETE REZULTAT I NJE STUDIMI TE REALITETIT PO EDHE I PERVOJAVE NDERKOMBETARE. ESHTE PUNE INSTITUCIONESH ME TRADITE DHE PERVOJE QE NE NUK I KEMI PO QE DUHET TO KEMI.

    Përgjigju ↓