OPINION

Na ishte një herë Durazzo…

07:45 - 07.12.19 Rezana Konomi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në ditë të vështira post traume, është e vështirë të flasësh e shkruash, sepse është koha të veprosh. Gjithçka tjetër duket demagogji, një performancë boshe, e cila na ka mbytur e dehur pa fund në këto vite të gjata dhe të lodhshme tranzicioni.




Për nga mosha, unë i përkas një brezi që e ka jetuar dhe shijuar Durrësin me gjithë shkëlqimin e tij të virgjër dhe ndërkohë kam jetuar shkatërrimin e tij urban në emër të zhvillimit. Aktualisht po përjetoj me keqardhje masakrën që i ndodhi qytetit, rrënojat e dhimbshme që e kanë kthyer në një fantazme që gllabëron pallate dhe jetë njerëzish.

Si për ironi të fatit qyteti Durrësit kur u themelua ishte pagëzuar me emrin Epidamno, por pas luftërave ilire, romakët e quajtën Dyrrachium, pasi emri Epidamno konsideroj se ishte me fat të keq, sepse i referohej fjalës Damnum (dëmtimi, humbja, disavantazhi). Duket sikur ky fat i keq e ka ndjekur Durrësin disa herë.

Në shekullin e pestë qyteti u godit nga një termet i dhunshëm që shkaktoi dëme të konsiderueshme, duke u rindërtuar sërisht. Në vitin 1926 përsëri qyteti u dëmtua nga një tërmet dhe përsëri u ringrit për t’i dhënë atij një pamje më moderne për kohën.

Por asnjëra nga këto e të tjera dëmtime që i kanë ndodhur qytetit, nuk kanë të ngjashme me këtë kronike të paralajmëruar të shkatërrimit që ndodhi së fundi, i cili më shumë se nga dora e zotit, ndodhi nga dora e njeriut, e njerëzve që e sakatuan vit pas viti këtë perlë të Adriatikut, duke i humbur shkëlqimin e dikurshëm dhe identitetin që e bënte të lakmueshëm për gjithë rininë e kohës time.

Të gjithë ne kemi parë vit pas viti se si qyteti humbiste fizionominë e tij, shkëlqimin, pastërtinë e qetësinë, betonizohej duke e bërë detin të dukej me i vogël, të humbiste rërën e tij masive nga ndërtimet pa kriter që ishin të gatshme të gllabëronin edhe detin. Dhe të gjitha këto na janë servirur ndër vite nga drejtuesit qendror dhe vendor si zhvillim i qëndrueshëm i qytetit dhe turizmit.

Askush nga ne nuk kishte fuqinë dhe mundësinë të ngrinte zërin dhe të reagonte kundrejt kësaj masakre urbane, e cila shtohej vit pas viti. Askush nuk mendonte se do të vinte një ditë kur vetë qyteti do të na e kthente dhunën me të cilën ishim sjellë ndaj tij, në një mort human. Dhe për këtë jemi të gjithë bashkëfajtor, askush tjetër. Ne si qytetar që me heshtjen tonë kontribuam duke i dhënë mundësi, hapësirë dhe terren qeveritarëve ndër vite të vrisnin qytetin dhe bashkë me të dhe ëndrrat tona, por mbi të gjitha, vranë trashëgiminë duke e kthyer në një trashëgimi të shëmtuar të një qyteti pa emër, atë që do t’i transmetojmë brezave.

Durrësi ka kohë që ka humbur identitetin e qytetit të dikurshëm. Të gjithë ne brezi jonë kemi nostalgji për qytetin bregdetar perlë të Adriatikut. Gjithkush ruan në kujtese shëtitjet buzë detit, vajzat e bukura që flirtonin me djemtë, dashuritë që lindnin në ato pak klube të ndërtuara thjesht dhe bukur në vendin e duhur, pa i prekur asgjë virgjërisë së rërës dhe detit. Pikërisht tek ajo thjeshtësi ishte madhështia e qytetit dhe plazhit, i cili ishte ruajtur me fanatizëm gjatë dekadave, duke respektuar çdo rregull dhe norme urbane dhe estetike.

Por vitet e pas 90 shenjuan shkatërrimin dhe masakrimin masiv. Babëzia nuk njohu kufij. Uria nuk ngopej duke zaptuar tokën dhe rërën por shkoj me tutje, gllabëroi pa meshirë dhe detin. Ndërtimet pasonin njeri-tjetrin, gjithfarë ngjyrash dhe katesh, pa respektuar asnjë kusht minimal urbanistik pasi për kushte te tjera arkitektonike dhe estetike as që mund të bëhej fjalë. Çdo vit në sytë tanë kemi parë se si qyteti zhytej nën betone të akullta të shëmtuara dhe abuzive. Dhe të gjithë këto në emër të parasë dhe pushtetit, në emër të hajdutërisë dhe shpërdorimit të detyrës. Pushtetarë që janë sjellë me qytetin si ta kishin pronë të baballarëve, e vranë, e shkelën dhe e gjymtuan.

Por shëmtia dhe ndërtimet pa kriter janë vetëm njëra anë e dhimbshme se si një qytet shuhet dite pas dite në sytë tanë. Ajo me e keqja, gjema që ndodhi së fundi nxori në dritë atë që të gjithë ne kemi ditur dhe dimë se çfarë fshihet pas ndërtimeve shumëkatëshe dhe jo vetëm në Durrës.

Të gjithë nën zë dhe me zë kemi pohuar se një termet do te jete një prove se si janë ndërtuar këto objekte, sa janë respektuar kushtet teknike, sa të sigurtë jemi në to, me gjithë çmimet e kripura që shqiptarët i blejnë apo investojnë si të vetmen pasuri për të cilën jetojnë dhe punojnë gjithë jetën.

Pushtetarët vendorë me veprimet dhe mosveprimet e tyre abuzive lejuan dhe mundësuan ndërtime, të cilat në kushtet normale dhe duke respektuar kriteret ligjore nuk mund të ndodhnin. Madje dhe ndërtimet pa leje në zonat informale, ishte detyrë e shtetit si rregullator të mos lejonte dhe të pengonte në ato zona ku nuk mund të ndërtohej për shkak të rrezikshmërisë sidomos për jetën.

Në këtë shtrirje kohore gati 30 vjeçare jo vetëm zonat informale u legalizuan pa asnjë studim paraprak, por dhe shteti informal u kthye në kulture dhe filozofi. Të gjithë bënin sikur bënin dhe askush nuk shikonte dhe nuk dëgjonte, e rëndësishme ishte parimi: të mbusheshin xhepat dhe të përfitohej sa të mundej.

Pushtetarë të verbuar, derra të majmur, servilë kryetarësh partish, u kthyen në padronë të qytetit. Ishin ata që komandonin dhe drejtonin çdo klan kriminal dhe mafioz dhe në këtë mënyrë siguruan dhe vazhdimësinë e pushtetit dhe të hajdutërisë së pashoq.

Askush asnjëherë nuk mendoi për masakrën që po i ndodhte qytetit. Por mbi të gjitha askush nuk diskutoi për garancinë e jetës, për rreziqet permanente të ndërtimeve abuzive, si shkak i mosveprimeve të drejtuesve vendorë duke shpërdoruar detyrën dhe pushtetin.

Dikur, për një ndërtim objekti kishte protokolle, kode dhe procedura rigoroze që duheshin respektuar, duke mbajtur përgjegjësi individuale çdokush që duhet të nënshkruante. Ndërsa në vitet e pas 90/tës strukturat, institutet dhe ekspertët fjala e të cilëve duhet të ishte ligj, u zëvendësuan me struktura virtuale dhe me një formalitet të pashëmbullt, ku çdo nënshkrim merrej në kafene, pazaret nëpër lokale dhe ndërtimi i objektit pa asnjë kontroll për zbatimin e kushteve teknike dhe pa supervision te mirëfilltë specialistesh. Sepse ne dhe ekspertët dhe specialistët i zëvendësuam me njerëz të rinj të shkolluar, por analfabetë funksionale, që kishin mësuar mirë shkollën e djallëzisë, të servilizmit, të nënshktrimit ndaj pushtetit dhe të lëpirjes se çdo përshtyrje deri në neveri. Ky ishte njeriu i ri që farkëtuam në këto dekada dhe që e ngritëm në kult.

Ja pse nuk duhet të çuditemi sot se pse ky vend nuk po mund të bëhet, sepse ne e shkatërruam me duart tona gjithçka të mirë që kishim trashëguar dhe pasi shkatërruam traditën iu sulem me babëzi pasurisë kombëtare, shkelëm çdo interes publik dhe me këtë grabitje dhe shkatërrim cenuam rëndë dhe të drejtën dhe garancitë për jetën.

A do te ketë ndonjë përgjegjës për këtë katrahurë që ndodhi dhe shkatërroi një qytet të tërë? Apo përsëri turrur pas gjoja menaxhimit të situatës emergjente, me të cilën po ngatërrohemi me këmbët tona, do të harrojmë përgjegjësit e vërtetë, të cilët janë me emra dhe përemra?

O pushtetarë mendje shkurtër dhe dritë pak, nuk është faji i publikut dhe as i medias për perceptim të gabuar të situatës, por faji juaj që jeni shkëputur kaq shumë nga realiteti objektiv dhe keni ndërtuar një realitet virtual, një qytetar dixhital, një shtet Facebook-u dhe kur e keqja ju troket dhe kambana e alarmit bie fort, ndjeheni se po shurdhoheni.

Sot ndjejmë dhimbje, dhimbje për jetë njerëzish të pafajshëm të ikur në gjumë, dhimbje për shtëpi të shkatërruara, për pallate të rëna si ato kalatë me rene qe ngrinim dikur fëmijë buze detit. Dhimbje dhe ulërim njëherazi për një shtet që nuk ka mësuar ende se çdo të thotë të qeverisësh, se çdo të thotë të nënshkruash një kontratë sociale me shtetasit e vet.

Pas gjithë kësaj katastrofe dhe dëmtimi, më së shumti jo nga zoti, por nga dora dhe papërgjegjshmëria njerëzore Durrësi nuk do të jete më i njëjti. Nuk do të jetë as ai i dikurshmi, i bukri në thjeshtësi dhe as ai i sotmi, ashtu kaos dhe rrumpallhane, siç ishte para shkatërrimit.

Për aq kohë sa dëshmitarët dhe fajtorët e këtij shkatërrimi të jemi gjallë, nuk do të na shlyen nga kujtesa sytë e mekur të foshnjave që u shuan nën rrënoja, duart që shtriheshin dhe klithnin për ndihmë, të qarat dhe rënkimet e zërave që shuheshin pak nga pak deri në frymën e fundit.

Dhe për këtë masakër urbane dhe njerëzore të gjithë ne do të ndjehemi fajtorë deri në vdekje, fajtorë se si lamë të shuhej pak nga pak një qytet, si lejuam me heshtjen dhe mosveprimin tonë të na e vrisnin qytetin me të bukur buzë Adriatikut dhe të na e kthenin në një fantazme që do të na ndjekë gjithë jetën, duke na akuzuar me zërin e viktimave.

Fatkeqësia nuk ishte natyrore, por ishte dhe është një fatkeqësi njerëzore e projektuar nga dora dhe mendja e njerëzve të papërgjegjshëm.

Të ndalemi dhe të reflektojmë për atë që nuk kemi bërë me dashje ose pa dashje deri tani dhe të veprojmë në kohë, për të ndalur të tjera fatkeqësi të tilla, sepse garancia dhe siguria e jetës është e drejta parësore natyrore dhe për këtë jemi të gjithë përgjegjës.

Në të kundërt historia dhe brezat do të na dënojnë……dhe atëherë do të thonë: Na ishte një here Durrazo…. Durrësi…… apo…!!!!!

* Prof.Asc.Dr. Rezana Konomi

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.