BLUETOOTH

Në ndihmë të të prekurve nga tërmeti, Igli Mezini: Nuk jeni vetëm! Njerëz nga gjithë bota kontribuuan, mirënjohje!

12:30 - 07.12.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pamela Aliaj – Tronditja që solli tërmeti i 26 nëntorit preku shumë zemrat e shqiptarëve edhe më tej kufijve. Të gjithë në mënyrën e tyre u mobilizuan për të realizuar diçka në mënyrë që t’u vinin në ndihmë të prekurve nga kjo fatkeqësi e fundnëntorit. Një prej tyre është edhe balerini i mirënjohur, Igli Mezini, i cili u rikthye në vendlindje për t’u bërë pjesë e misionit për mbledhjen e ndihmave. Në një intervistë ekskluzive për “Bluetooth” të “Gazeta Shqiptare”, Igli rrëfen momentet kur mësoi për lajmin e kobshëm si dhe mobilizimin e tij dhe kontributin e personave nga gjithë bota në ndihmë të shqiptarëve të prekur nga tërmeti.




Por jo vetëm kaq, Igli u kthye me misionin në vend për të “Kërcyer për jetën!”. Një mision ky i nisur nga koreografi i njohur Albi Nako, ku në workshopin e tij ishte edhe Igli.

“Eventi ishte menduar ndryshe dhe duke ju përshtatur momentit në të cilin Shqipëria e shqiptarët e mi ndodheshin, mori një tjetër drejtim. Nga një “Dance Workshop” u kthye në një “Dance for the LIFE” e thënë në shqip si një homazh për jetët e humbura, për jetët që vazhdojnë, e për jetët që do vijnë!!! Njerëzit më përkrahen dhe mendoj se bëra diçka të mirë, për mirë, me njerëz të mirë”

Dhuro për të ndihmuar e për të qenë më pranë njerëzve në nevojë. Por përpos kësaj Igli në intervistë na rrëfen edhe projektet e tij të mëvonshme në Zyrih të Zvicrës dhe atmosferën e punës atje.

igli 8 igli 7 igli 10 igli 4 igli 2
<
>

“Baleti vlerësohet dhe teatri është gjithmonë i mbushur. Njerëz që presin pas shfaqjes për foto ose thjesht për t’u përshëndetur më bëjnë të ndihem mirë. Vlerësoj njerëzit që duket se vlerësojnë kualitetin e lartë që unë e kolegët e mi sjellim në skenë.”

Si një balerin i skenave ndërkombëtare, i pëlqen të udhëtojë shpesh, jo vetëm për shkak të punës dhe të marrë e të jap maksimumin në çdo eksperiencë. Si përfundim Igli rrëfen edhe ‘sekretin’ e të bërit të ëndrrës së tij realitet, një mundësi dhe këshillë që jua jep të gjithëve, vetëm: Mos u dorëzoni!

Riktheheni sërish në Shqipëri pas një periudhe shkëputjeje jashtë vendit. Si u ndjetë?

Kthimi në Shqipëri është gjithmonë shumë special, shumë i ndjerë, shumë emocionues, me pak fjalë është një grup ndjenjash të miksuara. Ama ndjenja që më bëjnë të ndihem mirë, ndjenja që mbajnë erën e shtëpisë time, prejardhjes time, rrënjëve të mia.

Vendi ynë është duke kaluar një periudhë aspak të mirë për shkak të fatkeqësisë së 26 nëntorit. Shumë prej njerëzve të njohur vendosën të kontribuonin në ndihmë të fatkeqëve. Si u propozua kontributi juaj?

Vendi im kaloi ditë të vështira, me humbje jetësh e me shkatërrime të asaj pak gjithçkaje që këta njerëz punëtore e të palodhur janë munduar pafundësisht prej vitesh. Me kontaktet e mia nëpër botë u mundova maksimalisht të ingranoj një grup njerëzish që ndjenë për Shqipërinë, që u sensibilizuan dhe kontribuan sado pak për të ndihmuar shqiptarët e mi në këto ditë të vështira. S’më lanë vetëm, s’na lanë vetëm. Mirënjohje për të gjithë!

Në workshopin e djeshëm ishin dhe ju i pranishëm në “Albi Nako Dance Akademy”. Propozimi erdhi nga Albi apo nga ju?

Arsyeja e ardhjes në Tiranë ishte “Albi Nako Dance Academy”. Para pak kohësh, Albi më kontaktoi për të më ftuar në Tiranë për workshop në akademinë e tij. Me shumë kënaqësi ishte momenti që t’i riktheja Albit atë dashamirësi që ai pati për mua para 14 vitesh kur unë jetoja akoma në Tiranë dhe kisha ëndërr të bëhesha balerin.

A doli në pritshmëritë tuaja si event?

Eventi ishte menduar ndryshe dhe duke ju përshtatur momentit në të cilin Shqipëria e shqiptarët e mi ndodheshin, mori një tjetër drejtim. Nga një “Dance Workshop” u kthye në një “Dance for the LIFE” e thënë në shqip si një homazh për jetët e humbura, për jetët që vazhdojnë, e për jetët që do vijnë!!! Njerëzit më përkrahen dhe mendoj se bëra diçka të mirë, për mirë, me njerëz të mirë.

Çfarë keni menduar të bëni konkretisht me të ardhurat e fituara nga ky event në ndihmë të të prekurve nga tërmeti?

Bashkë me Albin mendojmë se ky homazh përveçse me mendje e shpirt të jetë dhe monetar. Gjithçka është organizuar që të plotësohen disa nevoja të njerëzve që kanë nevojë në këto ditë të vështira.

Fatkeqësia preku shumë njerëz dhe të afërm të tyre. Cili ishte mendimi i parë kur morët vesh për këtë lajm?

Fatkeqësia merr të tjera përmasa kur qenie njerëzore nuk janë më. Dhimbja nuk përshkruhet me fjalë.

Unë isha në teatër, në Luzern të Zvicrës kur me erdhi lajmi i keq. Me duhej të vazhdoja provat, sepse premiera po afrohej. Nuk e fsheha dot dhimbjen, frikën, e pafuqinë për të bërë diçka, për të ndryshuar apo ndaluar gjithçka. Mendjen e kisha tek familja që prej vitesh minimizon e filtron gjithçka ndodh që të mos merakosem unë. Përkrahja e artisteve dhe e stafit të teatrit ishte shumë e madhe dhe e ndjerë. Uroj që njerëzit e prekur nga kjo fatkeqësi të mbahen fort e që strukturat përkatëse të bëjnë të mundur rifillimin e gjithçkaje sa më shpejt.

Me çfarë projektesh të tjera është duke u marrë Igli pas workshopit në Shqipëri?

Pas workshop-it në Tiranë, përpos shfaqjeve me teatrin e Luzern, po behëm gati të jap workshop në Zyrih duke filluar nga muaji Janar. Sapo kemi finalizuar gjithçka dhe jam i lumtur për këtë.

Si është jeta në Zvicër për një balerin të kalibrit tuaj? A ka qenë e vështirë përshtatja në fillim?

Zvicra më pëlqen, është bukur dhe njerëzit janë të qetë. Fillimi si gjithmonë është pak i çuditshëm por në karrierën time deri tani më është dashur jo pak herë t’ia nis nga fillimi, kështu që le të themi se përshtatja ime në vende të ndryshme sa vjen e më e rehatshme bëhet. Baleti vlerësohet dhe teatri është gjithmonë i mbushur. Njerëz që presin pas shfaqjes për foto ose thjesht për t’u përshëndetur më bëjnë të ndihem mirë. Vlerësoj njerëzit që duket se vlerësojnë kualitetin e lartë që unë e kolegët e mi sjellim në skenë.

Ju pëlqen të udhëtoni  shpesh dhe të sillni gjithmonë më të mirën tuaj në skenat botërore. Cila është ëndrra që do donit të realizonit lidhur me pasionin tuaj apo edhe jashtë tij?

Udhëtoj shpesh dhe po, është e vërtetë që të çoj artin tim në mbarë botën. Është si një dhuratë që më është bërë. Mundohem t’i marr maksimumin çdo eksperience. Kudo shkoj dal e mundohem të takoj njerëz vendas, kështu i jetoj ato ditë duke kuptuar mentalitetin e kulturat e secilit nga vendet. Më pëlqen të jem pjesë e gjërave që më pëlqejnë dhe jo thjesht turist.

Çfarë mesazhi do të dëshiroje t’i jepje Iglit të para disa viteve dhe të shumë balerinëve të rinj që si ju mundohen të mbajnë gjallë pasionin për artin pavarësisht pengesave të shumta…

Unë e kam thënë e do ta them gjithmonë. “Nëse unë po jetoj ëndrrën time, të gjithë munden ta bëjnë”. Përpos punës së madhe, duhet dhe pak fat. Babai im më thotë përherë: Duhet të jesh në momentin e duhur duke bërë gjënë e duhur, dhe sytë e duhur duhet të të shohin!

Ndërsa mami im më flet shpesh për atë që për mua është çelësi i gjithçkaje: “dashuria”.

Gjithçka bëjeni me shumë dashuri, e nëse është për t’u bërë do bëhet, e nëse s’bëhet me të parën, do bëhet me të dytën. Kurrë mos u dorëzoni, e kurrë mos ndaloni së punuari fort e së dashuruari.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.