OPINION

Tërmeti dhe historia e lopës që i “blinte” ushqimet vetë

07:30 - 08.12.19 Dritan Hila
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Tërmeti përveçse fatkeqësi, nëse periudha post menaxhohet me zgjuarsi, mund të shikohet edhe si një rast i artë rimëkëmbjeje, në varësi se ku e si drejtohen fondet. Dhe deri tani kemi dëgjuar dy variante qeveritare, ku njëri është i mirë dhe tjetri me siguri do të prodhojë impakt negativ, nisur edhe nga eksperiencat e vendeve të tjera.




Por le ta fillojmë me një barsoletë që qarkullonte në vitet e fundit të komunizmit:

Një revizor kooperative shkon në stallë dhe pyet përgjegjësin: “Me çfarë i ushqeni lopët”?

“Me bar”, – ia kthen përgjegjësi.

“Nuk keni turp – i thotë revizori – tokën që mund të mbillet me misër që po t’u jepet lopëve, japin më shumë qumësht, e çoni dëm me bar”?

Pas një viti, revizori shkon rishtas dhe i bën të njëjtën pyetje: “Me çfarë i ushqeni lopët”?

“Me misër”, – ia kthen përgjegjësi.

“Me tokën ku mund të mbillni grurë që mund të ushqehen njerëzit, ju e çoni dëm me misër për lopët?”, – ulërin revizori.

Pas një viti e njëjta histori.

“Me se i ushqeni lopët?” – bën pyetjen standard revizori.

“Dëgjo byrazer, – ia kthen përgjegjësi i stallës i nevrikosur – lopëve ka një vit që u japim lekët në dorë që të hanë në klubin e fshatit ça të duan”.

Lajmi mirë është që fshatarët që fillojnë vetë ndërtimin e shtëpive, marrin nga shteti dy milionë lekë. Kjo do të mundësojë që secili, individ dhe privat, merr përgjegjësitë e veta.

Lajmi i keq është se shteti do të ndërtojë në blloqe. Kjo është një praktikë që për një arsye apo tjetër është bërë edhe në botë, si në Francë, Kinë, Iran etj. Duke sjellë getoizimin e tyre; probleme rendi (Francë e Belgjikë); e deri revolucione (Iran).

Ndaj që të shmangen rastet korruptive apo logjet e revizorëve, rruga më e mirë do të ishte dhënia e parave në dorë, duke caktuar një kuotë fikse për çdo individ të dëmtuar, e cila nuk duhet të dëmtojë rëndë performancën ekonomike të vitit që vjen.

Le të themi 100 milionë euro. Sipër kësaj shume edhe kështu të madhe, askush nuk duhet të pretendojë. Ka shumë mundësi që kuota që do t’i takojë çdo personi nuk mbulon dëmin dhe as jep mundësi të blejë një shtëpi siç e kishte. Por, po kaq e vërtetë është që në asnjë vend të botës nuk ndodh që shteti të kompensojë 100%. Në shumicën e vendeve, shteti nuk ka asnjë përgjegjësi përveç ndihmës së parë dhe strehimit në kontejnerë. Është detyra e qytetarit të bëjë sigurimin individual nga tërmeti, uji apo zjarri. Por meqë këtu të gjitha janë copë-copë, pasi askush nuk kujtohet të sigurohet dhe vetë shoqëritë e sigurimeve nuk kanë asete të mjaftueshme të dëmshpërblejnë qytetarët në raste fatkeqësish masive, gjendet kjo rrugë alla-shqiptare.

Është e vërtetë që kjo rrugë nuk do t’i kënaqë të gjithë, por do të shmangë së pari getoizimin. Shumë nga të prekurit nuk janë hallexhinj që duan të futen në komplekse periferike. Sidomos ata që i kishin apartamentet në pallatet e lagjeve elitare të Durrësit.

Së dyti, blerja nga stoku i ndërtuesve shqiptarë do të rriste artificialisht kostot e tërmetit, pasi ndërtuesit nuk do të shisnin pa fitim, ndërsa negociatorët, që në këtë rast do të ishin nëpunës shteti, do të kenë të hapur shtegun e korruptimit. Shto këtu që ndjekja e kësaj rruge do të bënte që këta ndërtues të fusnin në dorë ca para me të cilat ashtu si deri tani, do të bënin ndërtime të tjera, duke çuar rishtas në bllokim të parasë. Ndaj më mirë t’u jepet dëmshpërblimi të dëmtuarve dhe ata vetë të negociojnë për shtëpitë e tyre.

Së treti, kjo do të gjallëronte ekonominë. Paraja do të shpërndahej në shumë duar dhe rrjedhimisht do të bëhej më e prekshme.

Së katërti, kjo është skema më e shpejtë e mbylljes së llogarive me tërmetin dhe me kosto korrupsioni më të kontrolluara. Zgjatja e qëndrimit të dëmtuarve nëpër hotele ka filluar që tani krijon probleme sociale, pasi hotelet nuk janë ndërtuar për tipin e hallexhiut që do të rrijë dy muaj, por të qejfliut që do të rrijë një javë. Dhe qëndrimi në hotele po fillon që tani të krijojë probleme korrupsioni.

Ndaj, e mira do të ishte një operacion i shpejtë i shtetit. Dhe pas kësaj, duhet të mësohemi të hyjmë në kapitalizëm. Që do të thotë se sigurimi i shtëpive nga dëmet duhet të jetë detyrë e qytetarit dhe shteti nuk ka më punë me këtë sektor. Nuk ka pse taksapaguesi shqiptar të paguajë neglizhencat e qytetarëve të tjerë, që një gjirokastrit, kuksian apo tropojan, që nuk e prek as tërmeti e as përmbytja, të paguajë për ata që nuk sigurojnë shtëpitë e tyre, edhe pse e dinë që sot a nesër, në mos tërmeti, uji do t’i kapë.

Dhe ajo që është më e rëndësishmja, shteti duhet të detyrojë shoqëritë e sigurimit të kapitalizohen dhe kenë kapital themeltar të madh, pasi ndryshe nga shkëlqimi, asnjë prej tyre nuk ka fonde të mjaftueshme të përballojë fatkeqësi masive.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.