BOTA

Shitblerje e pavarësisë? Raporti i dyshimtë i Behgjet Pacollit me diplomatin nga Maldive

16:47 - 09.12.19 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ahmed Shaheed, një diplomat nga Ishujt e Maldiveve lavdrohej nga Behgjet Pacolli, se ai i ka meritat në realizimin e 100 kontakteve të tij me mbretër, presidentë dhe kryeministra nga e tërë bota, në kohën kur Pacolli nuk kishte asnjë post në qeverinë e vendit. Ai ishte vetëm biznesmen dhe kryetar i Aleancës Kosova e Re.




Shaheed, vetëm në Asamblen e Përgjithshme të OKB-së, i kishte mundësuar Pacollit të realizonte 43 takime të nivelit të lartë, shkruan Insajderi.

Një miqësi mes Pacollit dhe Shaheed, të paktën publikisht ka zanafillën që nga viti 2009.

Pikërisht në shkurt të vitit 2009, një vit pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Pacolli kishte njoftuar se ka pranuar njohje nga Ishujt e Maldiveve, ky vend i largët me të cilin Kosova nuk kishte pasur ndonjë raport zyrtarë deri në atë kohë.

Pacolli, njoftonte se dokumentin zyrtar të njohjes e kishte pranuar nga miku i tij, Ahmed Shaheed, që mbante pozitën e ministrit të  Punëve të Jashtme të Maldiveve.

Disa muaj pas njoftimit për njohje, Shaheed erdhi në një vizitë në Kosovës. Ai u prit nga Behgjet Pacolli në zyret e partisë së tij, në Prishtinë. Kurse një vizitë tjetër e realizoi në vitin 2015.

Miqësia e Pacollit me Shaheed, kaloi në nivel më të lartë kur Pacolli mori pozitën e zëvendëskryeminitrit të Kosovës. Në vitin 2011, Shaheed iu bashkëngjit Pacollit në delegacionin që zhvillonte vizitë zyrtare në Amerikë.

Ani pse nuk dihet se në çfarë cilësie mori pjesë ai në këtë vizitë, shpenzimet e udhëtimit i mbuloi qeveria e Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.

Pavarësisht se në Kosovë, Shaheed tha se kishte harxhuar kohë në takime me zyrtarët më të lartë të Kosovës dhe diplomatë perëndimorë për të punuar dhe në të ardhmen për njohje të reja, dhe lavdërohej nga Pacolli në shtetin e tij filloi të përballet me akuza të rënda sa i përketë miqësisë me Pacollin.

Në Ishujt e Maldiveve, Shaheed akuzohej se ka marrë shumën prej 2 milionë dollarësh në këmbim të njohjes së Kosovës.

Kosova paguan mbi 7 mijë euro shpenzimet e Shaheed

Mbi 7 mijë euro kishte paguar Qeveria e Kosovës, shpenzimet e udhëtimit të ish-diplomatit nga Ishujt Maldive, Ahmed Shaheed për udhëtimin nga Dubai në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shaheed, që mbante pozitën e Ministrit të Punëve të Jashtme të Maldiveve, në vitin 2011 i ishte bashkuar delegacionit kosovarë që drejtohej nga Behgjet Pacolli, që atëkohë e mbante pozitën e zëvendëskryeministrit. Nuk është treguar kurrë se në çfarë cilësie i është bashkuar Shaheed delegacionit kosovarë në këtë vizitë zyrtare në Amerikë, shkruan Insajderi.

Megjithëkëtë, Qeveria e Kosovës, që drejtohej nga Hashim Thaçi, pati marrë vendim për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit të tij në çmimin e 7 mijë e 458 euro.

Sipas faturës së siguruar nga Insajderi, Shaheed nga aeroporti i Dubait kishte udhëtuar për në Neë York, ku i ishte bashkangjitur delegacionit të  Pacollit në këtë vizitë. Nga Neë Yorku Shahet kishte shkuar në Geneve, nga Geneva në Dubaj, nga ku u kthye në Maldive.

As në këtë faturë e as në vendimin e qeverisë, nuk jepeshin të dhëna tjera se pse duhej qeveria e Kosovës t`i paguante shpenzimet e udhëtimit të një diplomati të një vendi tjetër, në këtë rast të Ishujve Maldive.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e as Behgjet Pacolli, nuk janë përgjigjur në pyetjet e Gazetës Insajderi se në çfarë cilësie i ishte bashkuar Shaheed delegacionit nga Kosova.

Gazeta Indajderi ka kërkuar sqarime edhe nga Shaheed, por edhe pse kanë kaluar më shumë se 14 ditë, ai nuk ka kthyer përgjigje.

Ishujt Maldive, me 6 shkurt të vitit 2009 e kishin njohur Kosovën si shtet të pavarur, gati një vit pas shpalljes së pavarësisë.

Lajmin e pati bërë të ditur Behgjet Pacolli që në atë kohë ishte vetëm kryetar i AKR-së.

Ai pati deklaruar për mediat se konfirmimin e kishte marrë përmes një letre zyrtare që i ishte dërguar nga ministri i Jashtëm i Ishujve Maldive, Ahmet Shaheed.

Mediat nga Ishujt Maldive kanë raportuar me 19 nëntor të këtij viti, se është ngritur një mocion mosbesimi ndaj ish-ministrit Ahmet Shaheed. Ai dyshohet se ka pranuar një shumë prej 2 milionë dollarësh në këmbim të njohjes së pavarësisë së Kosovës, në vitin 2009.

Sipas mediave në Maldive mocioni i paraqitur në parlamentin e këtij shteti citon edhe deklaratat e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, përmes të cilave ata pretendojnë se i njëjti ka pranuar se ka shpenzuar para për lobim në të mirë të rritjes së numrit të vendeve që e kanë njohur Kosovën.

Deputeti i Kuvendit të Maldiveve, Mohamet Nasheed, i cili e ka ngritur këtë mocion ka kërkuar që parlamenti i këtij shteti t’i shkoj hetimit deri në fund. Nasheed në kohën kur erdhi njohja e pavarësisë së Kosovës nga ky shtet, ishte president i Ishijve Maldive.

Kjo kërkesë e tij, sipas mediave në Maldive është bërë pasi që disa vite më herët kur ishin ngritur dyshime për shitjen e njohjes së pavarësisë, policia nuk kishte arritur të gjente prova se Shaheed ka marrë një shumë të tillë për ta njohur Kosovën.

Madje kërkesat e parashtruara në këtë mocion shkojnë edhe më tutje; aty kërkohet që të rishikohet vendimi për njohjen e Kosovës, nëse një veprim i tillë është ndërmarrë në pajtim me standardet ndërkombëtare.

Gazeta Insajderi ka kërkuar sqarime rreth kësaj çështje edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Ishujve Maldive por ende nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërsa Jetlir Zyberaj, Këshilltari i Ministrit në detyrë të MPJ, Behxhet Pacolli, ditën kur u ngrit mocioni tha se akuzat kanë të bëjnë me problemet e brendshme politike të Ishujve Maldive.

“Ne nuk komentojmë zhvillimet e brendshme politike te shteteve të tjera partnere të Kosovës, përplasjet e forcave politike atje, sigurisht janë çështjet e tyre ato”, tha ai.

Zyberaj tha se Kosova ka marrëdhënie të mira me Ishujt Maldive dhe se ka përkrahje të fuqishme nga ta.

“Republika e Kosovës zhvillon marrëdhënie të shkëlqyera me Ishujt Maldive dhe kemi përkrahje të fuqishme ne secilin forum multilateral. Republika e Kosovës njihet nga shumica dërrmuese e vendeve demokratike te botës dhe njohja nga ky shtet ka qene vazhdimësi e afirmimit ndërkombëtar të shtetit tonë”, shtoi ai.

Miqësia mbi 10 vjeçare e Pacollit me Shaheed

Miqësia mes Behgjet Pacollit dhe Ahmed Shaheed, të paktën publikisht daton që nga viti 2009. Në këtë vit Shaheed kishte pasur një vizitë në Kosovë.

Ai ishte pritur në zyret e AKR-së nga Behgjet Pacolli.

“Ministri i Jashtëm i Maldiveve është një mik i madh i Kosovës, i cili ka meritën kryesore të njohjes së Kosovës prej shtetit të vet, në njëvjetorin e shpalljes së pavarësisë”, pati thënë Behgjet Pacolli, në atë kohë vetëm kryetar i AKR-së, në konferencën për shtyp, së bashku me Shaheed.

Pacolli e lavdronte mikun e tij nga Maldivet për kontaktet që sipas tij e kishte ndihmuar t`i bëjë me figura të larta të politikës botërore.

“Ai ka meritën në realizimin e 100 kontakteve të mia me mbretër, presidentë dhe kryeministra. Vetëm në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, e cila zhvilloi punimet në shtator, me ndihmën e z. Shaheed, ne realizuam 43 takime të nivelit të lartë”, tha Pacolli duke shtuar se Ministri Shaheed ka vënë në dispozicion të Kosovës gjithë potencialin e vet njerëzor dhe diplomatik.

Ministri i Jashtëm i Maldiveve, nga ana e tij, e vlerësonte mikpritjen e rezervuar nga ana e autoriteteve qoftë në Shqipëri dhe në Kosovë.

Ai thoshte se kishte harxhuar shumë kohë në takime me zyrtarët më të lartë të Kosovës dhe diplomatë perëndimorë për të punuar dhe në të ardhmen për njohje të reja.

Partia e Pacolli përmes një komunikate përmedia në atë kohë madje thoshte se Shaheed e vlerësoi si jashtëzakonisht të rëndësishme vizitën e Pacollit në Libi, “dhe tha se presidenti libian i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ishte ai që ndaloi nxjerrjen e delegacionit kosovar të nivelit të lartë nga salla e OKB-së”.

Kjo nuk ishte vizita e vetme e Shaheed në Kosovë. Në vitin 2015 ai kishte ardhur bashkë me një numër të studentëve nga e gjithë bota. Kësaj radhe ai është pritur në shtëpinë e Pacollit në Hajvali. /Insajderi.com


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.