OPINION

Edhe tërmeti nuk e shkund dot administratën tonë lokale!

07:26 - 10.12.19 Ben Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Tërmeti ka nxjerrë me radhë plagët e brendshme të një sistemi që është reformuar dhe është përfolur vazhdimisht. Pushteti lokal, që është zgjedhur disa herë me zgjedhje demokratike (paçka sesi kanë qenë ato dhe si janë përfolur) dhe është reformuar madje edhe me Reformën e fundit Territoriale, duket se është në një sfidë të papërballueshme. E para, nga personazhet që dalin nga kandidaturat e partive dhe pastaj rekrutimet e tyre të strukturave.




Mbledhjet e përditshme të qeverisë, problemet e shfaqura dhe ato të pashfaqura të tyre, kanë treguar realisht sesi qeveriset lokalisht vendi ynë. Për të mos thënë në mënyrë katastrofale mbase mjafton vetëm fjala keq. Shumë keq. Ende sot e kësaj dite, gati 15 ditë pas tërmetit, nuk ka statistika të mjaftueshme dhe të detajuara të tyre që mund ta ndihnin si duhet pushtetin qendror, i cili me këtë rast ka deleguar me të drejtë dhe arsyeshëm struktura shtesë për menaxhimin e situatës së tmerrshme. Njerëzit e rinj të Rilindjes në pushtetin lokal, tek e fundit i gjithë pushteti është i tyre, akoma duket se janë të pazotët për të prodhuar raporte dhe të krijonin strukturat kapilare që do të ndihmonin si duhet banorët.

Mbi të gjitha duket se protagonizmi i madh i Ramës dhe i strukturave të tij i ka lënë krejt në hije për të paraqitur realisht planin e rindërtimit të tyre, që për fat të mirë tashmë ka pas fonde dhe predispozitë për ndërtime nga të gjitha anët. Nëpunësit lokalë edhe me gjithë këtë mbështetje nuk janë në gjendje të bëjnë një panoramim të detajuar të situatës së shtëpive, ndërkohë që i duhet të organizojë në mënyrë efikase racionalizimin e strehimit të banorëve, bash atyre që janë më të dëmtuarit dhe më pa shpresë. Ata nuk kanë evidenca, nuk janë dot fleksibël dhe më shumë akoma nuk dinë si t’u përgjigjen banorëve që po mbyten në kakofoninë e deklaratave vertikale Rama & Co.“T’u jepet dhe të jepet një afat, afati është shumë i rëndësishëm. Që çdo gjë të jetë shumë e qartë. Kur janë tre-katër kurora në një shtëpi, sa shtëpi do t’u bëhet atyre. Problemi i fondit për banesat private, shteti, por të jap fond dhe individi. Asnjë komunë nuk duhet të pranojë një rindërtim pa projekt, është e pamundur. Administrata të jetë më operative, nuk duhet të punojë më me ritmin që ka punuar më herët”, apeloi inxhinierja Luljeta Bozo, duke i shkundur disi.

Kjo është një nga sfidat, por ajo e vërteta është sesi ata do të punojnë qysh në fillim të mandatit me një barrë të tillë, e cila nuk do t’u lehtësohet dot për pak muaj, por mbase do të kapë dhe kohë më shumë. Është koha që realisht kjo administratë të tundet dhe të tregojë, përmes projekteve dhe synimeve të saj, sesi do ta dëshironin vendbanimin e tyre në të ardhmen, për të treguar dhe vizione bashkëkohore, duke e shmangur disi protagonizmin e Tiranës, por duke ia shfrytëzuar me sa më shumë efikasitet të ardhurat, që në fakt po mblidhen nga të gjitha anët, falë një pune jo të pakët edhe…të kësaj politike, që të gjithë e anatemojmë. (Javanews)

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.