KULTURË

KONCERTI PËR TËRMETIN/ Inva Mula në skenë me 100 artistë dhe të bijën, fonde për një shkollë

12:02 - 10.12.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Thinjat e Robert Radojës, hapat e lehtë, e mandej pothuaj nxitimi drejt pianos, përqafimet e përzemërta ndaj atyre që e magjepsin si Robert Bisha janë disa prej çasteve më të bukura që shquhen në sallën e Katedrales Ortodokse para koncertit “Nesër është ditë e re”. Nga Liljana Kondakçi që i rikthehet skenës pas shumë kohësh, te të rinjtë e talentuar që i janë bashkuar kauzës, te Gerd Vaso e Enada Hoxha. I organizuar nga sopranoja Inva Mula për t’u ardhur në ndihmë të prekurve nga tërmeti i rëndë i 26 nëntorit, ai mblodhi në skenë 100 artistë shqiptarë të skenave të mëdha botërore dhe të teatrove tanë. Këngë, poezi, balet, arie e korale bënë bashkë artistët solidarë, që erdhën në mënyrë vullnetare për të kontribuuar për të pastrehët e familjarët e atyre që jetët iu këputën në mes mëngjesin e 26 nëntorit. Nga këngët patriotike te poezitë mbi atdheun, nga Carl Off te Claude Debussy, nga Inva Mula me të bijën, Ninën, me të cilën kanë vizituar fshatrat me baltë ku njerëzit jetojnë në çadra, tek Aurela Gaçe, motrat Libohova, Mirush Kabashi, Klodian Kaçani e Robert Bisha (ardhur nga Roma), Blerta Zhegu ardhur nga Franca, Xhevat Limani nga Amerika, artistët u shfaqën të bashkuar për një kauzë në më shumë se tri orë maratonë.




Mula vetë e ka cilësuar ngjarjen e rëndë që mori më se 50 jetë njerëzore si një tragjedi e madhe për vendin. “Askush nuk ka mbetur indiferent. Unë që atë ditë mora makinën dhe shkova në zonat e prekura më rëndë nga tërmeti. Më emocionoi një nënë, e cila teksa mbante fëmijën e vogël në krahë më tha ‘u desh që të binte tërmeti që të të takoja ty’. Ideja për të ndihmuar këta njerëz më lindi menjëherë kur pashë gjendjen e rëndë. Fillimisht doja ta bëjë koncertin në Teatrin e Durrësit… por koha tregoi se thirrja ime për Durrësin ishte emocionale dhe jo e bazuar. Pastaj thashë le të kthehemi në Tiranë. Dhe u vendos që mbrëmja humanitare do të mbahet të dielën tek salla e Katedrales Ortodokse. Dua ta theksoj që në fakt nuk është koncert por mbrëmje humanitare”, është shprehur Inva Mula.
Gjatë koncertit ajo tha se tashmë është hapur një llogari bankare përmes të cilëve artistët mbledhin ndihma deri më 31 dhjetor, duke synuar që gjithë muaji dhjetor të jetë me aktivitete të kësaj natyre që të mblidhen sa më shumë fonde me të cilat synojnë të ndërtojnë një shkollë.
Pas interpretimeve solo, në piano, kitarë, interpretim poezish e ariesh, 100 artistë u ngjitën në skenë për të kënduar të gjithë së bashku këngën “Shqipëri o vendi im”, si një himn kushtuar vendit ku të gjithë kanë hedhur hapat e parë. E sjellë si një korale e madhe nën dirigjimin e Zana Turkut, ajo bashkoi grupmosha të ndryshme në skenë, nga Robert Radoja te më të rinjtë në violonçel.

MESAZHI
ALBANO CARRISIT
“Unë desha t’ju përshëndes në shqip, por di shumë pak fjalë në shqip. Unë jam pranë jush shumë më afër se ç’mund ta mendoni. Ju përqafoj përzemërsisht. Kam besim te forcat tuaja, mobilizohuni siç e keni bërë gjithmonë dhe ju them që jam gjithnjë pranë jush. Jam me ju në momentet e errëta e në momentet e ndritshme nga të cilat do të ketë me siguri. Ndërkaq, ju dedikoj një këngë, këngën ‘Liberta’, mos e këndoni, por mendojeni”.

SAIMIR PIRGU
“Më vjen keq që nuk arrij të jem sonte me ju. Mungesën time do ta përcjellin me artin e tyre, kolegët e mi. Me premtimin se së shpejti do të jem në koncertin e radhës, ju përqafoj nga larg”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.