OPINION

Për një monument përkujtimor me emrin “Dardan”, në Durrës

08:00 - 10.12.19 Albert Hitoaliaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Çfarë është historia? Një jehonë e së shkuarës në të ardhmen; një refleks i së ardhmes në të shkuarën”, – thotë Viktor Hygo. Ajo që u pa në momentin e parë pas lëkundjeve të tërmetit të datës 26 nëntor në Durrës, ngjan pikërisht me atë që shkruan Hygo, ku mediet dhe njerëzit ngado shihnin me ngazëllim, gëzim, shpresë dhe vëllazëri shqiptare, pjesëmarrjen e trupave e ekspertëve nga Kosova. U fol për një “rikthim” të shqiptarëve të Kosovës në Durrës, ku këtë herë ata vinin për të dhënë ndihmë e jo për t’u strehuar. Ndërkohë, në Kosovë shqiptarët hapën shtëpitë e tyre dhe zemrat e tyre për të pritur vëllezërit shqiptarë. Momentet e vështira, tragjike kanë ngjallur historikisht unitet dhe solidaritet te populli shqiptar. Ky është një tipar kombëtar, të cilin duhet ta ruajmë. Kujtesa kolektive ka nevojë edhe për simbolin ndër të tjera. Fundja, për këtë gjë shërbejnë edhe monumentet. Lidhur me shqiptarët e Kosovës, duhet thënë se, për hir të së vërtetës, ata nuk u rikthyen pasi aty kanë qenë gjithmonë. Durrësi antik na zbulon një detaj shumë interesant. I pari emër “Dardan”, gjendet i zbuluar në Dyrrahun antik, në një urnë. Këtë e dëshmon një artikull i studiuesit dhe arkeologut të pasionuar, Moikom Zeqo. Duket si një jehonë historike, si një kod simbolik, emri “Dardan” i gjetur në Durrësin e moçëm. Sikur vjen nga thellësitë e historisë, për të qenë përsëri pjesë e ditëve tona, ashtu siç ishin shqiptarët e Kosovës sonë, njëlloj siç e përcaktonte Hygo historinë: “Një jehonë e së shkuarës në të ardhmen”…




Dardani nga Durrësi

“Nga një gërmim afër stadiumit të qytetit u zbulua një urne prej guri gëlqeror, katërkëndëshe, 0,60 x 0,19 x 0,37 m. Mbi urnë ishte vendosur një pllakë katërkëndëshe 0,97 x 0.50 x 0,24 m. Mbi faqet e sipërme ishte gdhendur mbishkrimi me dy rreshta: ΔAPΔANE XAIPE (DARDANE HAIRE). Lartësia e germave 2,5 cm. E-ja është lunare. Emri Dardan është ilir (E. Çabej, Emri i Dardanisë e izoglosat shqiptare-kelte, “Studime gjuhësore”, Prishtinë IV, 1977, f. 374-376.). Del për herë të parë në Durrës. Me rëndësi është relievi i njërës faqe anësore të pllakës që tregon dy këmbëza froni prej luani, mes tyre një stringël, një lekit si dhe një diptik dhe dy lule rozeta (tab. II, 1). Kjo pllakë i kushtohej një të riu të moshës së efebit, të vdekur herët. I takon si kohë shek. III-I p.e.sonë.” (Moikom Zeqo. Objekte arti nga gjetjet e rastit në Durrës /Objets d’art trouvés à Durrës. Në: Iliria, vol. 19 n°1, 1989, f. 253-259).

Kujtesa kolektive dhe monumenti

Në kujtesën tonë kolektive, Lufta e Kosovës është një ngjarje e cila edhe pse kanë kaluar shumë vite, por jo aq sa për ta harruar, lidhet me shumë elementë. Një prej tyre është elementi social i identitetit shqiptar. Thënë “trashë”, kujtesa kolektive përfaqëson të shkuarën e një grupi që ka të njëjtin identitet. Qasja te kjo kujtesë nuk është vetëm dhe thjesht historike, por edhe psikologjike e sociologjike. Formimi i kujtesës kolektive ndikohet nga faktorët e ndërgjegjes dhe ata emocionalë individualë, por merr kuptim në kuptimësinë e lidhjes e ndërveprimit me individë të tjerë ose me artefakte kulturore. I jepet formë e transmetohet përmes rrëfimit. Qysh nga koha kur Maurice Halbwachs e konceptoi si një pikëtakimi për diskutime ndërdisiplinore që përfshinin sociologjinë, historinë, antropologjinë e psikologjinë, kujtesa kolektive ka bërë një rrugë të gjatë brenda shkencave sociale. Meqenëse kjo kujtesë ndërhyn te përcaktimi, ngritja dhe mobilizimi i identiteteve shoqërore, atëherë ajo ndikon fort marrëdhëniet ndërgrupore. Kujtimet kolektive ndikojnë të tashmen, por ato ndikohen gjithashtu edhe nga nevojat dhe gjendjet psikologjike të tashme. Jo më kot, artikuj të ndryshëm të këtyre ditëve nxirrnin në pah lidhjen që kishin shqiptarë të ndryshëm të Kosovës me durrsakët apo qoftë edhe ditët e Luftës së Kosovës të kaluara në Shqipëri. Këto lidhje natyrisht që janë ekzistuese edhe po të mos dalin në medie, pasi ato janë kujtesa kolektive e shqiptarëve, të cilët përbëjnë grupin me identitet të njëjtë, që e ruan dhe e trashëgon këtë kujtesë kolektive; individualisht, si kujtesë biografike dhe në mënyrë shoqërore po ashtu. Nevoja për të transmetuar këto kujtime është pjesë e ndikimit psikologjik të së tashmes, mbi historinë e të shkuarës.

Një nga kornizat që orienton themelimin e kujtesës, është hapësira. Kujtesa lidhet në mënyrë të fortë e të ngushtë me një hapësirë të veçantë. Nëse do të flisnim për individin, ajo do të lidhej ngushtë me një dhomë, një rrugë, një kopsht, një derë etj., të cilat duke qenë familjare, marrin vlera të veçanta për të, duke i lejuar që të kujtojë të shkuarën. Në rastin e kujtesës së grupit, ajo lidhet me shumë fije që degëzohen nga trungu kombëtar, kur bëhet fjalë për një komb. Kultura, tradita, institucionet e natyrisht historia e shkruar (ose e pashkruar), bëjnë tejçimin nga një brez në tjetrin të kujtesës kolektive të një kombi. Hapësira zgjerohet kësisoj. Shndërrohet në hapësirë kolektive, të përbashkët. Hapësira që flasim në rastin tonë, e Durrësit dhe e Kosovës, është hapësirë shqiptare, ku kujtesa jonë kolektive lidhet si me kujtesën e psikologjinë individuale, edhe me kujtesën kolektive. A e patë atë foton e atij djalit të vogël e imcak, – foto e dikurshme e tij në kampin e Kukësit, i përzënë nga dhuna serbe, – krah fotos së sotme të tij, në Durrës, veshur me uniformë të FSK-së, duke shpëtuar jetë mes rrënojave? Ky është shembulli më i saktë i kujtesës për të cilën flasim. Në Kukës duhet të ekzistonte një muze i përmasave të mëdha që të dëshmonte ditët e Luftës së Kosovës, por muzeu aty mungon ndërsa, si për ironi, pajimet e pilotit të avionit F-16C dhe disa pjesë nga ato të avionit F-117A, të rrëzuar në Serbinë e vitit 1999 janë të ekspozuara në muzeun e Beogradit.

Por, nëse historiani ka mision që t’i pranojë të dhënat historike si fakte dhe të mbajë qëndrime të paanshme lidhur me to, duhet thënë se përçimi i historisë në shoqëri nuk bëhet vetëm përmes këtij procesi që shkruan historinë. Sociologu ndërkohë, ndryshon nga historiani pasi ai nuk kërkon fakte të reja historike, por kërkon të dijë se si në strukturën e brendshme, individi dhe shoqëria e kujtojnë të shkuarën. Kjo lidhet pashmangshëm me traditën, pasi çdo grup (lexo komb) ka traditën e vet dhe mban ngulitur mirë në kujtesë individët, të cilët ndikuan në jetën dhe mbijetesën e grupit. Pra, kujtesa për të është mbijetesë. Pa këto kujtime të dhëna nga pjesëtarët e grupit, ky i fundit nuk do të mund të mbijetonte. Madje, për të ruajtur traditën e kujtesës kolektive grupi kundërshton që të derdhen brenda kësaj kujtese, ato të grupeve të tjera, të cilat do e dobësonin apo kërcënonin identitetin e tij. Pra, përmendëm dy prirje: trashëgiminë e kujtesës dhe erozionin e saj.

Për t’u rikthyer edhe një herë te hapësira të cilën kujtesa kolektive e ruan si të tërë, sjell në vëmendje si ilustrim për rastin tonë, një pikturë me harta, të përdorur në veprën “Illyricum sacrum”, të Daniele Farlatit. Harta e parë brenda të ilustrimit, në të djathtë, shfaq emrin Dardania, i cili ka një shtrirje përgjatë detit Adriatik (në hartë: Maris Adriatici Pars) dhe në zemër të tij, bash mu në mes, shfaqet emri Epidamnus. Kjo hapësirë gjeografike dardane, aty na shfaqet vetëm si një skicë gjeografike, por në vetvete, dikur ajo mishëronte një kujtesë të tërë kolektive, të gjallë, dardane, shqiptare. Zbehja e kujtesës kolektive të kohëve më të hershme, të hapësirës më të hershme, e zbeh edhe identitetin, e madje rrezikon edhe mbijetesën. Jo më kot, hapësira trajtohet si një parim themelor në gjeopolitikë.

Kësisoj, e duke parë nën këtë dritë, momentin e ditëve të tërmetit në Durrës dhe reagimit vëllazëror të shqiptarëve të Kosovës, vjen natyrshëm shtysa e mendimi që këto momente të ruhen. Duhen ruajtur pasi ato janë “fosilet” që e ardhmja e brezave do të kërkojë, janë ajo që Hygo thoshte për historinë: “një refleks i të ardhmes në të shkuarën”. Na takon neve që këtë frymë të lartë bashkimi e solidariteti, ta ruajmë sot që ajo të jetë e ardhme, nesër. Një monument me emrin “Dardan”, i cili përfaqëson një durrsak me emrin Dardan, banor të Durrësit para 2400 vjetësh, do të ishte një gjetje e goditur. Një monument i vendosur në Durrës, qoftë nga institucionet apo qoftë nga ndonjë iniciativë private, do të mishëronte kujtesën tonë kolektive, e cila tregon që është e ruajtur fort dhe gjallë nga rrëfimet individuale të shqiptarëve. Ky monument do t’u kujtonte atyre qindra e qindra nxënësve, studentëve apo pushuesve që vijnë nga Kosova, se ata nuk po vizitojnë thjesht Durrësin, por po vizitojnë Dyrrahun, atdheun e atij Dardanit të dikurshëm të varrosur aty 24 shekuj më parë. Do t’u tregonte ky monument, se ata po vizitojnë atdheun e tyre. Si shqiptarë, kemi kohë akoma, që të bëhemi ata që mund të kishim qenë… Duke kujtuar!


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.