KULTURË

“TË SHEMBET TEATRI”/ “Mea Culpa” e Jeton Nezirajt: Më kanë kërkuar autokritikë…

11:03 - 10.12.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Të gjitha arsyet që e bënë të besoje se teatri duhej shembur dhe argumentet që e bindët që teatri duhet të qëndrojë. Dramaturgu nga Kosova, Jeton Neziraj ka sqaruar në Tiranë dyshimet që ka pasur dhe atë që lind tashmë si detyrë, për një teatër ku nuk ka më as supremaci, as inskenime “shterpë” të kalendarit Shqipëri-Kosovë.
Një prej emrave më në zë të teatrit shqip, solli në Tiranë shfaqjen “Pesë stinët e Armikut të Popullit”, që u dha me datë 6 dhjetor, nga ora 19:00 në Teatrin Kombëtar në Tiranë. Së fundmi, për të sqaruar çdo keqkuptim ai e ka publikuar qëndrimin e tij në llogarinë e tij zyrtare në Facebook. Prej dy vitesh në Tiranë vijojnë protestat për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, për më shumë se një vit, protesta ka qenë e përditshme ndërsa prej 24 korrikut kur u shënua përplasja fizike për mbrojtjen e godinës, ruajtja e saj, bëhet 24 orë. Po prej 24 korrikut, artistët e aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, kanë bërë një festival i cili në 4 muaj ka sjellë më shuam se 35 aktivitete në formë vullnetare, në një teatër pa ujë dhe pa drita që i mundëson shfaqjet me gjenerator furnizimi i të cilit bëhet me para të dhuruara nga qytetarët. Rreth 10 mijë qytetarë, sollën ndihma në veshje, ushqime dhe para për të prekurit nga tërmeti, teksa teatri u kthye në një prej pikave më të rëndësishme të grumbullimit të ndihmave pas tërmetit të 26 nëntorit. Më poshtë deklarata e Nezirajt




DEKLARATA e PLOTË
Shumë prej jush me siguri e dini qëndrimin tim të mëhershëm në lidhje me idenë e shembjes/mos shembjes së këtij teatri– të tjerë që nuk e dinë, mund ta gjejnë sepse gjendet lehtë. Por, po, më herët kam besuar se ky teatër duhet të shembet – dhe kam besuar sinqerisht, e për këtë besim asokohe i kam pasur argumentet e mia. Siç i kanë pasur e i kanë edhe shumë artistë të respektuar në këtë vend. Mendimi e qëndrimi i të cilëve duhet respektuar. Për ta kuptuar më drejtë kauzën e këtij grupi artistësh që po e mbrojnë këtë teatër – ne i ftuam përfaqësuesit e tyre para ca ditësh në Prishtinë dhe i dëgjuam me vëmendje. Po, pat shfryrje mllefi, por pat edhe qëndrime të argumentuara e të sinqerta – të cilat, duhet t’i merr parasysh kushdo që ka planifikuar ta shembë këtë ndërtesë. E ato qëndrime i morëm edhe ne parasysh, para se të vendosnim të vinim të luanim në këtë teatër. Disa këtu në Tiranë, e kanë kërkuar me ngulm qëndrimin tim të ri, ose siç e quanin “deklaratën e re” për ‘ndryshim qëndrimi’. Si dikur kur artistëve u kërkohej të bënin ‘autokritika’ për gabimet ‘ideologjike’ që bënin. Thua se, një ‘deklaratë’ e re është shumë e rëndësishme, madje edhe më e rëndësishme sesa ardhja me një shfaqje teatri këtu, në këtë skenë. Dhe kjo e tregon se si beteja legjitime për këtë teatër, nga disa është kuptuar dhe po përdoret si gjueti shtrigash, për të demonizuar njerëz dhe për ta demonizuar kështu edhe vet kauzën për mbrojtjen e këtij teatri. E do të duhej të ishte ndryshe: përballë kërcënimit të shembjes, në vend të armiqësimit, duhet të kërkohet solidaritet e përpjekje e sinqertë për të komunikuar me tjetrin e për t’ia shpjeguar me qartësi bindjet e argumentet. Edhe nga debati në Prishtinë, e kuptuam që kishte artistë që ishin pro shembjes. Dhe kjo nuk duhet t’i bëjë nervozë dhe t’i frustrojë ata që janë kundër shembjes me çdo kusht. Përkundrazi, ata duhet me durim t’i promovojnë argumentet e tyre. Por që t’i kthehem thelbit. Akti i prezantimit të kësaj shfaqjeje këtu është qëndrim dhe shpjegon qëndrimin tim dhe jo vetëm timin – se është qëndrim i shumicës në këtë ekip prej 15 artistësh. Vendimin për të luajtur këtu, nuk e kam marrë kokë në vete, por mbas konsultash me ekipin. Po, kemi pas dilema – disa ndoshta akoma kanë. Por me rëndësi është që ne jemi këtu dhe sonte do të luajmë në këtë teatër.
A mund t’u besojmë atyre që premtojnë parajsën teatrore, ndërkohë që në realitet kanë krijuar një ferr teatror? Dhe duhet të jemi të sinqertë: këtë ferr nuk e ka krijuar vetëm kjo qeveri tani, por edhe opozita dje kur ishte në qeveri, dhe kam frikë, do ta vazhdojë edhe qeveria nesër, cilado që të jetë ajo. Prej herëve të rralla kur artistët këtu janë interesuar për mua dhe le të themi, u ka interesuar qëndrimi im, ka qenë rreth këtij teatri, pra, nëse jam pro shembjes, apo kundër shembjes. Fakti që asnjë dramë e imja nuk është inskenuar në ndonjë teatër në Shqipëri, nuk ka qenë dhe nuk është shtruar si pyetje asnjëherë – dhe për këtë gjë nuk besoj se i bëhet vonë askujt. Është degradimi moral që i ka ndodhur teatrit shqiptar, krejt këto 30 vite. Është arroganca e artistëve teatror këtu, është një lloj supremacie teatrore e krijuar, që e projekton teatrin këtu si qendër të botës, e ku artistët teatrorë Kosovar i trajton me përçmim – ose, vetëm si numra, kur u duhet të plotësojnë ndonjë kuotë në ato kalendarët shterpë të bashkëpunimit kulturor Kosovë – Shqipëri. Ka edhe shumë më shumë se sa kaq – por tani s’është koha e as vendi për t’ia bërë ‘radiografinë’ kësaj travestie morale të teatrit shqiptar. Tani, e di që për artistët që po rezistojnë këtu, çështja është urgjente dhe nevoja për veprim është konkrete, kundruall kërcënimit konkret që vjen për rrënimin e këtij teatri – pra nuk është se lypsen shumë fjalë – megjithatë të them se, kisha dashur që kjo rezistencë këtu, të jetë si një fillim i një beteje më të gjatë për ta çliruar teatrin shqiptar nga kthetrat e degradimit dhe si një beteje që përpos kauzës për objektin, lufton edhe për një kauzë tjetër, po aq sublime, në mos edhe më sublime; kauzën për dinjitetin e teatrit në këtë vend – dinjitet që është rrëmbyer nga të gjithë nga pak, duke përfshirë edhe nga vet ne artistët, por sidomos nga politika e politikanët– pa përjashtim, nga të majtit dhe nga të djathtit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.