Intervista

Vlerësuesi i pasurive të paluajtshme: Rriten me 20% çmimet e qirave të banesave

11:00 - 10.12.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Çmimet e apartamenteve apo shtëpive që jepen me qira në kryeqytet kanë pësuar një rritje deri në 20 për qind, rritje kjo që pas tërmetit që tronditi vendin dy javë më parë. Ky fakt pohohet nga vetë drejtuesit e agjencive imobiliare, të cilët theksojnë se ky abuzim vjen fill pas ngjarjes katrastofike dhe shtimit të numrit të kërkesave për një banesë me qira të sigurt. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, inxhinieri Ervin Demirxhiu, në cilësinë e vlerësuesit të pasurive të paluajtshme dhe broker në një prej agjencive “Real Estate” tregon se kërkesa për banesa në Tiranë kanë ardhur edhe nga Thumana e Durrësi, dy zonat më të dëmtuara nga tërmeti. Ndërkohë, më tej ai shton se ka ndryshuar orientimi i kërkesave për sa u përket kateve të larta, po kërkohen katet e ulëta.




Pas tërmetit shkatërrimtar që goditi vendin në 26 nëntor, si paraqiten kërkesat pranë agjencive imobiliare për banesa me qira?
Pas tërmetit shkatërrimtar që goditi vendin në 26 nëntor, mund të themi me bindje të plotë se kemi një rritje të kërkesave për qira në qytetin e Tiranës. Dua të theksoj këtu se një pjesë e qytetarëve që kërkojnë apartamente apo shtëpi me qira pranë agjencisë sonë imobiliare vijnë nga zonat më të goditura, pra si nga Durrësi, ashtu edhe nga Thumana.

Cilat janë zonat më të preferuara tashmë nga qytetarët? A mendoni se do të ketë një zhvendosje të popullsisë drejt zonave periferike në kryeqytet?
Për hir të së vërtetës, nuk mund të flasim për ndryshim trendi në lidhje me zonat, pasi ato mbeten të kërkuara sipas plotësimit të nevojave për çdo klient, duke përfshirë infrastrukturën dhe çmimet e qirave. Duke parë kërkesat e dy javëve të fundit, pra që pas tërmetit, nuk mendoj se do të kemi ndonjë lëvizje drastike drejt zonave periferike. Dua të bëj me dije se deri më tani janë shtuar kërkesat ndjeshëm në lidhje me shtëpitë private e vilat, por përgjithësisht për ato që janë të lokalizuara në zonën urbane të qytetit.
Mund të na tregoni se cilat janë kategoritë e qiramarrësve që drejtohen më shpesh pranë zyrës suaj?
Klientët e paraqitur në zyrë apo dhe telefonatat e mesazhet që kemi marrë nëpërmjet rrjeteve tona kanë qenë kryesisht nga familjarë, më së tepërmi ata me fëmijë të vegjël, të cilët janë traumatizuar edhe nga lëkundjet e pallateve.

A janë rritur çmimet e qirave në këtë periudhë nga qiradhënësit? Si e gjykoni këtë rritje, a mund të etiketohet si një abuzim për shkak të goditjes nga tërmeti dhe pasiguria që shoqëron njerëzit?
Po. Vërejmë një rritje për sa u përket shtëpive private dhe vilave. Kjo rritje vjen në mënyrë abuzive si rezultat i kërkesave të shtuara për këtë kategori pronash banimi gjatë ditëve të fundit. Dua të shtoj se kjo rritje varion nga 10% deri në 20%, në varësi të zonave apo gjendjes së objektit.

A preferohen më katet e larta nga qytetarët?
Pyetje e bukur kjo! Kishim një rast konkret për një apartament me qira, të cilin e vizituam me qiramarrësin një ditë para tërmetit. Personi e pëlqeu apartamentin dhe u bënë gati të gjitha, përfshirë këtu edhe kontratën. Por apartamenti ishte në katin e 11-të dhe pasi ra tërmeti në 26 nëntor, personi na kontaktoi dhe na tha ta anulonim kontratën. Pra, mund të them me plot bindje që ka ndryshuar orientimi i kërkesave për sa u përket kateve të larta, po kërkohen katet e ulëta.

Cilat janë kërkesat e qytetarëve tashmë për një banesë? A pyesin paraprakisht për sigurinë e banesave, qëndrueshmërinë në strukturë të objektit?
Tashmë pyetjet e të interesuarve për apartament apo shtëpi private me qira kanë ndryshuar dhe kjo normalisht lidhet me ngjarjen e tërmetit. Personat që vijnë pranë agjencisë sonë pyesin për kushtet teknike, pyetje e cila më parë, rrallëherë bëhej. Fatkeqësisht u desh që të binte tërmeti që klientët të ndërgjegjësohen dhe të vlerësojnë maksimalisht qëndrueshmërinë konstruktive të objektit dhe të lënë pak mënjanë funksionalitetin apo aparencën.

Si mund të verifikojnë qiramarrësit sigurinë e banesave që do të marrin me qira?
Këto ditë është folur shumë për disa “pajisje çudibërse” nga ekspertët e huaj mbi verifikimin e objekteve të dëmtuara. Një këshillë që unë do të jepja, që besoj e ka parasysh çdo person që merr një objekt me qira, është të shikojnë me vëmendje apartamentin për të cilin bëhet fjalë, nëse ka shenja çarjeje sipërfaqësore apo më tepër, nëse jo duhet të shikohen katet e para, aty patjetër ka dëmtime nëse cilësia e objektit ka qenë e dobët. Një mënyrë tjetër është dhe kontakti me administratorët e pallateve, pasi ata janë përgjegjës dhe janë më të informuar se publiku i thjeshtë në lidhje me objektet që ata përfaqësojnë.

Çmimet referencë dërguar Bashkisë së Tiranës për kompensimin:

‘Fresk’, Shkozë, Allias, Kombinat, Paskuqan
†Apartament 1+1 100- 140 euro/muaj
†Apartament 2+1 160- 180 euro/muaj
†Apartament 3+1 200- 230 euro/muaj

‘Astir”
†Apartament 1+1 160-180 euro/muaj
†Apartament 2+1 200- 250 euro/muaj
†Apartament 3+1 270- 320 euro/muaj
Komuna Parisit, Kodra e Diellit, Kopshti Botanik
†Apartament 1+1 250-280 euro/muaj
†Apartament 2+1 300-350 euro/muaj
†Apartament 3+1 370-450 euro/muaj
Zonat e qendrës së Tiranës, çmimet luhaten midis:
†Apartament 1+1 280-320 euro/muaj
†Apartament 2+1 350-400 euro/muaj
†Apartament 3+1 450-550 euro/muaj


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.