KULTURË

“Europa Nostra”, umbrella europiane e Teatrit Kombëtar

12:00 - 11.12.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Lista e shkurtër e 14 vendeve më të rrezikuara të trashëgimisë europiane e njoftuar sot. Një nga qendrat më të spikatura të kulturës në Shqipëri dhe një hapësirë e rëndësishme sociale dhe publike në kryeqytetin e saj, tani përballet me një rrezik të afërt shembjeje…”. Ky është shënimi i shqipëruar i njoftimit të Europa Nostras, një federatë pan-europiane e OJQ-ve të trashëgimisë, e mbështetur nga një rrjet i gjerë i institucioneve publike, kompanive private dhe individëve që mbulon 40 vende. Zyrtarisht prej ditës së martë, Teatri Kombëtar, godina që ruhet 24 orë në 24 nga një vendim i diskutueshëm i qeverisë për ta shembur, është ‘shpallur’ mes 14 objekteve më në rrezik në Europë, çka përkthehet në një umbrellë europiane për të. Ky është një hap i madh për daljen nga ‘ngujimi’ të artistëve që kanë lënë axhendat artistike prej dy vitesh për ta kthyer jetën e tyre në qëndresë në emër të teatrit dhe demokracisë, duke e kthyer një shesh të thjesht në një prej shesheve më domethënëse të vendit, në sheshin e lirisë, siç e quajnë ata.




NJOFTIMI
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka njoftuar dje përmes një konference për mediat se Teatri Kombëtar i Shqipërisë është futur në listën e 14 vendndodhjeve më të rrezikuara në Europë. Vendimi është marrë në mbledhjen e EN-në së fundmi në Hagë nga një panel këshillimi ndërkombëtar, ku u përfshinë specialistë ndërkombëtarë të historisë, arkeologjisë, arkitekturës, konservimit e restaurimit dhe financës.
“Fondacioni Gjirokastra, me nxitjen e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit këtë vit aplikoi për shpalljen e Teatrit Kombëtar, një nga 7 vendndodhjet më të rrezikuara në Europë. Ky aplikim u mundësua me ndihmën e shumë specialistëve shqiptarë dhe të huaj, të cilët përgatitën dosjen teknike të Teatrit Kombëtar të Shqipërisë”, tha dje AMT-ja. Ajo shtoi se të gjitha monumentet dhe vendet e shpallura në rrezik në listën paraprake, u përzgjodhën duke marrë parasysh vlerën e tyre të jashtëzakonshme të trashëgimisë, vlerat kulturore si dhe rrezikun e afërt me të cilin po përballen.

“Një nga kriteret kyçe dhe themelore për përzgjedhjen e tyre ishte edhe angazhimi i komuniteteve lokale dhe i grupimeve të interesit publik dhe privat për të shpëtuar këto objekte. Aksione të qarta që e dëshmonin këtë angazhim u vlerësua të ishin: (1) protesta për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar që ka më se një vit e nëntë muaj që zgjat, nga këto një vit e gjysmë çdo ditë dhe që prej 17 Korrikut të këtij viti 24 orë në 24, (2) marrja e ndërtesës në administrim që prej 24 Korrikut pas përplasjes me Policinë, nga një grup artistësh, aktivistësh dhe qytetarësh të cilët organizuan Festivalin për Mbrojtjen e Teatrit në kuadrin e të cilit janë organizuar mbi 40 ngjarje artistike që përfshijnë shfaqje teatri me trupa nga Shqipëria, Kosova, Austria, Gjermania, Italia, Franca, Amerika, koncerte të ndryshme muzikore, takime profesionistësh për tema të ndryshme që kishin lidhje me shembjen e Teatrit Kombëtar, ngjarje të cilat i dhanë kështu hapësirës së Teatrit Kombëtar një përmasë me vlera jo vetëm kombëtare, por edhe europiane”, thanë dje Robert Budina regjisor dhe Kreshnik Merxhani arkitekt, të dy, pjesë e delegacionit të Aleancës në Paris pranë Europa Nostras disa javë.

Sipas tyre, një kriter tjetër i madh ishte potenciali i hapësirës së Teatrit Kombëtar për të vepruar si katalizator për zhvillimin e qëndrueshëm socio-ekonomik dhe nxitjen e vlerave më të mira të shoqërisë shqiptare, detyrë të cilën e ka kryer me sukses të plotë protesta e përditshme që zhvillohet në sheshin e tij, i cili është kthyer tashmë në një kuvend i munguar i shqiptarëve në këto vite të vështirë tranzicioni për të gjithë temat e rëndësishme me të cilat ballafaqohet shoqëria shqiptare.
“Kjo përzgjedhje e Teatrit Kombëtar në listën e shkurtër të 14 vendndodhjeve më të rrezikuara në Europë, do të thotë që tashmë të interesuar për restaurimin e tij nuk janë vetëm faktori i brendshëm i përbërë nga artistët, aktivistët dhe qytetarët protestues por edhe faktori ndërkombëtar si Këshilli i Europës dhe Parlamenti Europian”,-tha këtë të martë Aleanca në konferencën e mbajtur në sallën e madhe të teatrit.

Artistë, qytetarë e aktivistë dinë tashmë se me angazhimin e saj duke nisur që prej këtij vendimi, Europa Nostra do të ndihmojë, nxisë dhe koordinojë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm që të investohen në restaurimin profesional përfundimtar të godinës së Teatrit Kombëtar.
Për Aleancën, ky sukses i padiskutueshëm i kauzës së Mbrojtjes së Teatrit Kombëtar dhe shpallja e tij një monument i rëndësishëm europian i dedikohet të gjithë atyre artistëve, aktivistëve dhe qytetarëve protestues, të cilët përgjatë këtyre më se dy viteve, kundërshtuan qeverinë, përgatitën kritikat ndaj ligjit special, që i hapte rrugën shembjes së Teatrit Kombëtar, sensibilizuan faktorin politik, kulturor, mediatik, atë të trashëgimisë kombëtare dhe ndërkombëtare. “Këta artistë e aktivistë kontaktuan për këtë qëllim Delegacionin Europian në Shqipëri, Komisionin Europian, Këshillin e Europës dhe Parlamentin Europian, të gjithë profesionistët vendas dhe të huaj, të cilët u përfshinë në përgatitjen e dosjes teknike për aplikimin në Europa Nostra, dhe siguruan mbështetjen e institucionit të Presidencës së Republikës së Shqipërisë. Mbështetja direkte e institucionit të Europa Nostra i vendos përfundimisht një frenim të plotë, përpjekjes së mbrapshtë të qeverisë për të shembur Teatrin Kombëtar. Teatri Kombëtar është cilësuar nga Europa Nostra si: “një nga qendrat më të spikatura kulturore në Shqipëri dhe një hapësirë e rëndësishme sociale dhe publike”- thuhet në deklaratën e Aleancës.
Ata e mbyllin njoftimin e tyre me një ndjenjë krenarie për këtë arritje duke e cilësuar si një nga fitoret më të mëdha të qytetarisë në të gjithë historinë moderne të demokracisë shqiptare në 30 vitet e fundit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.