AKTUALITET

Anjtanga Lubonja: Më ngelën plaçkat nën rrënoja, po abuzohet me qiratë e shtëpive

11:18 - 12.12.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Tërmeti apokaliptik i 26 nëntorit veç jetëve të humbura, banesave të shumta të shkatërruara, tronditi shpirtra njerëzish. Pas inspektimeve që janë bërë nga inxhinierët në terren është bërë me dije se dhe në zonën e “Qytet Studentit”, disa konvikte janë konsideruar të pabanueshme. Një ndër ta ka qenë godina familjare 15, ku ka banuar për shumë vite Znj. Ajtanga Lubonja. Me zërin që i dridhej dhe me sytë që tregonin një pikëllim të thellë, mungesën e shpresës ajo tregon për “Gazeta shqiptare” për momentet e vështira të territ të 26 nëntorit dhe pamundësinë për të lëvizur si të gjithë njerëzit, gjendjen pas tërmetit, si dhe humbjen e gjithçkaje nën rrënojat e godinës së shembur. “Tanimë ndodhem pa strehë”, pohon ajo. Znj. Lubonja ndihet e pashpresë dhe nuk ka besim tek askush.




hqdefault ajtanga AJTANGA
<
>

Ajo ndihet e revoltuar nga gjithë situata, si dhe nga klasa politike në vend, ku jo rrallëherë është kritikja më e madhe e tyre. E persekutuara na thotë se gjendja në godinën 15 nuk ishte aq keq sa u bë me dije. Përjetimet e saj mes lotësh dhe çastet kur me forcë e kishin nxjerrë jashtë e kanë lënduar thellësisht zemrën e 72- vjeçares. Edhe pse bashkia ka premtuar një qira të përmuajshme për të gjithë ata që kanë ngelur pa banesa nga tërmeti, znj. Lubonja nuk duket dhe aq optimiste, sidomos për faktin se çmimet e shtëpive po rriten mjaft në këto ditë të vështira. E ngelur pa barna, me dhimbje zemre e dërrmuar nga ndodhitë e fundit, znj. Ajtanga bën apel për ndihmë. “Kam jetuar 30 vjet nëpër konviktet e “Qytet Studentit”. Po them konvikte, se kam ndërruar 3 të tillë, ku për secilin jo rrallëherë kam ngelur pa bukë duke shpenzuar gjithçka që kisha për ta rregulluar. Te konvikti i godinës 15 kam që në vitin 2000.

Kur nuk pritjet bie tërmeti dhe neveria fërkon duart! Gjen sebepin të prishë godinat, për të përfituar fondin për “Kampusin studentor”. Janë shumë para e ç’vlejnë jetët tona para parasë! Na hoqën sikur kishte rënë bombë. Mua më ngelën plaçkat e një jete nën rrënoja. Jam e sëmurë shumë. Nuk arrita të luftoja dot. Siç e dini, jam e persekutuar politike me statusin “Armiku i popullit” dhe në Qytet Studenti kisha hyrë jo miqësisht, po me letër nga bashkia, sa të më jepnin shtëpi. Kështu kaluan 30 vjet dhe më hodhën në rrugë si plehrë! Jam shumë e indinjuar me shtetin, me klasën politike. Nuk e di si do të vejë puna më tutje. Jam 72 vjeçe, e sëmurë me zemër, tension e diabet! Ky është fundi im. Edhe pse thonë që do të rimbursojnë qiranë për një vit, s’besoj dhe aq. A e dini sa ka lulëzuar biznesi i shtëpive me qira? Një apartament 1+1 shkon 300 mijë lekë dhe unë marr 150 mijë lekë pension! Ju lutem, më ndihmoni!” Këto janë fjalët e saj mes dhimbjes së pafundme që i ka pushtuar shpirtin. Shtëpiza e saj në godinën 15 ka marrë me vete qindra kujtime të trishta dhe pak grima lumturie, kur mbushej me njerëzit që ajo do.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.