KULTURË

“Rrajët e tua ngjak janë la”/ Poezia e Mark Shllakut para pushkatimit

13:00 - 12.12.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Mësuesi i malësive të Pukës e Shkodrës, i dashuruar me pikturën dhe poezinë, aktor e sufler në Teatrin Migjeni, Mark Shllaku ‘takohet’ me të bijën, Julin, vetëm në copa letrash. Dikur ai i ka mësuar përmendësh, “Lahutën e Malcis”. Sot, ajo i prek letrat e holla të duhanit “Ylli i kuq”, duke dashur të takojë përmes tyre mollëzat e gishtave të babës, si atëherë kur ajo ishte krejt e vogël e ai, krejt i gjallë. Kanë kaluar 70 vjet, ajo është krejt e madhe, e ai, krejt i humbun. Fjalët janë po ato, amaneti po ai. I pa çuar në vend. “Baba ishte i butë shumë. Na plotësonte tana dëshirat. Na pat ba edhe kafaz me lepuj, që të lujshim me ta. Na merrte në shkolla verore dhe ne mezi pritshim me ardh ai në shpi”- thotë Juli me sytë e ujtë.




Një ditë të shtatorit të 1948-ës, Mark Shllaku u nis për në shkollë. Mëngjesin e asaj dite, nuk e dinte se nuk do të kthehej më kurrë në shtëpi, as i gjallë, as i vdekur. E arrestuan si organizator i celulës së partisë Social Demokrate në Shkodër. I vëllai ishte arratisur e i ati i Markut, ishte internuar në Tepelenë. Pas 11 muajsh hetuesi, më 25 gusht 1949 Gjykata Ushtarake në Shkodër vendosi ta dënonte me vdekje, me pushkatim. E bija, ishte atëherë vetëm 8 vjeçe. Sapo kish mësuar të shkruante e të lexonte kur ju drejtua kryetarit të Degës së Brendshme në Shkodër. “Ai ishte në nji nga kto shpitë e bukura të konfiskuara. Më çoi mama der te dera e më tha si me u sjellë. Hyna në nji sallon të madh. Iu prezantova dhe iu luta për nji takim me babën. Ai më dha nji copë letër të firmosme”, kujton Juli. Atë ditë, e pa babën përmes hekurave. “Kena shku me mamën dhe jena taku. Baba tha që kam shkru disa letra e i kam fut në dyshek, që ta merrshim. Tha se kishte ba nji cop’ metalike, teneqe. ‘Kur t’më çojnë me m’pushkatu buz Kirit, do ta lidhi për kame. Kam shkru emnin tem në të, kshu qi, do ta kesh ma të lehtë me m’gjetë. Mu më tha mos u mërzisni dhe mësoni. Te shkolla e kishte hallin”- kujton Juli. Mark Shllaku e kishte ditur mirë se trupat e të pushkatuarve ishin zhdukur.

Poezia Cinari e Mark Shllakut ku flet per pushkatimet Pjesa e dyte e poezise Cinari te Mark Shllakut ku flet per pushkatimet Paneli i Mark Shllakut në ekspozitë
<
>

Mes ditarëve të shkollës, mësuesi ka lënë letra me poezi. Është e vetmja fletore që i ka shpëtuar kontrolleve të sigurimit pas arrestimit. “Kanë mendu që është fletore e imja”, thotë Juli për shënimet e babës. I hap me rradhë dhe lexon poezitë, viti 1946, viti 1947. Mes tyre shquhet poezia “Çinarët”, kushtuar vendit ku pushkatoheshin të dënuarit e komunizmit pas varrezave të Rrmajit. Vargjet e poezisë së tij duket pothuaj përshkruajnë atë që ndodhte netëve pranë dy çinarëve, çka sot na tregom se Marku e dinte se qyteti ishte nën pushtetin e frikës dhe se ai mund të ishte edhe fati i tij.
“Në këtë shekuj ke kalue,
T’mira, t’kqia mjaft ke pa,
Ktu janë vjerrë e pushkatue
Rrajët e tua ngjak janë la

Ti nuk fole, gja s’tregove
Ndër rrajë tua i ke ngujuar
Gemat tu gjithnjë zgjanove
Banorët tu nhije me i mlue

Ke hesht mjaft çinar i mjerë
Be të lshojn nanat tuj kja
Qile gojën fol njiherë
Kur ma tepër ti ke pa”.
Poezia nuk ka datë, por fletë të ngjashme, me të njëjtin shkrim kanë shënimin “Vrrakë, 20 prill 1947”

Kur pas ekzekutimit e shoqja Angjja mundi të merrte sendet personale nga hetuesi, në dyshek gjeti një letër të mbrame. Letra i drejtohet Angjes, gruas që deshi, vajzës me të cilën qe njohur në moshë të re, dashuruar e martuar shpejt, sikur ta dinte se nuk kishte shumë kohë. Ai ishte vetëm 22 vjeç kur u bë baba.
Në letrat e duhanit të kohës, Marku që pret të vdesë kujtohet të shënojë borxhet për shtëpinë që patën ndërtuar bashkë dhe i lë amanetet. Pothuaj me lutje kërkon të ketë një varr. Nga dëshmitë e lëna me shkrim, i dënuari ndjehet të jetë krejt i vrarë ende pa e qëlluar.
“E dashtuna Angje!
Jam lidh kamsh e duersh. Edhe pak orë me kanë mbet me jetue. Mendjen e kam te ti e fëmija që nuk mujta më ju gëzue. Tashti më kanë pikëllue shumë fytyrat tuaja që më dalin parasysh e s’më lanë me dekë… banu e fortë…”
Pas ekzekutimit, Angjja, ndihmësmjeke në zë në Shkodër, paguan një burrë që të kërkojë trupin e të shoqit. E kërkojnë në Kir pranë çinarve por nuk e gjejnë. Regjimi nuk jepte të dhëna e prej 70 vitesh familja e tij kërkon të çojë në vend amanetin e Markut, por ende nuk di ku prehet trupi i tij.
Pas 1990-ës, Juli me të shoqin kanë pyetur ish-hetues të kohës. Dëshmi të pakonfirmuara përmendin malin e Rrencit në një natë me shi dhe një varr të cekët.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.