OPINION

Do ia dalim!

07:30 - 13.12.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kur ende presidentja e Komisionit Evropian (kryeministrja e qeverisë së Bashkimit Evropian) Ursula von der Leyen nuk ishte shprehur për organizimin e një konference donatorësh për Shqipërinë e gjunjëzuar nga tërmeti, shpresa ishte që këtë konferencë ta thërriste vetë qeveria jonë. Dy ditë pasi kjo shpresë ishte shprehur në mediat tona, më 4 dhjetor si Von der Leyen dhe Presidenti i Francës u shprehën që këtë konferencë do ta organizonin ata. Boshti gjermano-francez që ishte gjeneza e lindjes së Evropës së Bashkuar 61 vite më parë, funksionon akoma. Pa dyshim që shifra që do të mblidhet do të jetë të paktën në nivel të 200-300 milionë eurove për rindërtimin tonë. Dhe bashkuar me rreth 170 milionë eurot e angazhuara deri tani, do të jenë në gati të njëjtin nivel me koston e jashtëzakonshme të dëmeve deri tani. Pra, do të kemi aq para në duar si qeveri e shtet, sa dëme na ka shkaktuar tërmeti. Të paktën këto që po shohim, dokumentojmë dhe vlerësojmë tani. Banka jonë qendrore, Banka e Shqipërisë shërbeu si një dritë jo e vogël në fund të tunelit, kur më 2 dhjetor, pesë ditë pas mynxyrës, guvernatori i saj kumtoi se ishte rënë dakord me Fondin Monetar Ndërkombëtar që të konvertohej pjesa e kontributit të Shqipërisë në SDR (monedhën virtuale të Fondit) në nivel të 87 milionë eurove dhe të vihej në dispozicion të rindërtimit të vendit. Ka pritshmëri të madhe që FMN-ja të mund të ndihmojë me ndoshta një program kredish të buta, sikurse bëri në shkurt 2014, kur buxheti ynë i shtetit kishte 650 milionë euro detyrime të papaguara. Ende nuk ka zbritur “në fushën e betejës” në programin e rindërtimit Banka Botërore, me strukturat e saj të specializuara të menaxhimit të katastrofave natyrore. Madje, shumë donatorë të tjerë të mëdhenj mund t’i kanalizojnë fondet e tyre nëpërmjet Bankës Botërore, duke ditur sa e zonja kjo e fundit është të drejtojë një program të madh rindërtimi dhe kthimi në trajektoren e zhvillimit të qëndrueshëm të zonave të goditura. Pritshmëri e madhe duhet krijuar dhe te roli i bankave tregtare në sforcon rindërtuese të vendit. Të paktën 1 miliard euro depozita të qytetarëve që flenë në kasafortat bankare, presin të përdoren nga sistemi ynë i bankave të nivelit të dytë dhe nuk ka rast më të mirë që bankat te ne të marrin pjesë në projektet dhe programet e rindërtimit. Të cilat nuk i duhen lënë vetëm dhe thjesht vullnetit qeveritar, por duhet që gradualisht Komiteti i Rindërtimit të shndërrohet në një strukturë të qëndrueshme për të paktën 3-5 vjet, ndoshta edhe me ligj nga Kuvendi. Duhet që paralelisht me të, të ngrihet dhe të funksionojë një fond besimi (në gjuhën teknike bankare trust fund), ku dhuruesit e mëdhenj që nuk duan domosdoshmërish që gjithçka të kanalizohet nëpërmjet Thesarit të Shtetit, të shohin menaxhimin e fondeve të tyre. Mund të jetë Banka Botërore, që mund ta drejtojë ose bashkëdrejtojë këtë fond, por edhe bankat tona tregtare mund të ndihmojnë me ekspertizën e tyre. Struktura e re e ligjëruar që ia vlen të dalë sa më shpejt duhet domosdoshmërish të ketë përfaqësues nga Banka Botërore, FMN, ndoshta dhe BERZH. Institucione këto të asistencës ndërkombëtare dhe zhvillimit që kanë shumë eksperiencë në përballimin e situatave të jashtëzakonshme në mbarë rruzullin. Kjo strukturë duhet të ketë në përbërjen e saj edhe nga Shoqata Shqiptare e Bankave, përse jo edhe përfaqësues të bankave më të mëdha tregtare të vendit. Aktiviteti rindërtues nuk duhet të shkëputet dhe të kuptohet pa kontributin e sistemit tonë bankar, që mund të shndërrohet në një motor shumë të fuqishëm zhvillimi. Dhe dhimbjen e qindra e mijëra qytetarëve që kanë humbur të afërmit e tyre, por edhe gjithçka zotëronin, ta kthejë në shpresë rindërtimi të shpejtë dhe zhvillimi ekonomik, me gjithë rënien e përkohshme të turizmit në Durrës. Shpresë se do ia dalim dhe se nuk do të ngecim në burokracitë e koordinimit të ndihmës shtetërore apo në labirintet e kontributit të disa dhjetëra donatorëve. Prandaj janë domosdoshmëri fondi i besimit dhe struktura drejtuese e projekteve që do t’i harxhojnë këto para, e ngritur me ligj të parlamentit.




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.