OPINION

E ardhmja jonë nuk pret më

07:00 - 13.12.19 Ndriçim Kulla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Të shkruash për gjendjen në të cilën ndodhemi, është sa e vetvetishme aq edhe delikate. Shtysa e parë, e fortë, emocionale dhe e rrëmbyeshme në morinë e ndjesive që të kapërthejnë menjëherë pas tragjedisë së tërmetit që goditi Shqipërinë, është të shkruash aty për aty. E bënë shumica e njerëzve të opinionit publik, e këtë kërkova të bëja edhe unë. Por diçka e pashpjegueshme më ndaloi, diçka që s’kishte të bënte me dhimbjen, as me solidaritetin apo me reagimin, por me te ardhmen. Mirëpo të jesh në gjendje të shkruash kthjelltësisht për të ardhmen, kërkon një tjetër gjendje e një tjetër lloj normaliteti mendor e psikologjik, që periudha pas tërmetit nuk ta ofron kaq lehtë.  Kërkova kështu të ftohesha, të distancohesha nga kjo situatë, si metoda më e mirë për të medituar diçka të vlershme. Ndoshta diçka e tillë kërkon më shumë kohë, më shumë qetësi. Ndoshta nuk do të arrijmë ta krijojmë dot këtë atmosferë, ashtu siç duam, edhe pse mund të përpiqemi shumë. Vetëm se koha jonë tani për tani nuk ka kohë. Ashtu si dhe normaliteti ynë tani për tani nuk ka më asgjë normale. Duhet reagim i menjëhershëm, i organizuar, i ndershëm parësisht dhe i sinqertë emocionalisht. Janë këta të vetmit dhe më të rëndësishmit përbërës cilësorë të asaj alkimie komunikimi që nevojitet të krijohet midis shtetit dhe banorëve të dëmtuar. Paskësaj duhet të shikohet mundësia e rikuperimit të dalngadalshëm të gjithë mekanizmave ekonomike e sociale, që gjenerojnë jetën normale të një qyteti. E kur themi “të gjithë” flasim për një koncept të domosdoshëm të së ardhmes shqiptare, ndërsa koncepti tjetër kohor, që duhet të lidhet ngushtësisht me të parin është koha se kur do të arrihet kjo tërësi elementësh. Vetëm nëse i raportojmë qëndrimin, idetë, aktivizmin publik ndaj nocioneve të tilla do të mund të arrijmë të ndërtojmë një sintezë të vlertë për të ardhmen. Sepse kjo e ardhme duhet vendosmërisht të ndahet nga e shkuara, në të gjithë elementet korruptive, inxhinierike, vizionare apo dhe administrativë që dolën zbuluar apo lakuriq në sytë e të gjithë njerëzve në gërmadhat e në rrënojat që morën jetë. Jo se nuk i dinim, jo se nuk i perceptonim, por duhej shkundja tragjike e të gjitha ndjesive tona që të na i bënte mal fajet dhe mëkatet që kemi bërë me ndërtimet dhe abuzimet.




Pa e ndjerë thellë pendesën për të shkuarën, pa e bërë pastrimin e vërtetë të ndërgjegjes publike, morale dhe penale, nga e gjithë kjo tragjedi që ndodhi, nuk mund të ecim dot shëndetshëm përpara, as emocionalisht, as ekonomikisht. Ndoshta duket pak si një ligjërim fetar, por qëllimi është pikërisht ky. Tërmeti, në tërësinë e fatkeqësisë së tij, duhet të kthehet edhe në një trandje të ngjashme me atë që i ngjan një jo besimtari që kthehet të besojë. E dimë se me qeverisjen, politikën, administratën dhe me sa po shohim edhe me klasën e biznesmenëve tanë të papërgjegjshëm apo të korruptuar, kjo është e vështirë që të ndodhë menjëherë, por duhet ta kemi të qartë e t’ia themi vetes me guxim burrëror, se gjendja dhe situata ka shkuar  pikërisht në këto nivele. Duhet një fillim tërësisht i ri, nga ata që lindin falë një zbrazësie të madhe, një humbje të thellë e tërësisht shkundëse. Të gjithëve  na nevojitej një fillim i tillë,  por përse vallë duhej të na ngjante një tragjedi e tillë, për të na e nxjerrë para sysh më të domosdoshme se kurrë? Ka edhe në këtë pyetje një sens fetar, ndoshta pse në ngjarje të tilla ndodh që njerëzit afrohen më shumë dhe më vërtetësisht me Zotin. Ndoshta është edhe kjo një shenjë që kërkon të na ndihmojë të ringrihemi sa më parë, dhe jo vetëm nga tërmeti apo pasojat e tij, por moralisht dhe seriozisht në të gjithë ata elementë që përbëjnë thelbin e vërtetë të së ardhmes sonë: vetvetes shqiptare. Ndoshta ky është themeli më i vlertë nga ku mund të ngrihet e të rindërtohet e gjithë shoqëria shqiptare. Ndërgjegjja e gjendjes në të cilën ndodhemi pas kësaj katastrofe, nëse nuk shtrihet e mendohet në tërësinë e vet, por lihet në qëndrimin dhe rekuperimin e dëmeve, nuk do të prodhojë kurrë atë efekt suksesi dhe rimëkëmbjeje që ne presim. Pasi edhe vetë situata është shumëplanëshe, komplekse dhe nuk pranon dot arna, as qasje të pjesshme. Ka ardhur koha të synojmë kapilarisht një rimëkëmbje tërësore. Ka ardhur koha të kërkojmë një sintezë ekonomike e sociale, një solidaritet kulturor, e pse jo politik, e në fund, një ndërgjegje historike të përbashkët. Vetëm kështu do të mund të rimëkëmben edhe shtëpitë e rrënuara nga tërmeti, por edhe shtëpia jonë e përbashkët, sistemi ynë si vend. Ndoshta ky tërmet që ra qe kambana e Zotit apo e kohës sonë, që tashmë e ardhmja jonë nuk pret më. Asaj i nevojitet domosdoshmërisht  një fillim i ri.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.