KULTURË

Mes formimit dhe propagandës, shtigje lirie nën shtypje

17:32 - 13.12.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Më datë 10 dhjetor 2019, u organizua në ambientet e IAKSA (Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit)ligjërata e katërt e ciklit “Tragë”. E ftuara e radhës ishte Ervina Halili, shkrimtare dhe studiuese. Ajo foli për historinë e Rilindjes, enti më i rëndësishëm për botimin, gazetarinë dhe letërsinë në Kosovë. E krijuar pas Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1990, gazeta në fjalë ishte motori kryesor i tërë veprimtarisë arsimore dhe letrare në Kosovë. Ndonëse e kontrolluar dhe në shërbim të propagandës e promovimit të jetës socialiste jugosllave, ajo kontribuoi në formimin e komunitetit letrar dhe korrespondencave letrare në gjuhën shqipe. Ngjarjet e viteve ’80 dhe masivizimi i protestave çuan ndalimin e saj. Jeta e Rilindjes vazhdon më pas në Tiranë e në Zvicër me emrin e njëjtë, ndërsa në Prishtinë me emrin e maskuar të revistës bujqësore Bujku. Kjo zgjati deri në vitin 1998. Mbyllet përfundimisht në 2002. Pallati 18 katësh që dikur strehonte zyrat kalon në administrimin e Agjensionit kosovar të privatizimit gjë që çon në degradimin e arkivave dhe materialeve të shumta me vlerë arkivore. Halili, falë një pune sistematike mbledhjeje materialesh kryesisht nga arkiva private, te kombinuar dhe me intervista me punonjës ka mundur të risjellë në vëmendje punën e çmuar që është bërë dhe historinë e këtij enti. Përmes kësaj pune është krijuar tashmë një platformë online (http://arkivirilindja.com/historiku/65) e cila funksionon si një arkivë alternative muzeale përmes historive orale personale, video arkivave, dorëshkrimeve, fotografive dhe të gjitha materialeve të harruara nga Rilindja, por të ruajtura nga njerëzit që punuan për të. Prezantimi i znj. Halili u shoqërua edhe me shfaqjen e një filmi dokumentar realizuar prej saj.





STUDIMI
Partia Komuniste Jugosllave vendosi të themelonte dy gazeta në Kosovë, njërën në gjuhën shqipe dhe tjetrën në gjuhën serbokroate. Ajo në gjuhën shqipe u quajt “Rilindja” dhe u themelua në vitin 1945. Deri në vitin 1990, gazeta në fjalë – e cila kishte shtatë ente në përbërje të vet, duke përfshirë redaksinë e botimeve dhe shtypshkronjën – ishte motori kryesor i tërë veprimtarisë arsimore dhe letrare në Kosovë. Ndonëse e kontrolluar dhe në shërbim të propagandës e promovimit të jetës socialiste jugosllave, ajo kontribuoi në formimin e komunitetit letrar, korrespondencave letrare në gjuhën shqipe.

Titoja vdes në vitin 1980 dhe më 11 mars të vitit 1981 shpërthejnë protestat e studentëve në Prishtinë, protesta që brenda pak ditësh masivizohen në demonstrata popullore që kishin si kërkesë kryesore “Kosovën Republikë”. Këto acarime vazhdojnë deri në vitin 1990, moment kur fillojnë masat e dhunshme në institucionet informative të cilat bëjnë presion të dhunshëm që gazeta Rilindja të shpallet organ i Kuvendit të Serbisë. Pas kundërshtimit dhe rezistencës së punëtorëve, ajo ndalohet. Jeta e Rilindjes vazhdon në Tiranë dhe në Zvicër me emrin e njëjtë, ndërsa në Prishtinë me emrin e maskuar të revistës bujqësore Bujku. Kjo zgjati deri në vitin 1998.
Në vitin 2002, me rregulloren e UNMIK-ut, Ndërmarrja e Përbërë “Rilindja”, hyri nën administrimin e Agjensionit Kosovar të Mirëbesimit, i cili më pas u shndërrua në Agjensioni Kosovar i Privatizimit. Kjo bëri që institucioni në fjalë të lihej në harresë dhe jashtë çdo përkujdesi.
Duke e marrë parasysh që të gjithë shkrimtarët e Kosovës, pas Luftës së Dytë Botërore kanë qenë të lidhur me këtë ent botues, jemi munduar të krijojmë një arkiv alternativ muzeal përmes historive orale, video arkivave, dorëshkrimeve, fotografive dhe të gjitha materialeve të harruara nga Rilindja, por të ruajtura në arkiva private, si edhe të materialeve të cilat u krijuan gjatë viteve 1990-1999, kur Rilindja funksiononte si Bujku dhe arkivi i saj ruhej jashtë institucionit zyrtar.

Arkivi zyrtar i Rilindjes do të mund të sillte dokumentacionin e nevojshëm në lidhje me jetën institucionale të periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë. Por, për momentin ai nuk ekziston, ndaj krijimi i këtij arkivi është një lloj përgjigjeje alternative, duke pasqyruar jetën emocionale kolektive dhe individuale të narrativës së Kosovës në po këtë periudhë.

Ervina Halili është shkrimtare dhe studiuese e letërsisë, me fokus të veçantë te miti. Ajo ka kryer hulumtime në fushën e automatizmit kolektiv dhe psikologjisë kolektive. Libri i saj Amuletë mori çmimin vjetor në vitin 2015 në Kosovë, ndërsa Gjumi i Oktopodit u përkthye dhe botua në gjuhën gjermane në Vjenë, në vitin 2016. Për këtë botim ajo u vlerësua nga “Landis&Gyr Stiftung në Zvicër. Ka qenë pjesë e disa qëndrimeve letrare, projekteve kulturore mbi muzetë dhe panaireve ndërkombëtare si: IHAG – Graz, Museums Quartier – Vjenë etj. Në vitin 2018 punoi në Universitetin e Zyrihut, pranë Departamentit të Psikopatologjisë dhe Studimeve Interkulturore.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.