Sociale

Matura 2020, zbardhen datat e aplikimit me formularët A1 dhe A1Z

11:04 - 16.12.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Maturantët e këtij viti, duke nisur që nga dita e sotme deri në 18 dhjetor mund të aplikojnë me formularët A1 dhe A1Z për Maturën Shtetërore 2020. “Gazeta Shqiptare” zbardh sot urdhrin e Qendrës së Shërbimeve Arsimore. “Urdhëroj miratimin e periudhës së aplikimeve me formularët A1/A1Z për MSH 2020, në datat 16, 17 dhe 18 dhjetor 2019. Ngarkohen për zbatimin e këtij urdhri, Qendra e Shërbimeve Arsimore, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, Drejtoritë Rajonale të Arsimit Parauniversitar, Zyrat Arsimore Vendore dhe institucionet arsimore. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë”, – theksohet në urdhrin që mban firmën e kreut të QSHA-së, Rezana Vrapi.




Datat e testit
Nga data 8 deri në 18 qershor të vitit 2020, maturantët do të kenë mundësinë të japin 4 provimet e Maturës Shtetërore duke finalizuar kështu arsimin parauniversitar. Por këtë vit, ata do të kenë vetëm 10 ditë për t’iu nënshtruar testimeve, kohë ndoshta e pamjaftueshme për ta, duke qenë se provimet ndahen nga njëri-tjetri me vetëm 3 ditë. “Lëndët e provimeve kombëtare të Maturës Shtetërore 2020 për arsimin e mesëm të lartë të jenë: a) Provime të detyruara: Gjuhë shqipe dhe Letërsi, Matematikë dhe Gjuhë e huaj. b) Një provim me zgjedhje. Testi i gjuhës së huaj (D3) hartohet në përputhje me gjuhën e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm të lartë trajtohet si gjuhë e huaj e parë. Testi i provimit të jetë në nivelin gjuhësor që përcaktohet në kurrikul në përfundim të arsimit të mesëm të lartë”, – thuhet në udhëzim. Në këtë të fundit theksohet se provimi i Gjuhës së huaj do të zhvillohet i pari, përkatësisht në 8 qershor 2020, për t’u pasuar nga testi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në 11 qershor 2020; Matematika tri ditë më pas, pra në 15 qershor 2020. Pas kësaj, në 18 qershor 2020 maturantët do të nënshtrohen provimit të fundit, atij me zgjedhje. Maturantët kanë të drejtë të përzgjedhin për testin me zgjedhje një nga lëndët si: Kimi, Fizikë, Biologji, Histori, Gjeografi, Qytetari dhe Psikologji, Filozofi dhe Sociologji, Ekonomi, Histori Arti, Histori Muzike si dhe Histori Baleti.

Pikët e grumbulluara
Të gjithë maturantët që do t’u nënshtrohen provimeve të Maturës Shtetërore 2020, tashmë mund të njihen me ndryshimet e rregullores të pasqyruara në Urdhrin e Ministrisë së Arsimit. Këtë vit, nxënësit që do të testohen duhet të bëjnë kujdes sepse duhet të mbledhin më shumë pikë për të marrë një notë kaluese, krahasuar me vitin e kaluar. Kështu, pragu minimal i pikëve për të mos u konsideruar mbetës, nga 20 për qind është rritur në 25, çka do të thotë se nuk mjaftojnë vetëm përgjigjet e sakta për pyetjet me alternative për të kaluar, por maturantët duhet t’u përgjigjen saktë edhe disa prej pyetjeve me zhvillim. “Provimet e maturës zhvillohen vetëm me shkrim. Struktura, datat dhe kohëzgjatja e provimeve të maturës caktohen me udhëzim të ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Maturanti/kandidati konsiderohet mbetës në provim nëse ka marrë më pak se 25% të pikëve të testit”, – theksohet në rregulloren e Maturës Shtetërore 2020. Në këtë të fundit bëhet me dije se nëse maturantët nuk arrijnë të marrin provimet me detyrim, Gjuhën e huaj, Gjuhën Shqipe e Letërsinë dhe Matematikën si dhe provimin me zgjedhje nuk do të kenë mundësi të marrin diplomën e shkollës së mesme. Ndërkohë dy kriteret për t’u futur në provimet e maturës janë: kalueshmëria në vitin shkollor dhe plotësimi i formularit A1/A1Z. Rregullorja e 2020-ës iu jep zgjidhje dhe atyre që nuk kaluar në njërin nga provimet në maturat nga 2012-2019, kur aplikoheshin dy lëndë me zgjedhje. Këtë vit, ata thjesht marrin diplomën e pjekurisë dhe mund të vazhdojnë me garën në universitet, në rast se duan. “Kandidatët, që në Maturat Shtetërore 2012- 2019 rezultojnë kalues në një prej provimeve me zgjedhje dhe nuk janë pajisur me diplomën e maturës/ certifikatës, atëherë të pajisen me to”, – thuhet në urdhrin e MASR.

Aplikimi
Për Maturën Shtetërore 2020 fillimisht do të bëhen publike formularët e më pas do të nisë plotësimi, më parë në portalin qeveritar “e-Albania” e në vijim në portalin “Matura Shtetërore”. “Kandidatët, të cilët kanë marrë dëftesë pjekurie përpara vitit 2011 dhe dëshirojnë të aplikojnë për studime në institucionet e arsimit të lartë, do t’u njihen provimet e detyruara dhe me zgjedhje ose provimet e njëvlershme me to, të njehsuara nga ZVA. Këta kandidatë, në rastet kur nuk kanë dhënë provime me zgjedhje ose i kanë dhënë dhe nuk kanë rezultuar kalues, kanë të drejtë të japin një provim me zgjedhje kur e kanë të nevojshme për plotësimin e kritereve të pranimit të përcaktuara nga institucionet e arsimit të lartë”, – bëhet me dije në rregulloren e ndryshuar për Maturën 2020. Ministria e Arsimit ka vendosur se prishja e qetësisë në ambientin e provimit nuk do të jetë më kriter për të përjashtuar një maturant nga provimi. E njëjta gjë ndodh dhe me barkodin e sekretimit të testit, që nuk do të jetë më arsye për të mos i njohur rezultatin një maturanti. “KSHMSH-ja deri në datën 15 dhjetor 2019 afishon në shkollë një kopje të bazës të të dhënave të shkarkuar nga portali i Maturës Shtetërore dhe pret vërejtjet e maturantëve për korrigjime të mundshme në bazën e të dhënave të regjistruara në portalin ‘Matura Shtetërore’, brenda datës 10 janar 2020, KSHMSH-ja bën verifikimet dhe korrigjimet përkatëse në sistem”, – thuhet në urdhrin e firmosur nga drejtoresha e përgjithshme e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi.

Datat për provimet e Maturës Shtetërore

a) Gjuhe e huaj 8 qershor 2020
b) Gjuhe Shqipe
dhe Letërsi 11 qershor 2020
c) Matematikë 15 qershor 2020
d) Provimi me
zgjedhje l8 qershor 2020
Lista e lëndëve të provimit me zgjedhje:
Kimi
Fizikë
Biologji
Histori
Gjeografi
Qytetari dhe Psikologji
Filozofi dhe Sociologji
Ekonomi
Histori Arti
Histori Muzike
Histori Baleti


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.