Intervista

Alban Ylli: Shenjat që tregojnë se të moshuarit kanë depresion

09:15 - 10.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ola MITRE

Shenjat me të cilat manifestohet depresioni te moshat e treta janë të shumta, ndërkohë që këta persona mund të ndërmarrin një sërë hapash për parandalimin e tij”. Deklarata vjen nga specialisti i shëndetit publik për sëmundjet kronike, Alban Ylli, i cili përmes kësaj interviste, dhënë për suplementin “Life Pages” të “Gazeta Shqiptare” shp-jegon me shembuj konkretë shenjat e kësaj patologjie, mënyrën sesi duhet të sillen të afërmit e të moshuarve që shfaqin këto shenja si dhe disa hapa për parandalimin e tij.

Ylli, çfarë është depresioni?

Depresioni është një neurozë. Ai mund të konsiderohet një dështim i kapacitetit tënd për t’u adaptuar në një proces stresi dhe në fund është një shqetësim i tepruar për gjërat normale të jetës. Depresioni mund të jetë fare i lehtë, shpeshherë i kontrollueshëm nga individi. Po ashtu, mund të jetë mesatar, por një individ i fortë, me inteligjencë të fortë emocionale, me njohje të vetvetes dhe me rrjete të forta sociale del lehtë prej tij, por mund të ketë dhe depresion të rëndë, ku individi e ka të vështirë të fitojë vetë. Pra, çdo gjë në jetën e tij bëhet e errët, e zymtë dhe ai ka nevojë ndihmën e specialistit.

Cilët janë personat më të predispozuar për t’u prekur?

Personat më pak të arsimuar janë më në risk për t’u prekur nga depresioni. Po ashtu, të riskuar janë dhe personat që kanë probleme me varfërinë dhe me integrimin social. Një fakt i rëndësishëm është izolimi, vetmia. Në Shqipëri ne vërejmë se kjo e rrit shumë riskun për depresion.

Cilat janë disa nga shenjat e depresionit te të moshuarit?

Shenjat e depresionit te të moshuarit mund të jenë nga më të lehtat deri te më të rëndat. Mund të fillojnë me probleme të lidhura me mosndjerjen e kënaqësisë e deri te paaftësia për të punuar. Një shenjë që duhet të jetë kambanë alarmi, për t’u orientuar me shpejtësi drejt kontrollit të depresionit është humbja e shpresës. Individët që nuk kanë më shpresë tek e ardhmja është shenjë serioze depresioni. Po ashtu, humbja e kënaqësisë për gjëra të cilat më parë të kanë dhënë kënaqësi; që nga një ushqim i mirë e deri te të parit në televizor, i një programi të preferuar. Për shembull, një mashkull, në qoftë se nuk po ndjen më kënaqësi nga një ndeshje futbolli që dikur i jepte kënaqësi, kjo është një shenjë e rrezikshme. Një grua, që nuk po ndjen kënaqësi nga një telenovelë që deri dje i jepte kënaqësi, kjo sërish është një problem. Humbja e oreksit është gjithashtu një problem. Shenjë tjetër që fillon e bëhet e dukshme mund të jetë një shqetësim i vazhdueshëm, për gjëra që më përpara jo domosdoshmërisht të kanë dhënë shqetësim. Për shembull, kur ngrihesh në mëngjes dhe çdo gjë që të rrethon është shqetësuese, të shqetëson më shumë sesa duhet, kjo është një shenjë e depresionit. Po ashtu, ankthi i tepruar është i lidhur me depresionin. Për shembull: fëmija yt nuk do jetë i suksesshëm në jetë ose nuk do ia dalësh mbanë të marrësh pensionin e të paguash dritat në fund të muajit. Pra, frikëra të tepruara mund të jenë një shenjë e depresionit. Po ashtu, prirja për të qarë është një shenjë e rëndë e depresionit. Depresioni mund të japë pasoja te stili i jetës së përditshme, për shembull te pagjumësia. Vështirësia për të fjetur në darkë është një shenjë shqetësimi, që aftësitë e tua përshtatëse ndaj stresit po dështojnë dhe po zëvendësohen me distresin, që është në njëfarë mënyre shprehjeje e depresionit. Një dimension tjetër i depresionit është edhe gjykimi i vetvetes: si e shikojmë veten tonë. Njeriu i shëndetshëm e respekton veten. Në qoftë se në mënyrë të vazhdueshme jemi shumë kritikë ndaj vetes, por sidomos kemi humbur krejtësisht besimin te vetja dhe kemi një ndjenjë të vazhdueshme faji është një shenjë rreziku për depresion. Po ashtu, gjykimi i vazhdueshëm negativ në marrëdhënie me të tjerët është një shenjë, qoftë kur jemi kritikë me të tjerët apo kritikë me veten tonë. Në fund, një problem madhor është paaftësia për të punuar, pra humb krejtësisht vëmendjen dhe mendja dominohet vetëm nga mendime shqetësuese, të errëta, negative.

A lidhet depresioni me probleme të tjera shëndetësore?

Përsa i përket lidhjes së depresionit me probleme të tjera, është vërejtur se depresioni është i lidhur ngushtë me sëmundjet kardiovaskulare, me aftësinë për të lëvizur, për të ecur dhe me sëmundje të tjera si dhe mund të cenojë rëndë shëndetin e përgjithshëm të individit. Pra, mund të vëmë re te një person që është me depresion edhe një rritje të sëmundjeve të tjera, të cilat mund të jenë një shprehje e stresit të përgjithshëm të organizimit, rënies së imunitetit, reagimit të përgjithshëm ndaj sëmundjeve, etj. Për shembull një personi me depresion mund t’i shfaqet pneumonia, sepse ai bëhet i paaftë për të dominuar një sëmundje.

Depresioni mund të prekë personat e moshës së tretë, por është një problem i të gjithë familjes. Si mund të ndihmojnë familjarët, të afërmit e tyre për të kaluar depresionin?

Personat që janë në depresion të rëndë dhe shqetësues, padyshim që kanë nevojë për mbështetje, për dashuri dhe për durim. Në radhë të parë, për të kuptuar problemin e tyre, sepse ata janë shumë të ndjeshëm dhe delikatë. Respektimi dhe durimi janë një pjesë, por edhe mjekimi ka rëndësinë e vet. Përtej zgjidhjeve të tjera lidhur me komunikimin dhe mbështetjen, shpeshherë një person që ka depresion relativisht të rëndë ose nuk po del dot vetë nga gjendja e depresionit mund të ketë nevojë edhe për ndihmë mjekësore. Kjo konsiston në 2 drejtime: ose seanca komunikimi të specializuara, ose mjekim me kimikate. Mjekimi me kimikate ka treguar që funksionon, është krejtësisht i parrezikshëm, kërkon pak durim sepse është trajtim disajavor ose disamujor, por me shumë gjasë ai do të ketë sukses në fund. Ajo që është e rëndësishme në këtë rast është fakti se nuk duhet t’u drejtohemi menjëherë medikamenteve si valiumi për të zgjidhur problemin e përkohshëm, por në qoftë se e ndiejmë që kemi probleme me depresionin, kemi medikamente të tjera, të cilat janë më të përshtatshme. Këto medikamente duhet të jepen vetëm nga mjeku i familjes apo specialisti.

Ku duhet të drejtohen këta persona, që vërejnë shenjat e mësipërme?

Njerëzit kanë shumë turp nga psikiatri, por rastet e rënda, kur depresioni nuk mund të zgjidhet, kanë nevojë të shkojnë edhe te psikiatri dhe do të jetë ai, që do të japë ndihmën e nevojshme. Mjeku i familjes mund t’i japë një ndihmë në këtë drejtim, por mund të ketë nevojë më tepër për mbështetjen e psikiatrit.

Çfarë duhet të bëjnë personat e moshës së tretë për të parandaluar depresionin?

Padyshim që mund të parandalohet me jetë të shëndetshme, me aktivitet fizik dhe me një planifikim më të mirë të jetës. Pra, moslënia e barrave të mëdha të grumbulluara në një moment të caktuar dhe sidomos njohje e mirë e kapaciteteve të tua, e ëndrrave, e ambicieve. Pra, një harmonizim i mirë i kapaciteteve me ambiciet është një mënyrë e mirë për të parandaluar depresionin. Shpeshherë mund të biem në depresion kur nuk kemi vendosur një balancë të mirë mes asaj çfarë duam të bëjmë në jetë dhe asaj çfarë mund të bëjmë. Por, shpeshherë mund të jetë e lidhur edhe me lojën e hormoneve tona dhe për pasojë nuk e kuptojmë pse vjen aq papritur. Nga ana tjetër, duke qenë se në Shqipëri një nga shkaktarët kryesorë të depresionit te moshat e treta është vetmia dhe izolimi, kjo është arsyeja pse ne insistojmë dhe një nga mekanizmat sesi duhet t’i kundërvihen të moshuarit depresionit është integrimi i tyre, angazhimi i tyre në shoqata, në jetën sociale dhe kontributi. Dalja nga shtëpia dhe dhënia e një kontributi për shoqërinë mund të jenë një përgjigje kundër depresionit.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.