Kryesore

Zhdukja prej 2 vitesh e të riut në Sarandë, i dyshuari flet nga qelia: Si është e vërteta

08:20 - 18.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




(I arrestuari për rrëmbim personi, Vitor Islami)

 

Xhensila KODRA

 

Ndërsa po bëhen dy vite nga rrëmbimi dhe zhdukja e Ridvan Lamajt në qytetin e Sarandës, familjarët e tij vazhdojnë të enden sallave të gjyqeve me shpresën se një ditë do të mundin t’i gjejnë eshtrat. Pak ditë më parë, Asqeri Lamaj, babai i 37-vjeçarit tha për “Gazeta Shqiptare” se nuk kërkon as dënimini e autorëve, thjesht të gjejë trupin e të atit.

Aktualisht, prapa hekurave ndodhet 30-vjeçari Vitor Islami, lindur në Pukë , ndërsa Adrian Ogiçi nga Saranda vijon të jetë në arrati. Të dy këta persona akuzohen për veprat penale “Rrëmbim personi” dhe “Trafikim i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim.

Sot, “Gazeta Shqiptare” sjell intervistën nga qelia me Vitor Islamin. I riu rrëfen me detaje që nga momenti i parë që është takuar me Ridvanin në Sarandë, e deri në momentin që rrugët e tyre janë ndarë rrugës për në Greqi. “Bashkë kemi qëndruar 3 ose 4 orë bashkë. Kur u ndamë më tha se do të shkonte të takonte disa shokë të tij që i kishte afër fshatit ku u ndamë bashkë”, tregon Vitor Islami.

Vitor, ju akuzoheni për “rrëmbim personi” dhe konkretisht për rrëmbimin e Ridvan Lamajt në Sarandë. Si është e vërteta e kësaj historie? A kishe njohje me Ridvanin?

Unë kisha rreth dy muaj që isha liruar me kusht nga burgu. Në Sarandë kisha vetëm 3 ose 4 ditë që kisha shkuar, para se të ndodhte kjo ngjarje. Unë Ridvanin nuk e kam njohur më parë. Njohja ime me të është bërë vetëm ditën që pretendohet të jetë bërë rrëmbimi i tij.

Për çfarë kishit shkuar në Sarandë?

Doja të ikja në Greqi. Unë Adrian Ogiçin e kam shok. Kam njohje edhe me familjarët e tij. Kemi vite që njihemi. Çështja është se unë doja të gjeja një person që të më kalonte jashtë kufirit shqiptar që të shkoja në Greqi. Adriani më tha se njihte dikë dhe më prezantoi me Ridvanin.

Kur jeni takuar me Ridvanin?

Pasi biseduam me të, jemi takuar rreth orës 5 të pasdites. Unë kam qenë i veshur me shapka, pantallona të shkurta. Si mund ta rrëmbej një person në mes të ditës e në sy të aq shumë personave në një vend që ka shumë njerëz gjatë verës? Familjarët e tij pretendojnë se e kemi rrëmbyer ne. Si mundet të rrëmbesh një person pasi i jep dorën, e takon normal e më pas largohesh qetë-qetë me makinë? Si mund organizosh një rrëmbim të tillë? Unë nuk e njihja se kush ishte ky person dhe as familjen e tij nuk e njoh.

Sa kohë keni qëndruar me të dhe ku shkuat?

Kemi qëndruar rreth 3 ose 4 orë bashkë dhe kemi ikur për në fshatin e parë në Greqi. Adrian Ogiçi na ka çuar deri në afërsi të Konispolit me makinën e tij. Unë dhe Ridvani zbritëm që të iknim në këmbë, kurse Adriani iku për në shtëpi.

Deri në çfarë vendi keni udhëtuar me Ridvanin, ku jeni ndarë?

Jemi ndarë në një stacion autobusi, në një fshat në Greqi. Ka qenë rreth orës 9 ose 9 e 30 e darkës. Që nga ai moment nuk kam pasur më asnjë dijeni se ku do të shkonte Ridvani. Kur u ndamë më tha se do të shkonte të takonte disa shokë të tij që i kishte afër fshatit ku u ndamë bashkë dhe kaq.

Gjatë rrugës çfarë keni biseduar? Ju ka treguar nëse ka pasur konflikt me ndonjë person?

Kam biseduar shumë pak me të. Nuk më ka treguar diçka të tillë, sepse ne as nuk njiheshim fare. Bisedat tona kanë qenë normale. Ai pjesën më të madhe të kohës ka biseduar në telefon dhe fliste greqisht. Nuk i kam vënë shumë rëndësi muhabeteve që bënte ai.

(I zhdukuri që nga qershori 2015, Ridvan Lamaj)

Pak ditë pas ngjarjes, policia e Sarandës njoftoi se pak kohë para ngjarjes, ju, Adrian Ogiçi dhe Ridvani keni pasur një konflikt për një ngarkesë me lëndë narkotike që do të bëhej drejt Greqisë. Mund të na thoni konkretisht se për çfarë bëhet fjalë?

Kjo nuk është aspak e vërtetë. Çështja ka qenë se ishin familjarët e Ridvanit që kishin pretenduar diçka të tillë, se mes nesh ka pasur një konflikt. Unë e them sërish se nuk e kam njohur Ridvanin. Nuk e dija se kush ishte ky person apo se me çfarë merrej.

Ju u akuzuat edhe për trafik lëndësh narkotike në bashkëpunim.

Nuk qëndron fare kjo akuzë. Nëse do të ishte e vërtetë diçka e tillë, kjo akuzë nuk do të ishte pushuar.

Ju jeni vetëdorëzuar në polici në janar të 2016-ës. Pse nuk u vetëdorëzuat që në momentin kur emri juaj po flitej si i përfshirë në ngjarje?

Unë isha i liruar me kusht dhe, nëse do të vetëdorëzohesha që në fillim do të arrestohesha direkt, sepse e kisha thyer kushtin duke u pretenduar se isha unë personi që e kisha rrëmbyer Ridvanin. Unë jam vetëdorëzuar pasi u bë amnistia e 2016-ës. Kam shkuar në polici bashkë me avokatin që të sqaroja se si është e vërteta dhe se nuk kam lidhje fare me këtë ngjarje. Nëse unë do t’i kisha bërë diçka të keqe Ridvan Lamajt nuk do të isha vetëdorëzuar, sepse nuk është gjë e lehtë të shkosh në burg me këmbët e tua.

Pas ngjarjes keni biseduar me Adrianin? Keni dijeni se ku ndodhet ai?

Jo nuk kam biseduar më me të dhe nuk kam asnjë dijeni se ku ndodhet.

Sipas familjarëve të Ridvanit, ju pasi e keni marrë atë në makinë e keni torturuar deri në atë fazë sa ai mund të ketë ndërruar jetë dhe më pas trupin e tij e keni zhdukur.

Unë nuk kam pasur asnjë arsye pse ta dhunoja apo ta vrisja Ridvanin. Edhe makina që ne lëvizëm me të, është çuar në polici nga avokati. I është bërë ekspertiza dhe nuk është gjetur asnjë provë që ne të na deklarojë fajtorë.

Prokuroria ka kërkuar që ju të shpalleni fajtor dhe të dënoheni me 19 vite burg…

Kjo është një kërkesë absurde. Në Shqipëri po veprohet si në sistemin e Enver Hoxhës. Prokurori po kërkon një dënim pa pasur asnjë provë dhe pa pasur asnjë fakt që unë kam gisht në zhdukjen e një personi. Mua më kanë sjellë 12 dëshmitarë në sallën e gjyqit dhe askush nuk ka dëshmuar keq për mua, se unë kam lidhje me ngjarjen. Madje unë kam edhe një dëshmitare, një grua që nuk e njoh fare se kush është që ka thënë se Ridvanin e ka parë në Sarandë një ditë pasi ishte bërë denoncimi se ai ishte rrëmbyer. Është marrë disa herë në pyetje në polici e prokurori ndërsa në sallën e gjyqit nuk ka ardhur asnjëherë dhe nuk e di përse. Mbase mund të kenë edhe presion nga ndonjë person ose nga vetë familjarët e Ridvanit. Kam edhe një dëshmitare tjetër që gruaja në fjalë e kishte marrë në telefon dhe i kishte thënë se këtë personin nga Saranda që po e kërkojnë familjarët e kam parë unë. Edhe kjo gruaja tjetër e ka dëshmuar këtë gjë. Ridvani mund të jetë diku shëndosh e mirë dhe mua duan të më lënë në burg. Si mund të flas unë për diçka që nuk e kam bërë apo të tregoj eshtrat e një personi që mund të jetë i gjallë? Nëse që nesër unë dal nga burgu, do të angazhohem që të gjej trupin e Ridvanit. Sepse unë jam duke vuajtur për diçka që nuk e kam bërë. Kam një vit e dy muaj pas hekurave pa pasur gisht në ngjarje. Po më shkatërrojnë mua dhe familjen time. Edhe unë kam nënë e babë që më presin në shtëpi. Familjarët e tij pretendojnë se unë e kam marrë peng. Ku po e mbaj unë peng Ridvanin? Jam unë personi që po më mbajnë peng në burg. Po tani kush po e mban peng atë person? Ata po pretendojnë se ngjarja ka qenë e mirëorganizuar. Nëse do të ishte kështu nuk do të shkoja ta takoja i veshur siç isha në plazh, por do të isha kamufluar. Nuk e do e takoja në mes të ditës dhe aty ku ka shumë njerëz. Unë e kam thënë në çdo seancë gjyqësore dhe do vijoj sërish ta them se, nëse më gjejnë qoftë edhe një provë të vetme kundër meje le të më dënojnë me burg përjetë dhe jo me 19 vite burg. Unë dyshoj se Ridvani mund të ketë pasur konflikte me ndonjë person tjetër, sepse edhe vetë familjarët e tij e kanë pohuar në sallën e gjyqit se ai shumë kohë më parë ishte marrë me drogë.

Cila është thirrja juaj?

Kërkoj që të mos më dënojnë pa prova e pa fakte. Nëse drejtësia është e barabartë për të gjithë, atëherë, le të bëjnë drejtësi dhe jo të më dënojnë pa shkak. Unë dua vetëm drejtësinë time. Nëse më dënojnë, unë çështjen do ta ndjek deri në Strasburg.

 

Për të marrë lajmet e fundit të “Gazeta Shqiptare”, ndiq faqen tonë në Facebook.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.