EKONOMI

Argjend Tafaj: Osteoartritet, ja profesionet më të rrezikuara

07:45 - 20.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ola MITRE

“Atletët, futbollistët, balerinët apo personat që punojnë para kompjuterit janë më të rrezikuarit për t’u prekur nga osteoartritet”. Deklarata vjen nga mjeku reumatolog, pranë Shërbimit të Reumatologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Prof.Dr. Argjend Tafaj, i cili përmes kësaj interviste dhënë për suplementin ‘Life Pages’ të ‘Gazeta Shqiptare’ shpjegon në detaje shenjat e osteoartritit, faktorët e rrezikut dhe mënyrat sesi kjo sëmundje mund të parandalohet.
Doktor, çfarë janë osteoartritet?
Në grupin e madh të sëmundjeve që prekin sistemin muskulo-skeletik janë dhe osteoartritet, të cilat janë patologji kronike të sistemit kockor, që karakterizohen nga zbutja dhe dëmtimi i kartilagos artikulare. Osteoartriti nuk shoqërohet me shenja të një sëmundjeje sistemike, nuk është sëmundje parësore ku spikat inflamacioni (skuqje, ënjtje etj.), por ndonjëherë në artikulacione të veçanta mund të jenë evidente shenjat e inflamacionit. Është më tepër një proces sesa një sëmundje, dhe është pasojë e një disbalance ndërmjet një stresi mekanik të ushtruar mbi sipërfaqen artikulare dhe aftësisë së kartilagos për t’i rezistuar këtij stresi.
Cilët janë personat më të rrezikuar për t’u prekur nga kjo sëmundje?
Osteoartriti është sëmundja më e shpeshtë e artikulacioneve dhe një nga shkaqet më të shpeshta të humbjes së aftësive fizike të njeriut. Të gjithë njerëzit që jetojnë shumë, gjatë jetës së tyre provojnë shenjat e osteoartritit të shkallëve të ndryshme. Osteoartriti prek më shpesh disa artikulacione si: gishtat, koksofemoralet, gjunjët dhe kolonën, sesa të tjerët si: bërryli, kyçi i dorës apo kyçi i këmbës. Mund të prekë si meshkujt, ashtu edhe femrat. Ndryshimet e kartilagos artikulare vihen re pothuajse mbi çdo person të moshës mbi 65 vjeç. Nga studime që janë bërë është vënë re që 1% e personave nën moshën 30 vjeç kanë shenja të osteoartritit, 10% e tyre janë mbi moshën 40 vjeç, dhe në personat mbi 65 vjeç ndryshimet janë në mbi 50% të tyre. Pra vihet re edhe në mosha më të reja se 65 vjeç.
Cilat janë disa nga shkaqet?
Ka disa shkaqe që shkaktojnë osteoartritet, ku përveç moshës, më të shpeshtat janë: obeziteti, densiteti kockor i ulët, anomalitë e lindura (keqformimet e artikulacioneve), traumat, llojet e profesioneve dhe disa sëmundje inflamatore të cilat prekin artikuacionet. Biomekanizmat artikularë, me kalimin e moshës ndryshojnë e për pasojë mbi kartilagon ushtrohet një forcë shtypëse ndryshe nga ajo e mëparshmja. Për pasojë ndryshon edhe kompozimi biokimik i kartilagos, e cila humbet natyrën homogjene të saj, fragmentohet, çahet dhe ulçerohet, kocka zhvishet nga kërci. Një shkak tjetër janë traumat. Kur pjesët kockore nuk janë bashkuar apo nuk janë puthitur mirë (në rastin e frakturave), mund të bëhen shkak që të krijohen osteoartrite. Traumat e vogla dhe të shpeshta, të zgjatura në kohë, gjithashtu çojnë në osteoartrite. Ato dëmtojnë kartilagon e deri në zhveshje të kockës nga sipërfaqja artikulare. Nga ana tjetër, mbipesha trupore bëhet shkak që mbi artikulacionet, kryesisht të anësive të poshtme, si pasojë e forcës mbi normë, që ushtrohet mbi to, të fillojnë shenja të osteoartritit. Alterimi i biomekanizmave mbi artikulacione, si pasojë e mbipeshës është shkaku kryesor i dëmtimit të kartilagos. Shkak tjetër i osteoartriteve ose osteoartrozave janë edhe sëmundjet e tjera reumatizmale inflamatore. Për shembull, artriti reumatoid, artritet bakteriale, artritet tuberkulare, të cilat shkatërrojnë sipërfaqen artikulare, bëjnë që sipërfaqet artikulare të mos jenë më si më përpara, duke krijuar premisa për osteoartrit.
Cilat janë disa nga shenjat e këtyre sëmundjeve?
Në varësi të pjesës së prekur nga osteoartriti emërtohet edhe sëmundja. Kështu, kur dëmtohet qafa quhet spondiloartrozë e qafës, kur preket pjesa lumbare (e mesit) quhet spondiloartrozë e pjesës lumbare, kur preken artikulacionet kokso-femorale quhet koksoartorzë, kur preken gjunjët quhet gonartrozë. Një nga format jo të rralla është edhe osteoartriti i duarve, që karakterizohet me deformimet e artikulacioneve të majave të gishtave. Në këto raste duart jo vetëm që dëmtohen nga ana estetike, por iu bie dhe funksioni, kryesisht për punë të imta (kanë vështirë për të mbërthyer kopsat, të qepin etj.). Ankesa kryesore që kanë të sëmurët dhe që i bën të shkojnë te mjeku është dhimbja, e cila vihet re aty ku kjo patologji bën dëmtimet. Për shembull, dhimbja e gjurit, që është e lokalizuar në gju, mund të përhapet edhe poshtë në pulpë. Për pjesën lumbare, dhimbja mund të jetë e lokalizuar në shpinë, por mund të përhapet edhe në anësinë e poshtme, qoftë para, qoftë mbrapa kofshës, dhe që mund të përhapet deri në këmbë. Në spondiloartrozën e qafës dhimbja mundet të përhapet në sup, në gjoks dhe shpesh deri në dorë. Është dhimbje e mërzitshme, e zgjatur, e cila rëndohet me aktivitetin fizik dhe qetësohet kur i sëmuri qëndron në pozicion shtrirë. Këta të sëmurë kanë edhe një shenjë tjetër, që është ngurtësimi pas një periudhe qetësie. Kjo do të thotë se, kur çohen, e kanë të vështirë të bëjnë lëvizjet e para, periudhë e cila zgjat 10-20 minuta. Po ashtu, këta të sëmurë kanë ënjtje dhe deformime të pjesës së prekur: një gju i dëmtuar është më i madh, më voluminoz, më i deformuar, i harkuar nga jashtë ose nga brenda. Ankesë tjetër është humbja e funksionit: ajo pjesë e artikulacionit që preket nga osteoartriti nuk ka atë funksionin e mëparshëm, është më pak aktiv si pasojë e dhimbjes dhe pakësimit të lëvizshmërisë. Alternimi i ecjes është një tjetër shenjë klinike: një i sëmurë që ka dëmtim të artikulacionit të këllkut apo gjurit, çalon. Gjithashtu, një artikulacion i prekur mund të jetë më i nxehtë, më i ënjtur, më i skuqur, shpeshherë edhe me disa kërcitje, të cilat mundet të dëgjohen edhe në distancë.
Cilat janë disa nga profesionet më të rrezikuara për t’u prekur nga osteoartritet?
Ka disa të dhëna karakteristike për profesionet dhe për pjesë të veçanta të skeletit që dëmtohen. Për shembull, punëtorët që punojnë me vibracione kanë më shpesh osteoartrite të artikulacionit të supit dhe të bërrylit. Basketbollistët, atletët, futbollistët bëjnë shumë më shpesh artroza të gjunjëve. Balerinët kanë dëmtime të artikulacioneve të këmbëve. Boksierët kanë më tepër artroza të artikulacioneve të duarve. Punëtorët që bëjnë punë të pamekanizuar dhe ngrenë pesha të rënda, kanë artroza të kolonës. Pra, një aktivitet i sforcuar, mbi kapacitetet fizike që ka organizmi, bëhet shkak për të dhënë osteoartroza të ndryshme. Natyrisht, edhe jeta sedentare, pozicionet e detyruara dhe me orë të gjata para kompjuterit, në tavolinën e punës, janë shkak për osteoartroza.
Si vendoset diagnoza e osteoartritit?
Përveç shenjave klinike që ka i sëmuri e që duhet të vlerësohen patjetër nga mjeku, bëhen edhe disa ekzaminime, të cilat kanë vlerë për të vënë diagnozën. Ekzaminimi më i thjeshtë është radiografia. Analizë tjetër është edhe shintigrafia e skeletit. Po ashtu edhe skaneri, rezonanca; janë ekzaminime që kanë kosto, por që në rastet kur nuk të ndihmon radiografia e thjeshtë, duhet të bëhen. Po ashtu, në ndonjë rast të dyshimtë është me vlerë edhe analiza e lëngut artikular.
Si mund të parandalohen osteoartrozat?
Është e rëndësishme që të mbahet një pozicion i përshtatshëm trupi si gjatë ecjes, ashtu edhe kur qëndrojmë ulur. Te tavolina e punës duhet të merren pozicionet e duhura. Pozicioni korrekt është qëndrimi drejt dhe shtylla kurrizore e mbështetur gjatë gjithë gjatësisë. Aktiviteti fizik që rëndon artikulacionet e dëmtuara duhet patjetër të evitohet. Pozicionet me qafën e përkulur para ose mbrapa jashtë normës duhet të korrigjohen. Këto janë pozicione që kryesisht mbahen kur je në tavolinën e punës apo para kompjuterit. Për të sëmurët, aktiviteti fizik duhet të kombinohet me periudha pushimi që duhet të zgjasin 30-60 minuta në ditë, paradite ose pasdite, të cilat lehtësojnë diskonfortin e anësive të poshtme dhe të kolonës vertebrore. Po ashtu, periudha të shkurtra pushimi, duke ecur ose duke u ulur, janë të rekomanduara për aktivitete fizike të zgjatura. Për shembull, një person që rri për një kohë të gjatë ulur duhet të lëvizë herë pas here: çdo 1 orë për 5 minuta. Ose e kundërta: një person që qëndron gjatë në këmbë, çdo 1 orë duhet të ulet e të pushojë. Të sëmurëve obezë u rekomandohet dieta për të ulur peshën trupore. Një hallkë e rëndësishme është edhe terapia fizike me ushtrime të programuara, e cila mund të jetë njësoj e efektshme si ajo me medikamente. Rekomandohen ecja, përdorimi i biçikletës, noti, kërcime aerobike, por gjithmonë të programuara nga specialisti.


Shfaq Komentet (3)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.