Tech

Ndërtimi te Kalaja e Tiranës – një pazar, zbardhen lejet e Ministrisë së Kulturës

16:36 - 28.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




 

Fatmira NIKOLLI

Pazari i Tiranës. Me këtë emër identifikohet ndërtimi që po bëhet te Kalaja e Tiranës, në zonën arkeologjike A të saj. Imazhet e fotografuara dje nga “Gazeta Shqiptare” tregojnë përdorim të një shtrese betoni, ndërsa shihen po ashtu mure të larta, pjesë konstruksionesh metalike, rërë e zhavorr, si edhe çimento. Përtej disa imazheve që u publikuan së pari nga Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë, ndërtimi në fjalë, që tani duket të jetë në fazën e tij të parë, është bërë i paraprirë nga dy vendime të Ministrisë së Kulturës të muajit korrik 2016, ndërsa vetë këto vendime bazohen në një VKM të muajit prill po të vitit të kaluar. Ky Vendim i Këshillit të Ministrave është në fakt dokumenti që i hap rrugë ndërtimit në zonën arkeologjikë A në Kalanë e Tiranës, çka konfirmohet edhe nga dy vendimet e MK-së, që i referohen asaj VKM-je (e cila është publikuar në këtë gazetë në 24 prill 2016).

VENDIMET

“Gazeta Shqiptare” ka kërkuar nga Arta Dollani, drejtoreshë e Institutit të Monumenteve të Kulturës, vendimin e KKR-së dhe nga Rudina Zoto, drejtuese e Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik, vendimin e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë – dhe gjatë ditës së djeshme na janë vënë në dispozicion të dyja këto vendime.

Përkatësisht ka një vendim të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë të datës 27 (22?) korrik dhe një vendim të Këshillit Kombëtar të Restaurimit të datës 22 korrik.

Në vendimin e KKR-së thuhet se, “në mbështetje të ligjit nr.9048, datë 07.04.2003, ‘për Trashëgiminë Kulturore’, i ndryshuar, Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, në mbledhjen e datës 22.07.2016, pasi shqyrtoi projektin e diskutuar më parë dhe në Këshillin Shkencor të Institutit të Monumenteve të Kulturës, vendosi miratimin e projektit ‘Pazari i Tiranës’, në rrugën ‘Abdi Toptani’, Tiranë, me subjekt aplikues familja Toptani”, firmosur nga ministrja Mirela Kumbaro në cilësinë e kryetares dhe Arta Dollani në cilësinë e anëtares.

Nga ana tjetër, edhe vendimi i KKA-së është i po  të njëjtës kohë. Në të thuhet se “në mbështetje të Ligjit nr. 9048, “Për Trashëgiminë Kulturore” (i ndryshuar), VKM Nr. 725… dhe VKM Nr. 303 datë 20.04.2016 “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin Nr. 1197, datë 3.12.2009, të Këshillit të Ministrave, ‘Për shpalljen e Kalasë së Tiranës ‘Zonë Arkeologjike ‘A’ dhe miratimin e Rregullores së administrimit të saj, Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë në mbledhjen Nr. 10 të datës 22.07.2016, pasi shqyrtoi Projektin përfundimtar të zbatimit ‘Pazari i Tiranës’, i ndodhur në zonën arkeologjike ‘A’ të Kalasë së Tiranës, kërkuar nga familja Toptani, VENDOSI: Të miratojë projektin përfundimtar të zbatimit ‘Pazari i Tiranës’, i ndodhur në zonën arkeologjike ‘A’ të Kalasë së Tiranës, kërkuar nga familja Toptani, për sa kohë nuk bie ndesh me zhvillimin e projekteve kërkimore-shkencore në fushën e arkeologjisë.

Po aty shtohet se investitori duhet të lidhë paraprakisht aktmarrëveshje dypalëshe me Agjencinë e Shërbimit Arkeologjik, i cila do të mbikëqyrë zbatimin e punimeve.

VKM-ja QË NDRYSHOI RREGULLOREN

Më 20 prill 2016, nga qeveria “Rama” është marrë një vendim, i cili ka bërë disa ndryshime në vendimin e vitit 2009, për shpalljen e Kalasë së Tiranës zonë arkeologjike A dhe miratimin e rregullores së administrimit të saj.

Praktikisht, nga vendimi i qeverisë “Berisha”, qeveria “Rama” ka shtuar një pikë, e cila u hap rrugë konstruksioneve në zonën arkeologjike A. Pika 4 e dokumentit përcakton se konstruksionet duhet të jenë maksimumi një kat dhe se duhet të jenë të lehta dru, xham, plastikë, metal. Në VKM përcaktohet se konstruksionet “duhen realizuar larg mureve dhe strukturave të tjera të dallueshme apo të supozuara”.

Pika e shtuar thotë: “Pas pikës 3 shtohet pika 4, me këtë përmbajtje: Pika 4. Vendosja e konstruksioneve të lehta (dru, xham, plastikë, metal), me lartësi maksimale 1 kat, të cilat duhen realizuar larg mureve dhe strukturave të tjera të dallueshme apo të supozuara.

Konstruksionet, në funksion të ruajtjes, ekspozimit, informimit publik, që lidhen me veprimtarinë arkeologjike, në veçanti dhe trashëgiminë kulturore, në përgjithësi si dhe nevoja të tjera të rikualifikimit urban të zonës, duhet të jenë të lëvizshme (të çmontueshme) dhe në asnjë rast nuk duhet të dëmtojnë nëntokën dhe peizazhin.

Projekti miratohet nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimeve dhe për çdo rast duhet të përcaktojë qartë qëllimin, kohëzgjatjen, vendndodhjen e strukturës brenda zonës si dhe planprojektin e saj.

FORUMI

Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore publikoi të shtunën disa foto në të cilat shihej se po kryhen punime në kalanë e Tiranës. “Mirela Kumbaro – godet sërish! Betonizohet kalaja e Tiranës e cila, brenda mureve është shpallur Zonë Arkeologjike! Shihni dhe gjykoni vetë mbi masakrën e re që po zhvillohet në mes të kryeqytetit në një zonë arkeologjike A, ende të pagërmuar”, shkruante në “Facebook” Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore. Ndërtimi i ri po bëhet ngjitur me murin e Akademisë së Shkencave, në zonë që gjendet pas shpinës së Librit Akademik.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.