Intervista

80 vjet marrëdhënie, ambasadori polak: Farat janë mbjellë, tani duhet t’i rrisim ato

07:38 - 07.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Rudina HOXHA

 

Sot, përvjetori i vendosjes së relatave diplomatike mes Polonisë dhe Shqipërisë. 

7 prill 1937 – 7 prill 2017 – 80 vjet më parë, Shqipëria dhe Polonia vendosën marrëdhëniet e tyre diplomatike. Për ta kujtuar këtë datë, ambasadori polak në Shqipëri, z.Karol Bachura dha një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, ku ndër të tjera, ai analizon thellësinë e këtyre marrëdhënieve, çfarë i ka mbajtur dhe ende i mban këto dy vende kaq pranë ndër vite si dhe objektivat e tij në këtë post ku është emëruar që nga shtatori i shkuar.

Ky vit shënon 80-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Polonisë. Çfarë do të thotë ky moment për të dy vendet tona?

Ky është një moment historik, por marrëdhëniet episodike midis dy vendeve tona na çojnë tek figura e heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Sipas historianëve tanë, kontakti i parë direkt diplomatik midis Oborrit Polak dhe Skënderbeut ndodhi në pranverën e vitit 1446. Marrëdhëniet dypalëshe vazhduan pas Luftës së Parë Botërore. Dikush mund të thotë se në periudha të caktuara të historisë së tyre, të dyja vendet patën fate të njëjta dhe nga patriotizmi dhe vendosmëria e popujve të tyre, ato fituan pavarësitë e tyre respektive. Shqipëria e fitoi pavarësinë më 1912. Polonia e rifitoi shtetësinë e saj më 1918. Vitin tjetër, ne do të përkujtojmë njëqindvjetorin e rivendosjes së pavarësisë së Polonisë pas 123 vite ndarjeje. Këtë vit, ne festojmë 80-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike. 7 prilli i 1937-ës mund të konsiderohet si data e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis të dy vendeve tona. Në këtë ditë, i dërguari i Republikës së Polonisë në Athinë, ministri Wladyslaw Schwarzburg-Günther u akreditua posaçërisht në Shqipëri për të ndjekur ceremoninë martesore të Mbretit Zogu I me Princeshën Geraldine.

Pak para se të mbaronte Lufta e Dytë Botërore, më 6 nëntor të 1944-ës, misionet diplomatike në nivel legate që u krijuan, u ngritën në nivel ambasadash që nga korriku i 1954-ës. Ambasada e Republikës së Polonisë në Tiranë ende gjendet në të njëjtën godinë si në vitet ‘50-të. Pas rënies së komunizmit dhe ndryshimeve demokratike në Poloni dhe Shqipëri, marrëdhëniet bilaterale fituan një dimension të veçantë. Të dyja shtetet kanë zgjedhur drejtimin e integrimit Euroatlantik. Aktualisht, Shqipëria dhe Polonia janë aleatë në NATO. Polonia është aktualisht anëtare e BE-së, ndërsa Shqipëria është në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Përgjatë historisë, ne mund të dallojmë shembuj të shumtë të kontakteve midis njerëzve nga të dyja vendet tona. Një nga mësuesit e astronomit të famshëm polak, Nicolaus Copernicus, ishte Nicolaus Thameus, një shqiptar nga qyteti i Durrësit. Sot, kjo lidhje vazhdon simbolikisht nëpërmjet bashkëpunimit midis gjimnazit jopublik, “Copernicus High School” në Elbasan dhe shkollës partnere me të “Copernicus High School” në Varshavë. Dy vendet tona janë të lidhura edhe me kujtimin e prof. Stanisław Zuber, një gjeolog i spikatur polak, i cili ishte një figurë e merituar për Shqipërinë dhe një “Qytetar Nderi” i qytetit të Kuçovës, një zbulues i fushave me naftë në këtë zonë dhe autor i hartës së parë gjeologjike të Shqipërisë, e cila është ende në përdorim. Profesor Zuber punoi në Shqipëri nga viti 1927 deri në 1947, kur ai u arrestua dhe u vra nga regjimi komunist. Dhe tani së fundmi, në 2016-ën midis martirëve të Kishës Katolike, të cilët u lumturuan në Shkodër, ishte edhe një prift polak, Atë Alfons Tracki.

Si i gjykoni marrëdhëniet dypalëshe?

Në kontekstin e mandatit tim, është gjithashtu thelbësore që marrëdhëniet tona bilaterale të shtrihen në të gjitha nivelet dhe fushat e mundshme. 2016-ta ishte një vit i veçantë në intensifikimin e dialogut politik midis dy vendeve tona. U zhvilluan takime në nivele të larta. Në qershor u mbajt në Tiranë vizita e ministrit të Jashtëm, Witold Waszczykowski; në shtator u organizua takimi i dy presidentëve, Andrzej Duda dhe Bujar Nishani; në Nju Jork në pushimet midis seancave të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe e fundit por jo nga rëndësia – në dhjetor u organizua vizita e Kryeministres polake, Beata Szydło në Shqipëri. Gjatë kësaj vizite, në praninë e kryetarëve të dy shteteve u nënshkrua edhe Programi i Bashkëpunimit midis Ministrive respektive të Kulturës. Edhe bashkëpunimi ekonomik u çua përpara. Të dy kryeministrat ndoqën Forumin e parë Ekonomik polako-shqiptar. Dy marrëveshje të reja për bashkëpunimin ekonomik u nënshkruan midis dy Dhomave tona të Tregtisë dhe agjencive të investimeve. Në mars të këtij viti, kryebashkiaku i Tiranës, z. Erion Veliaj kreu një vizitë në Varshavë. Pra, farat janë mbjellë, tani ne duhet t’i rrisim ato. Jam i bindur se në vitet e ardhshme ne do të shikojmë vazhdimin e kontakteve në nivele të larta, duke përfshirë kontaktet ndërparlamentare dhe takime midis institucioneve të ndryshme shtetërore, autoriteteve lokale, bashkive, bizneseve, njerëzve si dhe shtimin e numrit të marrëveshjeve të nënshkruara midis dy vendeve. Sa u takon marrëdhënieve ekonomike, mund të them se në vitet e fundit, të ardhurat nga tregtia bilaterale janë të ngadalta, por ato po rriten në mënyrë të qëndrueshme, megjithëse ende në dimensione jo të kënaqshme për të dyja palët. Sigurisht që ka potencial të madh për rritjen e këtyre të ardhurave.  Me qëllim, rritjen e interesit të investitorëve polakë, ambasada ka redaktuar një guide speciale për kompanitë polake, që ka të bëjë më informacionin se si mund të bëhet biznes në Shqipëri, përfshirë edhe një aneks të veçantë rreth pasurive të patundshme. Ai mund të gjendet online. Megjithatë, roli i ambasadorit nuk është i kufizuar vetëm në kuadrin politik. Ne përpiqemi të rrisim praninë e kulturës polake, muzikës, artit dhe filmit polak dhe sidomos të letërsisë polake në Shqipëri.  Kur flas për kulturën, nuk mund të harroj të përmend Shoqatën “Chopin” të Shqipërisë, e cila ndihmon në promovimin e muzikës së Chopin dhe kompozitorëve të tjerë polakë nëpër Shqipëri. Gjithashtu, ne mbajmë kontakte të ngushta me studentët e diplomuar nga universitetet dhe shkollat polake.

Cila është pikëpamja juaj sa i takon bashkëpunimit rajonal dhe rolit të Shqipërisë në këtë aspekt?

Unë e shikoj me një sy të mprehtë bashkëpunimin rajonal. Nga kjo pikëpamje, ne i mirëpresim të gjitha iniciativat dhe projektet rajonale që çojnë në zhvillimin e bashkëpunimit reciprok. Më lejoni t’ju kujtoj këtu Organizatën Rajonale të Bashkëpunimit për Rininë, Fondin e Ballkanit Perëndimor dhe projektet në kuadrin e Procesit të Berlinit, që janë kaq të rëndësishme për Shqipërinë dhe për të gjithë rajonin. Polonia, si një anëtare themeluese e Grupit të Visegrad-it dhe si vendi që aktualisht mban presidencën e V4, mirëpret veçanërisht emërimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor dhe sekretariatit të tij në Tiranë. Ne shpresojmë se procesi i ratifikimit të këtij fondi do të përfundojë nga të gjithë anëtarët këtë vit dhe se fondi do të jetë i aftë të fillojë aktivitetet statutore. Bashkëpunimi i fortë rajonal i ul mundësitë dhe nivelet e ndikimit nga faktorët e jashtëm të pafavorshëm rajonalë dhe përqendrohet te dialogu dhe zgjidhja e problemeve për të gjithë partnerët rajonalë. Më lejoni të perifrazoj prioritetet e Presidencës V4 polake për periudhën 2016-2017 për t’ju treguar se sa universale janë ato dhe se sa mirë mund t’u përshtaten gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor: zë i fuqishëm i Grupit në Europë, krijimi i sinergjive nëpërmjet dialogut të zgjeruar, siguria dhe stabiliteti i rajonit, identiteti dhe rënia në sy e Grupit, kohezioni dhe ndërlidhja.

Kam bindjen se Shqipëria mund të luajë një rol konstruktiv dhe stabilizues në rajon. Aktualisht Shqipëria është i vetmi anëtar i NATO-s midis gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor. Ky është një privilegj, por edhe një detyrim. Një fushatë e balancuar paraelektorale dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme të këtij viti, të mbajtura në një mënyrë transparente, duke ruajtur standardet e vendosura nga OSCE-ODIHR; të gjitha këto faktorë do të shërbejnë për të forcuar imazhin e Shqipërisë në kontekstin e ecjes përpara të këtij vendi në rrugën drejt EU, por edhe për forcimin e rolit të Shqipërisë si një faktor stabilizuar në rajon. Sa i takon konsensusit midis partive, i demonstruar vitin e shkuar me reformën në drejtësi, shpresoj sinqerisht se të gjitha partitë do të tregojnë të njëjtën devotshmëri dhe mirëkuptim në pjesëmarrjen dhe sjelljen e tyre në zgjedhjet e përgjithshme këtë vit. Është gjithashtu në interesin e çdo qytetari për të siguruar mbajtjen e zgjedhjeve ashtu siç duhet, rezultati i të cilave do të vendosë për të ardhmen e qytetarëve të Shqipërisë për vitet në vazhdim. Sepse të jesh një qytetar i një shoqërie demokratike është gjithashtu një përgjegjësi e madhe. Janë qytetarët që e bëjnë një vend. Të votuar nga njerëzit dhe për njerëzit, përfaqësuesit e politikës duhet të mbajnë parasysh pritshmëritë e atyre që ata përfaqësojnë  dhe të përfaqësuarit do të kenë një mundësi për të vlerësuar ata, të cilët nuk i plotësuan pritshmëritë e tyre duke hedhur votën në kuti.

Gazeta Shqiptare


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.