OPINION

Ecuus, instinktet e hershme nën lëkurën moderne!

07:34 - 07.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Përparim KABO

 

Si erërat e moçme vjen pasioni, por edhe ai vetë nuk e di si është nga brendia e tij, krejt instinkt i hershëm apo edhe qëndrim i klasifikuar siç e kërkon rregulli. Një fëmijë gjashtëvjeçar hipur mbi një kalë që vrapon me galop dhe ajri i përplaset e i ngre flokët. Ai ndjeu botën si dëshirë për të qenë i lirë. Përjetoi se si kafsha fisnike që në zodiakët e lashtësisë aziatike simbolizonte familjen, kali, ai që në poemën e Homerit “Odiseja” ishte i drunjtë dhe shkoi atje në Trojën e vjetër që u dogj falë dinakërisë, madje ka popuj si kazakët që gjatë gjithë Mesjetës kishin si ushqim mishin e kalit dhe i bënin veshjet vetëm me lëkurën e tij; i tregoi atij se duhej të largohej nga kështjellat e rërës.

Në dramën “Ecuus” të autorit Peter Shaffer, gjithçka që ai djalosh ndjen dhe vuan, që nga ai mëngjesi buzë detit kur kalit i dukej se kishte në shpinë kalorësin e vërtetë, princin e pastër të përdëllimeve, atë që e ndjente aromën e lëkurës dhe djersës së tij, bëri që edhe vetë kafsha të “mendonte” se atë ditë së paku ishte Pegaso. Ngjarjet jetohen në një kohë kur kuajt përdoren gati në mënyrë ekzotike, ku bashkohet luksi me ndjelljen shtazore, moderniteti me atë përunjësi të kafshës së bukur dhe të butë falë një përdorimi që e largon atë nga bota shtazore dhe e sjell si subjekt dhe frymë referimi në kohët e modernitetit! Po a është shoqëria hedonike mënyrë jetese edhe për kalin? Emri i tij nuk është kalë, është diçka tjetër, gati-gati si një qenie institucionale e Antikitetit. Ai quhet Ecuus… S’ka pse habitemi! A nuk ishte dikush në Romën e lashtë që hyri në senat me kalin e tij dhe donte ta shpallte senator. Shoqëria në dramën “Ecuus” u habit kur mori vesh se një ditë dashuria e djaloshit ndaj kalit, kuajve, ishte shndërruar në një akt dhune e shpagimi gjakatar.

Mendësia njerëzore hartoi sulmet ndaj djaloshit dhe sa herë që ndalej ta rimendonte atë akt, shpërthente në akuza se; njerëzimi dhe institucionet ishin fyer. Kafshët ishin dhunuar. Veçse ka edhe një çështje që shpesh ne duam t’i shmangemi përmes pranimit nga njëra anë apriori të dogmës se institucionet janë këmisha e detyrueshme që duhet të veshim porsa lindim, dhe vetëpengimit nga ana tjetër që të pyesim. Po institucionet, si sillen me ne? A na lëndojnë? A na fyejnë? A na njohin se cilët jemi? A na kuptojnë? A e konsiderojnë lirinë tonë? Drama e thellë dhe tronditëse “Ecuus”, e shkruar nga Peter Shaffer në vitin 1973, erdhi në kushtet e gravitacioneve sociale revolucionarizuese të atyre viteve. Gjeneratat e lindura pas Luftës së Dytë Botërore, më në fund dolën nga inkubacioni i frikës dhe nisën të ndërtonin lirinë. Nga duhej t’ia fillonin? Bazuar në cilat parime? Frymëzuar prej çfarë motivesh? Udhëhequr nga cila filozofi? Çdo arkeologji e cekët do të ishte zgjidhje e gabuar e do të shpinte në shtresa tektonike të historive të paqarta, fatale dhe të gjykuara e të paragjykuara njëherësh. Më e vjetra pikërëndesë është karakteri dual i botës dhe njeriut si biri i saj, por edhe si interpretues i fateve dhe ecurive të universit. Për studiuesit e mirëfilltë, ky ndërtim njihet si struktura dioniziane-apolloniane.

Ky duet perëndish antike nuk përmendet në asnjë rast në tekstin e pjesës “Ecuus”, por është tharmi dhe klima, udhërrëfimi dhe pika fokale, si e autorit Shaffer, edhe e regjisorit Dino Mustafiç (i cili për nga profesioni i parë është filozof, me studime të kryera në Sarajevë e të përfunduara me rezultate par excellent), që të shpien atje krejt butësisht pa kërcitje, në një mënyrë krejt organike. Dionisi dhe Apolloni ishin vëllezër dhe bij të Zeusit. Dionisi ishte perëndia e qejfit, e instikteve pa fre, e dhimbjes, e vuajtjes dhe e bukurisë, por edhe e çmendurisë dhe terrorit. Apolloni ishte perëndia e arsyes, e shkencës, e ligjit, e mjekësisë dhe e dijes. Pra ata ishin karaktere të ndryshme dhe konfliktuale. Kështu është njeriu në qenien e tij. Nga kjo strukturë e dyfishtë buron sjellja dhe filozofia e tij e jetës, edhe botëkuptimi spontan. Njeriu nuk mund të ndahet në dy struktura autonome. Madje thjesht për këtë arsye qenësore edhe vete shoqëria nuk do të mund të jetë as vetëm dionisiane dhe as qartësisht apollonike. Kur kjo dikotomi prishet, shumëçka do mund të ndodhe.

Ekuilibrat e gjykimit do dalin jashtë kontrollit. Gjithçka në pelegrinimin njerëzor dhe në fatet e dramës “Ecuus” është dialogu mes të dyja anëve të së njëjtës qenie, duke mbajtur si parakusht sinqeritetin. Nëse njëra anë, qofte kjo instiktivja apo racionalja, e papenguara apo e frenuara etike, nuk është e çiltër, nuk është vetja dhe e shprehur pa veshjen e hipokrizisë, atëherë, më e pavështira punë është të tregojmë me gisht viktimën si shkaktare të prishjes. Gabimi në këto rrethana do të jetë edhe më i madh dhe përgjegjësia më e rëndë. Do të vijohet që instinktet të mbeten në autonominë e tyre shpërthyese, ndërkohë që moderniteti do ta zëvendësojë dionisiaken me “lëkurën e normave etike”. Kjo gjendje është vetëviktimizuar. Brenda saj mund të takojmë njerëz fatkeqë, por për më tepër një shoqëri të sëmurë nga hipokrizia dhe komercialiteti gjithë po aq.

***

Për fatin tonë të mirë apo të keq, të gjithë ne “jemi po ata të krijuar si të lindur dhe po ata që jemi të përpunuar e standardizuar si të mësuar.” Jemi vetja dhe ndryshe. Po, kur jemi ne të vërtetë?! Fatkeqësisht, jeta me klishetë e institucioneve është rrekur gjatë gjithë kohërave të na bindë deri nën trysni e deformim, se ne jemi të tillë kur përpunohemi, dhe vetëm nën këtë peshë didaktike duhet jetuar. Nuk paska shumë rëndësi nëse jemi të detyruar ta gëlltisim lirinë tonë e të mos kemi të drejtën ta shprehim atë, dhe përse nuk u dashka ta bëjmë?! Pasi ndryshe do të ndëshkohemi. Personazhi kryesor i pjesës “Ecuus” është djaloshi 17-vjeçar Alan… (ç’rëndësi ka mbiemri, ai është heroi fatkeq i brezit të tij dhe i brezave). Ai ishte sjellë në jetë për t’u përpunuar në familje, pra nga institucioni më i vjetër, sajë moralit, të mëkohej prej etikës kristiane, për t’u edukuar si një puritan i vërtetë, si një njeri me ideale. Djali ishte shndërruar në objekt të detyrimeve prindërore dhe civile të familjes së tij. Instrument i atyre prindërve të cilët në vetvete e kishin kuptuar (veç e veç) se në çiftin e tyre gjithçka nuk funksiononte, por duhej treguar se ai ishte i tillë i qëndrueshëm. Duhej të jetohej brenda së pavërtetës e ngjyrosur si apoloniane. Paqe, harmoni, principe etike, një lumturi sublime orientuar nga detyrimet hyjnore të vjetra sa vetë jeta. Në atë familje ishte harruar realiteti? Jo! Thjesht nuk kishin kurajë ta thoshin me zë të lartë dhe pa e ngritur zërin si vokal, pra me zë të hapur. Nuk pranohej se po aq hyjnore është edhe dionisiakia…

Ajo është e bekuar si institucioni i parë që e shoqëron njeriun gjithkaherë dhe në gjithëkohësi. Instiktivja, njerëzorja, e brendshmja, truporja, e mishta që josh në epsh dhe afsh dhe që falë orgazmave e derdhjes së thelbit trupor të njeriut e bën atë të ndihet i gjallë, të kuptojë veten, të tregojë personalitetin dhe aftësitë e tij se mund të ndryshojë shoqërinë, botën, mendësitë dhe rrjedhën e ngjarjeve; duke e lejuar pa pengesa lumin e brendshëm të gjithçkaje ndjesore që gurgullon brenda tij dhe që frymëzon. Le të kthehemi në fokusin e periudhës. Janë vitet ‘60-‘70, kur në Europë dhe më gjerë shpërthejnë tri revolucione, dhe përkatësisht: revolucioni i rinisë, revolucioni feminist dhe revolucioni seksual. Nuk ishte e lehtë tradicionalja konservatore, ishte tejet rezistente, kundërshtuese, përjashtuese, agresive, shpaguese, e deri akuzuese, se po blasfemohej kundër parimeve që ishin edukuar në breza e në shekuj dhe që ishin ngjizur si universaliteti konstant dogmatik. Duhej mbrojtur klisheja e detyruar, pikat e referencës për sjelljen njerëzore.

Gjithçka që shpërfaqej duhej bashkëshoqëruar me përkushtimin dhe shërbimin ndaj etikës, çka mund të quhej edukata religjioze apo civile, mund të konsiderohej etika njerëzore e qytetërimit modern, mund të vlerësohej si historia mijëravjeçare e kulturës perëndimore, mund të shpallej si moderniteti ynë historik emancipues… mund… Por ne nuk kemi kurajën të themi, se ajo lloj sjelljeje ndrydhëse është dhe historia hipokrite e një etike të shtirur ku mendimi ambalazhohet me fjalët e zgjedhura dhe me jetën e gjallë, ndaj duhet pranuar se ajo është në fund të fundit edhe trupore. A mos vallë njerëzimi do të duhet të mbetet i pështjellë me një lëkurë moderniteti e të mos shprehet hapur? Të jemi të “kujdesshëm”, “të edukuar”, sepse ndryshe rrezikohemi nga një lloj vulgariteti që dëmtoka vlerat tona historike të etikës puritaniste?! Ndryshe kjo mund të interpretohet.

Të mbyllim sytë për të mos lexuar se çfarë ndodh realisht në jetën e gjallë, të përditshme. Si e kanë shpirtin njerëzit. Sa të lirë ndihen ata për të qenë të lirë! Sa të lirë janë për t’u shprehur të lirë! Sa të lirë janë për të qenë të lirë me trupin dhe ndjeshmëritë e tyre! Sa të lirë janë për të dalë përtej maskës që u dashka veshur kudo, në familje, në gjykata, në shkolla, në spitale, në institucione. Kjo protestë është misioni i një djali të brishtë, që noton mes dhunimit dhe kurajës, mes pafajësisë dhe dëshirës që të shprehet, mes kujdesit gati denatyrues të prindërve dhe nevojës që të dëgjojë pasionet e brendshme. Të mos habitemi, jemi në Anglinë e viteve ‘70 dhe autori guxoi ta shtronte këtë çështje duke paraqitur hapur gjendjen. Gjithçka që shpërfaqet e tejkalon shqetësimin, shkon deri tek akuza. Këlthet paralajmërimi se po ndërtojmë një shoqëri të sëmurë, e cila, të tjera gjëra thotë institucionalisht dhe predikon, dhe të tjera bën dhe shijon si jetë njerëzish. Ajo dëshiron t’i provojë të gjitha, por duke i mbajtur të fshehura, sepse vuan që në këtë jetë dhe në këtë botë ku sterilizohet gjithçka, të heshtet vetëm e vetëm në emër të masturbimit me moralin dogmatik. Në këtë hulli vepra është kurajë dhe shkundje për zgjim. Është trase për realizëm që kushtëzon ndryshimin. Është një etikë ndryshe, e vërtetë, në mënyrë që edhe emancipimi të mos jetë farsë. Autori mund të kishte zgjedhur një objekt çfarëdo si pikë referimi, një objekt pagan, kult të vjetër, apo apokaliptizmin e mugëtirave. Lidhje të tilla me pyllin, me lumin, me detin, me kultin, gjejmë në mitikën, eposin, apo erotikën e shumë popujve. Është provuar se në raport me to mund të shkohet deri në absolutizëm bestytniak. Autori Shaffer është më i drejtpërdrejtë. Ai merr si pikë referimi një kafshë nga më të dashurat dhe më shërbyeset ndaj njeriut, kalin. Djaloshi e idealizon, i shërben, i mban erë trupit dhe lëkurës së tij si të ushtronte një kult; aq sa jepet në një lidhje të thellë gati trupore jo si akt seksual mirëfilli, por si një përkushtim dhe sinqeritet ku ndjesitë janë aq të ndjera, ashtu si lidhja e besimtarit me idolin e vet! Në dhomën e tij ai vendos përbri fotografinë e kalit dhe atë të Jezusit, ndërkohë që para tyre djaloshi kryen si rit kalorimin dhe jo lutjen fetare. Nuk ka ndërruar idhull, përkundrazi, përballë krijuesit të martirizuar në kryq, ai tregon pasionin e tij njerëzor ende të panjollosur. Një natë Alani kalëron lakuriq mes përmes fushës, nën qiellin me yje dhe me shpirtin të mbushur… Është ky veprim i një moderniteti pervers, i shpifur dhe çmendurak? Kurrsesi jo! Gjithçka duket si jeta para mëkatit të parë në kopshtin e Edenit, atëkohë ku lakuriqësia ishte ende e paparagjykuar.

Nëse mjeku psikiatër që mori përsipër të kuronte Alanin ishte edukuar duke lexuar antikitetin greko-romak dhe e kishte mbushur me fakte dhe histori mendjen e tij të kultivuar, trupin e vet e kishte lënë që të fishkej çdo ditë duke mos kuptuar se po humbte jetën, po zhbëhej pa u ndalur. Alani, pacienti i tij, krejt ndryshe, është biri i po atij antikiteti (të gjithë Alanët… të gjithë fëmijët e sotëm në vendin tonë, të gjithë fëmijët që do të vijnë, pa dallim race, kombësie apo besimi, kanë brenda tyre instinktet e hershme). Realisht si i tillë, ai është nga geni dhe pasioni i Hermesit… që vraponte i zhveshur dhe mbillte kudo fertilitetin përmes ngjizjes. Nëse e duam antikitetin si themel të modernitetit të sotëm, atëherë na duhet të kujtojmë se në Olimpin e vjetër, në stadiumin ku u zhvilluan të parat Lojëra Olimpike, burrat vraponin lakuriq, ndërsa gratë me një cohë të hollë mbi shpatulla dhe njëri nga gjinjtë qëndronte jashtë. Asokohe askush nuk shqetësohej se po prishej morali që mund të akuzohej nga dukja, nga shfaqja apo mosfshehja. Jehonat e asaj klime janë brenda nesh, të gjithë i dëgjojmë. Ndahemi se disa i pranojnë e disa jo.

“Ecuus” na bën të mendojmë: A është e përjetshmja që na rrezikon, apo ajo është brenda nesh, ndaj në këtë kuptim është “ne”. A mos vallë është e jashtmja, pikërisht ajo që mësohet dhe që ka një vijimësi si shuma e të përkohshmeve që na rrezikon, duke na detyruar dhe shtyrë të sillemi sa për sy e faqe të botës? E para është ajo që lind me njeriun. Të tilla janë fryma, të ushqyerit, seksualja. E dyta është morali i edukuar që ndryshon në epoka, periudha, në varësi të kulturave dhe religjioneve. Edhe sot ndeshjet mes civilizimeve janë të tilla që manifestohen me parime dhe shpagime etike. Referencat fetare janë thjesht përpjekje që atyre t’u jepet si atribut supremacie, pushteti mbinjerëzor dhe të krijohet njëfarë universaliteti dogmatik i principeve imponuese. Te drama “Ecuus”, shpirti dhe trupi është njeriu, është Alani… janë Alanët… deri në anonimat, që do të dalë/dalin nga standardizimi përmes lirisë së tij/tyre. Krejt të paqtë dhe modestë, por që duke e idealizuar dhe absolutizuar idolatrinë e tij/tyre, si edhe pa e kuptuar, Alani e shndërron Ecuus-in në moralin e tij fatal. Ai ka krijuar kështu besimin dhe perëndinë e tij. Gjithë çfarë absolutizohet të ndëshkon një ditë. Djaloshi do të viktimizohet nga morali që ia përdhos pasionin dhe vice versa. Mekanizmi lëvizës është klinika psikiatrike që drejtohet nga mjeku. Atje shkojnë të gjithë. Fillimisht prindërit e Alanit (Arben Derhemi dhe Ema Andrea…në gjykimin tim krejt individual vijnë në këtë pjesë me interpretimet më të arrira). Atje rrëfehen gjykatësja, infermierja, pronari i stallës etj… Vrapojnë për të akuzuar, për të shprehur mëshirë dhe keqardhje, por edhe neveri ndaj djaloshit.

Të gjithë pa dallim për të thënë se Alani është fajtori. Zbërthimi psiko-emotiv i Alanit nga psikiatri ndihmon që mjeku të kuptojë veten (akti i fundit shpërthyes i aktorit Timo Flloko është shumë i ndjerë dhe goditës… Me një ndjenjë të lartë të fajësisë dhe përgjegjësisë me fjalët “pse unë, pse unë”). Roli i mjekut është tejet i vështirë, një lloj inversi me djalin. Alani është i mbyllur dhe duhet të hapet. Ndërsa mjeku i hapur e shpërfillës, por që duke zhbiriluar psikikën dhe ndjenjat e djaloshit, fillon e mbyllet e hyn brenda vetes me frikën se vetënjohja personale e tremb deri në ikje. Role të tilla kanë ngarkesë emocionale, interpretative dhe meditative.

Aktori Timo Flloko ia ka dala me sukses. Ai ngjan si mjeku te tregimi “Salla Nr 6” i Çehovit. Duke kuruar pacientin, më në fund, mjeku kuptoi se ai ishte vetë pacient i një sëmundjeje më të rëndë. Vuante nga patologjia e mosnjohjes së realitetit, e ikjes prej tij. Është pacienti i një lloj vaniteti që gati-gati të shpie në delirin e snobizmit. Epërsia ndaj “viktimës” – pacientit mund të quhej si e tillë vetëm në fillim të pjesës. Në fakt, i viktimizuar dhe i vetëasgjëzuar, është mjeku. Në fund ai ka ndërruar pozicionin me djaloshin. Vetë mjeku lyp më shumë liri për t’u shprehur hapur e pa doreza. Ngjarja e atij djaloshi e shndërroi atë në një pacient, për të kuptuar se çfarë po ndodhte në jetën personale, madje deri në një kuriozitet naiv ndaj aktit seksual që donte ta dëgjonte nga goja e Alanit. Donte ta imagjinonte si të ishte akti i trupit të tij.

Të ndjente gjithçka si të pasionit të tij. Ta risillte në qenien e tij. (Prej 6 vitesh, jeta e tij seksuale me të shoqen ishte shuar, gati-gati si një vdekje e përditshme, si pa u ndjerë deri në humbje). Edhe prindërit e Alanit që në atë klinikë shkuan për të akuzuar djalin, ia hoqën maskën vetes së tyre. Treguan krizën që përjetonin si një skizofreni në çift. Vuanin nga një lloj pamjaftueshmërie totale në dialogun njerëzor. Ata prindër ishin viktima të komunikimit konfliktual si dy subjekte me parime të kundërta dhe me misionin e sëmurë për një rregullim formal të botës. Juristja (aktorja Luli Bitri), që ishte sterilizuar në shpirt nën peshën e ligjit dhe formalitetit të tij, e vështron botën skematikisht, thjesht në kontrastin: e mira dhe e keqja. Ajo nuk sheh se përtej këtij thjeshtëzimi ka njerëz, ka fate, ka histori dhe dhimbje. Në fjalët e saj vetëm ndjeshmëri nuk kishte, edhe kur ajo me hipokrizi do që të influencojë te mjeku. Infermierja, një e çmendur genuine (interpretuar mjaft bukur si karakter nga Erjona Kakeli), shpreh shkallën më të ulët të shërbimit ndaj njeriut, të cilin ajo e konsideron thjesht objekt. Pacientët për atë janë numra dhe sende pa histori. Pronari i stallës (Lulëzim Zeqja, një rol karakter që ngjizet shumë bukur prej aktorit), në klinikë tregon se është i sëmurë nga fiksimi ndaj pasurisë, se për të ka dy qasje: kriminelët nga njëra anë dhe burgosja apo ekzekutimi i tyre nga ana tjetër.

Mjafton që punët e biznesit të shkojnë në rregull. Siç thoshte Hajne, “Pamja e kësaj shoqërie, që i bën lajka njeriut vetëm se ky është i pasur, më kujton plotësisht përkuljen para viçit të artë.” Me pak fjalë, moral i shprishur. Në fund të dramës kuptohet se e gjithë shoqëria nuk ishte në normalitet. Tempujt e tyre ishin të pamjaftueshëm. Shëndeti mendor i shoqërisë nuk ishte normal, ai duhej të kurohej. Viktima Alan interpretohet me devocion skenik nga i riu Igli Zarka, me veprime skenike në kufijtë e një blasfemie si pamje e zhveshur deri në lëkurë, me të cilin regjisori ka dashur të thotë, se edhe trupin mund ta nxjerrim cullak, por jo shpirtin. Edhe trupi i zhveshur dhe shpirti i zhveshur na bëkan viktima. Kur djali provoi, ai u ndëshkua. Alani është i dënuari i kësaj patologjie sociale. Shoqëria u dashka që, sa herë të zgjerojë lirinë e vet, të kryqëzojë dikë. Jo më kot, në mënyrë simbolike Alani vë pranë fotografisë së kalit nën fre atë të Jezusit në kryq, tek nga syri i rridhte gjaku, pasi në hije ishte ngulur shtiza e hekurt… Biri i perëndisë pa se tempulli qe fyer pikërisht nga ata që hiqeshin dhe shtireshin si besimtarët e rregullt. Alani – djaloshi 17-vjeçar më në fund guxoi të kundërshtonte jo thjesht se u bë më trim dhe më i paedukuar. Ai kurajoi se e kapi të atin duke gënjyer.

Ata u ndodhën në të njëjtën sallë kinemaje duke parë filmin porno. I ati u justifikua duke thënë se ishe rastësisht atje për punë biznesi, punë reklamash që do të mund t’i prodhonte shtypshkronja e tij. Këtu idolet bien përfundimisht. Po vinte një brez i ri që donte të kapërcente gënjeshtrën dhe të pranonte veten ashtu si ishte. Edhe vajza që i kërkon seks Alanit në stallën e kuajve, po atë gjë i thotë hapur. Në formën e një akuze për prindërit e saj të pasinqertë me njëri-tjetrin, ajo tregon se është e zhgënjyer prej tyre. Kur Alani detyrohet nga vajza të bëjë seks në stallën-tempullin e tij, identitetet e tij nënkulturore përplasen. Ai është atje pa dëshirën e tij, ndihet i pafuqishëm, e gjen veten si pengu fatal i rrethanave. Viktima e kujt? E prindërve dhe e shoqërisë. Viktima përse? Sepse edhe liria e tij gati instiktive ishte e pamjaftueshme, pasi ajo shkon deri tek e shfrenuara që përdhos kultet dhe tempujt që ai vetë kishte ngritur. Ndaj ikonat e gjalla dhe të vdekura nuk duhet ta shohin atë që ndodh.

A nuk ishte e njëjta gjë që i edukonin prindërit djaloshit: të dukemi, të tregohemi, pa e shfaqur atë që është brenda nesh?! Edhe Ecuus-kali, nuk duhej ta shikonte atë çka ishte Alani brenda, vetëm e vetëm që kafsha të mos zhgënjehej. Moralizimi kishte mbërritur kulmin: Të jemi ata që dukemi, jo të tregohemi ata që jemi. Akti ndodhi si kulminacion dhimbjeje dhe vuajtjeje. Ecuus kishte qenë edhe instinkti, edhe morali i tij, edhe shprehja e shfrenuar, edhe idealizmi ikonik. Alani qorron me një shtizë gjashtë kuajt e stallës. Nuk donte dëshmitarë. Gjaku i tyre e përlyen atë si të shpënë në kryq… Regjisori Mustafiç e zgjidh ndryshe nga drama e shkruar këtë situatë. Ky lloj gjaku turpi i hidhet mbi trup djaloshit nga të gjithë personazhet. Viktima dhe fajtori mbetet vetëm ky djalosh 17 vjeçar.

Bota paqtohet me hipokrizinë e saj. Ndoshta më mirë të jemi si ata kuajt që nuk e shohin më këtë botë dhe shoqëri. Të gjithë të verbër përballë së vërtetës! Faleminderit, Dino Mustafiç! Për gjuhën dhe mjetet skenike do të flasim një herë tjetër… Uroj t’ju kenë kuptuar. Për një gjë ju siguroj: Ju e fituat sfidën, sepse spektatorët reflektojnë… Edhe ky është emocion! Juve – siç edhe u shprehët në takimin tonë – do t’ju mjaftonte qoftë edhe një spektator i fituar. Ju keni bërë për vete një qytetet ballkanik, Tiranën, me këtë premierë inskenuar për herë të parë në gadishullin e miteve dhe paragjykimeve deri në marrëzi.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Me pelqeu shume komenti, pa e ditur fare kete pjese te shkruar e te interpretuar. Mendoj se kuptova sa shume gjera qe nuk i njohim kemi ne vetvehte e te femijet tane, sa nevoje per ndihme kemi per vendosjen e ruajtjen e ekuilibrave te komunikimit brenda e jashte familjes ne kete bote te cmendur, ku jetojme e jemi te detyruar te jetojme. Flm prof. per kete analize e expoze te pjeseshme te pjeses teatrale. Me shume respekt do doja te degjoja prej jush edhe pergjigje te pyetjeve, qe me lindin ne jeten time, familjare e shoqerore. Do deshiroja te ndiqja, me interes e vemendjen me te madhe, biseda e takime ne grupe, te interesuara per tema filosofike, kaq jetike per qenien njerezore!!!! Flm

    Përgjigju ↓