OPINION

80 vjet Kishë Autoqefale

07:27 - 12.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Dhimitër QOSJA

 

Një përvjetor për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë shënohet më 12 prill të vitit 2017, plot 80 vjet nga njohja ligjërisht e saj, Kishë Autoqefale, krahas Kishave të tjera Ortodokse Autoqefale simotra të botës. Por rrënjët e ortodoksisë në Shqipëri vijnë që nga fillesa e krishtërimit, duke vulosur identitetin e krishtërimit në Shqipëri si një identitet apostolik i pakundërshtueshëm (Rom. 15, 19, Titit 3, 12 &II Tim. 4,10). Por jo vetëm argumente biblike, por edhe të mjaft fushave të ndryshme, arkeologjike, historike, sociologjike dhe psikologjike afirmojnё të vërtetën e krishtërimit në trevat e Shqipërisë së sotme. Kjo nuk është një tendencë për të shprehur nota mburrjeje, sesa një thirrje për ndërgjegjësim përballë një konfuzioni që na paraqitet në disa aspekte të ndryshme, duke errësuar orientimin mbi kulturën, identitetin dhe historinë që trashëgojmë. Nëse një kohë kjo hapësirë bëri të mundur ndriçimin e popujve barbarë dhe integrimin e tyre, sot kjo hapësirë thirret të riintegrohet dhe të gjejë përsëri veten e saj pas një traumatizimi dhe paralize të gjatë.

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, pas një rrugëtimi aspak të lehtë nëpër shtigjet e historisë, ka arritur të triumfojë. Njohja zyrtare kanonike e saj me dhënien e statusit tё Kishës Autoqefale u bë e mundur në 12 prill të vitit 1937. Por, zgjimi për këtë fakt kishte nisur që nga fundshekulli XVIII dhe përgjatë shekullit të XIX me anë të përpjekjeve serioze të përkthimeve në gjuhën shqipe të Shkrimit të Shenjtë dhe pjesëve të literaturës kishtare prej Grigor Durrsakut, Grigor Gjirokastritit dhe Konstandin Kristoforidhit.

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 dhe në vazhdim njohja e saj, ishte një arsye për të kërkuar edhe pavarësinë kishtare sipas një devize të kahershme “shtet i pavarur, pra dhe një kishë e pavarur”, e pranuar kjo në hapësirën ortodokse. Kjo devizë në të njëjtën kohë ndiqte edhe shembullin e kishave simotra ballkanike në shtetet përkatëse, që kishin fituar pavarësinë pas zgjedhës së gjatë skllavëruese të shumanshme otomane. Në këtë fazë një kontribut të paҫmuar jep Theofan S. Noli me përkthimet liturgjike si dhe dy peshkopë të njohur të kësaj periudhe, Jerothe Jaho me origjinë nga Përmeti dhe Kristofor Kisi nga Berati, që dorëzojnë në gradën e lartë të peshkopit sipas kanonit apastolik Th. S. Nolin, më 4 dhjetor të vitit 1923 në Korҫë. Pikërisht K. Kisi është ai që u jep fund anomalive brenda komunitetit ortodoks të Shqipërisë nga shtatori i vitit 1922 deri në vitin 1937, duke bërë të mundur ngritjen kanonike dhe dhënien e statutit të Autoqefalisë me marrjen e “Tomo-sit” dhe njohjen e saj zyrtare krahas Kishave Ortodokse në mbarë botën dhe vetë atë, si kryepeshkopin e parë të KOASH në historinë kanonike të tij. Tek kujtojmë këtë ngjarje të madhe, ftohemi të qëndrojmё mbi bazat kanunoro-juridike, shpirtërore dhe morale. Në të njëjtën kohë kërkohet të zgjojmë shqisat, duke përqafuar më tepër shpirtëroren, duke dalë nga apatia e gjatë pas një periudhë ekstreme materialiste, që krijoi një vakum të thellë shpirtëror dhe moral, ende e pashёruar.

Pas rënies së diktaturës së egër komuniste, Kisha u gjend e rrënuar, e shpërbërë në strukturat e saj, por me një shpresë tek jeta edhe pse gjendej në varr. Ringritja e saj vjen vetëm nga mrekullia dhe vazhdon përpjekja pastorale dhe misionare pandërprerë, duke ripërtërirë Kishën Ortodokse në Shqipëri. Formimi i liderëve të rinj të komunitetit ortodoks është një realitet, qё vjen me krijimin e Akademisë Teologjike, prej Fortlumturisë së tij, kryepeshkopit Anastas nga shkurti i vitit 1992 në Shën Vlash të Durrësit, pikërisht aty ku edhe nisi shkatërrimi i objekteve fetare në vend dhe asgjësimi përfundimtar i strukturës klerikale. Dhe sot pas një ҫerek shekulli të hapjes, formimi i kuadrit të lartë tё shuguruar, që i shërben komunitetit është një fakt.

Kisha është pjesë e shoqërisë së këtij kombi dhe rrjedhimisht ringritja e saj ndikon shumanëshmërisht dhe në mënyrë përcaktuese në shoqërinë e tij. Kontributi i saj është i njohur dhe i vlerësuar në lindjen e kombit-shtet, në ruajtjen e pandërprerë të identitetit, në kultivimin e personaliteteve nga gjiri i tij dhe janë figura të padiskutueshme në fusha të ndryshme politike, art, kulturë, histori etj. Por jo vetëm në të kaluarën, sepse edhe sot ajo vazhdon të kultivojë vlera të trashëgimisë në fushat e cilësuara më sipër, si një gur themeli e trashëgimisë së pandërprerë e traditës dhe identitetit. Vazhdon të përcjellë mesazhin e një jete që vlerëson hyjnoren dhe humanen, duke kultivuar vlera shpirtërore dhe morale. Në të njëjtën kohë artikulon zërin e saj në kohë krizash, edhe pse në raste të caktuara zëri i saj nuk duket shumë i fortë, ajo vazhdon të nxisë dhe të frymëzojë bashkëjetesën në rajonin tonë dhe më gjerë. Nxit tolerancën dhe bashkëpunimin midis njerëzve dhe feve, duke kontribuar për një shoqëri paqeje, dashurie dhe mirëkuptimi. Nё mёnyrё tё veҫantё e ka treguar kёtё gjatë krizave të ndryshme që ka kaluar vendi ynë (1992, 1994, 1997) si dhe me ndihmën e saj për mijëra të ardhur nga Kosova në vitin 1999. Veprimtaria e gjerë sociale dhe humanitare ka prekur mijёra qytetarё. Sa më shumë të jetosh brenda Kishës, aq më shumë zbehen sjelljet devijuese, si përdorimi i drogave, dhunës, kriminalitetit, korrupsionit etj., dhe nxitet solidariteti dhe dashuria që kapërcen kufijtë gjuhësorë, racorë, nacionalë etj.

Por, ajo që mundon ende disa është koncepti mbi autoqefalinë sot, sigurisht jo për qarqet dashakeqe, të cilët nuk mund të pajtohen me të “huajën” dhe jo vetёm me tё huajin. Kujtojmë që Ortodoksia ka lindur, është zhvilluar dhe ka jetuar në një shoqëri pluraliste dhe është e hapur përballë të ndryshmes, ҫdo gjuhe, race dhe kombi. Këta elementë i sheh si mundësi për të ndërtuar ura dhe për të krijuar një mozaik vëllazërie. Tërheq vëmendjen, duke theksuar se izolimi është një vetëvrasje, si dhe nacionalizmi kryqëzon siҫ dërgoi në Kryq vetë Krishtin (Lluk. 23,2). Gjithashtu, ndaj atyre që janë dashamirës tё saj dhe kërkojnë që të jenë kontribuues në të vërtetë, pranojmë edhe kur kritikojnë, por mbi argumente, në mënyrë racionale dhe jo me gjuhën e së djeshmes, agresivitetin dhe shpifjen. Prandaj pёr tё kuptuar mё mirё karakterin e autoqefalisë, një faktor shumë i rëndësishëm është ai ekonomik, që pavarësisht konsolidimit të vazhdueshëm, ende mbetet i brishtë për shkak të shtetit të djeshëm dhe të sotëm, që diferencohet pak kur bëhet fjalë për ҫështjet pronësore, veҫanërisht ndaj komuniteteve fetare. Këmbëngulja për pronat vjen jo vetёm si njё e drejtё, por edhe sepse pronat janё jetike për ekzistencën e saj, pёr mirёmbajtjen e trashёgimisё, pёr zhvillimin e brezave nё vazhdim. Prona dhe pasuria e saj materiale përbën një ndër komponentët e rëndësishëm të Autoqefalisë. Herë-herë persona tё caktuar rreken “pёr mbrojtjen e autoqefalisë”, por në të vërtetë me qëndrimin e tyre ruajnë në fuqi padrejtësitë e mbartura nga sistemi ateist. Duke qenë kundër pronës së saj, automatikisht bёhesh kundёr ekzistencёs sё funksionimit tё institucionit dhe asfiksimit tё autoqefalisë. E theksoj që është një faktor shumë i rëndësishëm, për të kuptuar të gjithë ata që u mëshojnë retorikave dhe interesave ideologjike, se Autoqefali e vërtetë do të thotë gjithashtu edhe një autoqefali financiare, pa anashkaluar theksin se mosndërhyrja në punët e saj, jo vetëm nga entet e jashtme, por edhe nga organizmat apo personat e ndryshëm, pa qenë anëtarë të saj, përbën një parim bazë për autoqefalinë. Ҫdo argument se edhe pse nuk janë anëtarë të saj, por që janë të lirë, kujtojmë se liria është e ҫmueshme vetëm kur kontribuon për forcimin e funksionimit të saj dhe jo duke e minuar.

Si rrjedhim, KOASH mbetet një institucion i rëndësishëm i këtij kombi dhe funksionon në përputhje me kanonet shekullore të saj, por edhe në përputhje me Kushtetutën e vendit. Ajo drejtohet nga Sinodi i Shenjtë si organi më i lartë dhe lufton për ruajtjen dhe konsolidimin e pavarësisë, pёr mosndërhyrje tё asnjë institucioni laik apo fetar, siҫ përcaktohet nga marrëveshja midis shtetit dhe Kishës Orthodhokse dhe kushtetutës së vitit 1998. Rimëkëmbja e KOASH-it, që vjen pas një persekutimi barbar është një realitet i vlerësuar jo vetëm në Shqipëri, por nga e gjithë bota ortodokse, nga kishat e krishtera dhe nga institucionet më të larta laike europiane dhe botërore. Sakrifica e marrë përsipër e një barre të rëndë të paimagjinueshme për ringritjen e saj prej njё personaliteti tё njohur ndёrkombёtarisht është një mrekulli dhe nёse kalojmë në akte mirënjohje dhe falënderimi, na radhit me popujt e qytetёruar. Sot Kisha Orthodokse në Shqipëri është në përputhje me traditën shekullore të ekzistencës së Kishës. Ajo ecën e sigurt dhe e barabartë me simotrat e saj. Dialogon me to dhe është në kungim dhe komunikim të vazhdueshëm, duke respektuar njëra-tjetrën. Gjithashtu, është e njohur nga institucionet fetare dhe laike brenda dhe jashtë Shqipërisë, si dhe anëtare me të drejta të plota në organizmat më të rëndësishme ndërkristiane dhe fetare në botë (anëtare e Këshillit Evropian të Kishave, CEC, nga viti 1992, (kryepeshkopi i saj ofroi shërbimin e tij si zëvendëspresident 2003-2009), anëtare e Këshillit Botëror të Kishave, WCC, nga viti 1994 (kryepeshkopi i saj një ndër presidentët, viti 2006-2013).

Prania e saj në organizmat botërorë i kanë dhënë një dimension ekumenik, që nuk mund të venitet nga legjendat urbane, emisionet dhe shkrimet e pabaza dhe vulgare, fantazitë dhe fobitë sipas stilit tё tipit komunist, që shpikte armiq kudo dhe kurdoherё, duke bunkerizuar vendin dhe mendjet.

Gёzuar Pashkёt tё gjithёve!

* Nga: Msc Dhimitër Qosja, pedagog në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” Shën Vlash, Durrës.

 

 

 

 

 

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Le t`i urojme suksese ne misionin e saj, kesaj kishe(jo)autoqefale. Une do te jem ushtari(besimtari dhe propagandisti me i madh i saj),me mundesite e mia modeste, kur: 1-Kisha Autoqefale Ortodokse Shqiptare, te kete KOKËN E SAJ SHQIPTARE NË KRYE. 2- Kur ajo kishe, te shpalle SHENJTORË te saj, ata qe ky komb i ka vendosur ne Altarin e Pavdekesise: Petro Nini-Luarasin, Papa Kristo Negovanin, Kostandin Kristoforidhin, Fan Nolin, e te tjere qe u takon. Sepse jemi i vetmi komb, qe kemi menaxher te huaj ne drejtimin e saj, e asnje shenjtor tonin… Respekte per autorin.

    Përgjigju ↓