Kryesore

Maks Velo: Enver Hoxha, as nuk ia kishte idenë artit modern, bëri shumë dëme!

09:45 - 16.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




 

Ben ANDONI

Në këtë intervistë të zgjeruar për “Milosao” nga ana e piktorit dhe arkitektit të njohur shtjellohen shumë elementë sa i përket Realizmit Socialist dhe dështimit të tij. Për z.Velo është e qartë se një sistem që nuk përdor nudon është i dështuar dhe kjo i ndodhi dhe Realizmit. Sa për Enver Hoxhën, ai shprehet se: Enver Hoxha nuk kish përgatitje në artet figurative. Kjo është lehtësisht e kontrollueshme po të shohësh çfarë koleksioni kish mbledhur në shtëpinë e tij. I kam parë. Enver Hoxha lexonte, me që dinte edhe frëngjishten lexonte edhe në atë gjuhë, por në art ish i papërgatitur. Jo vetëm ai, por edhe vetë artistët, nuk e njihnin artin modern. Në Shqipëri ish vetëm kultura e leximit të librave, ajo e mbajti gjallë një gjendje pak intelektuale. Dhe sot jemi shumë larg njohjes dhe vlerësimit të artit figurativ. Është proces shumë i vështirë. Na mungon tradita. Enver Hoxha bëri shumë dëme në strukturën totale të artit, nuk kish kush e kundërshtonte, pastaj kundërshtia ish e pamundur”.

Maks Velo njihet për qëndrimet e tij pa kompromis, por edhe për shprehjen e lirë të mendimeve. Pasi e ka treguar qëndrimin e tij me shumë prej gjinive të artit, në vitet e fundit është shprehur edhe në gjini të tjera të artit. “Gjatë tërë historisë së artit, që në primitivitet (Venera e Vilendorfit 30.000 p.K.), skulptorët kanë qenë të lidhur direkt më shumë se tërë artistët e tjerë me nudon femërore. Kurse arti i Realizmit Socialist e ndërpreu këtë. Për 45 vjet në tërë territorin e Shqipërisë nuk ka asnjë skulpturë nudo femërore. Në fakt kjo që dukej kaq e thjeshtë ish ajo që e rrënoi artin e Realizmit Socialist, si në Rusi edhe këtu. Këtë e analizoj imtësisht në libër”. Por Maks Velo ka konceptin e tij për artin dhe diktaturën. Mënyrën sesi kjo e fundit ushtroi ndikimin e saj dhe rolin e diktatorit komunist. Një vërejtje e bën hapur për studiuesit vendas që marrin punë të huaja dhe i paraqesin në doktoraturat e tyre…

Janë shumë interesante qasjet tuaja sa i përket artit figurative shqiptar. Si një nga pjesëtarët e saj, juve jo thjesht keni kontribuar me veprën tuaj, por keni dhënë edhe konsiderata të përgjithshme për të. Në këtë vazhdë, a vlerësoni ndonjë aspekt të Realizmit Socialist?

“Partia që në fillim i bashkoi shkrimtarët me artistët e arteve figurative. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë vend perëndimor. Kjo masë u mor që të kontrolloheshin ata më lehtësisht. Si për shembull, asnjë shkrimtar apo artist amerikan nuk ka qenë apo nuk është anëtar i Kongresit Amerikan. Picasso nuk ka asnjë titull apo dekoratë. Artisti i vërtetë është një predikator, as nuk mund të dekorohet e as të dënohet. Nga ana tjetër, asnjë skulptor perëndimor nuk ka punuar në grup.

Mbas letrës që Enver Hoxha u dërgoi tre skulptorëve Kristaq Rama, Mumtaz Dhrami, Shaban Hadëri kjo metodë u përhap gjerësisht. Në fakt ajo mohon autorësinë. Dy poetë nuk mund të shkruajnë bashkë një poemë. Nuk ka ndodhur kurrë.

Dy piktorë nuk mund të punojmë mbi një tablo. Dy skulptorë nuk mund të kenë të njëjtin imazh. Skulptura është poezia e materies dhe detyrimisht është shprehje individuale. Por qëllimi ishte diabolik, duke i hequr poezinë skulpturës i mbetej vetëm materia që duhej formuar sipas urdhrave. Në fakt monumentet ishin skena të ngurtësuara që afroheshin më shumë me teatrin.

Skulptura u kthye në një libër historie me heronj, luftëtarë, heronj të punës dhe sigurisht në krye udhëheqësi për të cilin u bënë 6 skulptura. Në Evropë skulptura e personalizuar ish tejkaluar. Janë porosi të rralla nga shteti për figura të shquara, kurse skulptura e mirë- filltë u bë arti i lirë i pa angazhuar që trajtoi materien ndryshe siç ishte trajtuar deri në shekullin e XXtë. Po ashtu BUSTI në artin evropian është një kategori e tejkaluar, vetëm në raste të rralla, për persona të familjes si janë kokat e Dona Marr e Picassos apo Annette e Giacomettit”.

Ju e shpjegoni dështimin e këtij tipari të artit vetëm me mungesën e nudos femërore. A do të veçonit dhe elementë të tjerë?

“Gjatë tërë historisë së artit, që në primitivitet (Venera e Vilendorfit 30.000 p.K.), skulptorët kanëqenë të lidhur direkt më shumë se tërë artistët e tjerë me nudon femërore. Kurse arti i Realizmit Socialist e ndërpreu këtë. Për 45 vjet në tërë territorin e Shqipërisë nuk ka asnjë skulpturë nudo femërore. Në fakt kjo që dukej kaq e thjeshtë ish ajo që e rrënoi artin e Realizmit Socialist, si në Rusi edhe këtu. Këtë e analizoj imtësisht në libër”.

Keni përgatitur një botim që lidhet me grafikën e Realizmit Socialist. Çfarë shikoni të vlefshme për publikun e shekullit XXI në këtë art?

“E vlefshme është e gjitha sepse grafika, ajo lloj grafike sot nuk ekziston më. Mos di ti vallë ndonjë ilustrim si ato që bënte Safo Marko për përrallat? Ajo ish Grafikë e mirëfilltë se bëhej me dorë. Është gjë tjetër aspekti ideologjik, sot ato nuk na rrezikojnë. Duhen ruajtur, janë faza në artin e një populli që nuk përsëriten më. Duhen parë pa ngarkesën ideologjike. Po ndihmoj Anastas Kostandinin në përzgjedhjen dhe përgatitjen e një libri me vizatimet e tij. Disa herë i kam thënë Ksenofon Dilos për botimin e një libri të tij me grafika. Libri im GRAFIKA E REALIZMIT SOCIALIST NË SHQIPËRI, pati dhe vazhdon të ketë një sukses ndërkombëtar, mjafton të lexoni artikullin e Raino Eeto Isto në ART MARGINS, 2015. Mbas Skulpturës dua të botoj edhe një libër për Pikturën e Realizmit Socialit, që t’i bëj një trilogji”.

Doktrina e Realizmit Socialist erdhi në vitit 1934 në Kongresin e artistëve, ku Gorki e shpalli atë. Gati dy dekada më vonë ai është pothuaj prezent në Shqipëri. Nga vëzhgimi juaj, si ishte fillimi i këtij arti në Shqipëri dhe si u k dhe si u kdhe si u konvertuan ar tuan artistët tanë në këtë art?

“Kur erdhi Komunizmi isha vetëm 10 vjeç, kur iku, mbasi kisha bërë edhe burgun, isha 55 vjeç. Gjithë periudha, që është më produktive për një artist më kaloi në komunizëm. Atë eksperiencë krejtësisht të veçantë dua ta fiksoj në libra. Deri tani , për skulpturën ka pasur shkrime dhe libra biografikë apo deskriptivë. Shoh që asnjëri nuk është në gjendje të kapë thelbin e problemit. Këtë dua të bëj. Shqipëria ishte vendi më i pastër ku u bë eksperimenti më radikal në art. Kjo mund të kuptohet vetëm me metodën e krahasimit, prandaj bëj këtë krahasim të madh”.

A ka pasur rezistencë dhe a veçoni artistë që brenda Realizmit kanë punuar sikur nuk ishin aty brenda kanoneve të tij, në pikëvështrimin tuaj? Në një nga Pleniumet e viteve ’70, En ’70, Enver Hoxha është marrë direkt me artin pamor, por edhe ka treguar se e njihte artin dhe rrymat e huaja. Pse mendoni që ai nuk e la bashkëjetesën e këtij arti me atë bashkëkohor?

“Kjo është lehtësisht e kontrolluar me proceset gjyqësore dhe cilat punë janë shkatërruar. Di që Kujtim Buza, Sekretari i Lidhjes e detyroi Janaq Paçon të thyejë të gjitha nudot që kish në studio, bocetet e shumta dhe disa torse. Unë u mundova të bëj diçka, në parkun e madh në vitin 1963 bëra një stol-skulpturë që është akoma se nuk i dha njeri rëndësi. Në Hotel DRINI bëra 5 relieve të rrahura në bakër, të cilat u shkatërruan. Në VENDIMIN E GJYQIT thuhet: “ Të huaja dhe të realizuara nën ndikimin e ideologjisë borgjeze dhe revizioniste me mjete të artit naiv, primitiv, ishin dhe relievet e rrahura në bakër të vendosura në ambientet e hotel DRINIT në Tiranë, të punuara nga i pandehuri.”( AktAkuza faqe 3 ). Dua të diskutoj pak për termat: ART NAIV dhe ARTPRIMITIV. Unë nuk kam bërë art naiv.

Gjithmonë nga 1964 kam bërë art primitiv. Së shpejti del nga shtypi në serinë e L’Ivre D’Artiste një përmbledhje me titullin FSHATI PRIMITIV, me 100 vizatime të bëra ndërmjet 1064 deri në 2015. Arti naiv është ai që bëhet nga shtresa të ndryshme popullore: barinj, bujq, artizanë. Kurse koha moderne po e zhduk këtë art. Është art impersonal, sepse ka një vazhdimësi, pasurim, një seleksionim, një plotësim. Të tilla janë qilimat, qëndismat. Gdhendjet në dru etj. Arti primitiv është tjetër gjë. Ai është një art i bërë nga artistë me shtysa të veçanta artistike që janë të depozituara brenda ndërgjegjes artistike të tij, por që vijnë nga kohë të lashta si atavizma. Arti primitiv është një atavizëm në sfondin e artit bashkëkohor. Çuditërisht është më bashkëkohori se rrymat e tjera. Kohët moderne nuk e zhdukën dot por e rivlerësuan. Ortodoksët hebrenj, mbledhin ujë nga një burim natyror pranë Jeruzalemit, ky ujë përdoret për të bërë bukë pa maja. Kjo ceremoni quhet “Mayim Shelanu”. Kështu janë dhe prurjet primitive, shfaqen vetëm në disa njerëz të rrallë. Vullkanet shpërthejnë rallë, po llava vjen nga brënda magmës së tokës. Artistët që bënë art primitiv Brankushi, Moor, Kalder, etj sjellin këtë magmë artistike në kohën e sotme. Ndërsa Beni e ke gabim: Enver Hoxha nuk kish përgatitje në artet figurative. Kjo është lehtësisht e kontrollueshme po të shohësh çfarë koleksioni kish mbledhur në shtëpinë e tij. I kam parë. Enver Hoxha lexonte, me që dinte edhe frëngjishten lexonte edhe në atë gjuhë, por në art ish i papërgatitur. Jo vetëm ai, por edhe vetë artistët, nuk e njihnin artin modern.

Në Shqipëri ish vetëm kultura e leximit të librave, ajo e mbajti gjallë një gjendje pak intelektuale. Dhe sot jemi shumë larg njohjes dhe vlerësimit të artit figurativ. Është proces shumë i vështirë. Na mungon tradita. Enver Hoxha bëri shumë dëme në strukturën totale të artit, nuk kish kush e kundërshtonte, pastaj kundërshtia ish e pamundur.

Po si mund të bëhej gjë kur të gjitha artet  i  drejtonte Kujtim Buza?

Po mos ishte Europa që nuk mund të linte një vend Komunist në qendër të Europës, edhe sot do ishim aty si Kuba ose Koreja e Veriut. Po shiko se ç’po gatuajmë edhe sot?”

Cilët dallohen si punët më të mira të Realizmit Socialist në pikëpamjen tuaj, që i kanë mbijetuar kohës?

“Tani të jemi realistë Ben. Para 45-sës kishim vetëm 4 a 5 skulptura. Tani duhet të jenë mbi 70. Çdo shtet ka nevojë për një muze në natyrë që të promovojë heronjtë e tij. Kjo gjë u bë, nuk mund të mohohet. Unë bisedoj për skulpturën tërësisht artistike pa temë të detyruar. Kjo nuk u realizua dot. Dhe ish e pamundur, madje nuk po e bëjmë dot as sot se nuk i kemi dot ata artistë…”. Ju po shkruani dhe merreni me një libër për të, a mund të zbulohen aty pytje lidhur me këtë art… “Libri im është një libër i veçantë dhe është i ngritur mbi një krahasim. Libri quhet SKULPTURA E REALIZMIT SOCIALIST NË SHQIPËRI DHE SKULPTURA EUROPIANE. Jam menduar gjatë dhe nuk ka një mënyrë tjetër për të parë të vërtetën veç krahasimit real. Arti është universal dhe analiza duhet bërë e tillë. Në pjesën e parë të librit bëj një rreshtim të veprave tona me foto. Marr në analizë relievet – basorelievet dhe altorelievet, bustet, torset, dhe monumentet.

Në pjesën e dytë analizoj pjesërisht skulpturën Evropiane të shek. XX këto të shoqëruara me vizatime. Për ti njohur më mirë, madje edhe i kam vizatuar vetë. Bazohem kryesisht në Hendy Moor, Alberto Giakometti, Umberto Boccioni, Osip Zadkine, Joan Miro, por paraqes punë dhe nga Picasso, Bourdelle, Jacques Lipchitz, Otto Freundlich, Rodin, Henry Laurens, Andre Derains, Maillol, Alexander Calder, Louise Burgeois etj”

A mendoni se propaganda që u shpërnda me këtë lloj arti ia arriti qëllimit për glorifikimin e një shoqërie që nuk ekzistonte?

“Gjithmonë më ka bërë të mendohem ai “kujdes” i veçantë i pushtetit komunist për letërsinë dhe artet. Ishte në rend të dytë mbas Ushtrisë. Komunizmi bazohej në ushtria dhe propaganda. Është e vështirë të dallosh se kush e kish prioritetin. Këtu edhe merrte fund arti, se arti nuk është propagandë. Në momentin që përdoret për këtë qëllim, atij i është hequr thelbësorja diversiteti, spontaniteti dhe mendimi krejt i ndryshëm në formë dhe përmbajtje, nga aktivitetet e tjera intelektuale të njeriut. Tek ne i a arriti qëllimit sepseshoqëria jonë sa kish dalë nga errësira Osmane dhe nuk kish traditë në art. Pastaj ish një popullsi e varfër dhe e shkolluar. Nuk kish edukatë artistike. U manipuluan lehtësisht artistët vetë dhe jo më publiku. Këtë art unë e kam quajtur SURREALIZMI SOCIALIST. Libri është rezultat i një reflektimi, dokumentimi të gjatë. E kam filluar që në 1992 kur pashë skulpturat e Henry Moor-it në Paris.

Pra janë plot 25 vite punë. Pastaj është edhe koha përpara, koha e komunizmit me Ekspozitat e Nëntorit, vizita në studiot e Paskalit, Paços. Ndërkohë kam botuar 11 artikuj për skulpturën nga viti 1999 deri në 2004, kryesisht në Gazeta ‘55’”.

Më të rëndësishmet syresh kanë qenë: FEJA NË ART ( Arti Kristian dhe ai i Realizmit Socialist)- Gazeta Shqiptare – 5 Tetor 1999. REVOLUCIONI SURREALISTGazeta “55”- Maj 2002. SURREALIZMI PEZAK-Gazeta “55” – 25 Nëndor 2003. Mbasi vizitova në Pompidu “ La revolution surrealiste”, në vitin 2002 shkruaj: ‘Arti Soc-realist e kish më të lehtë të kthehej mbrapa në një art tjetër “Revolucionar” si surrealizmi për të kërkuar pikat e takimit me të. Horrori, vdekja, tmerri, vinë nga dhuna, ato shijoheshin prapë me një dylbi grotesku nga lartësia e një balloni ëndrrash surrealiste por që kish mbishkrimin ART MODERN, megjithëse ky art kish vdekur për vete’.

Për mua revolucioni surrealist ish në muze, kurse Surrealizmi Revolucionar Socialist Shqiptar ish Surrealizmi i vërtetë. Prandaj dhe artikullin tjetër e quajta SURREALIZMI PEZAK. Tani dua të të bëj një pyetje Ben! Si mendon a do të ketë një Vetting edhe për studiuesit shqiptarë që vjedhin gjithandej çdo gjë që i u del përpara dhe bëjnë teza doktorature në Paris?” Pyetje pa përgjigje. Derisa nuk po e bën dot parlamenti për gjyqtarët me asistencën e të gjithë strukturave të vendit dhe ato ndërkombëtare, si mund të shtrihet ky proces edhe në fusha të tjera…Ti kthehemi një pyetje të fundit: A identifikohet Shqipëria me anë të ndonjë arti, në vizionin tuaj? “Kemi vetëm një pasuri të vërtetë dhe me vlerë, ARTIN BIZANTIN dhe POST BIZANTIN. Galeria Kombëtare as nuk krahasohet dot me Muzeun e Korçës. Panotë e mëdha dhe mozaiket e komunizmit nuk krahasohen dot me afreskat e shume kishave.

Çuditërisht gjenialitetin e kishim në atë kohë”.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.