MILOSAO

Tiranë-Shkup-Tiranë

07:36 - 17.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Nga Valbona NATHANAILI




Thonë se rruga e gjatë është më e shkurtër. Sado paradoks të duket, për të vajtur në Shkup, me makinë, nga Tirana, e mira është t’i dalësh nga Kosova, sepse kërkon më pak kohë. Pra të marrësh Rrugën e Kombit, të kalosh në pikën kufitare të Kukësit, Morinë dhe, që andej, të kërkosh tabelat për në Prishtinë. Pak pa mbërritur në Prishtinë, tabelat të orientojnë për në Shkup. Me një makinë të mirë dhe dy a tre ndalesa, rruga nuk zgjat më shumë se pesë orë. Udhëtimi është i qetë, pa troshitjet e një rruge të keqe dhe pa trafikun e kalimit nga një zonë e banuar në tjetrën, të cilat t’i ofron varianti më i shkurtër gjeografik i po kësaj rruge.
Qëllimi i vizitës ishte pjesëmarrja në konferencën e radhës organizuar nga LSEE – Research on South Eastern Europe, National Bank of the Republic of Macedonia (NBRM) and University American College Skopje (UACS), nga të paktat konferenca, këtu dhe gjithandej, që nuk janë shndërruar në biznes. Por surpriza më e bukur që kishin përgatitur organizatorët ishte një vizitë në disa nga qendrat historike të Shkupit, e cila filloi në kalanë e qytetit, një nga referencat e rezistencës ndaj pushtimit otoman dhe përfundoi në sheshin kryesor të kryeqytetit, rindërtuar i gjithi nga e para, falë një projekti të fuqishëm të qeverisë maqedonase të vitit 2010 dhe në referencë të vetëm një figure, Aleksandrit të Madh. Pjesë e turit ishin edhe një vizitë në xhaminë e Mustafa Pashës, në një han të vjetër, në pazarin e vjetër, në shtëpinë përkujtimore të Nënë Terezës dhe në stacionin e vjetër të trenit, që ishte shkatërruar nga tërmeti i vitit 1963.
Zakonisht vizita të tilla nëpër qendra historike bëhen të lodhshme dhe jo domosdoshmërish janë interesante. Shpesh të duket se do i harrosh sapo të kthesh shpinën. Ose bëhesh aq pragmatisit, sa mendon se janë një qind për qind të tyret dhe vetëm mund t’i admirosh, pa pasur shpresën se do i shohësh të realizuara ndonjëherë në vendin tënd, në mos veprën, të paktën përpjekjet dhe synimet. Mbeten diku në një cep të trurit dhe aktivizohen jo direkt, por në sfondin e një bisede, ose të rritjes si njeri, pra shndërrohen thjesht në përvoja personale. Por në vendet fqinjë nuk është ky rasti. Në Maqedoni veçanërisht. Ku historia e tyre ngatërrohet aq shumë me historinë tonë, ku për çdo ngjarje të ndodhur më shumë se 50 vjet më parë, secili ka variantin e vet të rrëfimit dhe të argumentimit, sepse aq shumë të ngatërruara janë prejardhjet e stërgjyshërve, gjyshërve e prindërve të personazheve më të rëndësishëm të atyre kohërave, sa të duket se ata kanë jetuar në kohën e globalizimit, ndërsa ne po jetojmë në kohën e deglobalizimit.
Një grup shqiptarësh që dëgjojnë një ciceron maqedonas të flasë për Nënë Terezën? Në memorialin e mrekullueshëm ndërtuar në nder të Gonxhe Bojaxhi, pikërisht në vendin ku ishte lindur dhe rritur shenjtorja, pyetja e parë që bëri ciceroni ishte: Nga është grupi? Kur mori vesh se shumica ishin nga Shqipëria e Kosova, i ra shkurt, pak a shumë me këtë fjali: Shqiptarja Gonxhe Bojaxhi, që u lind në Shkup dhe 18 vjeç filloi aktivitetin e saj në Kalkuta. Vizita në memorial ishte e pesta në radhë, por në vazhdë të një filozofie e synimi që dukej e shprehej nga të gjithë: të investojmë për të krijuar historinë tonë, pa grekë, pa bullgarë dhe pa shqiptarë, me grekë, me bullgarë dhe me shqiptarë, pa ndarje dhe pa etiketime, me kujdes dhe me tolerancë.
Në pazarin e vjetër flitej pothuaj vetëm shqip, ndërsa sheshi kryesor i kryeqytetit ishte shndërruar në shtëpinë e re të Aleksandrit të Madh, i përjetësuar në statuja të mëdha guri, vetëm dhe familjarisht, në disa përmasa, në disa faza të jetës, ndërsa gurët e përdorur për të shtruar sheshin ishin marrë nga disa krahina të Maqedonisë, – sipas cicerones, një ide e huazuar nga Parisi. Një muze interesant si ide, por që nuk arritëm ta vizitonim ishte ai i Holokaustit, në nder të viktimave hebreje të Luftës së Dytë Botërore. U sigurova ta pyes disa herë ciceronen nëse në Maqedoni ka pasur viktima nga komuniteti hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe m’u përgjigj se po, ndërsa vetë muzeu ishte ndërtuar me fondet e këtij komunitetit dhe të qeverisë, – shtoi ajo. E kundërta në Shqipëri, ku mburremi se nuk ka asnjë viktimë hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore, por nuk kemi ndërtuar një muze për të përjetësuar përpjekjet dhe sakrificat e familjeve dhe të krahinave të ndryshme për t’i mbrojtur ata. Urat e reja të shtuara mbi lumin Vardar, pjesë e të njëjtit projekt të vitit 2010, i japin të gjithë sheshit një pamje solemne, ndërsa muzika e ëmbël që të shoqëron gjatë gjithë sheshit duket sikur duan të të zbusin pak, të të kthejnë prapa në histori, por me një vështrim të ri dhe me një qasje ndryshe, që pavarësisht se jemi ballkanas, dimë të jetojmë e punojmë edhe në paqe e qetësi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.