POLITIKË

Bushati në Pentagon dhe në Departamentin e Shtetit, thirrja e Shannon: Të gjithë në zgjedhje

11:30 - 21.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Departamenti amerikan i Shtetit u bëri thirrje të gjitha partive politike në Shqipëri të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Në një deklaratë me shkrim të lëshuar të enjten vonë, thuhet se Nënsekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Politike, Ambasador Thomas A. Shannon, u takua me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë Ditmir Bushati, për të folur mbi interesat e përbashkëta në marrëdhëniet dypalëshe dhe në rajon.

Nënsekretari Shannon, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit, riafirmoi partneritetin e ngushtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, mbështetjen e fortë të SHBA ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për reformën e gjyqësorit dhe angazhimin e përbashkët ndaj vlerave demokratike, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

Nënsekretari Shannon, thuhet në deklaratë, theksoi gjithashtu rëndësinë që të gjitha partitë politike në Shqipëri të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Takimet e Bushatit në Pentagon dhe në Departamentin e Shtetit

Në kuadër të vizitës së tij në Washington Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati zhvilloi takime në Departamentin e Shtetit dhe në Pentagon, me Zv.Sekretarin e Shtetit, Thomas Shannon, si dhe me nwnsekretaren e Politikave të Mbrojtjes, Theresa Whelan.

Në takimin me Zv.Sekretarin e Shtetit, Tom Shannon, bashkëbiseduesit trajtuan forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve në kuadër të partneritetit strategjik, si dhe rritjen e bashkëveprimit në përballjen e sfidave të përbashkëta siç është lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Ministri Bushati e njohu Zv. Sekretarin e Shtetit me zhvillimet e brendshme, duke u ndalur te reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, kryesisht reforma në drejtësi dhe përpjekjet për zbatimin e veting-ut.

Teksa rikonfirmoi partneritetin e ngushtë midis dy vendeve, Zv. Sekretari Shanon nënvizoi “mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara për zbatimin e reformës në drejtësi si dhe angazhimin e përbashkët në mbrojtje të vlerave të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut”.

Ministri Bushati falënderoi Zv. Sekretarin Shanon “për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë dhe rajonin, në forcimin e paqes, stabilitetit demokratik dhe reformave shtet-konsoliduese”.

Në këtë kontekst, Shannon bëri thirrje që “të gjitha partitë politike në Shqipëri të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”.

Bashkëbiseduesit u ndalën mbi zhvillimet e fundit në rajon, rolin konstruktiv të Shqipërisë në forcimin e bashkëpunimit rajonal, si dhe rëndësinë e kontributit të vendit tonë në përmirësimin e mjedisit të sigurisë në Europën Jug-Lindore.

Palët ranë dakord se progresi i reformave shtet-konsoliduese dhe fryma e bashkëpunimit, në frymën e vlerave dhe perspektivës euro-atlantike, mbeten akset kryesorë të përforcimit të paqes dhe stabilitetit demokratik në rajonin tonë.

Në takimin me Nën-Sekretaren e Politikave të Mbrojtjes, Theresa Whelan, Ministri Bushati falënderoi SHBA-të për mbështetjen e gjithanshme që i kanë dhënë Shqipërisë në reformën e sektorit të sigurisë dhe modernizimin e Forcave tona të Armatosura.

Biseda pati në fokus nevojën e forcimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, në përgjigje edhe të sfidave të sigurisë me të cilat po përballet hapësira euro-atlantike.

Ministri Bushati e njohu Whelan me rolin e shtuar të Shqipërisë në misionet dhe operacionet e NATO-s, si dhe mbi kontributin e saj të qenësishëm në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Bushati rikonfirmoi vendosmërinë e vendit tonë për të vijuar me materializimin e angazhimeve të marra në Samitet e NATO-s në Uells dhe Varshavë, përfshirë rritjen e buxhetit dhe investimeve në fushën e mbrojtjes.

Bashkëbiseduesit theksuan nevojën e një vëmendje të shtuar ndaj rajonit dhe të bashkërendimit të përpjekjeve për të forcuar stabilitetin demokratik dhe përmirësuar mjedisin e sigurisë.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.