KULTURË

Tabloja, Arta Dollani: Si u bë restaurimi i Zojës së Shkodrës

09:40 - 21.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Veç afreskut që la Shkodrën më 1467, në shekullin XIX, në Shkodër do të realizohej edhe një tablo, në përmasa të mëdha. Autori nuk dihet, as koha e saktë, për një kohë të gjatë pati qëndruar pranë altarit të katedrales, derisa komunizmi të mbyllte kishat. 1967, bëri që artefaktet e çmuara të vendeve të kultit, si tabloja e Zojës, të mblidheshin në muzeun e ateizmit e me rënien e regjimit, disa t’u ktheheshin sërish komuniteteve. E ndërsa tabloja paraqitej e dëmtuar, Arta Dollani, Drejtoreshë e IMK-së, tregon për “GSH”, një historik të shkurtër të restaurimit të tablosë falë ndihmës së Ministrisë së Kulturës dhe IMK-së.

Nga Arta DOLLANI

Me kalimin e viteve, piktura në telajo “Zoja e Shkodrës”, për shkak të kushteve jo të mira të konservimit gjatë qëndrimit në ambiente të papërshtatshme, pësoi dëmtime të konsiderueshme si në suportin e kanavacës, ashtu edhe në shtresat e pelikulit piktorik.
Me interesimin e Dom Artur Jakut dhe përkushtimin personal të ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro, u hartua një plan pune për restaurimin e “Zojës së Shkodrës”.
Në verën e vitit 2015, në ambientet e Famullisë së katedrales së “Shën Shtjefnit”, specialistët e Sektorit të Veprave të Artit pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, në harkun kohor të disa ditëve kryen një ndërhyrje prekonsoliduese me qëllim ndalimin e degradimit të mëtejshëm të saj (degradimin e pelikulit piktorik). Ndërhyrja konsistoi në konservimin e pelikulit piktorik me anë të aplikimit të letrës japoneze me Kluçelg të tretur në ujë me alkool.
Për rëndësinë simbolike dhe vlerat e paçmueshme të trashëgimisë materiale e kulturore që “Zoja e Shkodrës” mbart, u vendos që restaurimi i saj të kryhej në Firence, Itali.
Pas komunikimeve të vazhdueshme që pati Instituti ynë i Monumenteve të Kulturës, me autoritetet drejtuese të Palazzo Spinelli, u arrit nënshkrimi i një marrëveshjeje bashkëpunimi me qëllim restaurimin e veprës në Firence në ambientet e këtij institucioni. Palazzo Spinelli njihet për përvojën e gjatë në fushën e restaurimit, veçanërisht për restaurimin e pikturës në telajo.
Falë bashkëpunimit të specialistëve të Palazzo Spinelli dhe atyre të Institutit të Monumenteve të Kulturës, u hartua projekti i ndërhyrjes konservuese–restauruese, i cili u paraqit për aprovim në Këshillin Shkencor të IMK-së dhe Këshillit Kombëtar të Restaurimit.
Pas përfundimit të dokumentacionit përshkrues e fotografik, regjistrimit të veprës dhe plotësimit të kartelës shoqëruese nga QKIPK, Instituti i Monumenteve të Kulturës mori masat e duhura për dërgimin e veprës “Zoja e Shkodrës”, në Itali, në tetor të vitit 2016.
Në muajt pasardhës u krye restaurimi i saj në laboratorët e restaurimit të Palazzo Spinelli, ku gjatë kësaj periudhe ka pasur dhe një komunikim të vazhdueshëm ndërmjet dy institucioneve.
Restaurimi i veprës “Zoja e Shkodrës” tashmë ka përfunduar dhe më 25 prill, në ambientet e Seminarit Ndërdioqezan Shqiptar “Zoja e Këshillit të Mirë” do të kremtohet rikthimi i saj në Famullinë e Katedrales së “Shën Shtjefnit” Shkodër.
*Drejtoreshë e Institutit të Monumenteve të Kulturës


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.